E Diel, 1 Nëntor 2026

Topalli në Tepelenë: "Shqipëria që po ndryshon, një Shqipëri e bukur siç e ka falur Zoti".

Fjala e plotë, e mbajtur nga kryeparlamentarja Topalli në mitingun në qendër të qytetit të Tepelenës, me gra dhe vajza të këtij qyteti


Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, në turin me Gratë për një Shqipëri që po ndryshon u ndal në Tepelenë në një takim me qindra zonja, nëna e të reja të këtij qyteti. Duke ju drejtuar nënave dhe vajzave të Tepelenës, Kryetarja e Kuvendit ndër të tjera tha: "Kush më shumë se amësia mund të bashkojë? Kush më shumë kujdeset ndaj fëmijës, nga momenti që lind dhe na i venë në krahun tona si nëna, dhe pastaj çdo ditë, çdo natë, çdo orë mbi kokën e fëmijës, kur është i sëmurë, kur qan, kur qesh kur ka hall? Ndaj dhe unë gjithmonë kam besuar se ne gratë kemi një gjuhë të përbashkët. "Unë", vijoi Kryetarja e Kuvendit, "dëgjova për shifra dhe investime të rëndësishme që janë bërë në Tepelenë, janë bërë shumë më shumë seç janë bërë vite më përpara. Shumë mirë që janë bërë. Më shumë do të bëhen. Ju them juve zonja se në mandatin e ardhshëm Tepelena do të ketë 3-fishin e këtyre investimeve, do të ketë më shumë para për të lidhur lagje të tjera me rrugë të tjera dhe për ta bërë Tepelenën ashtu siç e ka emrin të madh, për të cilën ju jeni krenarë, të gjithë shqiptarët janë krenarë, për ta bërë Tepelenën me mirëqënie më të madhe, edhe më moderne, edhe më të bukur. Më thoni! Ka ndonjë qytet sot që nuk ka ujësjellësin, ujin në shtëpi? Ka ndonjë qytet sot që nuk ka 24 orë në 24 orë energji në shtëpi? Por, energji do të thotë ekonomi. Ekonomi do të thotë investim. Investim do të thotë të ardhura. Investim do të thotë punësim. Ky është projekti ynë. Ky është projekti i mandatit të ardhshëm. Do të jetë një Shqipëri e bukur, siç e ka falur Zoti".


Fjala e plotë e kryeparlamentares Topalli, mbajtur në mitingun e sotëm në Tepelenë


Mirëdita Tepelenë, Mirëdita zonja, Mirëdita vajza! Të dashura motra! Nuk kisha si mos të ndalesha në Tepelenë, kur muaj më parë isha në Gjirokastër dhe bëra një takim të tillë të mrekullueshëm me zonjat gjirokastrite dhe i thashë vetes se do të ndalem edhe në Tepelenë, do të takoj edhe zonjat e Tepelenës. Unë sot ndihem jashtëzakonisht mirë që jam në këtë ambient të mrekullueshëm. Gjatë këtyre viteve kam qenë disa herë në Tepelenë, por kurrë nuk kam parë një Tepelenë kaq të bukur, kaq të fortë, kaq të ndritshme, dhe këtë e bën vetëm prania e zonjave, vetëm prania e nënave, e motrave, e njerëzve më të dashur të familjes që ne kemi. Nganjehërë më bëjnë pyetjen: Pse takime vetëm me gra? Unë u them, ne gratë mund të jemi në pozicione të ndryshme, mund të kemi interesa të ndryshme, mund të vijmë nga qytete të ndryshme, por, ne gratë kemi aq shumë gjëra të përbashkëta, të forta, sa pavarësisht nga diferencat që ne kemi me njëra-tjetrën na bëjnë që të flasim të njëjtën gjuhë. Kush më shumë se amësia mund të bashkojë? Kush më shumë se kujdesi ndaj fëmijës, nga momenti që lind dhe na i venë në krah, dhe pastaj çdo ditë, çdo natë, çdo orë mbi kokën e fëmijës, kur është i sëmurë, kur qan, kur qesh kur ka hall? Ndaj dhe unë gjithmonë kam besuar se ne gratë kemi një gjuhë të përbashkët, ndryshe nga pjesa tjetër e shoqërisë. Unë jam këtu, siç kam qenë në pjesën tjetër të komunave dhe të qyteteve të Shqipërisë, së pari për të shprehur mirënjohjen për kontributin e çdo gruaje, çdo mësueseje, çdo nëne, çdo motre, çdo infermiereje, çdo doktoreshe, të çdo gruaje që i është përkushtuar vetëm jetës së fëmijëve, duke bërë atë që askush tjetër nuk bën, duke dhënë një dashuri të pakushtëzuar. Në mënyrë të veçantë dua të shpreh mirënjohjen për zonjat e Tepelenës. Unë i admiroj gratë me karakter të fortë, gratë që kanë të fortë traditën. Unë i adhuroj gratë që janë shtyllat e shtëpisë, për familjen e tyre, sepse ato janë shtylla e shoqërisë, janë shtylla e kombit. Unë adhuroj ato gra që familjen e kanë gjënë më të shtrenjtë dhe bëjnë çdo gjë që fëmijët e tyre të rriten mirë, të mësojnë mirë, të mos gabojnë, të jenë të suksesshëm, të bëjnë karrierë, që i ndihmojnë edhe kur janë në vështirësi. Kjo është gruaja e fortë, kjo është gruaja e përkushtuar. Ky është një kontribut që asnjë ekonomist në botë nuk di ta vlerësojë, asnjë historian në histori kurrë nuk e ka ka realizuar, kurrë nuk e ka shkruar. Ne nuk kërkojmë mirënjohjen as të ekonomistëve, as të historianëve apo të shkrimtarëve, ne kërkojmë nga ajo që kemi gjënë më të shtrenjtë, nga fëmija, nga djali, nga vajza, nga nipi nga mbesa. Mbi të gjitha, ne na takon, në mënyrë të veçantë mua si Kryetare e Parlamentit e angazhuar në politikë, si një njeri që ka marrë përsipër për të sjellë doza më të forta idealizmi, sepse kurrë burrat nuk kanë dozat e idealizmit që kanë gratë. Unë nuk dua të them asgjë negative për pjesën tjetër të shoqërisë, por doza e idealizmit që ka gruaja, forca e sakrificës që ka gruaja, fuqia e shpirtit dhe e karakterit që ka gruaja, dhe ky karakter i fortë më shumë se në Tepelenë nuk është kurrkund tjetër, na ka bërë që pavarësisht se si ka qenë momenti, si ka qenë Parlamenti; për mua personalisht ka pasur ditë të bukura, kur është votuar për gjëra të jashtëzakonshme. Ditë më të bukura sesa hyrja e Shqipërisë në NATO nuk ka. Ku më fort se në Tepelenë flamuri i kuq ka më shumë vlerë, ku ka më shumë vlerë se ta shohësh atë flamur, për të cilin është luftuar me qindra vite, të valvitet në Bruksel së bashku me flamujt e vendeve që na inspirojnë për një jetë më të mirë, që na inspirojnë për të besuar se Shqipëria po ndryshon, se Shqipëria do të ndryshojë edhe më shumë nesër, edhe më fort në mandatin e dytë. Unë ndihem mirë, nuk ka gjë më të rëndësishme për mua si nënë që kam fëmijë, nuk ka gjë më të rëndësishme që vajza ime të shkojë në shkollë, të dalë mirë me mësime dhe të ketë një mundësi për t’u punësuar, për të ecur në jetën e vet, me forcën e vet, për të bërë jetën e saj, për të bërë karrierën e saj. Nuk ka gjë më të rëndësishme për mua që djali im, i cili është vetëm 14 vjeç, të mos gabojë në shkollë, sepse është në moshë delikate, ndaj edhe vëmendja e nënës, vëmendja e mësuesit, vëmendja e komunitetit, duhet përqendruar këtu ku është e ardhmja jonë, fëmijët tanë. Për këtë nuk ka gjë më të mirë sesa të dëgjosh që këtu në Tepelenë dy shkolla janë bërë me sistem ngrohje. Gjëja më e parë që ne duhet të bëjmë. Unë dëgjova për shifra dhe investime të rëndësishme që janë bërë në Tepelenë, më shumë seç janë bërë vite më parë. Ju them juve zonja, se në mandatin e ardhshëm Tepelena do të ketë 3-fishin e këtyre investimeve, do të ketë më shumë para për të lidhur lagje të tjera me rrugë të reja dhe për ta bërë Tepelenën të madhe, ashtu siç e ka emrin, për të cilën ju jeni krenarë, të gjithë shqiptarët, për ta bërë Tepelenën me mirëqënie më të madhe, edhe më moderne, edhe më të bukur, në mënyrë që këta fëmijë të shkojnë në shkolla të reja, mësuesit të jenë të paguar mirë. Ne kemi bërë gjënë më të mirë që ua kemi dyfishuar rrogat. Kush më shumë se ne nënat i besojmë mësuesve? Ne nuk e dimë se ku ndalet influenca e mësuesit në jetën tonë. Nuk ka kënaqësi më të madhe se të shohësh fëmijët në Tepelenë, por edhe në çdo qytet tjetër, të ulen në laboratorë kupjuterikë dhe të lundrojnë në internet. Është koha e google-it, është koha e internetit dhe në këtë kohë fëmijët tanë në Tepelenë, në Gjirokastër, në Vlorë apo në Shkodër, duhet të jenë njëlloj të barabartë me të gjithë fëmijët e tjerë në Berlin, në Francë. Ajo që ne dëshirojmë të realizojmë në mandatin e ardhshëm, në këtë Shqipëri që po ndryshon, është dyfishimi i parave për shëndetin e fëmijës, dyfishimi i parave për shkollën e fëmijës, dyfishimi i parave për nënat, të cilave siç e thashë, nuk ka ekonomist t’ua vlerësojë punën dhe sakrificën gjatë gjithë jetës së tyre. Për ne fakti që kemi dyfishuar numrin e studentëve, që shkojnë nga gjimnazi në universitet, nga 55 mijë në 110 mijë është i rëndësishëm, është shenjë emancipimi, është shenjë civilizimi. Në fakt, në mandatin tjetër ky numër do të jetë shumë më i lartë. Një popull që investon te fëmija, një popull që investon tek arsimi është një popull që ka prespektivë, është një popull që është i destinuar për t’u bërë modern dhe për të hyrë në konkurrencë me çdo vend tjetër. Unë kam takuar në qytete të ndryshme studentë të universiteteve më të mira. Nuk ka gjë më të bukur se sa të shohësh që fëmijët shqiptarë janë fëmijët më të mençur, janë të parët në gjimnaze, në universitete, të shohësh studentin shqiptar që del i pari në një universitet në Itali, dhe jo një, dy, dhjetë, por shumica e shqiptarëve. Të shohësh shqiptarët që janë të parët në universitetet e Strasburgut, që janë të parët në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kjo është krenaria jonë, ne jemi një komb i fortë, ne jemi një komb i ri, ne jemi një Shqipëri që po bëhet e re dhe mbi të gjitha mbi këtë rini tonën, ne do të investojmë çdo gjë. Megjithatë ajo që unë gjithmonë kam besuar dhe i kam thënë edhe kolegëve të mi, shkollat shqiptare janë shkolla të mrekullueshme. Unë kam provuar të marrë në Parlament studentë që kanë mbaruar jashtë, siç kam marrë studentë që kanë mbaruar shkollën në Shqipëri. Më besoni, nuk gjej ndonjë ndryshim. Dhe kjo, sepse kur ke një shkollë të fortë, ke një komb të fortë. Ashtu si kur ke një nënë të shëndetshme ke një familje të shëndetshme. Kur ke një nënë të arsimuar, ke një familje të fortë. Dhe kur ke një familje të fortë, ke një vend të fortë dhe një komb të fortë. Dhe për këtë ne jemi krenarë. Unë gjatë takimeve që kam pasur në qytete të ndryshme, pa dyshim që kam takuar gra që kanë qenë të sukseshme në jetën e tyre. Kam takuar gra që çdo gjë e kanë bërë vetëm për familjen e tyre, për prindërit, për fëmijët, për njerëzit e dashur. Kam parë dhe takuar gra që kanë histori të dhimbshme. Kam parë gra që janë viktima të dhunës në familje. Kam parë gra që janë të vetme, sepse bashkëshortët i kanë në emigracion dhe vetëm me forcën, me mundin, me djersën e tyre ato rrisin fëmijët. Kam parë gra të tronditura, sepse kanë humbur gjyqin dhe bashkëshorti që ishte i divorcuar i merrte fëmijën e vetëm të tyre. Unë dua t’ju them atyre dhe juve këtu: unë dua të jem pas çdo nëne, pas çdo gruaje, pas çdo vajze. Unë dua të jem, në mënyrë të veçantë, pas atyre nënave që kanë sakrifikuar çdo gjë për familjen e tyre dhe mbi këtë, unë dua të jem pas çdo gruaje që është e vetme, që ka kurajo që të rrisë dhe të edukojë fëmijën e saj. Unë dua të jem pas çdo gruaje që ka burrin në emigracion. Dhe mbi të gjitha, dua të jem atje për ta mbrojtur, të bëhem avokatja e atyre grave, të cilave ndonjëherë duan t’u heqin edhe fëmijën që kanë dritën e syrit të tyre, dritën e shpirtit të tyre. Natyrisht, nuk është e thjeshtë, por unë besoj dhe po të jemi të gjitha bashkë ne mund të ndryshojmë shumë gjëra. Shqipëria sot ka ndryshuar, por Shqipëria duhet të vazhdojë të ndryshojë me këto ritme. Nuk ka gjë dhe nuk ka asnjë qeveri tjetër në botë që të ketë dyfishuar buxhetin në katër vite. Unë besoj se këtu ka ekonomiste. Buxheti në katër vite nuk mund të dyfishohet kurrë, përveçse në rastet kur je në një situatë në të cilën ke vuajtur nga një sistem i fortë korrupsioni dhe ke një vullnet të fortë që ato para që merreshin për korrupsion t’i çosh dhe t’i shpërndash në të gjithë shoqërinë. Nuk ekziston një qeveri tjetër dhe një katërvjeçar tjetër që të ketë dyfishuar rrogat e arsimtarëve dhe që t’i ketë rritur me 67% rrogat dhe të ardhurat e administratës. Ky është një revolucion. Nuk është e thjeshtë, përkundrazi ka qenë e vështirë. Kur jam bërë Kryetare e Parlamentit mendoja se lufta kundër korrupsionit do të bëhej menjëherë dhe do të përfundonte shumë shpjet. Pas disa muajsh kam kuptuar se korrupsioni na rrethonte, se kishte mure të cilat të lejonin, të cilat na ndalonin, të cilat të sulmonin, të cilat të rrethonin. Por, vetëm një vullnet i fortë, vetëm një persistencë e jashtëzakonshme ka bërë të mundur që nga 2.5 miliardë dollarë që ka qenë buxheti i shtetit ta kemi dyfishuar. Kjo do të thotë dyfish para për shkollën, dyfish para për rrugën, dyfish para urën, dyfish para për spitalin, dyfish para për pensionin, dyfish para për fëmijët, dyfish para për ngrohjen, dyfish para për energjinë elektrike. Në vitin 2005 shumica e qyteteve ishin pa kanalizime të ujërave të bardha dhe të zeza. Dymijë fshatra nuk kishin ujësjellësa. Por, ka hall më të madh për një familjar, në mënyrë të veçantë për një nënë, sesa të mos kesh ujë në shtëpi. Ka hall më të madh për ne gratë, sesa të mos kemi energji elektrike në shtëpi. Më thoni! Ka ndonjë qytet sot që nuk ka ujësjellësin, ujin në shtëpi? Ka ndonjë qytet sot që nuk ka 24 orë në 24 orë energji në shtëpi? Por, energji do të thotë ekonomi. Ekonomi do të thotë investim. Investim do të thotë të ardhura. Investim do të thotë punësim. Ky është projekti ynë. Ky është projekti i mandatit të ardhshëm. Dhe unë i kërkoj mbështetje të gjithëve, çdo nëne, çdo zonje, pavarësisht se për kë ka votuar më parë. Ne e shikojmë jetën në tavolinë, ne e shikojmë jetën te dyqani, ne e shikojmë jetën në guzhinë. Në qoftë se jeta është më e mirë sot dhe jeta është më e mirë sot, në qoftë se ne kemi një Shqipëri të ndryshuar sot dhe kjo Shqipëri po vazhdon të ndryshojë, hajde ta forcojmë. Hajde t’i japim një mbështetje më të madhe. Hajde t’i japim një forcë më të madhe kësaj Shqipërie që po ndryshon. Unë i kërkoj sot zonjave të Tepelenës të na mbështesin në projektin tonë. Është një projekt serioz. Ne jemi seriozë. Ne i shikojmë njerëzit në sy. Në qoftë se ne e japim fjalën, ne e mbajmë atë. Ne nuk bëjmë diferencë. Nuk ka gjë më të bukur, sesa kjo që kemi realizuar. Shqipëria e sotme nuk është më një Shqipëri e veriut apo e jugut. Shqipëria e sotme nuk është më një Shqipëri e fshatit dhe e qytetit. Shqipëria e sotme nuk është më një Shqipëri e djathtë dhe e majtë. Jo, jo. Jemi një Shqipëri e re. Jemi një Shqipëri që jemi bërë anëtarë me të drejta të plota në NATO. Jemi një Shqipëri që kemi aplikuar për në BE. Jemi një Shqipëri që po rritet çdo ditë. Jemi një Shqipëri që po nxitet. Jemi një Shqipëri që po bëjmë që për pak muaj çdo burrë, çdo vajzë, çdo i ri, çdo student të shkojë kudo, në Itali, në Gjermani, në Francë, kudo në Europë, pa viza, pa radhët e ambasadave. Ky është projekti ynë. Ky është programi ynë. Në qoftë se kemi dyfishuar rrogat e arsimtarëve, kjo rritje do të vazhdojë. Në qoftë se kemi dyfishuar pensionet, kjo rritje do të vazhdojë. Në qoftë se kemi ndryshuar Shqipërinë, siç e kemi ndryshuar deri tani me këtë infrastrukturë moderne, nga Vermoshi në Konispol. Në mandatin e ardhshëm nuk do të mbesin rrugë, rrugica që nuk do të asfaltohen. Nuk do të ketë më shkolla të vjetëra, nuk do të ketë më shkolla pa ngrohje. Përkundrazi do të jetë një Shqipëri e bukur, siç e ka falur Zoti.


Unë ju falënderoj të gjithave! Unë ju jam mirënjohëse të gjithave. Falënderoj çdo grua! Falënderoj çdo nënë!

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›