E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha feston me fëmijët e fshatit SOS dhe ndan për ta dhurata, me rastin e Vitit të Ri

Më rastin e festave të fundvitit, Kryeministri Berisha dhe bashkëshortja e tij, zonja Liri Berisha, iu bashkuan sot paradite festimeve në Fshatin e Fëmijëve SOS, në Tiranë. Fëmijët e këtij fshati së bashku me një grup fëmijësh artistë nga Shkolla e Baletit dhanë një koncert të përgatitur enkas për festimet e Vitit të Ri.  

Pasi ndanë me fëmijët kënaqësinë e festimeve dhe duke i uruar atyre një vit të mbarë, plotë shëndet e gëzime, Kryeministri dhe zonja Berisha ndanë për ta dhurata të ndryshme, me lodra e veshje.

Fshatrat e Fëmijëve SOS në Shqipëri janë pjesë e SOS Kinderdorf International dhe ofrojnë ndihmë e kujdes familjar për 139 fëmijë, që kanë humbur kujdesin prindëror.

Në përshëndetjen e tij drejtuar fëmijëve, mësueseve e nënave të fshatit SOS, Kryeministri Berisha u shpreh:

“Ju përshëndes shumë përzemërsisht dhe shpreh kënaqësinë që takohem sot me ju, në prag të Vitit të Ri. Pak javë më parë ju festuat 15 vjetorin e Fshatit SOS dhe na ftuat. Me koncertin tuaj dhe organizimin e shkëlqyer që kishit bërë, ju na dhatë një kënaqësi shumë të madhe. Por këtë herë ne vendosëm të vijmë vetë këtu dhe të festojmë me ju Vitin e Ri, t’ju urojmë Vitin e Ri, të shprehim nderimin tonë më të madh për mësueset tuaja, për nënat dhe tezet e fshatit SOS, misionin shumë human dhe fisnik që ato përmbushin, duke u kujdesur për vogëlushët e këtij fshati, duke u kujdesur për ju dhe duke ju plotësuar juve gjithçka që një familje i plotëson fëmijës së tij të dashur.

Dua të shpreh nderimin tim të madh për këto zonja dhe zonjusha, të cilat me përkushtim të madh kanë krijuar një praktikë të mrekullueshme të sjelljes, të kujdesit, të qëndrimit e trajtimit të fëmijëve, të cilët, për arsye të ndryshme, kanë nevojë për një familje alternative.

Juve fëmijë, gjithashtu, dua t’ju shpreh dashurinë time, dëshirën për t’ju përqafuar të gjithëve, t’ju uroj një Vit të Ri me plotë shëndet, gëzime e lumturi, t’ju uroj një vit të mbarë, ashtu siç e dëshironi ju, siç e keni ju zemrën dhe shpirtin.

Dua të falënderoj të gjithë ata që mbështesin fshatin tuaj, biznesmenët bujarë që ndajnë me ju mirësi të madhe, por dua t’ju garantoj, gjithashtu, se qeveria është e gatshme që, në çdo rast dhe në çdo nevojë, t’ju japë ju të gjithë mbështetjen që ju nevojitet, për të përmbushur me dinjitet dhe fisnikëri këtë mision kaq njerëzor dhe kaq përfaqësues për njerëzinë e mbarë shoqërisë shqiptare.

Edhe një herë, ju uroj një vit shumë të gëzuar!”


28/12/2011

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›