Konferenca e PS, Berisha: Licencë për 20%-in dhe mbrojtje të trashëgimisë hoxhiste
Kryeministri në detyrë, Sali Berisha reagoi për konferencën Shqipëria e Gjeneratës tjetër të organizuar nga Partia Socialiste dhe kryeministri i zgjedhur, Edi Rama. Në një postim në rrjetin social Facebook, Berisha shkruan se Rama kërkon që të shtrijë 20 përqindëshin në gjithë vendin ndërsa komenton edhe propozimet e bëra nga ekspertët për Piramidën dhe ish-vilën e diktatorit, Enver Hoxha. Jo mbajtja e premtimeve por shtrirja e 20% në mbarë vendin dhe zhvillimi i trashëgimisë hoxhiste janë preokupimet më madhore të Piktorit! Piktori dështak mbylli sot (dje) konferencën ku përveç arkitektëve të miliarderëve të PS, morën pjesë arkitektët e studios së 35 katshëve te liqeni për të cilat Rama kishte kërkuar nga kompania ndërtuese 20%, arkitektët e shndërrimit të sheshit Skënderbej në piramidë. Nga punimet e saj del se konferenca pati si qëllime: 1- Licencën e Piktorit për shtrirjen e 20 % në tërë territorin e vendit duke u marrë, në kundërshtim me Kushtetutën, kompetencat qeverive vendore dhe planet zhvillimore për tërë territorin. 2- Mbrojtja e trashëgimisë së Enver Hoxhës, babait të tij shpirtëror, Hitlerit të shqiptarëve, ishte qëllimi tjetër madhor i takimit. Konferenca mbështeti idenë e Piktorit që Piramida nga jashtë të shndërrohet në pistë rrëshqitjeje për fëmijët, gjithnjë nën tingujt e këngës “xhaxhi Enver e ke gojën me sheqer”. Kurse nga brenda ajo dhe vila e Enverit do shërbejnë si tempull, faltore për piktorin dhe sojin e tij të neobllokmeneve e drejtues të PS. Vila e diktatorit do ketë kujdestar të posaçëm Koço Kokëdhimën, mbyll shkrimin e tij kryeministri Berisha.