Konferenca e gjuhes tashme ne internet
Ardian Marashi, drejtor i Qendrës së Studimeve Albanologjike në Tiranë, përmes një njoftimi për shtyp ka lajmëruar se faqja në internet e QSA-së, (www.albanologjia.com), i është kushtuar, tërësisht konferencës "Shqipja në etapën e sotme" dhe materialeve të saj, e cila u mbajt në Durrës nga data 15 deri më 17 dhjetor. Sipas tij, bërja publike e këtyre materialeve ka për qëllim që specialistët, mediat, por edhe publiku i interesuar të mund t'i konsultojnë lirshëm e në mënyrë krejt transparente. Deri në muajin mars, materialet do të pasqyrohen me shënimin "varianti i lexuar në konferencë", pasi materialet e plota do të botohen në muajin mars, në aktet e konferencës. Në njoftim bëhet e ditur se materialet e konferencës do të pasurohen vazhdimisht dhe se do të jenë në dispozicion të të interesuarve.