E Shtunë, 31 Tetor 2026

Konferencë për shtyp e Kryeministrit Berisha

Sot në mbrëmje, Kryeministri Berisha komentoi gjatë një konference për shtyp disa nga çështjet kryesore të ditës.

Kryeministri: Ju falënderoj që jeni këtë të dielë këtu. Këto ditë, në kuadrin e luftës kundër evazionit e informalitetit parlamenti, media, përfaqësues të ndryshëm të biznesit, opozita janë përfshirë në një debat, të cilin unë do ta quaja të shëndetshëm, rreth një problemi themelor për çdo shoqëri, problemin e taksave.

Në historinë moderne spikasin dy politika themelore në raport me taksat: politika e taksave të larta dhe progresive, që bazohet në doktrinat paramarksiste dhe marksiste, në besimin në fuqinë investuese të shtetit lumturues të individit dhe, e kundërta e saj, politika liberale apo e taksave të ulëta që bazohet në besimin tek fuqia e iniciativës së lirë të individit si magjia e tregut.

Qeveria që unë drejtoj ka shpallur si politikë të saj atë të taksave të ulëta dhe administrimin e mirë të tyre. Prandaj dhe ulja e madhe e barrës fiskale dhe lufta frontale për formalizimin e ekonomisë janë dy drejtimet më madhore të këtij viti për modernizimin e ekonomisë shqiptare. Në përputhje me objektivat në një hark kohor prej 18 muajsh është vendosur për uljen pothuajse dy herë të barrës fiskale të taksave që rëndojnë mbi biznesin në Shqipëri. Kështu është përgjysmuar taksa e biznesit të vogël dhe është ulur tre herë qiraja për sipërfaqen publike të zënë nga ky biznes, është vendosur ulja 130 për qind e tatimit mbi të ardhurat personale, ulja 150 për qind e tatimit mbi fitimin, është ulur me 32 për qind kontributi për sigurimet shoqërore, është ulur me 33 për qind çmimi i energjisë elektrike për biznesin.

Në Shqipëri, në 15 vite, asnjë qeveri nuk ka marrë masa ligjore fiskale lehtësuese të tilla për biznesin siç ka marrë qeveria që unë kryesoj. Po kështu asnjë vend nuk ka ulur brenda një kohe kaq të shkurtër barrën fiskale siç e ka ulur Shqipëria. Sipas KPMG, në vitin 2006 Shqipëria ka qenë vendi i parë në botë për uljen në përqindje të taksave dhe shpresojmë të kryesojmë edhe në vitin 2007. Ne sot nuk pretendojmë se Shqipëria është parajsë fiskale, por jemi të kënaqur, ajo është vendi me barrën fiskale më të ulët në Evropë dhe një nga vendet me barrën fiskale më të ulët në botë.

Politika pro biznes, pra e uljes së shpejtë e barrës fiskale nga qeveria së bashku me masat të tjera të saj, kanë dhënë frytet e saj të para. Kështu është rritur me 33 për qind numri i bizneseve të vogla, është katërfishuar numri i bizneseve të madha, është rritur me 23 për qind numri i bizneseve të mesme. Krahasuar me fundin e vitit 2005, numri i të punësuarve të sektorin privat është sot 33 për qind më i madh; indeksi i shitjeve për vitin 2006 u rrit me 18 për qind; indeksi i shitjeve në ndërtim në muajin dhjetor u rrit me 57 për qind; rritja ekonomike është mbi 5.5 për qind; inflacioni vjetor 2.4 ose 1 për qind më i ulët se parashikimi. Krediti bankar për ekonominë gjatë vitit 2006 u rrit me 100 për qind krahasuar me një vit më parë; investimet direkte të huaja nga 28 dollarë për frymë që ishin në vitin 2004 janë rritur 130 dollarë për frymë në vitin 2006.

Ulja me rreth dy herë e barrës fiskale për biznesin jo vetëm nuk ka sjellë uljen me dy herë në të ardhurat në buxhetin e shtetit, por përkundrazi, është shoqëruar me një rritje neto prej rreth 20 për qind të të ardhurave në buxhet, rritje kjo që ka ardhur si për shkak të luftës efikase kundër evazionit, informalitetit dhe korrupsionit, ashtu dhe për shkak të gjallërimit real dhe të fuqishëm të biznesit në Shqipëri, në kushtet e një klime gjithnjë e më të favorshme për të.

Qeveria ka marrë masa të jashtëzakonshme për reduktimin e barrës burokratike mbi biznesin, ka përfunduar regjistrimi elektronik i tij, së shpejti do të funksionojë one-sto-shop.

Me këtë rast, më lejoni të garantoj biznesmenët shqiptarë, gjeneratorë të mirëqenies, punësimit dhe zhvillimit të vendit, se qeveria, në bashkëpunim më të ngushtë me ta, do të punojë që Shqipëria të bëhet vendi më tërheqës për investimet e tyre.

Megjithatë, këto javët e fundit, siç e theksova më sipër, po zhvillohet një debat i nxehtë në lidhje me ligjin e detyrimeve tatimore të fshehura, të padeklaruara apo, siç po e quajnë mediat, ligji i gjobave. Unë e kam ndjekur me mirëkuptim këtë debat. Them me mirëkuptim sepse duhet gjithnjë një kujdes i veçantë për klimën e biznesit. Sikundër, jam i vetëdijshëm se gjoba të ëmbla nuk ka. Nga kushdo që vjen dhe cilado qoftë gjoba, ajo është vetëm e hidhur dhe e padëshirueshme. Nga ana tjetër, duhet të sqaroj se disa paqartësi kanë ardhur edhe nga mungesa e komunikimit dhe e debatit të hapur ndërmjet autoriteteve tatimore dhe biznesit për këtë ligj, çka nuk duhet të përsëritet në të ardhmen. Por pavarësisht nga këto, e vërteta absolute dhe universale në doktrinën fiskale është se aty ku ka taksa, ka gjoba dhe se në këtë planet nuk ekziston sistem tatimor pa gjoba, të cilat vendosen për fshehjen e të ardhurave nga agjentët tatimorë. Gjobat janë universale apo planetare jo se janë të dëshiruara, por sepse askund nuk ekziston komunitet biznesi në të cilin biznesmenë të veçantë të mos tentojnë të fshehin detyrimin e tyre ligjor tatimor. Gjoba, e vendosur për fshehjen e të ardhurave apo falsifikimin e bilanceve, nuk kanë kurrë si qëllim ndëshkimin e biznesit. E kundërta është e vërteta, ato synojnë parandalimin e mashtrimit dhe falsifikimit të detyrimit tatimor nga një pakicë e vogël biznesesh, por mbi të gjitha ato synojnë mbrojtjen nga falimentimi e biznesit të ndershme që përbëjnë shumicën dërrmuese të tyre, të cilat i paguajnë shtetit detyrimin ligjor tatimor në përputhje me rregullat e tij. Gjobat për fshehjen e detyrimeve tatimore synojnë garantimin konkurrencës së lirë dhe rregullave të lojës për të gjitha bizneset, barazinë e tyre para ligjit, kushtin e të gjitha kushteve për lirinë e tregut. Ndihma më e madhe që qeveria që unë drejtoj dhe çdo qeveri mund t'i japë biznesit të vendit është para së gjithash garantimi i konkurrencës së lirë dhe barazisë para ligjit.

Debati për këtë ligj karakterizohet nga objeksione se përse gjoba duhet të paguhet para se të vendosë gjykata, apo para përfundimit të procedurave të apelimit në gjykata, siç parashikohet nga ligji që po diskutohet. Madje shkohet deri aty sa të cilësohet se me këtë ligj qeveria synon të mbushë buxhetin me gjoba. Absurdi arrin kulmin kur opozita me mediat e saj deklaron se një ligj i tillë ekziston vetëm në Serbi si trashëgimi e Millosheviçit dhe se është jashtë të gjitha standardeve evropiane, madje është ligj antikushtetues që shkelmon parimin e prezumimit të pafajësisë. Atyre që spekulojnë me pretendimin se gjobat përdoren për të mbushur buxhetin më duhet t'i them se vetëm një mendje e sëmurë mund të aludojë apo të imagjinojë që një qeveri që mbi përgjysmon taksat për biznesin e vendit të tij, të dëshirojë të mbushë me gjoba buxhetin e saj. Ky pretendim është sa qesharak, aq edhe naiv.

Të tjerëve që shpallin se ligji është jashtë të gjitha standardeve të vendeve të BE-së dhe e bëjnë këtë se nuk i njohin këto standarde, njerëzisht do t'u kërkoja t'i lexonin ato. Ndërsa ndonjërit që e deklaron këtë, sepse tmerrohet nga këto standarde, vetëm e vetëm pse ndihet mirë dhe i lumtur duke notuar në kënetën e informalitetit, më duhet t'i them se asgjë nuk do të mund të parandalojë vendosjen e këtyre standardeve dhe të shtetit ligjor në Shqipëri.

Ligji që debatohet në parlament, për të gjithë shqiptarët që kanë interes jetik integrimin e tyre dhe të fëmijëve të tyre në BE, është jo vetëm direktivë e OECD-së, por është dhe standard i vendeve anëtare të BE-së. Qeveria me këtë ligj kërkon të përmbushë pikërisht këtë standard. Pra, pagesa e gjobave para apelimit dhe pavarësisht nga apelimi nuk është një shpikje shqiptare, por një standard i vendeve anëtare të BE-së që zbatohet nga Greqia në Suedi, nga Italia në Holandë, zbatohen në Austri, Gjermani,Çeki, Hungari etj.. Pothuajse në të gjitha këto vende gjoba paguhet jo para apelimit në sistemin gjyqësor, por para dhe pavarësisht nga apelimi në zyrat apo komisionet ankimore të administratës tatimore. Po kështu, pothuajse në të gjitha vendet e BE-së niveli i gjobës që paguhet para apelimit është mbi 25 për qind. Ajo është 30 për qind për Suedinë, 40 për qind për Austrinë, 40 për qind për republikën Federale Gjermane, 50 për qind për Italinë, 75 për qind përÇekinë, gjer 80 për qind për Francën e kështu me radhë. Kështu një biznesmen italian, gjerman, austriak, suedez, holadez, grek apo belg që investon në Shqipëri jo vetëm gjen këtu një barrë fiskale shumë më të butë se në vendin e tij, por dhe një standard të njëjtë me atë të vendit të tij për pagimin e gjobës, para dhe pavarësisht nga ankimimi. Në dallim nga vendi i tij, ai paguan një nivel gjobe më të ulët dhe po në dallim nga vendi i tij ku ai është i detyruar të paguajë këtë përqindje para dhe pavarësisht nga apelimi në zyrat ankimore të administratës tatimore, në Shqipëri ai do të paguajë vetëm principalin gjatë periudhës së ankimimit në dy shkallët e sistemit tatimor dhe paguan vetëm 25 për qind të gjobës para se t'i drejtohet sistemit gjyqësor. Standardi i pagesës së gjobës para ankimimit ose pavarësisht nga ankimimi në sistemin tatimor zbatohet dhe në shumicën e shteteve të Shteteve të Bashkuara dhe Kanadasë, por në dallim nga vendet e BE-së, gjoba këtu paguhet 100 për qind. Vendet e BE-së dhe vendet e tjera perëndimore aplikojnë këtë standard jo për të dhunuar apo trysnuar biznesin e tyre, por, përkundrazi, për ta mbrojtur atë nga falimentimi dhe pasojat e tjera shumë të dëmshme që sjellin apo shkaktojnë mbi shumicën e bizneseve të ndershme fshehja e pasurive dhe e të ardhurave nga një pakicë biznesesh.

Konkurrenca e lirë dhe lufta me mjete ligjore kundër evazionit si kusht për garantimin e saj janë detyrimi madhor i Shqipërisë për integrimin në BE. Këto standarde janë jetike për ekonominë e lirë të tregut. Ato nuk i duan vetëm ato grupe dhe individë që duan të notojnë në kënetën e informalitetit. Me shumë njerëzi dua t'i bëj thirrje sot të dalin në dritën e diellit, të shkëputen prej saj.

Në këtë debat, avokatët e evazionit dhe informalitetit deklarojnë se ky ligj cenon apo bie ndesh me Kushtetutën e vendit. Sipas tyre, ky bie ndesh me parimin e prezumimit të pafajësisë. Këta zotërinj ngatërrojnë civilen me penalen dhe kjo është njëlloj të marrësh për një kontratën dhe kriminalen. Prezumimi i pafajësisë është i parashikuar jo për detyrimet kontraktore, është i parashikuar për penalitetet.

E vërteta është krejt tjetër. Ky ligj jo vetëm nuk cenon Kushtetuën dhe nuk bie ndesh me të, por është thellësisht i domosdoshëm për të garantuar zbatimin e njërit prej parimeve më themelore të shtetit ligjor dhe Kushtetutës së çdo vendi demokratik, atë të barazisë së shtetasve para ligjit dhe rregullave të barabarta të tregut. Shkelja e barazisë para ligjit ka pasoja rrënimtare mbi biznesin e ndershëm që derdh në arkën e publikut konform ligjit detyrimin tij tatimor. Buxheti dhe ligji i tij, Kushtetuta dhe ligje të tjera të vendit nuk e lejojnë qeverinë të japë borxhe nga paratë publike të qytetarëve, qoftë edhe një qytetari të vetëm apo biznesi të vetëm. Kreditë merren në banka dhe vetëm në banka.

Më sipër theksova se ky ligj është jetik për barazinë para ligjit të qytetarëve dhe biznesmenëve shqiptarë. Imagjinoni ju lutem se për çfarë barazie ligjore mund të bëhet fjalë midis një biznesmeni shqiptar, me një sipërmarrje prej 100 punëtorësh, që paguan për të gjithë sigurimet shoqërore, duke deklaruar rrogën reale të tyre dhe kolegut të tij, ngjitur me të, i cili prodhon të njëjtin mall, po me 100 punëtorë, por që paguan sigurimet shoqërore vetëm për 25 prej tyre dhe deklaron një rrogë dy herë më të ulët për punëtor se biznesmeni i parë. Këtu nuk bëhet më fjalë për konkurrencë të ndershme, për shtet ligjor, por bëhet fjalë për maliq apo për çrregullim madhor që çon drejt falimentimit të parin.

Për çfarë barazie ligjore mund të flitet midis një biznesmeni që duke blerë tek autori të drejtën e pronës së tij intelektuale ju shet qytetarëve librin, diskun apo filmin që duan, madje këto të fundit ua jep falas në valët e radios dhe ekranet e televizorit të tij, krahasuar me biznesmenin tjetër që vjedh librin, diskun apo filmin, sepse nuk paguan të drejtën e autorit dhe ua shet qytetarit përkundrejt pagesës, madje dhe filmin e vjedhur, të cilin i pari, ndonëse të blerë, ua jep falas shikuesve.

Sa të barabartë para ligjit janë dy biznesmenë që importojnë apo prodhojnë dhe shesin të njëjtin mall, përafërsisht me të njëjtin çmim, por i pari deklaron çmimin real të shitjes, të themi 200 lekë, kursi i dyti deklaron se ka shitur mallin e njëjtë vetëm për 100 lekë, duke përgjysmuar kështu tatim fitimin që duhet të paguajë.

Sa të barabartë janë para ligjit dy biznesmenë që për të zgjeruar biznesin e tyre, i pari i drejtohet bankës dhe merr kredi me përqindje të lartë interesi, kursi i dyti fsheh të ardhurat, pra merr borxh tek shteti pa asnjë interes. I pari paguan çdo muaj interesin e kredisë dhe po të ndodhë që nuk mund t'ua paguajë atë banka i konfiskon atij dhe i nxjerr në ankand të gjitha pasuritë me vlerën e kredisë së marrë. Ndërsa i dyti, mbijeton sepse fshihet në kënetën e informalitetit.

Së fundi, sa të barabartë janë para ligjit shqiptar biznesmeni që, në rast se fsheh vlerën e mallit të tij në doganën e vendit në përputhje me nenin 5 të Kodit Doganor, paguan para se të ankimojë si gjobë 4-fishin e vlerës së fshehur dhe një evazor i madh që fsheh nga tatimet vlera shumë të mëdha monetare.

Pikërisht, për këto arsye Gjykata Evropiane e Strasburgut ka konsideruar të drejtë dhe në përputhje me Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut detyrimin për vjeljen e gjobës para dhe pavarësisht apelimit. Të njëjtin vendim ka dhënë në vitin 2002 edhe Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë për Kodin Doganor, i cili përcakton një gjobë jo 25 për qind, por një gjobë 400 për qind për të cilën unë jam absolutisht 4 herë kundër dhe do të përpiqemi ta ulim. Për mendim tim ky është një akt tërësisht jo miqësor dhe ne jemi gati me opozitën të bashkojmë votat dhe ta ulim në një shkallë të atillë sa evazioni të mos jetë i leverdisshëm për asnjë.

Deri në vitin 2004, ligji shqiptar për shlyerjen e detyrimit tatimor të fshehur ishte i standardeve evropiane. Por kapja e shtetit nga biznesi klientelist bëri që ai ligj të ndryshonte dhe vetëm e vetëm sepse klientelës së evazorëve të mëdhenj, miq të qeveritarëve dhe zyrtarëve me të cilët ndanin fitimet, i duhej krijuar spiralja e apelimeve të pafundme për të fshehur shumat marramendëse që nuk derdheshin në buxhetin e shtetit dhe që rritën me shpejtësi borxhin tatimor ndaj këtij buxheti. Kështu në një hark kohor të shkurtër borxhi që një pakicë biznesmenësh i kanë buxhetit të shtetit arriti në 400 milion euro. Në të vërtetë, këtë borxh ata nuk ia kanë qeverisë, por ia kanë çdo qytetari shqiptar dhe, saktësisht, në vlerën 130 euro për frymë, të cilat duhet të ishin kthyer në shkolla, spitale, ilaçe, rroga, pensione, rrugë, ujësjellës.

Koha e biznesit klientelist dhe kënetës së informalitetit ka marrë fund,. Për qeverinë time, lufta kundër informalitetit, kontrabandës dhe evazionit fiskal, nxjerrja e vendit nga këneta e tij është vendimtare për mbrojtjen e lirisë së tregut, si themeli pa të cilin liritë e tjera nuk kanë të ardhme, si kushti më vendimtar për funksionimin e shtetit ligjor dhe barazinë e qytetarëve para ligjit, ekonomisë së tregut, integrimin e vendit në BE. Lufta kundër informalitetit, që është në fillesat e saj, është vendimtare për rritjen e shpejtë ekonomike, rritjen e domosdoshme të pensioneve dhe rrogave të qytetarëve shqiptarë, ndërtimin e rrugëve, shkollave dhe spitaleve të reja, rritjen e cilësisë së shërbimeve ndaj qytetarëve. Lufta kundër informalitetit është përcaktuese për shpërndarjen më të drejtë të të ardhurave buxhetore, ngushtimin hendekut e tmerrshëm midis të varfërve dhe të pasurve, kufizimin e polarizimit jo vetëm ndërmjet shtresave të shoqërisë, por edhe rajoneve të vendit.

Duke përfunduar, unë i ftoj biznesmenët shqiptarë, për të cilët ligji dhe funksionimi i tij ka rëndësi më përcaktuese sesa për të gjithë të tjerët, se ligji dhe funksionimi i tij është kushti bazë për suksesin e tyre, të punojnë së bashku për funksionimin e këtij ligji. I ftoj ata të sjellin të gjitha propozimet e mundshme për lehtësimin dhe përmirësimin e mëtejshëm të klimës së biznesit. I siguroj se qeveria ime nuk do të jetë kurrë qeveri e gjobave, por do të jetë qeveri e nismave të fuqishme, e stimujve të mëdhenj, e barrës fiskale të ulët për zhvillimin e biznesit. I siguroj se qeveria do të qëndrojë në anën e tyre për t'i mbrojtur nga arbitrariteti i administratës shtetërore në tërësi dhe asaj tatimore në veçanti. Unë premtoj se qeveria do të jetë gjithnjë e hapur dhe e ndjeshme ndaj të gjitha shqetësimeve të ligjshme të tyre, por informaliteti duhet të luftohet nga shoqëria, e cila ka qëllim themelor rrugën e modernitetit, të zhvillimit dhe integrimit.

Gjithashtu, dua t'ju informoj se kam zgjedhur median për të përcjellë këtë mesazh e apel ndaj të gjithë biznesit shqiptar dhe qytetarëve, bashkërisht në dalim në dritën e diellit. Askush nuk duhet të ketë frikë nga rrezet e tij, do të ndjehemi shumë të shëndetshëm, shumë më të sigurtë, shumë më të suksesshëm. Faleminderit.

Pyetje: Do të doja të ndalesha tek një debat tjetër, tek ligji i transmetimeve numerike.Çmendoni për këtë çështje, kur pa nisur ende të diskutohet kanë nisur debatet?

Kryeministri: Legalizimi dhe vetëm legalizimi është kryefjala jonë. Në 18 muaj qeverisje nuk i është kërcënuar, hequr apo cenuar askujt licenca dhe as veprimtaria, por ne jemi qeveri e legalizimeve. Ky ligj ka tre vjet që fle në parlament, lobet dhe kapja nuk bënë të mundur të kalonte në legjislaturën që shkoi. Unë gjykoj se frekuenca në ajër është një lloj si rruga në tokë, është pasuri publike dhe duhet të përdoret e t'u ofrohet operatorëve mbi bazën e një ligji të caktuar. Ligji nuk synon asgjë tjetër veçse legalizimin dhe ju do të jeni dëshmitarë të saj.

Së dyti, një nga problemet më madhore është vjedhja dhe pirateria e pronës intelektuale dhe mund t'ju informoj se shumë shpejt mund të përballemi me një çështje shumë serioze. Dua t'ju bëj me dije se kjo çështje i është ngritur dhe do t'i ngrihet fuqishëm qeverisë shqiptare nga Komisioni Evropian. Por jo vetëm nga Komisioni Evropian, por edhe nga kompani të mëdha të prodhimit e distribucionit e me radhë. Për këtë Shqipëria mund të përballet me pasoja serioze. Është mungesa e këtij ligji që nuk e lejon KKRT-në, autoriteti përgjegjës për luftën kundër piraterisë, të krijojë marrëdhënie juridike me operatorët dhe të garantojë jo piraterinë. Ky ligj ka qëllim madhor të garantojë konkurrencën e lirë. Në ekranin e Televizionit Shqiptar, të TV Klan, TVA-së, Top Channel, Vizion Plus, TV Shijak, qytetarët shqiptarë shohin filma, të cilat, në dijeni time, pronarët i blejnë me 1000 euro videon dhe jua transmetojnë falas qytetarëve, kurse në transmetimet numerike vidhen filma dhe u shiten me para qytetarëve. Kjo nuk mund të ndodhë. Ne nuk i imponojmë të blejë, të shesë apo transmetojë, por mund të imponojmë jo piraterinë, sepse vendi ndëshkohet dhe shpejt do të ketë probleme shumë serioze me këtë. Me këtë ligj ne synojmë t'i japim mundësi autoritetit shtetëror që, në përputhje me ligjin, të mbrojë Copyright-in dhe të mos lejojë piraterinë. Pra, të garantojmë konkurrencën e lirë. Askush nuk ka pse të trembet e të ketë frikë nga ky ligj. Ka një direktivë evropiane që deri në vitin 2012 transmetimet, për t'u shërbyer më mirë qytetarëve, të jenë dixhitale. Ne nuk kemi ndërmend ta kufizojmë, përkundrazi ta nxisim e liberalizojmë, natyrisht jashtë monopoleve. Askush nuk duhet të ketë frikë nga legalizimi. Frekuencat janë pasuri publike.

Pyetje: Keni deklaruar se keni një kandidat të maxhorancës për president, por aleati juaj zoti Mediu foli për një kandidaturë tjetër, atë të zotit Godo.Ç'po ndodh me kandidatin tuaj për president?

Kryeministri: E kam theksuar se gara presidenciale ka marrë tipare interesante. Opozita është bërë me disa kandidatë. Zoti Sabri Godo është një nga personalitet më të shquara të vendit dhe jam i bindur se së bashku me zotin Godo do të mbështesim zotin Bamir Topi si kandidat për president të republikës.

Pyetje: Ju deklaruar se ligji për tatimet ka ardhur si rrjedhojë e standardeve të BE-së. Por a ka Shqipëria një administratë tatimore të këtyre standarde, është e pavaruar ajo prej politikës dhe sa profesionale është puna e saj?

Kryeministri: Shqipëria është në këtë stad në të cilën ndodhemi, por ajo nuk mund të kontraktojë institucione ndërkombëtare për zbatimin e ligjeve të veta. Ajo ka këtë sistem tatimor, këtë sistem gjyqësor dhe të medias, por një gjë është e sigurt se të gjitha këto sisteme kanë faktuar se Shqipëria është demokraci që funksion, nuk them e përsosur, por që qartësisht funksion.

Pyetje: Ju e ftuat biznesin të bashkëpunoni për të përmirësuar klimën e biznesit. A do ta votoni ligjin për gjobat, kur përfaqësues të maxhorancës dhe biznesit kanë deklaruar se ju nuk jeni konsultuar me ta?

Kryeministri: E theksova se mosdiskutimi paraprak gjerësisht me biznesin ka qenë një defekt. Gjykoj se ky defekt u korrigjua gjatë këtyre 10 ditëve të fundit, ku biznesi pati mundësi të shqyrtojë e të shprehë mendimet e tij. Përsa i përket shumicës ju siguroj se kam diskutuat me drejtuesit e forcave politike të shumicës, vetëm në ndonjë rast që, për arsye shërbimesh, nuk kam mundur të takohem. Kjo është në natyrën time dhe këtë çështje e kam diskutuar gjerësisht me ta dhe nuk ka kundërshti.

Pyetje: Presidenti Moisiu ka sjellë disa kandidatura për Gjykatën e Lartë dhe atë Kushtetuese. A do ti votoni dhe ato në parlament?

Kryeministri: Nuk është Kryeministri ai që mban axhendën e parlamentit.

Pyetje: Nëse gjoba kapërcen likuiditetin e firmës atëherë ajo falimenton. Si mund të presë firma kur përmbarimi nuk ekzekuton vendimet, kur deri tani shteti i ka borxh biznesit 7 milion dollarë. Së dyti, si i cilësoni vlerësimet e zotit Zogajt, Mediut, Ngjeli dhe Stringës për këtë ligj?

Kryeministri: Jam i gatshëm dhe i ftoj biznesmenët të propozojnë çdo sanksion ndaj qeverisë dhe autoritetit tatimor për dëmin që ju bëhet atyre në mënyrë të padrejtë. Ky është debati. Unë nuk i ndaj kurrë grupet në engjëj dhe djaj dhe nuk nxjerr asnjërën palë jashtë teorisë së gabimit, por për gjobën e vërteta është ajo që thashë. Të jenë të sigurt se po punojmë për një seri masash të tjera për t'u dhënë garancitë maksimale të mosdëmtimit të tyre, për të gjetur mënyrat më të fuqishme të dëmshpërblimit, nëse u bëhet i padrejtë. Ne kemi këtë sistem tatimor. Të gjithë do të donim të kishim një traditë shumë vjeçare apo shekullore të shtetit ligjor, ndaj të bëjmë rregulla. Të arrish në këtë ulje të jashtëzakonshme taksash, çdo qytetar e biznesmen duhet ta ketë të qartë se për qeverinë kjo është një përpjekje e jashtëzakonshme. Nuk ka qëllim më sublim se të çlirosh biznesin, të zgjerosh hapësirën e tij, të bësh që ai të lulëzojë dhe të punësojë. Të tjerë mund të ankohen nga këto lëvizje të qeverisë, por ajo po merr masa të mëdha, po vendosim taksën e sheshtë 10 për qind, na duhet të fusin nga buxheti shuma të mëdha për të mbrojtur qytetarët, të cilët preken nga kjo dhe këtë e bëjmë sepse ky është interesi i biznesit dhe po u zhvillua biznesi, zhvillohet vendi.

Pyetje: Si do të ketë negociata me komunitetin e biznesit, kur nesër projektligji pritet të kalohet në parlament?

Kryeministri: Ligji është standard evropian dhe unë jam i detyruar të përmbush standardet evropiane. Nëse themi se duam të shkojmë drejt Evropës, ne duhet t'i pranojmë standardet edhe kur ato na cenojnë. Askujt në Shqipëri nuk i intereson ligji më shumë se biznesmenit. Ligji i garanton atij aktivitetin, por në tërësi edhe suksesin.

Pyetje: Mos ky ligj ka një qëllim tjetër dhe fshihet pas luftës kundër informalitetit, që deri në këto momente nuk ka dhënë ndonjë rezultat konkret? Flisni për informalitet në media, ndërkohë që jashtë Tiranës kemi 60 kabllorë që transmetojnë në mënyrë pirate?

Kryeministri: E theksoj, ky është standard evropian dhe bëhet vetëm me një qëllim për të zhdukur klientelën dhe për të barazuar para ligjit dhe jo për të ndëshkuar. Kolegu yt më pyeti më parë për 7 milionët, ju them se kemi paguar dhjetëra e dhjetëra milion. Të jeni i sigurt se do ta verifikoj dhe se, në rast se kanë përfunduar procedurat, do të kthehen jo 7 milion, por edhe kamata e tyre. Shteti duhet të jetë model. Së dyti, nuk mund të ketë interes më jetik për shoqërinë se lufta kundër informalitetit. Imagjinoni fëmijë që shkojnë në shkollë me tavanin mbi kokë, që nuk kanë sapun për të larë baltën e ngrirë nga djersa në ballin e tyre, familje që jetojnë me të ardhura më pak se minimale, ndërsa një grup i vogël, se shumica e biznesit nuk e bën këtë, fsheh të ardhurat e pasurohet në mënyrë marramendëse. Ky është polariteti. Ndërkohë që me këto të ardhura mund të ndërtoheshin shkolla, të rritej ndihma ekonomike, pensionet apo rrogat. Shteti ka një funksion social, por ka një funksion social edhe biznesi gjithashtu. Nuk e shikoni se Shqipëria po rrudhet në Tiranë-Durrës, ndërkohë që Shqipëria nuk është vetëm kaq, por është kudo. Një bukuri përrallore si Thethi gjendet shumë rrallë dhe mbetet e fjetur vetëm për një copëz rrugë dhe si Thethi dhe shumë shembuj të tjerë. Nuk është Shqipëria për t'u braktisur. Nëse ka një gjë që e ndan në dysh shoqërinë shqiptare, është informaliteti, ku disa fshehin pasurinë dhe shkojnë drejt qiejve të pasurisë, të tjerët të mjerimit.

Përsa i përket mediave keni të drejtë. Precedenti është jashtëzakonisht i dëmshëm. Unë u përkas personave që kufizohen të jenë arbitrarë aty ku mungon ligji. Qeveria duhet të bëjë ligjin dhe ta zbatojë atë. Por në rast se një televizion kabllor thotë se kjo kompani bën këtë dhe atë jashtë ligjit, atëherë unë rrudhem. Ndaj duhet të legalizojmë dhe të vendosim çdo gjë mbi bazë ligjore dhe të jetë aftësia dhe serioziteti ato që do të përcaktojnë hapësirën e tregut. Ky është synimi. Ju garantoj se do të vihet rregull. Edhe aty ka pirateri. Një nga pikat e bisedimeve me Komisionin Evropian është edhe kjo temë, e cila duhet të marrë një përgjigje. Nëse nuk i përgjigjesh, do të thotë se t'i nuk je dakord me atë standard dhe ndjek rrugën tënde.

Pyetje: Ju thatë se keni mbështetjen e republikanëve për votat për president, megjithatë ju mungojnë disa vota. E përjashtoni mbështetjen e një kandidature të opozitës, qoftë edhe të zotit Nano, i cili deklaroi se arrin edhe 100 vota nëse dëshiron?

Kryeministri: Është e vërtetë që mungojnë disa vota. Në këtë kontekst, në rast se ata që kanë këto dy vota mendojnë të na imponojnë presidentin do të jenë të dëshpëruar, sepse nuk mund të ndodhë. Do t'i drejtohemi sovranit, i cili do të vendosë në do t'ia japë kësaj shumicë ato dy tre vota apo jo dhe kjo është në vullnetin e tij. Për një gjë ju siguroj se shqiptarët do të votojnë në liri të plotë. Kjo është detyra jonë. E dyta, është që qeveria të bëjë çdo përpjekje që të funksionojnë rregullat dhe ligji. E majta kërkon me detyrim një kandidat nga e majta, deri tani kanë nxjerrë pesë. Nuk e di se cilat do të jenë përfundimet e tyre.

Pyetje:Çmendoni për mision faktmbledhës të OKB-së dhe mendoni se Rusia do të vendosë veton në Këshillin e Sigurimit?

Kryeministri: Përsa i përket çështjes së Kosovës, e ndjek me shumë interesim. Deklaroj dhe kam deklaruar se zgjidhje tjetër përveç pavarësisë nuk ka dhe nuk mund të ketë. Kosova është një vend që aspiron të bëhet anëtar i Organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe, në këtë kontekst, nuk është kaq e pazakontë që të vizitohet nga një delegacion i Këshillit të Sigurimit, por nuk mund të parashikoj se cili do të jetë qëndrimi përfundimtar rus.
Politika, e bazuar në lidhjet gjenetike të shpallura ruso-serbe në Ballkan, është një politikë që nuk i shërben paqes dhe stabilitetit dhe shpresoj që presidenti Putin të jetë bindur nga luftrat e Ballkanit se vendi i tij në fillimet e shekullit mban një përgjegjësi për padrejtësitë që u bënë në këtë gadishull. Mirë do të jetë që këto padrejtësi të njihen dhe mbi bazën e tyre të ndërtohet qëndrimi tjetër. Sidoqoftë Kosova do të bëhet e pavarur.

Pyetje: Përse u bë Top Chanel pikërisht treguesi i luftës kundër informalitetit duke patur parasysh se është paguesi më i rregullt në krahasim me mediat e tjera? Në këtë luftë që po bëhet kundër Top Channel tatimorët kanë 4 muaj që nuk po lëvizin nga ky television duke shkelur edhe ligjin.

Kryeministri: Për të qenë i sinqertë disa të dhëna nuk i keni të sakta. Më parë më thatë që lufta kundër informalitetit nuk ka patur rezultate. Ne të vertetë kjo luftë ka patur rezultate. Janë regjistruar edhe 28 mijë biznese të vogla, të cilat ose janë të reja, ose ishin të paregjistruara. Janë rreth 70 mijë punonjësit e pasiguruar dhe që tashmë janë siguruar. Pra, lufta kundër ketij fenomeni ka filluar të japë frytet e saj.

Nuk është realist fakti që ka një përqëndrim tek Top Chanel apo tek ndonje media e caktuar. Mund të them se ka media të tjera që kanë paguar me dhjetra milionë dhe nuk janë ndjerë. Është në mënyrën e tyre se si do të vendosin të reagojnë ndaj vendimeve të autoritetit tatimor, por kjo nuk është se ka ndodhur apo po ndodh vetëm në Top Channel. Nuk mund të them se një media, me nje aktivitet të lartë tregtar, ka të njëjtat bilance me një media pa aktivitet tregtar, përvec biznesit strikt mediatik që ka. Në të gjitha kontrollet që u bëhen bizneseve të tjera, përfshi këtu edhe të mediave, është e rëndësishme që askujt të mos i merret ndonjë qindarkë më shumë seç i takon. Unë zotohem për këtë. Nuk jam thellësissht në dijeni të problemeve, sepse këto janë veprimtari të organeve tatimore dhe nga praktikat shqiptare dhe botërore di se kontrollet mund të zgjasin dhe 1 apo 2 vjet, në varësi nga kompleksiteti i aktiviteteve të kompanisë që kontrollohet. Nuk ka asnjë lloj tendence ndaj televizionit Top Channel.

Pyetje: Në javën që lamë pas, krahas temave që ju komentuat, pati edhe dy sinjale shumë të rëndësishme. I pari, nga BE-ja për liberalizimin e sistemit të vizave dhge i dyti, nga ShBA-të lidhur me aderimin tonë në NATO.Çdo të bëjme, së pari, lidhur me liberalizimin e regjimit të vizave dhe, së dyti, a do të ketë një lobing me vende të caktuara të NATO-s në mënyrë që ne të marrim një ftesë vitin e ardhshëm ?

Kryeministri: Për të qëne transparent me ju eshtë tepër e rëndësishme që ne të fillojmë pajisjen sa më parë të qytetarëve shqiptarë me karta të reja identiteti dhe pasaporta dixhitale. Mund tu them se po punohet me intensitet të madh me ekspertë të huaj dhe vendas dhe shpresojmë që shumë shpejt të hapet tenderi për këto dokumenta. Kjo është dëshmi e një përgjigjeje të përshtatshme, nga ana jonë, ndaj hapjes së BE-së ndaj nesh, e cila është një hapje shumë e ndjeshme, ndaj dhe ne bëjmë detyrën tonë të pajisjes.

Ne do të përpiqemi të lobojme me të gjitha vendet anëtare të NATO-s për të merituar ftesën në Samitin e Bukureshtit, vend në të cilin është përcaktuar të mbahet samiti i vitit 2008. Po punojmë të realizojmë Shumë nga kriteret. Reformat në ushtri po ecin, por natyrisht NATO është një organizim politik dhe ushtarak kështu që kërkohen reforma komplekse.

Pyetje: A ka marrë qeveria sinjale nga "Çalik Energy" për plotësimin e kushteve që janë vënë për privatizimin e Albtelekomit?

Kryeministri: Dy nga kushtet kryesore, "roming" që ishte vënë në kurriz të kompanive private dhe mungesa e një investitori strategjik në kuptimin e pranisë së kompanive të fushës së telekomunikacionit në konsorcium, janë kushte të panegociueshme dhe këto duhet të plotësohen. Me sa kam dijeni "Çalik" po lëviz në drejtimin e duhur të plotësimit të këtyre dy kushteve. Mua më duhet të them se janë dhe pika të tjera për tu negociuar dhe procesi është në vazhdim, por këto të dyja janë kushtte të cilat duhet të plotësohen patjetër dhe plotësimi tyre përbën një zhvillim pozitiv.

Pyetje: Raportet ndërkombëtare dhe ju vetë keni pranuar se sistemi gjyqësor është tejet i korruptuar dhe problematik. A nuk keni frike se do të ketë një efekt bumerang për ligjin e gjobave në lidhje me apelimin që do të ketë.

Kryeministri: Heqja e këtyre neneve në 2004 nga Kodi i Procedurës tatimore krijoi një borxh prej 400 milion euro, një borxh ky shumë i rëndë për buxhetin e shtetit. Dua të sqaroj se filozofia e gjobës nuk është ndëshkimi, eshte thjeshtë parandalimi i përdorimit të buxhetit të shtetit, si bankë.
Në se ke vështirësi mund të shkosh në bankë, por jo të marrësh nga buxheti. Ka vende siÇekia që vendosin interes të përditshëm mbi të, sepse duan të mbrojnë buxhetin. Të mos lejojnë që një biznesmen të shkojë në bankë, ndërsa biznesmeni tjetër të marrë borxh në buxhet. Prandaj dhe Gjermania këtij të dytit i ka përcaktuar si interes gjobe, dyfishin e interesit bankar tregtar të Gjermanisë. Këto dy vende gjobisin me nje interes shumë më të lartë se sa banka, në mënyrë që tatimpaguesit të mos mendojnë si rrugëdalje këtë. Nuk ka pse kthehet në bumerang.

Pyetje: Sa i sigurtë është biznesi që do ti kthehen paratë, kur ka me dhjetra raste që qytetarët kanë fituar të drejtën në gjykatë dhe nuk janë dëmshpërblyer?

Kryeministri: Është e vërtetë se ka qytetarë që nuk janë dëmshpërblyer, por kemi gjetur rreth 12500 vendime gjykatash të pazbatuara dhe që janë zbritur në më pak se 500 të tilla. Financat kanë urdhër të prerë të zhdëmtojnë çdo person dhe është totalisht e papranueshme nga unë që qytetarët të mos marrin paratë që u takojnë. Në raste të caktuara ka probleme ligjore të pazgjidhura përfundimisht, kurse përsa i përket biznesit, le të ulemi me biznesin, të përcaktojmë rregullat dhe unë do të jem në anën e tyre siç kam qenë gjithnjë. Nuk paguhej TVSH-ja më parë. Kemi gjetur dhjetra e dhjetra milionë euro të papaguar, i paguam dhe do ti paguajmë, pra nuk mun të ketë qëllim tjetër përveçse një mbështetje të fuqishme ndaj biznesit nga qeveria.

Pyetje: Ju folët pak më parë se tatimorët ndodhen edhe në shume vende të tjera për të ushtruar kontroll, por në fakt ne disponojmë të dhëna shumë të sakta se ata ndodhen në zyrat e TCH prej 4 muajsh.

Kryeministri: Të jesh i sigurtë se tatimorët, nuk mund ta them numrin e saktë, por kanë kotrolluar dhe kontrollojnë, të paktën qindra kompani në vit për këtë nuk duhet patur asnjë lloj dyshimi. Disa e publikojnë kontrollin, të tjerët nuk e publikojnë. Kjo është në dëshirën e tyre. Nuk mund ti diktosh të dalin dhe të japin njoftim se po kontrollohen dhe tatimorët nuk ka në asnjë vend në praktiken e deklarimit se sot do të kontrollojmë këtë kompani e nesër një tjetër. Është në vullnetin e secilës kompani që të deklarojë se është nën kontrollin e tatimorëve. Në se kërkoni do të porosis Drejtorinë e Tatimeve tu japë statistikën e plotë.

Pyetje: Lidhur me axhendën tuaj LSI është duke pregatitur një draft për interpelancë nga ana juaj për shkak vetëm të takimeve dypalëshe me homologët tuaj, me kryeministrat e vendeve të tjera, ndërkohë që dua tu kujtoj se që prej shtatorit të vitit 2006 kanë qenë 3 vizitat tuaja të fundit në Itali, Turqi dhe Greqi me homologët tuaj. A ka probleme qeveria shqiptare me ndërkombërët ?

Kryeministri: Janë në fakt disa vizita për tu realizuar. Shqipëria do të ketë zhvillime shumë të mëdha politike, por nje seri vizitash janë spostuar për disa arsye të miat, por duhet tu them se Shqipëria është në një kuotë politike shumë të shëndetshme.

Pyetje: Kur do të nisin negociatat për reformën zgjedhore.

Kryeministri: Zoti Topi ka bërë propozimin. Mendoj se duhet të nisin sa më shpejt. Natyrisht ka mundësi që edhe këtë javë që vjen të bëhen hapat e përbashkëta dhe të instalohet komisioni, i cili me ofertën që kemi bërë ne për të pranuar çdo sistem që të propozojë opozita, kjo, për mendimin tim, përbën një bazë reale kompromisi.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›