Konferenca ndërkombëtare “Walk21” në Tiranë, Rama: Po ndërmarrim politika për rritjen e gjelbërimit në hapësirat urbane

Në Tiranë u zhvillua konferenca ndërkombëtare Walk21, ku u mblodhën ekspertë nga 54 vende të botës për të ndarë përvoja dhe ide mbi mënyrat më të mira për të promovuar ecjen si zgjedhje e përditshme në jetën urbane, duke krijuar rrugë dhe hapësira publike ku komunitetet ndihen të rehatshme për të kaluar kohën.
Kryeministri Edi Rama, i cili përshëndeti punimet e konferencës, rikujtoi ndryshimet që ka kaluar qyteti nga periudha e komunizmit deri sot, duke theksuar se fokusi tani është te gjelbërimi dhe hapësirat publike. Ai bëri të ditur se rregullorja e re e ndërtimeve kërkon që çdo projekt i ri të kontribuojë në mbjelljen e pemëve, sipas metrazhit të ndërtesës.
Rama shtoi se politika e re synon rritjen e gjelbërimit në qytet dhe inkurajon bashkëpunimin me arkitektë të shkëlqyer, për të sjellë më shumë natyrë dhe pemë në hapësirat urbane.
“Sot kemi një sfidë të madhe, ku nga ajo që morëm rreth 50 vite të një jetese ku ecja ishte mënyra e parë për t’u lidhur me të tjerët, pastaj biçikletat dhe në fund transporti publik, pas rënies së komunizmit, njerëzit panë hapësirën publike si në gjë për t’u zënë dhe privatizuar. 90 % e pemëve që shihni sot në rrugët e qyteti nuk ishin dhe kur u bëra kryetar bashkie në vitin 2000 na u desh që të merrnin mbrapsht qytetin tonë duke shembur mbi 10 mijë banesa e paligjshme dhe mbollëm 55 mijë pemë. Ecja në qytete u bë gjithmonë e më e vështirë, jemi të vetëdijshme për sfidat që duhet të bëjmë dhe të luftojmë dhe kemi çelur një kapitull për ta luftuar këtë gjë.
Nuk kemi më problemin e ndërtimeve të paligjshme, apo hapësirat publike por duhet të luftojmë për të hequr ashtuquajturat struktura të përkohshme që kanë zënë trotuaret dhe hapësirat publike përmes tavolinave dhe karrigeve. Po marrim masa për të shtuar sa më shumë gjelbërimin dhe kemi një rregullore se kush merr një leje ndërtimi duhet të kontribuojë në fondin e gjelbër me mbjelljen e pemëve që llogaritet me metrat katrore që do ndërtohen. Shpresoj shumë që ndërtesat e jashtëzakonshme falë arkitekteve të shkëlqyer që sjellin më shumë natyrë e pemë në qytet të jenë gjithmonë e më shumë prezent”, tha Rama.
Konferenca Walk21 është një platformë e rëndësishme për të ndarë praktika të suksesshme ndërkombëtare, duke nxitur transformimin e qyteteve drejt një jetese më të qëndrueshme dhe më të shëndetshme për qytetarët.
/rtsh.al/