Konferenca e përbashkët për shtyp e Kryeministrit Berisha dhe kryetares së Bashkisë së Milanos, znj. Letizia Moratti

Në vijim të takimeve të zhvilluara në Milano, Kryeministri Berisha dhe kryetarja e Bashkisë së Milanos, zonja Lettizia Moratti dhanë një konferencë të përbashkët për shtyp.
Kjo konferencë i paraprin çeljes së ekspozitës kushtuar Nënë Terezës, iniciativë e Fondacionit “Nënë Tereza”, me mbështetjen e Bashkisë Milano.
Duke falënderuar kryetaren e Bashkisë për pritjen e rezervuar, Kryeministri Berisha në fjalën e tij bëri një panoramë të mundësive të shumta që ofron Shqipëria në fushën e energjetikës, turizmit, etj. Kryeministri Berisha u shpreh se qeveria shqiptare nuk do të reshtë përpjekjet për krijimin e një klime sa më të përshtatshme për investitorët e huaj, si dhe u shpreh se reformat që ka ndërmarrë qeveria shqiptare kanë ndryshuar dhe po e ndryshojnë nga dita në ditë,Shqipërinë.
Në këtë konferencë e mori fjalën edhe zonja Berisha e cila shprehu falënderimet dhe mirënjohjen për kryetaren e bashkisë së Milanos, zonja Letizia Moratti, për mbështetjen e dhënë në çeljen e ekspozitës, dedikuar, njërës prej figurave më të shquara shqiptare, Nënë Terezës. Në fjalën e saj, zonja Berisha u shpreh se “Shqipëria kaloi një izolim të gjatë shumë të vështirë, por Zoti e bekoi duke i dërguar një misionare kaq të madhe, e cila me besimin, përkushtimin, sakrificën e saj tregoi se vuajtja, dhimbja, skamja në botë, mund të lehtësohen vetëm me dashuri.”
Në përfundim të konferencës, Kryeministri Berisha firmosi në Librin e Artë të Bashkisë së Milanos.
Më poshtë vijon e plotë deklarata e kryetares së Bashkisë së Milanos znj. Moratti dhe Kryeministrit Berisha:
Kryetarja e Bashkisë së Milanos znj. Moratti: Për mua është një nder i madh të pres Kryeministrin Berisha në Pallatin Marino, i cili pranoi ftesën që i bëra gjatë udhëtimit tim në Tiranë për një forum që ka karakteristika të ndryshme dhe të rëndësishme. Sigurisht forcimi dhe konsolidimi i marrëdhënieve ekonomike midis Shqipërisë dhe territorit lombard ka qenë dhe qëllimi i takimeve që ne kemi filluar sot në mëngjes, nga pikëpamja institucionale, dhe që do të vazhdojnë sot pasdite me një delegacion shumë të rëndësishëm që Kryeministri Berisha ka sjellë në qytetin tonë, me sipërmarrës shqiptarë, të cilët do të takohen më sipërmarrës milanezë dhe lombardë dhe, sigurisht, nga këto takime do të përforcohet një proces marrëdhëniesh ekonomike që tashmë i sheh vendet tona të lidhur shumë ngushtë.
Italia është partneri kryesor tregtar i Shqipërisë dhe, gjithashtu, investitori kryesor i drejtpërdrejtë. Ky forum ekonomik ka synimin e rëndësishëm për të përforcuar këtë bashkëpunim. Përveç këtij forumi, të cilin do ta ndjekim me vëmendje për të verifikuar ato që do të jenë rezultatet e tij, do të vazhdojmë të mbështesim këtë forcim të marrëdhënieve edhe me veprime të mëpasshme që do të jenë në lidhje me takimet e sotme.
Vazhduam me një mëngjes gjatë të cilit analizuam disa projekte midis të cilëve një projekt i rëndësishëm, siç është ai midis kompanisë industriale italiane globale Ferrero dhe Shqipërisë. Ferrero është një prodhues i madh dhe i rëndësishëm i lajthive të një cilësie shumë të mirë. Ky projekt është një ndër projektet që hyn në objektivat e eksport 2015, një partneritet mbi temat e lidhura me bujqësinë dhe zhvillimin e qëndrueshëm.
Jemi këtu për të prezantuar dhe atë që do të hapet sot pasdite, një ekspozitë e jashtëzakonshme dedikuar një figure simbol të kohës sonë që është Nënë Tereza e Kalkutës. Nënë Tereza, e lindur në Shqipëri, ka mbajtur gjithmonë një lidhje të thellë me tokën e saj dhe është një nga simbolet e bujarisë, kurajës, admirimit që në kohën tonë mund ta shohim dhe admirojmë duke kërkuar me përulësi, duke parë faktin e jashtëzakonshëm të më të dobëtëve, të më të përulurve. Falënderoj në mënyrë të veçantë zonjën Berisha, sepse fal saj ne kemi mundësi për të pasur këtë ekspozitë të jashtëzakonshme që, pasi është inauguruar në Kombet e Bashkuara dhe ka qenë në Washington, vjen në Milano dhe etapa e ardhshme do të jetë në Strasburg. Kështu që jemi krenar që kemi në Milano këtë ekspozitë kaq të rëndësishme dhe kaq domethënëse.
Një falënderim të thellë dua të shpreh për Kryeministrin Berisha që ia ka dedikuar ditën e tij Milanos. E falënderojmë edhe për këtë. Për një axhendë si e ajo e Kryeministrit është e vështirë që një ditë të tërë t’ia dedikojë një qyteti. Edhe një herë, një falënderim për zonjën Berisha, për mundësinë për këtë ekspozitë të mrekullueshme.
E shohim Shqipërinë me një interes të madh. Reformat që ka ditur të bëjë që kur Presidenti Berisha morri në dorë drejtimin e vendit, një vend që atëherë kishe një normë papunësie prej 80 përqind. Me shumë kurajë dhe me shumë vizion ai diti ta rindërtoj vendin, diti të jap një perspektivë, një vizion, një të ardhme.
Ky vend kaq afër me ne, me një prezencë të fortë, një komunitet shqiptar në qytetin tonë, në territorin tonë, një komunitet i integruar, një komunitet i përbërë nga shumë studentë. 12 përqind e studentëve të huaj prezent në qytetin tonë janë me prejardhje shqiptare. Domethënë kemi marrëdhënie që bazohen në miqësinë, origjinën, histori të përbashkëta, por edhe në një komunitet që është prezent në qytetin tonë dhe mbi të gjitha për pjesëmarrjen të studentëve shqiptar në jetën tonë universitare.
Një falënderim nga zemra dhe një ftesë për të gjithë për të parë këtë ekspozitë shumë të bukur, që do të hapet sot në 18.00.
Kryeministri i Shqipërisë z. Sali Berisha: Së pari dua të falënderoj nga zemra kryebashkiaken Moratti për nderimin dhe mikpritjen. Nderimin që më bëri mua dhe vendit tim duke organizuar këtu një ditë për Shqipërinë. Mikpritja e treguar ndaj meje dhe delegacionit tim. Jam shumë mirënjohës dhe krenar për kryebashkiaken Moratti dhe kam një admirim të madh për të që arriti të bind botën dhe të zgjedhë Milanon si kryeqytetin ekonomik botëror në 2015-n. Jam shumë i privilegjuar që pata rastin të votoj kryebashkiaken Moratti. Ajo e meritonte plotësisht, me zemër. Për Shqipërinë ishte me të vërtetë një ditë shumë e rëndësishme. Erdhëm këtu për të prezantuar përpara investitorëve milanezë dhe lombardë, të cilët janë ndër më të fuqishmit në Evropë dhe në botë, potencialet e vendit tim, të një vend i vogël në hartë, por shumë të madh në potencialet e tij në fushën energjetike, turistike, minerare dhe mbi të gjitha në burimet njerëzore, me një treg pune të shkëlqyer, tregun më të mirë të punës në Evropë. Një treg pune i ri, dinamik, më i lirë se në vende të tjera dhe i mirë edukuar.
Prezantova këtu të gjithë atë çfarë ka bërë qeveria ime për të siguruar një klimë të favorshme për investitorët. Unë jam i sigurt që reformat tona kanë ndryshuar dhe po ndryshojnë vendin. Në këtë kuptim, ekonomia shqiptare vitin e kaluar dhe këtë vit do të ketë rritjen më të madhe në Evropë. Dhe kjo ndodh jo për faktin se nuk është pjesë e ekonomisë globale, por se është një ekonomi hyperglobale. Është një ekonomi e bazuar në principet e duhura. Ne jemi një vend me nivelin më të ulët të taksave në Evropë. Jemi një vend që po bën investimet më të mëdha në infrastrukturë. Para dy vitesh isha në Davos, Wen Jiabao i premtoi botës që Kina për ndihmuar krizën botërore do të investojë në dy vite bashkë 16 përqind të GDP. Në dy vite, Shqipëria ka investuar 20 përqind të GDP së vendit të saj. Mendoj se investimet janë shumë të rëndësishme për ekonominë, ndryshojnë mjedisin dhe krijojnë kushte më të mira për investitorët. Ne po bëjmë një sforcim të madh për të çuar Shqipërinë në moshën dixhitale. Kemi qenë shumë të vonuar, por kemi bërë një progres të madh. Ne po punojmë në të gjitha fushat, në edukim dhe në aspektet sociale. Këtu në Milano ne kemi një pjesë shumë të vyer të së ardhmes sonë, mijëra studentë studiojnë në universitetet e Lombardisë dhe Milanos.
Unë diskutova me zonjën Moratti për të ndjekur këto ngjarje të mëdha, për të inkurajuar investitorët lombardë, milanezë, si dhe e sigurova se qeveria ime do të ndihmoj çdo investitor lombard që mund të konsideroj të investojë në fushën e energjisë. Vendi im ka rezerva shumë të mëdha hidrike. Lumenjtë e vegjël shqiptarë bëjnë Danubin. Do të ndërtohen 440 hidrocentralë, ka platforma ere në gjithë vendin. Forma të tjera energjie jemi duke studiuar, atë gjeotermike dhe jemi të hapur edhe për nuklearen.
Vendi im duhet të bëhet një superfuqi energjetike e vogël, por e fuqishme në rajon. Ne jemi të privilegjuar për të qenë përballë Italisë, e cila është një prej konsumatorëve më të mëdhenj të energjisë në Evropë dhe në botë. Kjo është një arsye shumë e rëndësishme për ne që të fokusohemi tek energjia. Por me interesa janë dhe fusha të tjera si turizmi, mineralet, prodhimi. Shumë firma italiane janë në Shqipëri dhe eksportojnë nga Shqipëria. San Paolo është një sukses i madh në vendin tim. Po kështu kompanitë e ndërtimit dhe shumë të tjera. Flamujt e kompanive italiane janë kudo. Unë ftoj të gjithë investitorët milanezë dhe lombardë të konsiderojnë seriozisht projektet e tyre për të ardhur në Shqipëri, të shohin kushtet dhe potencialet.
Edhe evenimenti i pasdites është shumë i rëndësishëm. Ne jemi bashkë në këtë ngjarje kulturore dedikuar Nënë Terezës. I jam shumë mirënjohës znj. Moratti për gjithë facilitetet që krijoi për të realizuar këtë ekspozitë.
Faleminderit!”
18/01/2011