E Shtunë, 31 Tetor 2026

Konferenca për shtyp e Kryeministrit në mbyllje të vitit 2011, mbi zhvillimet dhe arritjet kryesore

Përshëndetje. Ju ftova sot të bëjmë një bilanc të vitit që lëmë mbrapa, në arritjet e tij më kryesore. Mendoj se ky vit dhe ato që vijnë kanë e duhet të kenë një etalon të qartë të vlerësimit të tij: sa u zhvillua Shqipëria këtë vit, çfarë u realizua këtë vit, në projektin ëndërr të të gjithë shqiptarëve Shqipëria - vend i zhvilluar. Në këtë aspekt, ky ishte një vit, pa mëdyshje, i shkëlqyer, për të cilin çdo shqiptar duhet të falenderojë veten e tij, të falenderojnë njëri-tjetrin, Zotin dhe funksionimin e reformave të ndërmarra, të cilat e bëjnë vitin 2011 të regjistrohet në muret e kohërave si një nga vitet e suksesit të sistemit dhe një nga vitet e suksesit të madh në të gjitha fushat.

Viti filloi me disa probleme të caktuara, krejtësisht të pamotivuara, pa asnjë arsye ligjore. Ngjarje që testuan e provuan funksionimin e kushtetutshmërisë së vendit. Ngjarje që morën përgjigjen më kushtetuese e ligjore. Shqipëria u faktua si një vend i shtetit ligjor, për të dhënë një herë e përgjithmonë mesazhin se në këtë vend askush e kurrkush nuk mundet që një qeveri të zgjedhur me votën e lirë ta nxjerrë nga pushteti apo të marrë pushtet me dhunë.

Viti pati dy ngjarje e zhvillime të tjera të mëdha, në të cilat u testua dhe u provua sërish funksionimi i ligjit dhe shtetit ligjor, në këtë vend. Këto ishin zgjedhjet e 8 majit. Zgjedhje, ku, pavarësisht nga përpjekjet, nga zhurma e nga qëndrime kundërthënëse, ngadhënjeu rendi kushtetues i këtij vendi dhe e drejta kushtetuese  e qytetarëve shqiptarë për të votuar, numëruar e vlerësuar vota e tyre. E vërteta është se në këto zgjedhje, institucionet kushtetuese të vendit kaluan një nga testet më serioze për çdo vend demokratik, për shkak të ngushtësisë së garës. Direktivat e Komisionit të Venecias dhe OSBE/ODIHR-it, të dhëna muajin e fundit, faktojnë katërcipërisht qëndrimin e drejtë që ne mbajtëm duke mbrojtur ato parime që nuk mund të shkelen kurrë. Mund të kishte ndonjë zbrazëti të lehtë ligjore, por nuk kishte absolutisht, asnjë mangësi në parimet që ne mbrojtëm. Dhe fakt është se këto ishin zgjedhjet e para në historinë e këtij vendi që vlerësohen si kompetitive e transparente, me gjithë disa probleme që janë plotësisht të adresueshme.

Në këtë proces, mazhoranca, me përpjekjet e reformat e saj, mori vlerësimin më maksimal në historinë e zgjedhjeve të këtij vendi, 12 për qind më shumë vota, 19 deputetë të konvertuar në votim politik nga vota e përgjithshme e partive, fitore në shkallë vendi në bashki e komuna. Kjo mazhorancë mori në qytetin e Tiranës, në të katër garat, 10 900 vota më shumë. Përpjekje absurde për të bllokuar rezultatin, për të bllokuar numërimin e votave, disa skena të rrethimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve nuk realizuan qëllimin e tyre. Ligji e vetëm ligjit ngadhënjeu.

Pas 10 vitesh, për të mos thënë pas 99 vitesh jetë si shtet i pavarur, Shqipëria zhvilloi këtë vit, censusin e plotë, në liri të plotë. Ajo ka sot fotografinë më të bukur të qenies së saj kombëtare dhe materiale. Për herë të parë, qytetarët shqiptarë u regjistruan me standardet më të avancuara të kohës dhe me teknologjinë më të avancuar të kohës. Rezultatet e para janë historike. Ato faktuan se ky vend po ecën me shpejtësi drejt horizontit të vendit të zhvilluar. Ato faktuan se shqiptarët, në këto 10 vite, ia kanë dalë të ndërtojnë shtëpi për veten e tyre, më shumë se të gjitha kombet e tjera në 20 vite të marra së bashkua, më shumë se 98 për qind e kombeve të tjera në 38 vite të marra së bashku dhe se në banesa, që është pasuri themelore, ata lënë mbrapa jo një, por minimalisht 3 vende anëtare të OECD-së dhe të Bashkimit Europian. Shqiptarët, të cilët në vitin 2001 kishin gjithsej 255 banesa për njëmijë banorë, sot kanë 380 banesa për njëmijë banorë.

Këtë vit, Shqipëria e nuk mori statusin e vendit kandidat dhe kjo, sepse opozita shqiptarë, në një akt paprecedent në historinë e Europës vendosi të përdorë votën e saj për të bllokuar ligjet. Shqipëria nuk e mori statusin jo se nuk u hartuan ligjet, pasi ato u hartuan dhe për to u shpenzuan miliona euro e dollarë nga partnerët tanë europianë e amerikanë, për hartimin e tyre u angazhuan ekspertët më të mirë të Europës e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, por ato nuk u votuan, sepse opozita, me një qëndrim politik të verbër në vlerësimin tim, mendoi se duke bllokuar votimin e  tyre, do të mund të dëmtonte qeverinë dhe do t’ia faturonte asaj në zgjedhjet lokale bllokimin që ajo i bënte statusit të kandidatit. Sërish ky është një vit i madh, sepse një kundërshti kaq madhore, pavarësisht nga motivi absurd, puro shqiptar, u zgjidh realisht nga shqiptarët, të cilët me votën e tyre, më 8 maj të këtij viti, i dhanë mësimin më të merituar atyre që përdorën votën për t’u bllokuar atyre rrugën.

Sot, faktikisht, opozita punon normalisht në parlament. Ka pranuar një marrëveshje të ofruar dy vjet më parë. Javën e kaluar, opozita solli kandidaturën e saj për Avokatin e Popullit dhe jam shumë i kënaqur dhe i vendosur si qeveri që të bëjmë gjithçka që ky funksion jashtëzakonisht i rëndësishëm për të drejtat e liritë e qytetarëve të përmbushet në standardet më të mira dhe është në vlerësimin tim pozitiv që Avokati aktual i Popullit është i propozuari i opozitës.

Ky ishte një vit i madh, sepse ky është viti, në të cilin eksportet shqiptare shënuan dyfishimin e tyre, në harkun kohor dy vjeçar, si një rast i paprecedent në historinë e një vendi që nuk ka pasur shpërthime të mëdha gazi apo nafte. Kjo është vetëm Shqipëria. Këtë vit, eksportet mbyllen me një bilanc që i dyfishon ato, krahasuar me vitin 2009 dhe rriten tre herë, krahasuar me vitin 2006.

Të ardhurat dhe shpenzimet kanë pasur realizimin më të përpiktë, në kohë tronditjesh të mëdha, në kohë dështimi reformash. Është universal mendimi se reformat strukturore e mbrojtën Shqipërinë, më mirë se çdo vend tjetër, nga pasojat e krizës dhe kjo është deklaratë e Fondit Monetar Ndërkombëtar.

Në Shqipëri, viti mbyllet me një deficit buxhetor 3.5 për qind, ndër më të ulëtit në Europë, si dhe me një borxh jo mbi 60 për qind dhe siç do shprehej FMN, borxhi i shërbyer me koston më të ulët se çdo vend tjetër. Sot, kostoja e shërbimit të borxhit është bërë lugati i vërtetë i kësaj krize. Është kostoja  e borxheve ajo që përbën problemin më madhor. Ndërsa borxhi i Shqipërisë shërbehet me koston më të ulët. Kjo, natyrisht, ka lidhje direkt me ekipin që trajton borxhin me përgjegjësinë më të lartë, por la lidhje direkt edhe me kredibilitetin e padiskutueshëm të ekonomisë shqiptare, të rikonfirmuar nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, të cilën, më duhet të them, e citoni ndonjëherë në mënyrë të njëanshme; e konfirmuar nga Moody’s dhe Standard&Poors; e konfirmuar nga UNCTAD që e vendos Shqipërinë në vendin e 18 në botë, për performancën në investimet e huaja direkte; e konfirmuar nga Instituti FRASER për lirinë ekonomike që fakton se në Shqipëri, liria ekonomike u rrit me 16 për qind; e konfirmuar nga studimi i OECD-së që nxjerr se fillimi i biznesit në Shqipëri është 27 për qind më i lehtë se në vendet anëtare të OECD-së, se të investosh në sektorë në Shqipëri është 5 për qind më e lehtë se mesatarja e vendeve anëtare të saj. Pra, reformat tona të thella, konsolidimi e zbatimi i tyre bëjnë që Shqipëria të kapë çdo vit e më shumë pozicione të rëndësishme në rrugën e saj si vend i zhvilluar.

Në rrafshin konkret, ekonomia shqiptare ka njohur këtë vit zhvillime pozitive. Vetëm në fushën e energjisë, qeveria ka firmosur me investitorë privatë, kontrata për ndërtimin e 50 hidrocentraleve. Në vitin 2010 pati një rënie të interesit, por këtë vit ka një pasion të madh për ndërtimin e tyre. Janë licencuar tre parqe eolike. Janë inauguruar më shumë se asnjëherë, vepra të rëndësishme në sektorin e energjetikës, linja e transmetimit Tiranë-Podgoricë, stacioni elektrik i Kasharit.

Në vitin më të vështirë e të thatësirës së tejzgjatur për digat, energjia elektrike nuk ka munguar qoftë dhe një orë të vetme për mungesë të saj. Tjetër janë defektet dhe papërgjegjësitë njerëzore. Është importuar energji elektrike sa kurrë më parë, deri në 17 milion kilovat/orë në ditë. Janë mbuluar me garanci sovrane kreditë e KESH-it, rreth 100 milion euro. Ne i jemi përmbajtur zotimit se dritat nuk do të ndërpriten më.

Sot në mëngjes mora një mesazh nga një qytetar. Pavarësisht nuancave, më thoshte: Na keni thënë se do të ketë kufizime, por jo ndërprerje dhe unë po përjetoj ndërprerje. E siguroj atë qytetar se nuk kam thënë asnjëherë se do të ketë kufizime. Kam deklaruar se gjersa të gjendet energji elektrike në tregun rajonal e europian nuk do të ketë asnjë kufizim dhe ne i jemi përmbajtur kësaj. Natyrisht, ndërprerjet për defekte teknike apo qoftë edhe për mungesë përgjegjësie të sektorit përkatës që mirëmban linjat, janë tjetër gjë. Politika jonë është konstante, nuk ka e nuk do të ketë ndërprerje të energjisë elektrike.

Një gjallërim të madh ka marrë sektori i minierave dhe naftës. Ky vit mbyllet me dyfishimin e prodhimit të naftës, krahasuar me vitin 2005, 890 mijë ton. Ky është një vit rekord i prodhimit të naftës. Në minerale, bazalte e gurë dekorative u eksportua në një total prej 8 milionë ton më shumë se kurrë në historinë e këtij vendi. Interesi për pasuritë natyrore të Shqipërisë është shumë i madh. Kompani ndër më seriozet ndërkombëtare janë në eksplorim dhe shfrytëzim të këtyre pasurive. Shqipëria ka bërë hapat më serioze në anëtarësimin e saj në iniciativën e transparencën së industrive nxjerrëse. Së shpejti, ne anëtarësohemi në këtë iniciativë, në mënyrë që në shfrytëzimin e minierave tona të përdoren standardet më të mira të transparencës, të mjedisit e bashkëpunimit me komunitetin.

Turizmi ka qenë një fushë tjetër që ka njohur zhvillime të mëdha. Një lajm të madh për Shqipërinë e shqiptarët shënoi ky vit, si viti i parë në historinë e tyre që ata lëvizin të lirë në zonën Shenjen në Europë. Kjo është arritje e  madhe në jetën  e tyre. Mbi 450 mijë shqiptarë vizituan zonën Shengen, të pajisur me dokumentet më të sigurta të identitetit dhe mbi 4 milionë e 1 mijë qytetarë të huaj apo shqiptarë në emigracion erdhën në Shqipëri si turistë e vizitorë, një shifër rekord kjo në historinë  e këtij vendi.  Imagjinoni një vend, në të cilin në vitin 2004  trokisnin në dyert e tij gjithsej 300 mijë turistë e vizitorë. Cila do të ishte ajo imagjinatë që do të thoshte se në vitin 2011, nga 300 mijë do të kishte një kapërcim, një bum të paimagjinueshëm prej 4 milion e 1 mijë vizitorësh. Ata që i vunë kurorën Shqipërisë si Miss bota për vitin 2011, në rrafshin turistik, ata ishin profetë të vërtetë. Lonely Planet nuk gaboi. Ai e shpalli të tillë një vit më parë dhe kjo u faktua katërçipërisht.

Ajo që më emocionon në mënyrë të posaçme janë njoftimet e fundit se Bjeshkët e Nemuna po shpallen destinacioni më i preferuar turistik në llojin e vet, në ecje, në Britaninë e Madhe dhe kjo po përhapet. Ato po shpallen Himalajat e Europës, destinacion magjepsës dhe ju i keni lexuar këto të dhëna. Bota po njihet jo vetëm me magjinë e brigjeve të këtij vendi, por edhe me bukuritë mahnitëse të kreshtave, maleve e luginave të Alpeve dhe vargmaleve të tij të panumërta. Hapet në këtë mënyrë një kapitull i ri, i madh, i turizmit malor, të cilin ne jemi zotuar ta ndjekim me të gjithë potencialin. Nga maja e Çajupit, në Valbonë, infrastruktura po ecën me shpejtësi drejt destinacioneve më të mira turistike malore. Do të vendoset edhe ligji që përjashtohen 8 vjet nga taksat investitorët në këto zona.

Këtë vit, Shqipëria priti disa kampionate botërore, ndër të cilat vrapimi malor. Personalitete të vrapit malor në botë zhvilluan garën botërore, në kushte dhe parametra të shkëlqyer. Përsëri turizmi mbetet përparësi më madhore për vitin 2012.

Zhvillime të mëdha ka njohur arsimi shqiptar. Këtë vit, 80 për qind e vogëlushëve që u ulën në klasën e parë kishin kaluar në kopshte. Po rindërtohet me shpejtësi sistemi i arsimit parashkollor. Objektivi ynë është 96 për qind dhe ne do ta arrijmë këtë. Këtë vit, 91.5 për qind e të gjithë atyre që mbaruan klasat e 9-ta hynë në shkollat e mesme. Këtë vit, për herë të parë, ka pasur një rritje prej 12 për qind të nxënësve në shkollat profesionale. Sërish nuk jemi në standardin e duhur, por kjo rritje është inkurajuese dhe ne do të bëjmë gjithçka që të shkojmë në standardin europian. Këtë vit, në tre etapat e universitetit kanë hyrë 50 mijë studentë dhe po të llogarisim edhe studentët e universiteteve private ky numër arrin në 55 mijë. Kështu, Shqipëria, në një vit, ka më shumë studentë se sa kishte në vitin 2005. Shqipëria e tejkalon këtë vit, numrin me mbi 140 mijë studentë dhe ecën e sigurt drejt një vendi maksimal me 150 mijë studentë.

Zhvillime ndër më të mëdhatë ka njohur infrastruktura e vendit. Janë asfaltuar, janë në përfundim e në ndërtim e sipër 1400 kilometra rrugë, autostrada, superstrada, rrugë dytësore dhe rrugë tretësore. Kurrë ndonjëherë nuk ka pasur punime më të mëdha e intensive në infrastrukturën rrugore të vendit, sesa këtë vit. Kam këtu listën, por nuk po ndalem në to. Ky vit ka qenë vendimtar për finalizimin brenda dy viteve që vijnë të projektit Shqipëria - nën asfalt, projekt i cili do t’u bëjë të mundur qytetarëve shqiptarë që, nga çdo cep i këtij vendi, të arrijnë në kryeqytetin e tyre duke kësyer 60 për qind të kohës, gjëja më e çmuar që ka njeriu. Dhe kur them kohës, keni parasysh edhe të kostos, të karburantit, gomave, të pjesëve të këmbimit etj.. Brenda dy viteve, shqiptarët do të udhëtojnë në vendin e tyre si në njërin prej vendeve më të zhvilluara të Europës. Përcaktimi ynë   Përcaktimi ynë që tu kursejmë shqiptarëve 60 % të kohës është më ambiciozi, më i kushtueshëm, por edhe më fitimprurësi për xhepat  e tyre, për punën e tyre për secilin prej tyre. Këtë vit janë ndërtuar 104 ujësjellës në mbarë vendin. Shqipëria ka standarde të mira të furnizimit me ujë nga rubineti, që përfshin 98 %  të popullsisë. Po bëhen përpjekje të ecet me shpejtësi drejt furnizimit 24 orë me ujë, për disa qytete  kjo është realizuar, ndërsa për qytetet e tjera do të realizohet shumë shpejt gjatë vitit që vjen.

Janë 14 vepra të pastrimit të ujërave të zeza që kanë përfunduar ndërtimin apo janë në ndërtim e sipër. Në një hark kohor dy vjeçar, brigjet shqiptare do të jenë brigjet më të pastra të Mesdheut, në raport me ndotjen nga uji dhe ky është një realitet që finalizohet brenda dy viteve. Është transformuar tërësisht baza ligjore e mbrojtjes dhe zhvillimit të  mjedisit. Shqipëria renditet e 23-ta në botë për pastërtinë  e tij. Një paketë ligjore  e plotë, e standardeve më të mira evropiane, që reformon tërësisht qëndrimin ndaj mjedisit, është miratuar nga parlamenti. Së fundmi, ne miratuam dhe ligjin e menaxhimit të mbetjeve urbane. Historia  e tij e zhurmës  mund të thuhet se është “shumë zhurmë për asgjë”. Siç u faktua, ky ligj është në të gjithë faktorët,  një nga ligjet më të mira, i standardeve më të mira, i cili ka qëllim para së gjithash dhe mbi të gjitha të mbrojë këtë vend nga importi i mbetjeve te rrezikshme dhe unë jam shprehur që çdo vendim qeverie për importin, jam i gatshëm që, para se të firmoset ta bëjmë objekt debati me shoqërinë civile, pasi unë, duke lënë mënjanë krahun antiglobal të saj, për pjesën tjetër kam respektin më madh, pasi ata janë studiues shumë të dobishëm, të përgjegjshëm, japin alarmin dhe i shërbejnë shumë interesit publik me qëndrimin e tyre.

Reformave të thella do ti nënshtrohet sistemi i ujërave, administrimi i tyre, i pyjeve dhe në tërësi do të bëhet gjithçka që Shqipëria të ecë në rrugën e zhvillimit jeshil, si forma më e mirë e zhvillimit, më e shëndetshme dhe më e qëndrueshme. Shqipëria i ka të gjitha kushtet, fatmirësisht është vendi i rezervave të mëdha në burimet energjetike të energjisë së rinovueshme dhe ne po bëjmë gjithçka për shfrytëzimin racional të tyre.

Ky vit ishte një vit i madh për bujqësinë shqiptare. Janë dy dhe trefishuar eksportet  e frutave, perimeve dhe zarzavateve, si asnjëherë më parë. Ka një rënie të madhe, deri në 40 %,  në importet e ushqimeve bazë sepse ato po zëvendësohen me prodhimet e vendit. “Bli shqip” është  motoja më e mençur, më e shëndetshme, me  e sigurtë, më e shijshme për qytetarët shqiptarë. Le të shohin çdo lloj forme, çdo lloj ngjyre,  por ushqime të shijshme, produkte të shijshme, bujqësore, blegtorale, apo fruta si të Shqipërisë, nuk kanë për të gjetur dhe kjo po kuptohet çdo ditë  e më shumë nga qytetarët shqiptarë. Prodhimet e vendit janë bërë preferencë absolute për tryezat  e qytetarëve të këtij vendi.

2 mijë ha dru frutorë janë subvencionuar nga qeveria, ullinj dhe arrorë, nga ata 450 janë arrorë. Unë  e di se jo të gjithë fermerët kanë marrë subvencionet që meritojmë, por unë jam sot këtu, për tu garantuar se Ministria  e Bujqësisë ka marrë udhëzime të qarta të paguajë një për një, të gjitha projektet e tyre dhe me pas të kalojë në projekte të tjera. Ndërkohë ne kemi rritur me dy here  e gjysmë fondin për pyllëzimin me dru frutorë të Shqipërisë. Këto dy projekte, të ullirit dhe arroreve, në 10  vite, do ta bëjnë Shqipërinë një vend tjetër, do të shndërrojnë  Shqipërinë në  një vend të prodhimeve të mëdha. Natyrisht, Shqipëria nuk mund të bëhet një ullishte e krahasueshme me Italinë, Greqinë, Spanjën, por Shqipëria mund të bëhet një Kaliforni e vogël në arrorë dhe të bëhet një nga eksportuesit më të rëndësishëm të arroreve ne Evropë. Kur e beri Zoti këtë vend e bëri Zvicër me det, e bëri Norvegji me ujëra, e beri Kaliforni me klimën e saj, pavarësisht se mjegullat e kohës nuk lejuan asnjëherë që këto të shkëlqejnë.

Arritje të rëndësishme ka shënuar ky vit në fushën e shëndetësisë. Në fillim të vitit u miratua ligji për sigurimet shëndetësore, një nga ligjet më kryesore të reformave. Është bërë një punë  e madhe për kostifikimin e të gjitha shërbimeve, proces ky themelor për reformat. Në një vit janë instaluar aparatura moderne, më shumë se kurrë në historinë  e këtij vendi, 6 skanera, 3 rezonanca nukleare manjetike,  akseleratorë; u inaugurua Spitali i ri i Urgjencave, i teknologjive më moderne; u pajisën me aparaturat më moderne 6 urgjenca të vendit. Disa nga botimet më serioze botërore faktojnë të dhëna shumë interesante, faktojnë se vdekshmëria tek të rriturit, tek shqiptarët është me e ulët se në të në të gjitha kombet e vendeve ish komuniste. Vdekshmëria tek të rriturit, tek shqiptarët, nga mosha 15 deri në moshën 64 vjeç afrohet me vende anëtare te BE. Së këtejmi vjen edhe rritja e jetëgjatësisë, në të cilët shqiptarët lënë pas disa vende të zhvilluara. Po ajo që është shumë inkurajuese janë të dhënat mbi shëndetin e gruas. Këto të dhëna e rendisin Shqipërinë në një nga pozicionet më të lakmueshme në botë. E vërteta është që vdekshmëria amtare në Shqipëri është më e ulët se në shumë të zhvilluara. Ajo luhatet nga 0-6-8 për 100 mijë, ndërkohë që vende shumë të zhvilluara e kanë 30-40 dhe 45 për 100 mijë dhe ky është një tregues shumë i rëndësishëm, i vetëdijes në radhë të parë për kujdesin që duhet treguar ndaj gruas shtatzënë por edhe i tregimit të këtij kujdesi dhe mosinjorimit të problematikës së saj, por konsiderimit të saj. Ka një përmirësim shumë të ndjeshëm. Në botimin e “News Week”, Shqipëria kalon në një pozicion shumë të lakmueshëm. Shqipëria ka listën e barnave të rimbursueshme, ndër më të plotën në Evropë, 420 specialitete. Kjo është e vërteta. Kemi hedhur baza të plota për vendosjen e mekanizmit të ri financiar, fill pas kostifikimit, kemi hedhur baza të plota për vendosjen e tere sistemit tonë shëndetësor mbi baza dixhitale. Telemedicina që u inaugurua disa muaj më parë u jep mundësi qendrave tona spitalore të komunikojnë on-line, në kohë reale me qendrat më të specializuar në SHBA-ve dhe në vende të tjera të botës, të konsultojnë rastet e tyre, ti ndihmojnë ato.

Shqipëria në moshën dixhitale është një nga objektivat tona madhore, është një nga objektivat që ka ecur me shpejtësinë më të madhe dhe ka njohur zhvillime te jashtëzakonshme vitin që po lëmë pas. Shqipëria është vendi i 3 G, janë lëshuar dy licenca dhe tani po lëshohet e treta, viti që vjen ka shumë mundësi që të mbyllet me 4 G. Shqipëri është i vetmi vend i Evropës Juglindore që inauguroi “renë kompjuterike” për rrjetet qeveritare. Shqipëria furnizon falas internetin për qytetarët shqiptarë. Në një hark kohor 6 mujor, 2. 1 milion shqiptarë lundruan në internet, në zyrat e Postës së vendit, te cilat pritet të shtohen edhe me 1200 zyra të tjera. Shqipëria po licencon kurrizoren kombëtare për internet me bazë super të gjere. Pasioni i shqiptarëve për komunikimin është shumë i madh, por e vërteta është se komunikimi është i lidhur si mishi me thoin me informimin dhe e drejta për informim është e drejta për të vërtetën, pra dora-dorës, komunikimi, në kuptimin e informimit,  përbën një të drejtë themelore për qytetarët. Shqiptarët kanë sot, shkallën më të lartë , ndër më të lartat në Evropë të telefonisë celulare, e thënë më shqip, “të kompjuterit në xhepin e xhaketës”, që shënon 142 %. Është harruar koha e shprehjes “më bëj një zile”. Uljet e çmimeve vetëm këtë vit, jo të paketave, por të çmimeve të abonentëve me kontratë, sipas shërbimeve, janë nga 18 % në 57%. Paketat i gjykoni vetë. Në se dikujt i thua, mos e zgjat bisedën, ai të përgjigjet – jo, se kam pakete dhe do të vazhdoj. Kjo përbën një arritje të madhe. Kemi pasur një debat kohë më parë me këto kompani, për të cilat unë kam vlerësimin më të madh, por debati ishte i frytshëm dhe bëri që në kuadrin e këtij debati, shqiptarët të shërbehen përafërsisht si qytetarët e tjerë dhe e meritojnë pasi i kanë pasion komunikimin dhe informimin. Teknologjia dixhitale po shtrihet në të gjitha shërbimet. Shërbimi i patentave është kryekëput dixhital. Në një projekt tjetër madhor po punohet për regjistrin dixhital të tokës, të cilin do ta përfundojmë. Dy projekte të tjera të mëdha janë ai i shëndetësisë dhe i taksave. Viti që vjen, në 100 vjetorin e saj, Shqipëria do të hyjë si një nga vendet me transparente dhe nuk ka asgjë më të rëndësishme në këtë vend, në 100 vjet, se sa të jetë një vend dixhital.

Rezultate te prekshme janë arritur në fushën e mbrojtjes. Po konsolidohet ushtria profesionale shqiptare dhe kjo është një arritje  e madhe e shqiptarëve. Misionet tona paqeruajtëse janë shembullorë. Kemi përmbushur çdo detyrim që rrjedh nga anëtarësimi ynë në Aleancën e Atlantikut të Veriut. Rreziku më madhor në këtë tokë për shqiptarët kanë qene 115 mijë municione të skaduar, të cilat vetvetishëm mund të shpërthenin dhe te krijonin katastrofa njerëzore shumë të mëdha. Ne e provuam njërën prej tyre, shumë fatkeqe. Ky proces ka ecur këtë vit, me ritme 4 here më të shpejta, se në vitin 2009 dhe janë të gjitha mundësitë dhe te dhënat që ta finalizojmë atë para viti 2015 apo 2016 siç ishte parashikuar. 

Përsa i përket Ministrisë së Rendit, Policia e shtetit këtë vit ka dëshmuar shkallën më të lartë të profesionalizmit. Ajo përballoi në kushtet e standardeve më demokratike qindra  e qindra protesta përfshi edhe ato të dhunshmet. Policia e Shqipërisë është shndërruar në një partner të besueshëm të partnerëve ndërkombëtare, duke u dhënë goditjet më eficente rrjeteve të drogës dhe të krimit të organizuar.

Qëndrimi i saj ligjor ndaj zgjedhjeve fitoi admirimin e madh të gjitha forcave politike dhe qytetarëve të këtij vendi, por edhe të gjithë miqve dhe partnerëve ndërkombëtarë që nuk kursyen fjalët më të mira për të. Shkalla e zbulueshmërisë është ndër më të lartat. Lufta kundër krimit të organizuar ka një nivel të ri. 125 zyrtarë janë ndaluar për veprën e korrupsionit, meritë kjo, kryesisht e policisë kriminale. 70 prej tyre vazhdojnë ndjekjen në gjendje të lirë, të tjerët janë mbajtur të arrestuar. Spektri i veprave kriminale të ndjekura është rritur, por fuqia zbuluese është rritur në mënyrë të ndjeshme.

Si përfundim mund të them se viti 2011 ishte një vit i denjë për prag 100 vjetorin e Shqipërisë. Ishte një vit me kontribute thelbësore për projektin madhor të këtij vendi “Shqipëria, vend i zhvilluar”, ishte një vit, nga i cili shqiptarët shohin më kthjellet, më larg, më qartë se kurrë, horizontin që do të arrijnë në vitin 2012”

Ju faleminderit

Pyetje: Cili është parashikimi juaj dhe i qeverisë që drejtoni për vitin 2012, në raport me krizën europiane, duke pasur parasysh që edhe vende si Britania e Madhe i tremben një recesioni të mundshëm?

Kryeministri Berisha: Natyrisht që kjo krizë, e cila do jetë e zgjatur, nuk mund të mos ketë pasoja në çdo segment të ekonomisë globale, njëra prej të cilave është ekonomia shqiptare. Por jam i bindur se Shqipëria nuk do të njohë recesion. Nëse ju i ndiqni reformat që u kërkohen vendeve në krizë, ato janë reforma që ne i kemi kompletuar dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar e pohon këtë në mënyrën më të qartë. Reformat që ndërmori qeveria shqiptare, thotë Fondi, mbrojtën më mirë se në çdo vend tjetër ekonominë nga recesioni.  E kam theksuar shumë herë se ne nuk i ndërmorëm këto reforma për të parandaluar krizën, por i ndërmorëm ato, për të instaluar një model ekonomik, të cilit i besonim. Ky model është shumë funksional dhe e ka vendosur Shqipërinë një nga dhjetë vendet me administratën më të vogël në botë. Ky model e ka vendosur Shqipërinë një nga dhjetë vendet me qeveri dorëshkurtër ndaj ndërhyrjes në ekonomi. Ky model ka bërë që Shqipëria, në një rast unik, pa pasur, për shembull, një burim të papritur të ardhurash, të garantojë  nga 2006 në 2008, mbi 8 miliardë dollarë më shumë në buxhetin e shtetit. Kjo është rezultat i këtij modeli. Para këtij modeli ishte Shqipëria tjetër, ku 1.4 miliardë dollarë përfundonin në xhepat e kontrabandistëve dhe zyrtarëve. Unë jam i bindur se nuk do të biem në recesion.

Së dyti, këtë bindje unë e bazoj edhe te një përkujdesje e madhe, një vëmendje absolute që ne po tregojmë. Një vit më parë, ne shkuam në parlament për të bërë shkurtime. Në rast se ju kujtohet, ka pasur vite, kur ne kemi shkuar për të bërë zgjerime, ndërsa vjet shkuam për shkurtime. Dhe në shkurtimet tona, ne ishim seriozë. I shpallëm, i realizuam ato dhe arritëm në finish, pikë për pikë ashtu siç i parashikuam. Ka një dikaster që kontrollon Thesarin.  Jam i bindur edhe  në qëndrim tonë të rreptë, rigoroz e të disiplinuar, që nuk do lejojmë që ekonomia shqiptare të bjerë në recesion. Përveç krizës, këtë vit kemi pasur edhe importe të mëdha energjie, por sërish rritja ekonomike është garantuar dhe nuk ka kërcënime për recesion.     

Pyetje:  Meqenëse jemi në prag festash, a do të nxirrini on line një kartolinë për të uruar shqiptarët? Këtë gjë e ka bërë homologu juaj në PS.

Kryeministri Berisha: Si komunikim on line unë mbaj mesazhet e celularit, sepse shkalla e penetrimit të celularëve është më e larta në Shqipëri, është 140 për qind.  Interneti është më i kufizuar, rreth 50 për qind. Në qoftë se interneti do të arrijë në ato shifra që unë e gjykoj se çdo qytetar do mund të më drejtohet mua, do kaloj me kënaqësi në Twitter, sepse varianti me sms, ç’është e vërteta, është më i mundimshëm. Kështu që unë nuk bëj kartolina on line, por bëj një kartolinë me logon e Këshillit të Ministrave dhe kjo është një kartolinë zyrtare që unë e dërgoj si kryeministër.

Pyetje: Reforma zgjedhore këto dy  vite është lidhur ngushtësisht me integrimin dhe është vendosur gjithnjë si kusht për integrimin. Deri në fund të tetorit, kohë kur u bllokua statusi, ju keni qenë të gatshëm të bëni gjithçka  dhe të toleroni deri në kufijtë që ju lejonte Kushtetuta. Tani , kur është ngritur Komisioni i Reformës Zgjedhore dhe opozita po bashkëpunon, a jeni të gatshëm të toleroni gjithçka, me kusht që reforma të arrihet deri në mars, apo do t’ia lini këtë aftësisë së opozitës për të arritur në kompromis?

Kryeministri Berisha:  Në rast se ju kujtohet, oferta ime ka qenë e tillë. I kam ofruar opozitës që, në rast se dëshironte, të hartonte vetë të gjithë Kodin Zgjedhor dhe ne ta  votonim në parlament pa asnjë kusht, pasi të merrte viston nga Komisioni i Venecias dhe OSBE/ODIHR, sepse unë kam bindjen më të madhe se nuk do të servirin asgjë që nuk është në standardet ndërkombëtare. Por opozita e ka refuzuar këtë. Përse e refuzoi? A ka ofertë më bujare mbi tokë, se kjo? Ky është maksimumi i të gjitha maksimumeve. Ajo e refuzoi, sepse e dinte se do ta shkruante dhe unë do ta votoja. Ajo do t’i humbte zgjedhjet dhe do të bëhej pastaj qesharake edhe në sytë e botës, sepse do t’i thoshin se edhe me Kodin që hartove vetë i humbe zgjedhjet. Ndaj, ata thanë se do ta bëjmë bashkë. Por, nëse e bëjmë së bashku, ky proces bëhet mbi bazën e respektit reciprok. A mundem unë t’u them bashkëpunëtorëve të mi, shkoni dhe uluni me bashkëpunëtorët e zotit Rama, me moton Signorsi. Kjo nuk mund të ndodhë, sepse ky është edhe dinjitet njerëzor dhe nuk mund t’i kërkosh kurrë një bashkëpunëtori gjëra që bien në kundërshtim me atë.

Ata e kanë pranuar këtë variantin e dytë. Deputetët tanë, përfaqësuesit tanë janë aty dhe po punojnë. Unë nuk kam asnjë paragjykim, përkundrazi kam një vlerësim për ekipin, qoftë për ekipin e tyre, qoftë për ekipin tonë. E them haptas këtë, sepse janë njerëz që e njohin lëndën. Në rast se dëshirojnë të bëjmë reformën, kam bindjen më absolute se ajo bëhet plotësisht. Unë kam thënë këtë rezervë: nëse do ta bënin vetë reformën, unë fjalën që kisha dhënë, do ta mbaja. Por ata nuk e morën për ato arsye dhe tani, unë jo çdo gjë e pranoj. Edhe ata jo çdo gjë e pranojnë. Unë nuk përpiqem t’u diktoj atyre. Por me kompromis ky proces arrihet dhe unë them se  nuk ka vështirësi.

Pyetje: Ju thoni që Presidenti e ka kthyer institucionin e presidencës në një zyrë partiçke të vogël dhe jeni deklaruar se Presidenti i ardhshëm do të jetë përfaqësues i mazhorancës. A do të rrezikonte që kjo ta kthente zyrën e presidentit në zyrën e një partie të madhe?

Kryeministri Berisha: Kam deklaruar se do të zbatohet Kushtetuta. Kushtetuta përcakton qartësisht se cili është statusi kushtetues i Presidentit, cili është mekanizmi i zgjedhjes së Presidentit. Çdo koment, jashtë kuadrit kushtetues, është absolutisht jo produktiv. Për ata që janë të interesuar në doktrinë, dua të theksoj se një nga 3-4 shtyllat më themelore të sistemit demokratik, për shembull, zgjedhjet e lira janë një shtyllë dhe pa to nuk ka demokraci, një tjetër, nga më themeloret dhe risitë e 120 viteve të fundit, është kushtetutshmëria. Kushtetutshmëria është shtyllë jetike për funksionimin e një demokracie, në mënyrë që të mos ndodhin deformime, siç mund të ndodhin. Kjo shtyllë është konsoliduar gjithnjë e më shumë, gjatë shekullit që shkoi dhe vazhdon ende, si shtyllë kryesore. Lexoni Kushtetutën tonë. Në nenin 3 të saj thuhet se në themelet e këtij shteti qëndrojnë lirinë e të drejtat e qytetarëve shqiptarë dhe respektimi i institucioneve kushtetuese të tij. Konstitucionalisti i ka vendosur në të njëjtin nen. Pra, zgjedhja e Presidentit është e përcaktuar në Kushtetutë, qëndrimi i tij është i përcaktuar në Kushtetutë. A kthehet ajo karrige në parti të madhe apo të vogël? Ajo karrige nuk është as për parti të madhe dhe as për parti të vogël. Ajo është për Presidentin e Republikës, të cilit Kushtetuta i thotë se do të mbash këto qëndrime. Unë jam ish President dhe jam bërë President pas një viti karrierë politike. Unë kisha një libër në tryezën time dhe në këtë libër ishin ligjet kushtetuese të vendit. Ato nuk mund të cenohen as në frymë e as në germë. Ky është i gjithë problemi. Ato shënojnë, regjistrojnë konsensusin më të gjerë, kontratën e qytetarëve me shtetin. Ndaj unë i qëndroj Kushtetutës. Çdo person duhet të qëndrojnë në përputhje me Kushtetutën.  Unë jam Kryetar i Këshillit të Ministrave dhe kam një ligj mbi të cilin funksionoj, krahas prerogativave kushtetuese. Unë jam i detyruar çdo ditë t’i respektoj. Mos harroni se këtë vit qeveria ka shqyrtuar dhe miratua 980 akte,  100 urdhra, 127 ligje, që të gjitha këto janë detyrimisht të bazuara, në germë e në frymë, me ligjet kushtetuese.

Pyetje: Dëgjuam të gjitha arritjet e realizuara për 2011-ën si dhe parashikimet për vitin 2012. Për të qenë pak më vizionar, për  zgjedhjet e vitit 2013 në ç’formë ose me ç’teze do t’u kërkonit votën shqiptarëve?

Kryeministri Berisha: Lidhur me arritjet e vitit 2011, dua t’ju them se më vjen keq, pasi për arsye kohe nuk arrita të paraqes absolutisht as 1/5 e tyre. E them këtë me sinqeritet. Por do të jenë të gjithë ministrat respektivë që do të listojnë të gjitha arritje e tyre para jush, në bilancin që ata do të bëjnë gjatë javëve të para të janarit.

Pyetje:  Folët për  dixhitalizimin, a do ta përdornit vetë Twitter-in?

Kryeministri Berisha: Siç e thashë, aktualisht mua më mban të lidhur me qytetarët, ndër të tjera, mesazhi i celularit, i cili, për hir të së vërtetës, më harxhon jo pak kohë, pasi, sado që duket i thjeshtë, sërish është më i komplikuar se Twitter dhe Facebook, në rrafshin kohor. Me sms mua më duket se komunikoj me numrin më të madh të mundshëm të shqiptarëve. Kjo më konsumon një kohë jo të vogël, më bën të përqendrohem e të jem disponibël, natyrisht, nuk e realizoj dot on line këtë. Ka njerëz që mund të më bëjnë mesazh në mëngjes e presin përgjigje të menjëhershme, por kjo është e pamundur për mua dhe përgjigjen e jap në darkë, ose ndonjëherë edhe të nesërmen, sipas ngarkesë së punës që kam. Megjithatë, do të doja dhe nuk e përjashtoj as Twitter-in e as Facebook-un si formë komunikimi, por mbase në të ardhmen, kur teknologjia 3G apo 4G të ketë penetruar gjerësisht në të gjithë abonentët. Atëherë, unë detyrimisht do të kaloj në forma të tjera. Realisht mesazhi nuk më lodh, por ta them haptazi, gjithashtu më harxhon kohë më shumë. Ndërkohë Twitter është më i thjeshtë, e ka  mekanizma më të përshtatshëm.

* * *

Në mbyllje, ju njoftoj se unë  do të jap një pritje për gazetarët, por këtë do ta realizoj pas Vitit të Ri, pasi të kalojnë të gjitha pritjet e tanishme. E ëmbla për në fund, siç thuhet, kështu që pritja ime do të jetë më e ëmbla dhe do të jetë e fundit që ju do të keni.  Unë ju falënderoj shumë ju të gjithëve, falënderoj news room-et tuaja, falenderoj ekipet e lajmeve dhe kronikave, për të gjithë veprimtarinë jashtëzakonisht të çmuar që ju keni zhvilluar gjatë këtij viti. Ju keni pasqyruar veprimtarinë e qeverisë në mënyrën më të frytshme, më transparente dhe ky është një avantazh i madh për qeverinë time. Por, nga ana tjetër, ju garantoj se kronikat tuaja ndiqen me shumë interes, si nga Kryeministri, ashtu edhe nga ekipi i tij, për të parë se çfarë mund të bëhet për adresimin e  problematikës së shumtë që ju sillni në ekranet tuaja, që të merren masa dhe të shihet se çfarë mund të bëhet.

 Ju uroj një vit me shumë gëzime, me shumë mbarësi, suksese  për ju, për familjet tuaj, për bashkëpunëtorët dhe ekipet tuaja, për të gjithë punonjësit e shtypit e të mediave në Shqipëri. Faleminderit. 


28/12/2011

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›