E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi zhvilloi sot një vizitë pune në qytetin e Tepelenës

18 janar 2011
Tepelenë

Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi zhvilloi sot një vizitë pune në qytetin e Tepelenës.

Së pari, Kryetari i Shtetit u ndal në mjediset e Bashkisë së qytetit, ku u mirëprit nga Kryetari i këtij institucioni, Sevo Miçi, Prefektja, Mimoza Çomo, deputeti i zonës Et’hem Ruka, përfaqësues të Këshillit Bashkiak të të gjitha forcave politike, si dhe autoritete të tjera vendore dhe të komunave përreth. Presidenti Topi zhvilloi me ta një takim pune, në të cilin u trajtuan disa prej çështjeve parësore, të rëndësishme lidhur me mbarëvajtjen e punëve në qytetin e Tepelenës, si dhe mbi perspektivat e zhvillimit të këtij qyteti në spektrin ekonomik, infrastrukturor, kulturor, arsimor, atë të turizmit, etj. Pasi dëgjoi me vëmendje mendimet e të pranishmëve në këtë takim mbi aspekte të ndryshme të administrimit dhe të ecurisë së punëve në këtë qytet, Presidenti Topi nënvizoi se “për shkak të pozicionit me aksin e jugut, perspektiva për Tepelenën është pozitive, pavarëisht vështirësive për të cilat jemi të ndërgjegjshëm që mund të hasen kudo. Shfrytëzimi i resurseve të kësaj zone është një mundësi e mirë për të garantuar perspektivën”. Gjithashtu, Kryetari i Shtetit u shpreh se institucionalisht do të ndikojë pozitivisht në rritjen e ndjeshmërisë për zhvillimin e kësaj zone.

Në vijim, i shoqëruar dhe nga drejtuesit më të lartë të pushteti vendor në Tepelenë, Kryetari i Shtetit pati një takim me qytetarë dhe intelektualë tepelenas në Pallatin e Kulturës, ku në një atmosferë sa solemne, aq edhe të ngrohtë u zhvillua ceremonia e dekorimit të patriotit Sali Nivica (pas vdekjes) me Urdhrin “Nderi i Kombit”, me motivacionin: "Patriotit, publicistit dhe intelektualit të shquar, që ja kushtoi veprën dhe jetën e tij çështjes së Lëvizjes Kombëtare, për krijimin e shtetit shqiptar dhe ruajtjen e tërësisë territoriale të tij”. Ky Urdhër iu dorëzua të nipit, z. Fatmir Çela.
Në përfundim të vizitës së punës në qytetin e Tepelenës, Presidenti Topi ndoqi nga afër dhe u informua lidhur me procesin e prodhimit të ujit mineral të ambalazhuar “Tepelena” në stabilimentin, i cili prej vitit 1998 zhvillon këtë aktivitet, ku si lëndë e parë përdoret uji nga burimet natyrore-shkëmbore e zonës.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›