"Po" pesë gjyqtarëve në fushë, miratohet "fair-play" financiar
Të enjten, më 17 shtator, në ndeshjet e Europa League do të debutojnë dy gjyqtarët në zonë. Një eksperiment që do ta çojë në 5 numrin e arbitrave në fushë. Mishel Platini, presidenti UEFA-s, dëshiron që gjykimi me 5 të adaptohet sa më shpejt nga çdo kompeticion e jo vetëm nga Europa League. "Do ta eksperimentojmë këtë lloj arbitrimi, i cili parashikon dy ndihmësa në zonën e portës, që prej këtij viti në Europa League. Nëse bordi ndërkombëtar, ka shtuar Platini, do ta miratojë pranverën e ardhshme, do të përdorim gjykimin me pesë për të gjitha ndeshjet e Champions League dhe të Euro 2012". Komiteti ekzekutiv i UEFA-s ka miratuar dje me unanimitet projektin e "fair-play"-it financiar, i cili do të hyjë në fuqi në sezonin 2012/2013. Projekti parashikon që klubet të cilat do të marrin pjesë në kompeticionet europiane, do të duhet të vetëfinancohen, ose në të kundërt nuk do të mund të shpenzojnë më shumë se sa kanë arkëtuar. Të vetmet përjashtime do të bëhen për investimet në sektorin e të rinjve.