Kryeministri Berisha pret Ngarkuarin me Punë të Republikës së Çekisë në Tiranë, Z. Vladimir Valky
Kryeministri Berisha priti në takim, të Ngarkuarin me Punë të Republikës së Çekisë në Tiranë, Z. Vladimir Valky, i cili ushtron përkohësisht edhe funksionet e kreut të Ambasadës Çeke në Tiranë.
Z. Valky falënderoi Kryeministrin për pritjen e ngrohtë dhe i përcolli përshëndetjet më të përzemërta të Kryeministrit dhe qeverisë çeke, si dhe mirënjohjen për nderimin që Kryeministri Berisha dëshmoi ndaj figurës së ish Presidentit Vaslav Havel, me pjesëmarrjen e tij në ceremoninë e lamtumirës të organizuar javën e kaluar në Pragë.
Kryeministri Berisha vlerësoi figurën e ish Presidentit Havel si një personalitet frymëzues për të gjitha vendet e Evropës Lindore e Juglindore dhe për të gjithë qytetarët dhe intelektualët e lirë të këtyre vendeve, të cilët u ngritën për të shembur komunizmin në fillim të viteve ’90 dhe gjetën tek figura e Vaslav Havel shembullin më të mirë të një individi e politikani të lirë.
Në takim u vlerësuan marrëdhëniet shumë të mira midis dy vendeve e qeverive dhe u rikonfirmua vendosmëria dhe angazhimi i tyre për të zgjeruar e thelluar edhe më tej bashkëpunimin në të gjitha fushat me interes të ndërsjellë. Në këtë kontekst, fusha si ajo e arsimit, shkëmbimet ekonomike e tregtare, por edhe thithja e investimeve apo projekteve në fushën e mbrojtjes së mjedisit u konsideruan si sektorë të rëndësishëm për zgjerimin e mëtejshëm të bashkëpunimit dypalësh.
Z. Valky e siguroi Kryeministrin Berisha se Republika e Çekisë ka qenë dhe mbetet një mbështetëse e palëkundur e qeverisë shqiptare, në të gjitha përpjekjet për projektin madhor të integrimit europian. Në këtë kuadër, Çekia do të mbështesë fuqishëm dhënien e statusit të vendit kandidat për Shqipërinë, në periudhën më të afërt gjatë vitit të ardhshëm.
29/12/2011