Konferenca e plotë e kryeministrit Berisha dhe e Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, zoti Jaap de Hoop Scheffer

Kryeministri Berisha dhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, zoti Jaap de Hoop Scheffer dhanë një prononcim për shtyp, pas takimit të zhvilluar mes tyre:
Kryeministri Berisha: Ishte një nder i madh dhe një kënaqësi e veçantë që të pres dhe të bisedoj me Sekretarin e përgjithshëm të Aleancës së Atlantikut të Veriut, zotin Jaap de Hoop Scheffer. Së pari, dua ti shpreh edhe njëherë publikisht, mirënjohjen më të thellë të shqiptarëve, për mbështetjen e jashtëzakonshme dhe inkurajimin e madh që i dha Shqipërisë, në procesin e anëtarësimit në NATO. Sekretari i përgjithshëm Scheffer do të mbetet në memorien historike të kombit tonë, si një ndër miqtë më të shquar të këtij kombi. Zoti Scheffer ka ardhur në një vizitë lamtumire dhe dua ta uroj për mënyrën e suksesshme me të cilën drejtoi Aleancën gjatë këtij mandati , me hedhjen e bazave të reja për një reformë strategjike të Aleancës, për ta përshtatur atë plotësisht për shekullin e 21-të.
Me sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s zotin Jaap de Hoop Scheffer ne diskutuam mbi marrëdhëniet e Shqipërisë me NATO-n, diskutuam mbi gjendjen në rajon, gjithashtu diskutuam ndër të tjera, për zgjedhjet e ardhshme. E informova zotin Scheffer për të gjitha përpjekjet e qeverisë për një kuadër ligjor dhe teknik më të mirin që ka patur ndonjëherë vendi dhe përkushtimin e plotë dhe total të qeverisë, për një proces zgjedhor të lirë dhe të ndershëm, në interesin më të mirë të qytetarëve shqiptarë, nderimin e vullnetit të tyre, por dhe nderimin dhe vlerësimin e të gjithë atyre që votëbesuan Shqipërinë për anëtare të NATO-s. Edhe njëherë, zoti Sekretar i Përgjithshëm dua tu falënderoj me respektin më të madh dhe mirënjohjen më të thellë, për të gjithë mbështetjen, që i dhatë vendit tim që të realizoj një projekt ëndërr për shqiptarët.
Jaap de Hoop Scheffer: Në fakt do të doja unë, të isha i pari që tu falënderoja, ju dhe popullin shqiptar. Është hera e parë që vij në Shqipërinë, që tashmë është pjesë e NATO-s. Ishte një vendim shumë i rëndësishëm i marrë nga krerët e NATO-s në muajin prill. Në fakt ka patur arsye, për të cilën unë them se ka qenë një vendim i rëndësishëm. Ka patur gjithmonë një kontradiktë brenda NATO-s, për anëtarësimin e vendeve të Ballkanit, por kjo është e vetmja rrugë për këto vende, që ato të arrijnë integrimin euroatlantik, është e vetmja rrugë drejt stabilitetit dhe sigurisë në vend.
Periudha deri në anëtarësimin e Shqipërisë në NATO ka qenë një periudhë shumë e rëndësishme. Shqipëria që para anëtarësimit ka qenë një eksportuese e sigurisë në vend dhe në rajon. Për mua është një kënaqësi e madhe që sa herë që vij në Shqipëri, të takohem me krerët e ushtrisë së armatosur shqiptare e cila është duke dhënë një kontribut shumë të rëndësishëm në Afganistan.
Ne gjithashtu e vlerësojmë shumë edhe mbështetjen që forcat e armatosura shqiptare japin në Kosovë. Për këtë arsye do të thosha se realizimi i reformave është një arritje shumë e rëndësishme, zoti kryeministër. Ashtu sikurse diskutuam edhe në takim vazhdimi i suksesshëm i reformave të nisura tashmë është i pandalshëm. Shqipëria sigurisht do të marrë pjesë patjetër në diskutimet që do të bëhen në NATO, për themelimin e një koncepti strategjik të NATO-s, që është shumë e rëndësishme. Dhe së fundi, dua të theksoj se jam i sigurtë se Shqipëria ka qenë dhe do të jetë edhe në të ardhmen zëri i arsyes, zëri i moderimit në rajon dhe unë besoj se kjo është shumë e rëndësishme, pasi është në interesin e të gjithë vendeve të rajonit, që ato të integrohen plotësisht. Sigurisht që procesi i integrimit të këtyre vendeve, është një proces që do të zgjasë, por do të realizohet.
Edhe njëherë ju falënderoj për mikpritjen tuaj, zoti Kryeministër.
...