E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha takohet me Presidentin e Provincës së Milanos z. Guido Podesta

Gjatë vizitës së tij në Milano, ku mori pjesë në forumin ekonomik Shqipëri- Itali, Kryeministri Berisha zhvilloi një takim edhe me Presidentin e Provincës së Milanos z. Guido Podesta.

Kryeministri Berisha e falënderoi zotin Podesta për ndihmën dhe mikpritjen e ofruar ndaj komunitetit shqiptar që ndodhet në provincën e Milanos. Kryeministri e vlerësoi, gjithashtu, si shumë të rëndësishëm organizimin e këtij aktiviteti në Milano me sipërmarrësit milanez, një mundësi shumë e mirë kjo për prezantimin e mundësive që ofron Shqipëria ndaj biznesit milanez.

Duke bërë një ekspoze të potencialeve ekonomike që ofron Shqipëria, si dhe regjimi i favorshëm fiskal dhe rregullator që ofron Shqipëria për zhvillimin e biznesit të huaj, Kryeministri Berisha theksoi se qeveria shqiptare do të garantojë zhvillimin e bizneseve italiane për të bërë të mundur që ato të kthehen në histori suksesi.

Nga ana e tij, Presidenti Podesta e konsideroi si sukses dhe shenjë interesi të lartë pjesëmarrjen e gjerë të investitorëve lombardë në këtë aktivitet. Ai theksoi se provinca e Milanos ka përqendrimin më të madh të bizneseve dhe shprehu interesin që së shpejti të organizohet në Shqipëri një forum i ngjashëm me prezencën e zgjeruar të bizneseve të provincës së Milanos.

Presidenti Podesta theksoi se mbështetja e provincës së Milanos do të jetë e gjithanshme, si politike dhe ekonomike në rrugën e Shqipërisë drejt integrimit në Bashkimin Evropian.

Të dy bashkëbiseduesit vlerësuan si shumë të rëndësishme forcimin dhe intensifikimin  e marrëdhënieve ekonomike midis dy vendeve.


18/01/2011

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›