E Shtunë, 31 Tetor 2026

Konferenca për shtyp e zëdhënëses së Këshillit të Ministrave, njëkohësisht Ministre e Integrimit, znj. Majlinda Bregu

Zëdhënësja e qeverisë znj. Majlinda Bregu tërhoqi sot vëmendjen e opinionit publik lidhur me debatin për kontrollet në kompanitë që nuk kanë paguar taksat. Zonja Bregu, bëri këtë deklaratë:

"Përshëndetje! Për shkak të impenjimeve zyrtare, takimi ynë i përjavshëm po mbahet sot.
Dua të qartësoj sot, në emër të qeverisë, debatin e çelur rreth kontrolleve të ushtruara në kompanitë private që nuk kanë paguar detyrimet financiare. Nuk është e ndershme, etike, profesionale që të keqpërdoren betejat e luftës kundër informalitetit me lirinë e fjalës dhe të shtypit.

Në të gjitha raportet e Departamentit Amerikan të Shtetit dhe të organizatave që monitorojnë lirinë e shtypit në Shqipëri thuhet se qeveria ka respektuar fjalën e lirë. Por duke i'u referuar këtyre raporteve theksohet se mungon transparenca e financimeve në mediave. Për kujtesë të audiencës, në vitin 2004, një grup gazetarësh dhe redaktorësh ngritën shqetësimin e tyre për sa i përket përpjekjeve të qeverisë për të kufizuar lirinë e shtypit. Ata u shprehën se përdorimi arbitrar i kontrolleve financiare dhe padive kundër gazetarëve nga ana e qeverisë ka cënuar lirinë e shtypit.

Në emër të qeverisë, dua të njoftoj opinionin publik se në raportet e Departamentit Amerikan të Shtetit, Human Rights Developement, Freedom House, apo në deklaratat e Parlamentit Evropian për vitet 2001-2005, qeveria është kritikuar për kërcënimin dhe burgosjen e gazetarëve, dhe për një lloj ndarje të mediave pro dhe kundër qeverisë duke përdorur edhe reklamën shtetërore si kulaç dhe kërbac në të njëjtën kohë.

Në këto raporte citohet se kjo formë hakmarrjeje zyrtare u bë veçanërisht e ashpër në vitet 2001 dhe 2002.

Departamenti Amerikan i Shtetit në vitin 2004 theksonte se; ka pasur probleme thelbësore e të rëndësishme për sa i përket përdorimit të medias për qëllime politike. Media e pavarur ka qenë aktive, por është cënuar nga niveli i ulët i profesionalizmit dhe mungesa e financimeve. Përveç disa përmirësimeve, shumica e stacioneve radio-televizivekanë qenë të njëanshëm në mbulimin e ngjarjeve politike.

Në janar 2004, dy reporterë të Top Channel-it u arrestuan për pak kohë sepse kishin filmuar kryeministrin në publik, pa dijeninë e tij.

Në shkurt të po këtij viti, forcat e sigurisë arrestuan për disa orë dy gazetarë të televizionit ALSAT dhe konfiskuan videokasetën ku ata kishin regjistruar kryeministrin duke vizituar një spital. Mungesa e kontratave të punësimit për shumë gazetarë është përmendur si një pengesë e shpeshtë për gazetarinë e lirë.

Shpifja dënohet penalisht nga gjoba deri në 2 vjet burgim. Në vitin 2005 po raporti i departamentit amerikan të shtetit citon;
Gjatë këtij viti "zgjedhor", politizimi i mediave u rrit më shumë se në vitet paraardhëse. Botuesit dhe pronarët e gazetave vazhdojnë të botojnë lajme që i shërbejnë interesave të tyre ekonomike dhe politike dhe disa herë bllokojnë ato lajme që shkojnë kundër këtyre interesave. Gazetarët vazhdojnë të praktikojnë vetë censurim. Ka pasur pak transparencë për sa i përket financimit të medias.

Media e pavarur ka qenë aktive, por është cënuar nga niveli i ulët i profesionalizmit dhe mungesa e financimeve. Ka pasur raportime për raste dhune fizike të ushtruar nga policë dhe zyrtarë të tjerë ndaj gazetarëve.

Ka pasur presion politik të medias. Gazetarët vazhdojnë të ankohen se botuesit dhe redaktorët i censurojnë drejtpërdrejtë ose në mënyrë indirekte në përgjigje të presioneve politike ose ekonomike.

Në vitin 2006, polarizimi i prodhimeve të mediave në kampin opozitar është bërë më i prononcuar.

Botuesit dhe pronarët e gazetave vazhdojnë të botojnë lajme që i shërbejnë interesave të tyre ekonomike dhe politike dhe disa herë bllokojnë ato lajme që shkojnë kundër këtyre interesave.
Në përgjithësi, individë të ndryshëm mund të kritikonin hapur qeverinë dhe aksionet e saj si në mediat e shkruara, ashtu edhe në ato audio – vizive, pra nuk referohet për censurë ndaj fjalës së lirë.

Nuk ka pasur raste përdorimi, ose kërcënimi për përdorim të padive për shpifje për të kufizuar diskutimin e lirë politik.
Në maj, Parlamenti ndryshoi ligjin mbi mediat, duke ristrukturuar Bordin Drejtues të RTSH dhe Këshillin Kombëtar të Radio Televizioneve.

Gazetarët vazhdojnë të ankohen se botuesit dhe redaktorët i censurojnë drejtpërdrejtë ose në mënyrë indirekte në përgjigje të presioneve politike ose ekonomike. Shumë gazetarë raportojnë se mungesa e kontratave të punësimit, shpesh ka cënuar aftësinë e tyre për të punuar objektivisht.

Ndërsa në raportin e Freedom House për vitin 2006 theksohet se Botuesit dhe pronarët e mediave kanë tendencën t'i hartojnë politikat e tyre editoriale bazuar në interesa politikë dhe ekonomikë, çka, së bashku me pasigurinë e punës më të cilën përballen gazetarët, ushqen një kulturë vetë censurimi.
Qeveria Berisha hoqi reklamën shtetërore pikërisht për të mos pasur në dorë as kulaçin dhe as korbaçin, nuk ka patur asnjë rast padie kundër medias në këto 20 muaj të qeverisjes demokratëve, asnjë gazetar nuk është arrestuar apo paditur për hir të detyrës.

Qeveri ka kërkuar edhe në bazë të rekomandimeve të të gjitha institucioneve ndërkombëtare transparencë në burimet e finacimit të medias. Duke respektuar lirinë e shtypit, mbi të cilin mungesa e kuadrit ligjor ka ulur standardet etike dhe profesionalizmin në gazetari.
Shqipëria ka nevojë të miratojë ligje për të luftuar piraterinë e mediave dhe për të rregulluar njëherë e mirë kuadrin ligjor për mediat në Shqipëri"

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›