Fjala e Kryeministrit Berisha në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Demokratike

Kryeministri Berisha ishte sot në mbledhjen e grupit parlamentarë të Partisë Demokratike, gjatë fjalës së tij kryeministri tha:
Zotërinj deputete edhe një herë urimet më të përzemërta ndonëse i kemi shkëmbyer ato, ose në takimet direkte ose me sms dhe kartolina, ju familjeve, zgjedhësve tuaj kudo që ndodhen dhe shqiptarëve në tërësi. Kam kënaqësinë t’ju informoj se ne nisim një vit, i cili në tërësinë e projekteve , përbën vitin e liderve të të gjithë qeverisjes sonë të deri sotme.
Kurrë ndonjëherë, në të gjithë qeverisjet ,dhe vlen te theksojmë se ky vend qeverisje të vërtetë ka pasur vetëm ne. Nuk ka nisur ndonjë vit me potenciale kaq të mëdha me projekte kaq të shumta me vizion kaq të qartë sesa viti 2011. Kjo para së gjithash dua të theksoj është bazuar në arritjet e deri sotme, sepse nuk mund tua thosha këto fjalë në fillim të vitit 2010. Për arsyen e vetme se pesha e krizës ekonomike Europiane dhe botërore ishte e rëndë dhe në një farë mënyre ose në një tjetër të inpononte parashikime të mbikujdesshme. Por ne mbyllëm vitin 2010 realisht si një nga ekonomitë më të forta, më entuziaste, më dinamike, më të sigurta.
Ne mbyllëm vitin me një arritje historike të jetës personale të çdo shqiptari, lëvizjen e lirë. Realizuam një objektiv madhor të jetës sonë, të vështirë, por jetik dhe të domosdoshëm. Në një situatë komplekse të vështirë, duke pasur një trashëgimi shumë të disfavorshme në këtë aspekt, por duke qenë dhe i vetmi vend, në të cilën forca kryesore politike e opozitës, luftoi me të gjitha mjetet për ta bllokuar këtë proces dhe kjo është e vërteta. Ne mbyllëm vitin me arritje tjera të mëdha në fushën e integrimit. Është e vërtetë, Komisioni Evropian nuk dha mendim për statusin ,por është e vërtetë se vlerësoi të gjitha përpjekjet tona, në mënyrën më të padiskutueshme bazuar në performancën. Ne mbyllëm vitin duke faktuar në mënyrën më të fuqishme, funksionimin e shtetit ligjor në këtë vend.
Liritë dhe të drejtat e njeriut në Shqipëri u përmirësuan sipas të gjithë raporteve kombëtare dhe ndërkombëtare, sepse ne jemi dhe do të mbetemi gjithnjë partneri i tyre. Opozita shqiptare u respektua më shumë se kurrë në të gjitha opsionet e saj, por vota e shqiptarëve, kushtetua e tyre dhe shteti ligjor u zbatuan, u respektuan me vendosmërinë më të madhe. Këto janë arsyet, sepse ne kemi një vit, dhe do t’ju garantoj ju më të qartin dhe më të suksesshmin, që kemi pasur ndonjëherë. Ne kemi një vit, në të cilin ne kemi një test shumë të rëndësishëm politikë dhe këto janë zgjedhjet vendore. Çdo zgjedhje është provë shumë e rëndësishme. Në vitin 2007 kjo parti në pushtet dhe aleatët e saj, bënë gjithçka dhe pavarësisht nga kritikat dhe vërejtjet që u bënë, u shkruajt e zezë mbi të bardhë, se nuk pati tendenca për ndërhyrje dhe manipulime. Çka ishte detyra parësore e jona. Në vitin 2009 shqiptarët votuan si qytetarët Europian në zgjedhjet e lira dhe te ndershme. Dështoi çdo përpjekje për të marrë peng votën e tyre.
Viti 2011 zonja dhe zotërinj deputet, do të beje gjithçka që qytetarët shqiptarë të votojnë të lirë njëlloj si qytetarët e vendeve të zhvilluara të Europës. Ky është zotimi ynë, ky është angazhimi ynë. Këto ditë vjen këtu një mision i ODHIR-it shumë i mirëpritur, do të ftojmë vëzhgues nga e gjithë bota, do të bëjmë çdo gjë për të mirëpritur edhe sugjerimin e Qeverisë Amerikane, ndonëse kanë qenë mbi 5 mijë vëzhgues vendas, por edhe sikur të bëhen 20-30 mijë janë të mirë pritur. Një gjë është e sigurt, se ne realizuam standardin më të shkëlqyer të numërimit të votave,që ekziston mbi tokë dhe këtë e faktoi Shkodra. Me atë standard Shkodra faktoi se jep saktësinë më të lartë në numërimin e votës sesa çdo standard i ekzistuar deri më sot. Ne do e konsolidojmë atë, natyrisht vonon pak, por le të vonojë e vërteta ka rëndësi më shumë se çdo gjë tjetër. Opozita do të ketë ofertën tonë të hapur të hartojë çdo ligj apo amendament, që ajo beson se i duhet për të qenë e sigurt në konceptin e vet ti dërgojë ato në Komisionin e Venecias dhe në OSBE- ODHIR, për të marrë viston prej tyre. Ne do i votojmë ato pa ndryshim, sikundër Shqipëria ka një kod zgjedhor nga më të mirët, modern, konsensual në çdo germe në çdo fjalë, është konsensual, çka përbën dhe një nga vlerat më të mëdha të këtij kodi dhe zoti Rama në letrën e shkruar e firmosur prej ti,j drejtuar institucioneve ndërkombëtare, ju thotë se kodi është shumë i mirë s’ka nevojë për ndryshime, por zbatimi i tij. Zoti Rama është i thirrur të paraqesë amendamente për zbatimin e tij, ndonëse ka pasur 20 mijë komisionerët e tij, por ne jemi të hapur për të pasur çdo lloj standardi që përputhet me normat ndërkombëtare me zgjedhjet e lira.
Askush nuk mund të pranojë të kontrollosh sekretin e votës, pse larvon ti në bunkerin ku ke lindur, kjo nuk do të thotë se shqiptarët kanë mbetur në bunker. Vota është në çdo vend të botës ka sekretin e saj dhe është kusht fondamental për zgjedhje të lira dhe të ndershme një nga shtyllat më kryesore.
Në zgjedhjet e fundit në Britaninë e Madhe OSBE, dërgoi një përfaqësi nga Shqipëria , nga ana e mazhorancës ishte shefi im i kabinetit zoti Oerd Bylykbashi, nga ana e Partisë Socialiste ishte zoti Damian Gjiknuri. Iu drejtua pyetja përfaqësuesit kryesor në atë distrikt çfarë bëhet me votat, me fletët e votimit, përgjigja ishte kjo, për 22 ditë ato mund ti shqyrtojë gjykata nëse ka problematikë. Po pas 22 ditësh? Njëri mbi tokë nuk mund ti prekë më. Po pse iu bë pyetja, sepse është sekret vota, pra edhe ne shqiptarët duhet të mësojmë në qoftë se si kemi disa koncepte.
Pra theksova këtë moment si një parim themelor, duhet të biem dakord që disa parime duhet ti respektojmë. Ju e dini se historiku i manipulimit masiv të zgjedhjeve nga Partia Socialiste filloi me referendumin e kushtetues ku ata identifikuan zgjedhësit, por kjo nuk do të ndodhë kurrë më. Theksova këtë se çdo lloj oferte është e hapur brenda parimeve themelore të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.
Në këtë kontekst pra kjo mazhorancë do të bëjë gjithçka për proces zgjedhor të lirë dhe të ndershëm, të denjë për një vend që aspiron integrimin e plotë në Bashkimin Evropian.
Çështja e dytë më madhore, absolute është vazhdimi i gjithanshëm i reformave, që afroi këtë vend me standardet me praktikat, normat e Bashkimit Evropian. Qeveria, mazhoranca, parlamenti , institucionet e këtij vendi kanë këtë projekt, si projektin më madhor, ndaj dhe bëhet gjithçka që kërkesat e Komisionit Europian të gjejnë zgjidhjen më të mirë të mundshme, për zgjedhjet kjo ofertë , për bashkëpunimin me opozitën në të gjitha fushat pa asnjë lloj rezerve, natyrisht kurrë ndonjëherë ky vend nuk mund të ketë hetime të llojit Jozef K., sepse Jozefi ishte një personazh, punonjës banke, por Shqipëria nuk është personazh. Shqipëria është një komb është një vend , është një shoqëri e lirë dhe këto nuk mund të imagjinohen kurrë, ndaj dhe ne do të bëjmë gjithçka të përafrojmë, të progresojmë në shkallën më të madhe të këtyre kërkesave. Ka një problem serioz që e kërkon komisioni dhe unë e konsideroj shumë të drejtë dhe kjo mazhorance e ka konsideruar gjithmonë shumë të drejtë, çështjen e imunitetit .
Zoti Kryetar i Grupit Parlamentarë, bashkë me komisionin e ligjeve do të përgatisni deklaratën tip që ne ta firmosim, secili prej nesh duke filluar nga unë, të gjithë anëtarët e kësaj mazhorance, ta depozitojnë në parlament, të bëjmë ndërhyrjet e nevojshme në rregulloren parlamentit nëse është e duhur dhe të adaptojmë një standard, të cilin e praktikon vendi më i madh i Bashkimit Evropian, Republika Federale Gjermane, prej shumë e shumë vitesh për shkakun e vetëm, që nuk kanë bërë ndërhyrje në kushtetutë, por të përdorin këtë praktikë.
Le ta marrim ne këtë shembull, ti rikthemi atij dhe ne të garantojmë se nuk do të ketë asnjë lloj imuniteti për problemin e korrupsionit dhe krimit të zakonshëm, për çështjet e tjera, është procedurë tjetër.
Kjo është shumë e rëndësishme. Ne rast se opozita dëshmon vullnet për të bërë ndryshimet e duhura kushtetuese apo ligjore ne jemi të gatshëm që nesër ti bëjmë ato në interesin më të mirë të vendit. Është e domosdoshme që Ministri i Drejtësisë në një mbledhje të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, të shtrojë këtë çështje lidhur me imunitetin e gjyqtarëve, ku gjykoj që secili prej tyre mbi bazën e një deklarate mund të japin një zotim të tillë, prokuroret nuk e kanë jua kemi hequr me ligj dhe në ketë mënyrë Shqipëria bën një hap të madh përpara në zgjidhjen e kësaj kërkese, sikundër reforma për adresimin e rekomandimet e OSBE – ODHIR-it, vazhdon dhe do të vazhdojë. Që të gjitha çështje që nuk kanë nevojë për 3/5, dhe janë të shumta në rekomandime, do të marrin përgjigjen më të merituar në bashkëpunim me OSBE, në mënyrë që të jenë brenda standardeve dhe të zbatohen.
Një seri reformash të tjera të rëndësishme, janë në proces dhe në vazhdim dhe unë kam bindjen se ky vit do të shënojë arritjet më të mëdha se çdo vit tjetër në fushën e reformave.
Unë ju thash ju se ky është viti më i rëndësishëm, vit i cili do të shënojë arritjet më të mëdha dhe ju garantoj se kjo do të ndodhë. Ekonomia shqiptare në tremujorin e trete ka një rritje te kalkuluar 4.9 %, por që eksportet nuk kanë asnjë kontribut ndonëse ato kanë një rritje mbi 60%, sa në asnjë vend tjetër, sepse formula e kalkulimit të rritjes është e atillë.
Pra ne nisim këtë vit me një pritshmëri midis 7 dhe 8 përqind dhe kjo është absolutisht e mundshme po të kemi parasysh, nuk them kurrë shifra të saktë, sepse të saktën e kanë ata që e llogarisin, por unë përcaktoj një objektiv. Ku e bazoj unë këtë, e bazoj në performancën ekonomike të 6 muajve të fundit ose në tërë vitin që shkoi, por e bazoj dhe në heqjen e vizave. Heqja e viza ishte bonusi më i shkëlqyer që Bashkimi Evropian ka bërë për ekonominë shqiptare. Liria e lëvizjes është gjaku i ekonomisë dhe unë pres që vetëm nga ky faktor, rritja të jetë së paku 2% më e madhe sesa ishte para heqjes së vizave. Natyrisht ky vit si çdo vit objektiv kryesor do të ketë rritjen e rrogave dhe pensioneve. Ne jemi qeveria e rritjes së vazhdueshme të rrogave dhe pensioneve , ne do ta bëjmë këtë dhe do te realizojmë rritjen më të madhe në Europë.
Jemi rritja më e madhe, do të jetë dhe rritja më e madhe kësaj i qëndrojmë plotësisht. Pra të ardhurat familjare të 800 mijë familjeve shqiptare në fund të këtij viti do të jene qartësisht të ndryshme nga ato që marrin në fillim të këtij viti. Nuk ka asnjë lidhje kjo me zgjedhjet. Uroj që zoti Rama të mos e quajë kriminale, apo të mos kërkojë mos rritjen sepse nuk do të dëgjohet, sepse rrogat do të rriten, por po ia them që tani se nëse do të ngrihet kundër rritjet se rrogave dhe pensioneve sikurse ka bërë vitet e tjera është e njëjtë sikur të rrahë ujë në hava , le ta bëjë, po të dojë, por ato do i rrisim ne.
Zonja dhe zotërinj
Ky është viti i projekteve më të mëdha, katër vjet më parë nuk kishte gjë më jorealiste se të deklarojë se do të asfaltojë 6 mijë kilometra rrugë, në fakt 4 mijë kilometra rrugë kemi në standard, madje kishte eksportet të opozitës që thoshin se janë gjithsej, 2300 kilometra për tu asfaltuar, por e vërteta është se ne asfaltuam 6 mijë dhe e vërteta është se ne po shkojmë drejt transformimit tërësor të infrastrukturës rrugore, ne e kemi kapur mirë. Kemi bërë gjënë më të mirë në rrugë, ne po lëvizim me gjënë më të çmuar që ka njeriu që është koha.
Ne do të shkurtojmë ne 2 ore në 2:30 minuta distancën nga çdo kënd i këtij vendi me Tiranën. E vërteta është se ky projekt po lëshon shtat me shpejtësi, dhe duhet të pranojmë se infrastruktura jonë nuk ka qenë socialiste, socialiste mesjetare, po ka qenë paranojake socialiste. Infrastruktura e akseve kombëtare ku deklarohej se na ulen mig-ët, por zonat rurale kanë qenë rrugë që kanë eksituar dhe 1 mijë vjet më parë me kalldrëm apo pa kalldrëm, për qerre apo për kuaj dhe kanë qenë të vetme dhe sot ka akoma.
Duhet të jemi realisht duhet ti shohim gjerat në sy. Njerëzit kanë lëvizur në çdo kohë, ngulimet dhe banimet janë mijëra vjeçare, por rrugët e tyre kanë qenë rrugët për qerre, këmbësor ose për kalë, ne po i sjellim në kohën e sotme dhe po i japim vendit rrjetin me modern ne Ballkan dhe më modern në Europë. Unë dua tu informoj sot për kënaqësinë tuaj, por dhe të grupit anti-tunel se 26 kompani janë paraqitur sot në tenderin e tunelit të Elbasanit.
Sikundër ju jeni informuar javën e fundit të vitit u firmos marrëveshja për 400 milion dollarë, për këtë autostradë që ne e vërteta është se do e bënim me çdo kusht, sepse ka inpakt shumë të madh, ka inpakt për të gjithë jugun dhe jug-lindjen e vendit. Elbasanit që është popullata më masive pas Tiranës. Elbasani shndërrohet në një qytet binjak me Tiranën, ma i afërti, më i afërt se Fushë-Kruja, të cilën e kam konsideruar dhe e konsideroj gjithnjë si lagje të Tiranës. Sapo të përfundojnë të gjitha studimet do të fillojë tuneli i Qafë-Murrizit, rruga e dytë e kombit do të behet, do ta bëjmë si një detyrim kombëtar dhe rajonal, por duhet tu them se nga Konispoli deri ne Vermosh janë mijëra kilometra rrugë që do të ndërtohen apo janë në ndërtim. 45 komuna nga 91 komuna që janë akoma të palidhura me akset kombëtare do të lidhen gjatë këtij viti. Do të përfundojnë rrugët e mëdha të jugut, Levan-Tepelenë, Levan-Vlorë, do ecim me vendosmëri Karrdhiq-Delvinë. Do ecet në unazën veri- lindore dhe jug lindore të vendit, unazë e cila de fakto fillon në Valbonë përfundon në Delvinë.
Ne do t’i japim vendit infrastrukturën më moderne. Shumë herë dhe me shumë të drejtë ne mund të kemi pyetur veten se mos kemi një mbiangazhim në rrugë. Dhe ne kemi mbiangazhim, por e kemi me shumë të drejtë. Efektet e rrugëve të ndërtuara janë të jashtëzakonshme për sa i përket potencialeve të zhvillimit dhe vlerës. Ju garantoj se për mungesë të tyre mbetën të fjetura pasuri përrallore të këtij vendi. Imagjinoni ju, miqtë e mi, vendi më malor i Evropës ka një turizëm, pothuajse, inekzistent malor. Jo se malet e tij nuk janë të bukura, jo se ato nuk ofrojnë bukuritë më mahnitëse të përshkruara nga udhëtarë, gjeografë, etj., por se infrastruktura e tyre është mesjetare dhe ato, përveç Thethit, Valbonës ose tek - tuk ndonjë tjetre, mbeten. Ne do të ecim vendosmërisht në infrastrukturë drejt tyre.
Ne e presim të bindur këtë vit si vitin më të mirë të këtij vendi për sa i përket zhvillimit, sepse kurrë ndonjëherë, ndoshta në tërë ekzistencën e tij, ajo reklamë që i është bërë Shqipërisë gjashtë muajt e vitit që kaloi për bukuritë e saj dhe si destinacion kryesor turistik nuk ka ndodhur. Unë ju garantoj se mund të ishin shpenzuar edhe 100 milionë euro dhe nuk do të kishim bërë dot as 1/10 e saj. Ju ftoj të klikoni në internet dhe të shihni se cili është fondi i lajmeve për Shqipërinë turistike. Është bërë vendi më i klikuar. Ka tejkaluar në klikime vendet me traditë dhjetëra e dhjetëra vjeçare turistike nga më të shkëlqyerat. Janë shkruar dhjetëra e mijëra artikuj dhe lajme vetëm gjashtë muajt e fundit për Shqipërinë, çka do të thotë se presim fluksin më të madh turistik e në vazhdim. Pra edhe kjo përbën një faktor tjetër shumë të rëndësishëm të rritjes së fuqishme ekonomike që presim këtë vit. Përbën një tjetër faktor shumë të rëndësishëm të një horizonti të ri që ne synojmë të arrijmë këtë vit.
Ne kemi bërë një progres shumë të madh në fushën e arsimit. Sot secili prej nesh ndjen krenari dhe kënaqësi për nivelin ndër më të lartit në Evropë dhe në botë për ndjekjen e shkollave të mesme dhe të larta nga nxënësit shqiptarë, nga fëmijët e këtij vendi. Detyra jonë thelbësore është që këtë vit të ndërmarrim hapat më të rëndësishëm në drejtim të cilësisë. “Cilësi, cilësi dhe vetëm cilësi” do të jetë motoja jonë. Ne do të bazojmë arsimin tonë, para së gjithash dhe mbi të gjitha, në tre lëndë kryesore: gjuhën shqipe, matematikën, informatikën. Mbi këto tre shtylla ne do të ngremë formimin e fëmijëve tanë. Ju me votën tuaj në Parlament keni bërë një vendim historik kur bëtë anglishten me detyrim gjuhë të detyrueshme. Të gjitha lëndët e tjera do të jenë të vlerësuara e të respektuara, por këto të tria do të bazohet e tërë përpjekja jonë. Ka zhvillime pozitive, por këto zhvillime do t’i strukturojmë dhe këtyre tri disiplinave do t’i japim vendin më qendror. Fëmijët tanë do të përgatiten si globalistë dhe si shqiptarë. Vetëm të tillë mund të jenë ata dhe në garë si ne nuk ka.
Mund tu them se do të ketë progres shumë të madh në reformën në shëndetësi. Reforma më e vështirë. Por me lejoni t’ju informoj se janë hedhur hapa të paprecedentë në këtë reformë gjatë vitit që shkoi. Është shtruar e tërë traseja dhe tani mbetet ndërtimi, të cilin do ta bëjmë me vendosmëri të madhe. së shpejti sjellim ligjin e sigurimeve shëndetësore, një ligj, do të thosha në vlerësimin tim, ndër më të mirët. E them këtë, sepse i siguron kujdesin shëndetësor çdo qytetari shqiptar. Natyrisht hapet drejt sektorit privat. Shteti në çështjet sensitive do të marrë përgjegjësitë më të mëdha.
Janë hartuar protokollet, të cilat mungonin, dhe kjo ka qenë një arritje shumë e madhe. fillohet me listimin e shërbimeve dhe kostifikimin e tyre dhe vendoset mekanizmi i ri financiar si në shëndetësei ashtu dhe në sistemin arsimor, që ne e kemi të gatshëm.
Ne kemi një zotim, në vitin 2012 nuk do të ketë familje shqiptare në mjerim. Mjerimi është kur merr nën 1.25 dollar. Ne do përdorim çdo mekanizëm që të mos ketë me këto të ardhura, por të jenë mbi këtë nivel. Nuk them se ne do të zhdukim varfërinë, sepse kjo është objektiv që duhet ta mbajë çdo qeveri e duhet të luftojë me vendosmëri, por nuk mund të themi se do ta zhdukim plotësisht. Ajo ekziston kudo. Është pantotemike në shkallë të ndryshme, por mjerimi do të zhduket.
Kemi bërë një hap shumë të madh. Ne regjistrat e shumtë dixhital që kemi krijuar, po krijojmë edhe regjistrin dixhilat të ndihmës ekonomike. Shumë i çmuar për të nxjerr në dritën e të vërtetës. Pra edhe ky është një objektit që qeveria jonë do ta përmbushë. Nuk mund të pranoj më kurrë që të kemi qytetar në mjerim. Të ardhurat për frymë në vend, krahasuar me 20 vjet më parë, janë 30- 35 herë më të larta. Mekanizmi i shpërndarjes duhet të jetë i atillë që mjerim nuk duhet të ketë.
Natyrisht lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit mbeten përparësi absolute më madhore të kësaj mazhorance. Kjo mazhorancë ka krijuar dhe konsoliduar në mënyrën më të vendosur këtë luftë. Presim me shumë kënaqësi disa zhvillime shumë të rëndësishme dhe që kanë impakt në këtë luftë: dixhitalizimin e sistemit të shëndetësisë, një sistem të dixhitalizimit të taksave dhe të regjistrit të tokës. Pra në çdo fushë unë mund të citoj, por specifikë e këtij ligji është se kurrë ndonjë herë nuk ka ekzistuar ndonjë ligj në të cilin mundësitë, objektivat, projektet dhe vizioni të jenë më në harmoni se këtë vit.
Natyrisht, siç e kontatuat Edvin Kristaq Rama ofron opsionin çimkë. Elementi i fundit i politikës së tij të re ishte cimka. Mediat publikuan një video, e cila sot është në Prokurorinë e shtetit dhe unë si Kreministër shpreha vlerësimin më të madh për: së pari disponibilitetin e zv/kryeministrit për të mos i njohur vetes asnjë lloj imuniteti dhe për të qartësuar; se dyti vlerësimin tim më të madh për gatishmërinë imediate të prokurorisë për të hetuar këtë çështje dhe garancinë se çdo ketë çdo dokument dhe çdo lehtësi; së treti, nëse e konstatuat, që ditën e parë unë denoncova një akt të shëmtuar të ulët dhe të pistë, aktin me të cilin Edvin Kristaq Rama donte të implikonte me çdo kusht Kryeministrin duke falsifikuar videon. Ky është një akt i cili bëhet tërësisht në mendësinë e bllokmenit. Unë jam kryeministri i vendit dhe duhet të matet mirë. Në qoftë se ti mendon se duke montuar dhe prerë shirita mund të cenosh kryetarin e mazhorancës së një vendi, më këtë tregon se je një kalec i mjerë bunkeri, një larvë mjerane dhe kjo përbën një vepër të rëndë penale. Qeveria është element kryesor i rendit kushtetues të vendit. në qoftë se ti përpiqesh të krijosh prova falsë për qëllime të tua të ulëta politike, atëherë tregon se bën një atentat shumë të rëndë drejt demokracisë dhe institucioneve demokratike. një gjë të tillë nuk mund ta bësh kurrë as ndaj ndonjë qytetari. Në vendet e lira nuk montohet, nuk trukohet, nuk manipulohet.
Edvin Kristaq Rama e bëri në sintoni, sepse këta janë dhe fatkeq se u kanë rastisur të dyve etërit me Kiço. Kiço ti e Kiço unë... Ata që janë nga ato zona e dinë çdo të thotë. Këto janë turpe dhe ata burra turpi që merren me regjistrime, që montojnë dhe falsifikojnë regjistrime për Kryeministrin. Tipik larva blloku, kalec bunkeri. Ata s’mund të jenë tjetër. Si mundet një njeri i lirë, i qytetëruar ti lejojë vetes një gjë të tillë. E akuzoi, sepse të nesërmen dhe të pasnesërmen me radhë u tha shqiptarëve se video nuk është e montuar. E bëri këtë edhe pasi vetë media që e publikoi, duke e kuptuar që ka kryer një krim me montimin e bërë nga çakalli i tij, u detyrua ta nxjerrë.
Aty bëhej fjalë për emërimin e Engjëll Zeqos, në vend të Muharrem Stojkut, në përputhje me marrëveshjen e forcave politike që KESH-in do ta kishte LSI-ja. Dhe ata do prisnin këtë që të deklaronin se Kryeministri është angazhuar në koncensionin e hidrocentralit, i cili ka procedurën e vetë dhe për të cilin nuk bëj komente tani pasi do ta shqyrtojë prokuroria. Por akti i tij, murimi i bëri veprës së tij kriminale, e them para jush se e konsideroj aktin më të ulët, më të shëmtuar personal të tij. Ai mund të ushqehet me çimka nga mëngjesi deri në darkë, mund të bëj ç’të dojë, por të montojë kundër kryeministrit duhet të dijë se ka bërë një gabim fatal për veten e tij. Jo se unë e kam personale këtë, por sepse kryeministri i vendit është kryeministër. Në qoftë se ti përpiqesh të destabilizosh një vend duke montuar për Kryeministrin, atëherë përdor metoda puçiste, të shëmtuara, të dënueshme për të cilat, natyrisht, do mbash përgjegjësi. E them publikisht këtu para shqiptarëve se do mbajë përgjegjësi për ketë. Nuk kam ndërmend që ta pranoj një gjë të tillë.
Historia e videos është mjerane. Autori i saj, kur do të largohej nga detyra e ministrit me vendimin e partisë së tij, vjen dhe mendonte se unë nuk do të pranoja një gjë të tillë. Unë i pranoj marrëveshjet. Unë nuk i shkel ato. Të tjerët mund të shkelin marrëveshjet me mua, por unë me ta jo, absolutisht. Ky është morali dhe karakteri im. Qëndrimet e mia unë i bazoj në moral. Dhe unë i them atij që nuk mundem, sepse unë zbatoj marrëveshjen. Në fund më thotë – me vjen keq, por unë këtë mazhorancë do ta dëmtoj, sepse kam një video. I them – sa të kesh fuqi e më shumë ta dëmtosh dhe çoja kujt të duash. Dhe, absolutisht, këtë përgjigje e mori çdo njeri në çdo kohë. Imagjinoni ju në qoftë se unë do të hapja një spirale? Po kush është ai që mund të marrë peng qeverinë e Sali Berishës? Kurrë! Kështu që unë po të doja... Edi Rama kasetën, faktikisht, e mori nga unë. Dhe u tregua i papërmbajtur. Ai vetëm nga ky fakt nuk duhet ti lejonte vetes dhe çakallit të tij manipulimin. Po të doja unë ai nuk e kishte kasetën. Unë kisha shumë zgjedhje të tjera, por asnjë përveç asaj nuk mora. Ky është morali im. Nuk mundem kurrë të pranoj nga askush. Unë jam njeri i lirë, ju jeni njerëz të lirë. Një njeri i lirë nuk kushtëzohet. Në radhë të parë një njeri i lirë është i përulur, nuk është mendjemadh e as arrogant. Por një njeri i lirë nuk përulet. E ka këtë dhunti. Njeriu i lirë as nuk përulet e as nuk tërhiqet zvarrë.
Kështu që në këtë kontekst ai u tregua viktimë e psikologjisë së tij, i papërmbajtur, mori dhe manipuloi videon. Ka bërë një gabim shumë të rëndë. Kaq do ti them. Ky problem ka anën tjetër. Janë përpjekur 6 muaj rresht, në mënyrën më intensive dhe meqenëse nuk u rikatua Kryeministri, duhet të rikatohej Meta, kryetari i LSI-së dhe të dilte me çdo kusht nga koalicioni. Këtu kam mesazhin e dërguar prej tij, që i kishte ofruar ta bënte dhe Kryeministër, mjafton të zhdukej Dragobia. Sepse në slengun e tij të zakonshëm më etiketon si Dragobia, që më bën nderin më të madh. Ju s’keni qenë në Dragobi, por është një fshat mahnitës, i bukur. Le që është kështjellë natyrale. Harron ai që është kështjellë natyrale, e ka edhe këtë meritë të madhe. E ka krijuar Zoti kështjellë të pamposhtur. Dhe ai i thotë – ik nga Dragobia se të bëj kryeministër unë. Të bëhej kryeministër i bunkerit të bllokut.
Pra e vërteta është që nuk ka arritur të marrë peng asgjë. Këto janë realitetet. Ai në mënyrën më të prerë i ka thënë bëj ç’të duash, publiko ç’të duash, unë nuk lëviz nga koalicioni. Unë nuk dorëzohem para krimit të organizuar. Kjo është e vërteta që ta dini.
Sidoqoftë, ne nisim këtë vit me vizionin më të shkëlqyer, me mundësitë më të mëdha dhe mjerani e nis vitin me çimkat e tij. Le ta lëmë të vazhdojë, por, edhe një herë, i them se ka bërë gabim fatal me montimin e tij. Montimi është një gabim fatal dhe këtë nuk e them në planin personal, sepse nuk kam asgjë personale, por e them si Kryeministër. Në qoftë se lideri i opozitës i lejon vetes të montojë, atë trukojë, të falsifikojë dokumente për kryeministrin dhe t’ia servirë ato publikut, nuk e ka llogaritur mirë hesapin. I ka bërë gabim, i ka bërë pa hanxhi.
Faleminderit!”
17/01/2011