E Diel, 1 Nëntor 2026

Zbardhet marrëveshja PS-LSI për postet e zëvendësministrave

LSI do të ketë me PS-në të njëjtën marrëveshje që pati edhe me PD-në

meta-ramaKur kanë mbetur edhe më pak se dy javë që qeveria e re të nis ligjërisht nga puna zbulohet marrëveshja mes Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim për postet e zëvendësministrave. Kështu burime të sigurta bëjnë me dije se LSI do të ketë me socialistët të njëjtën marrëveshje që pati me demokratët për nivelet e dyta të qeverisjes. LSI do të ketë postin e zëvendësministrit në shumicën e ministrive të cilat do të drejtohen nga Partia Socialiste, ndërkohë që pjesa tjetër e ministrive do të jetë tërësish nën drejtimin e socialistëve.

Marrëveshja

Qeveria Rama ka në përbërjen e saj 19 ministri, tre prej të cilave janë pa portofol. 5 është numri i ministrive të cilat do të drejtohen nga LSI ndërkohë që aleatët e tjerë të koalicionit të majtë nuk janë përfshirë në kabinetin e ri. Përsa i përket ministrive ku LSI do të ketë postin e zëvendësministrit të njëjtat burime konfirmojnë se ende nuk janë përcaktuar dhe se për këtë çështje palët janë ende në negociata. Ndërkohë duket se marrëveshja, PS-LSI nuk do të mbyllet vetëm me kaq. Marrëveshja pritet që të shtrihet edhe në nivele më të ulëta ku pritet që LSI të marrë në drejtimin e saj edhe disa poste të tjera të larta në administratë.

Aleatët

Edhe partitë e tjera aleate të PS-së në zgjedhjet e tjera pritet që të marrin shpërblimin e tyre. Më të favorizuara në këtë pikë janë partitë të cilat arritën të merrnin dhe një mandat deputeti, PBDNJ dhe partia e demokristianeve. Të dyja këto parti do të marrin nga një post zëvendësministri ndërkohë që post zëvendësministri pritet që të marrin gjithashtu edhe aleatët historikë të Partisë Socialiste, Skënder Gjinushi dhe Paskal Milo. Me të gjitha këto parti PS është duke vijuar negociatat ndërsa pritet që ato të zyrtarizohen pak ditë para nisjes nga puna të qeverisë së re.

Aleatët e vegjël poste zëvendësministrash tek ministritë e LSI-së

 Poste zëvendësministrash do të ketë edhe për aleatët e vegjël të Partisë Socialiste. Aleatët pritet që të marrin poste zëvendësministrash tek 5 ministritë të cilat do të drejtohen nga Lëvizja Socialiste për Integrim. Kështu Rama duket se ka vendosur që Ministria e Integrimit, e Drejtësisë, e Transporteve, ajo e Bujqësisë dhe ministria e Mjedisit do të jenë plotësisht në duart e aleatëve të PS-së. Negociatat për ndarjen e këtyre posteve janë duke vijuar ndërkohë që mësohet se për këto poste aleatët i akne paraqitur Ramës emrat e tyre. Deri më tani vetëm partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, e Vangjel Dules ka arritur të konkretizojë marrëveshjen. Edhe pse ende nuk është zyrtarizuar PBDNJ do të ketë postin e zëvendësministrit të Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave e cila do të drejtohet nga ministri i LSI-së, Edmond Panariti, ndërkohë që po vijojnë negociatat me demokristianët, si dhe Skënder Gjinushin dhe Paskal Milon. Pritet që negociatat të përfundojë ditët e para të muajit shtator ndërsa zyrtarizmi i tyre do të bëhet pak ditë para nisjes nga puna të qeverisë së re. 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›