Kryeministri Berisha: Numri i lartë i ndërtimit të banesave, dëshmi e funksionimit të lirisë për qytetarët shqiptarë

- Censusi i fundit fakton se sot në Shqipëri janë 380 banesa për 1000 banorë. Krahasuar me cenususet e Bashkimit Evropian, në Republikën e Sllovakisë janë 317 banesa për 1000 banorë, në Poloni janë 335 banesa për 1000 banorë, në Maltë janë 349 banesa për 1000 banorë
- Shqiptarët, me djersën e madhe që kanë derdhur, me shfrytëzimin që i kanë bërë iniciativës së lirë, me forcën e tyre krijuese në pasurinë më themelore të njeriut, që është banesa, kanë vendosur Shqipërinë në grupin e vendeve të zhvilluara
- Nga viti 2001 në vitin 2011, 330 mijë familje shqiptare janë bërë me më shumë se një banesë
Nën drejtimin e Kryeministrit Berisha u zhvillua sot mbledhja e fundit e Këshillit të Ministrave për vitin 2011-të.
Në këtë mbledhje, Kryeministri Berisha u ndal në të dhënat për numrin e banesave, të dala nga procesi i censusit, të cilat “e vendosin Shqipërinë në grupin e vendeve të zhvilluara”. “Censusi i fundit fakton se sot në Shqipëri janë 380 banesa për 1000 banorë. Krahasuar me cenususet e Bashkimit Evropian, në Republikën sllovake janë 317 banesa për 1000 banorë, në Poloni janë 335 banesa për 1000 banorë, në Maltë janë 349 banesa për 1000 banorë”, u shpreh Kryeministri.
Më tej, ai shtoi se “Shqiptarët kanë ndërtuar në këto 10 vite më shumë seç kanë ndërtuar në 30 vite, banesa për frymë, 25 kombe anëtare të OECD-së dhe Bashkimit Evropian”.
Kryeministri nënvizoi se më këto të dhëna, në projektin ‘Shqipëria vend i zhvilluar’, shqiptarët kanë kapur një horizont të ri shumë të rëndësishëm. “Në procesin e integrimit evropian, kjo është një arritje madhore. Dua të jem shumë i hapur, shumë i sinqertë, se kur theksoj se ky proces duhet të jetë tërësisht merituar kam pikërisht këto parasysh. Ne nuk kemi pse të integrohemi si streha vorfënore e Evropës. Ne duhet të krijojmë pasuri, të krijojmë të ardhura, duhet të zhvillohemi, sepse ne kemi gjithçka për të qenë të tillë”, tha Kryeministri Berisha.
“Ndërtimi i banesave, - theksoi Kryeministri, - përbën dëshminë më të shkëlqyer të funksionimit të lirisë për qytetarët shqiptarë, të iniciativës së tyre të lirë”.
Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha u shpreh:
“Sot, kryefjala e kësaj mbledhje është një rezultat shumë i veçantë i censusit, i cili u fakton shqiptarëve se me djersën e madhe që kanë derdhur, me shfrytëzimin që i kanë bërë iniciativës së lirë, me forcën e tyre krijuese në pasurinë më themelore të njeriut, që është banesa, kanë vendosur Shqipërinë në grupin e vendeve të zhvilluara. Censusi i fundit fakton se sot në Shqipëri janë 380 banesa për 1000 banorë. Krahasuar me cenususet e Bashkimit Evropian, në Republikën e Sllovakisë janë 317 banesa për 1000 banorë, në Poloni janë 335 banesa për 1000 banorë, në Maltë janë 349 banesa për 1000 banorë. Natyrisht, ka vende si Franca me 509 banesa në 1000 banorë, Danimarka me 500 banesa dhe vende të tjera, anëtare të Bashkimit Evropian dhe OECD-së, që janë në diapazonin midis 400 dhe 500 banesa për 1000 banorë. Kjo përbën një nga arritjet më të mëdha e më historike të këtij kombi dhe këtij vendi.
Dua t’ju informoj ju dhe qytetarët shqiptarë se ky tregues në vitin 2001 ka qenë 225 banesa për 1000 banorë. Po t’i referohemi statistikave të shtëpive të banimit në Bashkimin Evropian, duke analizuar banesat në këto vende, në regjistrimet e vitit ’80, në asnjë prej tyre 30 vjet më parë nuk ka ekzistuar një vend me 225 banesa për 1000 banorë. Por i kanë pasur që të gjitha i kanë mbi 280 banesa. Vetëm tre vende kanë qenë nën 300 banesa për 1000 banorë, një me 274, një me 297 banesa, një me 283 banesa, por asnjë prej tyre 30 vjet më parë nuk ka pasur siç kanë patur shqiptarët 10 vjet më parë 225 banesa për 1000 banorë. Shqiptarët në 10 vite kanë ndërtuar banesa për 1000 banorë më shumë seç kanë ndërtuar 25 kombe të tjera në 30 vitet e fundit. Janë dy vende që kanë ndërtuar më shumë në 30 vite, jo në 10 vite dhe as në 20 vite. Shqiptarët kanë ndërtuar në 10 vite më shumë se çdo vend tjetër që ka ndërtuar banesa në 20 vite. Ndërsa në 30 vite ka ndërtuar Finlanda dhe Estonia lehtësisht më shumë seç kanë ndërtuar shqiptarët në 10 vjet. Asnjë komb nuk ka ndërtuar me ritme të tilla, të shpejta, siç kanë ndërtuar shqiptarët në këtë 10 vjeçar. Gara është garë, por me këtë, në projektin ‘Shqipëria vend i zhvilluar’, shqiptarët kanë kapur një horizont të ri shumë të rëndësishëm. Që nga kohërat e lashta deri më sot banesa ka qenë dhe mbetet pasuri kryesore e individit dhe familjes. Në rast se në vitin 2001 mesatarja ishte një banesë për 3.9 banorë, në vitin 2011 është një banesë për çdo 2.6 banorë.
Numri i banesave në total është 1 075 881. Nga viti 2001 në vitin 2011 janë ndërtuar plus 125 banesa për 1000 banorë. Pra Shqipëria bëri një quantum leap, një hop të madh. Shqiptarët bënë një kapërcim të fuqishëm në këto vite, kryesisht nga 2005 deri më sot, në fushën e shtëpive të banimit. Flitet për një milionë të varfër në këtë vend, me një aritmetikë fiks të 21 viteve më parë. E vërteta është se sot janë pronarë shtëpish mbi 740 familje shqiptare. Sigurisht, ka dhe familje në vështirësi strehimi, sigurisht që ka edhe të pastrehë, por ky është një standard që flet vetë, ky është standardi i një vendi të zhvilluar, ky është standardi më i lartë se disa vende anëtare të OECD-së dhe Bashkimit Evropian. Kjo arritje fatlume, sepse nuk ka gjë më të rëndësishme për njeriun sesa të ketë shtëpinë e tij, baza e ndërtimit të së ardhmes dhe jetës së tij. Kjo është, padiskutim, dëshmi e shpirtit punëtor e të fortë të shqiptarëve, e shpirtit të tyre të sakrificës. Shumica e këtyre banesave janë ndërtuar me sakrifica mbinjerëzore. Këto nuk kanë qenë banesa luksi. Vetëm një përqindje e vogël i përket borgjezisë së re. Këto janë banesat e burrave dhe grave, të cilët kanë punuar nga 16 – 18 orë në ditë, kanë sakrifikuar, kanë shpenzuar të gjitha kursimet dhe i kanë shndërruar në shtëpi të bukura, askund në kasolle.
Nuk është e rastit që ky bum i papërmbajtur ka shoqëruar këtë model ekonomik, i cili ka bërë që iniciativa e lirë e qytetarëve të ketë rendimentin më të lartë, efiçencën më të lartë. Edhe njëherë, shqiptarët kanë ndërtuar në këto 10 vite më shumë seç kanë ndërtuar në 30 vite banesa për frymë 25 kombe anëtare të OECD-së dhe Bashkimit Europian. Shqiptarët kanë ndërtuar në këto 10 vite më shumë se të gjitha kombet anëtare të OECD-së në 20 vitet e fundit. Kjo është një arritje historike për këtë vend, i cili erdhi në vitin ’90 me 175 apo 204 dollarë për frymë, vendi i dytë më i varfër në botë, pas Angolës. Shqiptarët të tillë i kish bërë regjimi, sepse ata dëshmuan se çfarë force të madhe shpirtërore kanë, çfarë gjenie krijuese kanë dhe se sa të zotë janë ata, njerëz të lirë të ndërtojnë të ardhmen për familjen dhe vendin e tyre.
Unë nuk mund të gjeja një lajm më mbresëlënës sesa ky për të mbyllur këtë vit. Unë mund t’ju bëja shumë statistika, por shtëpitë flasin më shumë se çdo statistikë. Ato janë jetët e njerëzve, janë i gjithë organizimi dhe pasuria bazë e çdo familje. Nga viti 2001 në vitin 2011, 330 mijë familje shqiptare janë bërë me më shumë se një banesë. Kjo tregon rritjen e shpejtë dhe konsolidimin e asaj që quhet klasë e mesme e një shoqërie. Ajo është një klasë me prerjen më të gjerë në shoqërinë e një vendi të lirë, e cila përbën themelin e sistemit të vlerave dhe demokracisë në çdo vend, përbën dhe themelin e stabilitetit të çdo vendi të lirë. Ja sa i domosdoshëm ishte censusi. Censusi ishte jetik për të na dhënë ne pasqyrën e Shqipërisë së këtij viti. Unë jam Kryeministër dhe këtë statistikë për banesat e mësova nga censusi. Edhe çdo shqiptar e mësoi këtë nga censusi. Ky është një tregues jashtëzakonisht i rëndësishëm, i cili kërkon dhe imponon që çdo shqiptar të ketë një tjetër mendim për Shqipërinë. Shqipëria nuk është më ajo, e cila mbartet në mendjet tona. Madje është shumë larg asaj. Pra kemi një zhvillim që avancon shumë më shpejtë sesa ç’është psikologjia. Jam i bindur se ky zhvillim gjithnjë e më shumë do të ndikojë pozitivisht në pasurimin. Nuk mund të them ndryshe, sepse shëmbëlltyrat nuk ndryshojnë, janë genetike, por ka ndikim të padiskutueshëm. Genet kanë përgjegjësinë e tyre, por mjedisi ka rolin e tij të padiskutueshëm. Ndaj jam i bindur se ky realitet do të ketë ndikimin dhe ka ndikimin e vetë. Ky realitet është thelbësor në maturimin që dëshmojnë shqiptarët ndaj proceseve demokratike. Ky realitet është shumë i rëndësishëm për tu mbajtur parasysh nga çdo faktor, çdo politikan, çdo politikë dhe çdo alternativë. I zoti i shtëpisë është i zoti i shtëpisë, nuk mund ta tundosh për interesa të ngushta dhe të shkurtra. Të gjithë kanë interesat e tyre, por interes themelor kanë zhvillimin, kanë të kapin horizontin tjetër, të krijojnë më shumë me mundin dhe djersën e tyre. Interes jetik kanë zgjerimin e lirive të tyre, sepse këto i arritën se janë të lirë. Sa më të lirë të jenë dhe të ndihen, aq më shumë do të arrijnë. Në procesin e integrimit evropian, kjo është një arritje madhore. Dua të jem shumë i hapur, shumë i sinqertë, kur theksoj se ky proces duhet të jetë tërësisht i merituar kam pikërisht këto parasysh. Ne nuk ka pse të integrohemi si streha vorfënore e Evropës. Ne duhet të krijojmë pasuri, të krijojmë të ardhura, duhet të zhvillohemi, sepse ne kemi gjithçka për të qenë të tillë. Dhe urdhëro, rezultati!
Gjatë këtyre viteve, në mënyrë të përsëritur, kam theksuar se sot rrogat në Shqipëri u bënë më të larta se 2-3 vende të tjera të Bashkimit Evropian. Kjo përbënte një mekanizëm të përcaktuar nga një vullnet burokratik dhe zyrtar. Ndërsa ndërtimi i banesave, 380 banesa për 1000 banorë në 10 vite, përbën dëshminë më të shkëlqyer të funksionimit të lirisë për qytetarët shqiptarë, të iniciativës së tyre të lirë.
Ju përshëndes dhe ju falënderoj për praninë!”
28/12/2011