E Diel, 1 Nëntor 2026

Konferenca për shtyp e zëdhënëses se qeverisë , Majlinda Bregu për rritjen e investimeve të huaja në Shqipëri.

Zëdhënësja e qeverisë dhe Ministrja e Integrimit, zonja Majlinda Bregu deklaroi se Shqipëria është kthyer në vëmëndjen e investitorëve të huaj.
Zonja Bregu tha se vetëm në dy muajt e fundit vlera e investimeve shënon shifra inkurajuese.

"Shqipëria është kthyer në vëmendjen e investitorëve të huaj.
Ç'ka do të thotë se jemi tashmë një vend që garanton siguri dhe zhvillim.
Interesi për investimet e huaja është rritur ndjeshëm në këto vitet e fundit.
Vendimet e qeverisë, në keto dy muajt e fundit, që kanë të bëjnë pikërisht me këto investime në Shqipëri, janë më shumë se totali i të gjitha investimeve të kryera gjatë përiudhës 1990 – 2006.
Këshilli i Ministrave ka miratuar ndërtimin e hidrocentralit në kaskadën e Devollit, nga kompania e njohur austriake EVN, një investim ky që kushton rreth 1 miliardë dollarë.
Një tjetër investim po kaq i rëndësishëm, prej 150 milonë dollarësh është dhe rikonstruksioni i TEC-it të Fierit. Ofertat e ankandit për këtë projekt do të hapen në fillim të muajit shtator.
Shumë kompani të tjera të mëdha botërore, po tregojnë një interes të madh, gjithnjë në rritje për burime të tjera ujore të vendit për të investuar për një seri hidrocentalesh nga 1 deri 100 megavat.
Janë paraqitur rreth 120 kërkesa për ndërtimin e këtyre hidrocentraleve të vogla, 28 prej të cilave kanë kaluar tenderin.
Dy javë më parë u nënshkrua kontrata për ndërtimin e linjës 400 kv
Tiranë – Podgoricë.
Kompania ASG Power do të investojë në ndërtimin e një kompleksi energjetik me gaz natyral të lëngshëm në rajonin e Fierit, një investim që kap shifrën prej 300 milionë eurosh.
Ndërsa javën që vjen qeveria do të vendosë për një tjetër investim të madh në fushën e energjitikës, ndërtimin e kabëllit nënujor që do të lidhë sistemin e transmetimit të Shqipërisë me atë të Italisë.
Një projekt më shumë ky që synon qëllimin final, furnizimin pa limite të vendit me energji elektrike.
Një interes po kaq i madh është treguar edhe në kërkimin, nxjerrjen dhe prodhimin e naftës në Shqipëri.
Në mbledhjen e fundit të saj qeveria shqiptare miratoi dy kontrata shumë të rëndësishme me kompanitë e mëdha të naftës Medoil dhe Streamoil Gaz Limited, kompani këto që u janë shtuar së fundmi shoqërive të tjera që operojnë sot dhe që e kanë ndryshuar ndjeshëm prodhimin e naftës në vend deri ne 500 mijë ton në vit.
Një tjetër investim i madh, prej 250 milionë eurosh, që nuk mund të mos përfshihet në këtë hartë investimesh të kompanive të huaja në Shqipëri është edhe fabrika e cimentos "Antea Cement" në Fushë Krujë, punimet për të cilën kanë filluar tashmë.
Javën që vjen qeveria vendos dhe për një tjetër investim të madh të këtij lloji, ndërtimin e fabrikës së re të cimentos në Fushë Krujë nga kompania spanjolle "Cementos Aguila shpk" me një vlerë prej 250 milion eurosh.
Sistemi bankar
Tregues të qartë për pozicionin solid financiar që Shqipëria prezanton në këto kohë janë dhe investimet e dy bankave të mëdha që kanë hyrë tashmë në rrjetin tonë bankar.
Banka franceze "Societe Generale" bëhet aksionere kryesore e Bankës Popullore Shqiptare duke garantuar kështu ndikim të madh në zhvillimin e mëtëjshëm të sistemit bankar në Shqipëri.
Ndërsa Grupi San Paolo IMI që është vleresuar maksimalisht në tregun ndërkombetar ka blerë 80 përqind të aksioneve të Bankës Amerikane të Shqipërisë.

Tregu i Sigurimeve
Investime janë bërë gjithashtu dhe në tregun e sigurimeve shoqërore. Kompania greke Aspis ka blerë aksione të kompanisë së sigurimeve shoqërore "Interalbania". Ndërsa kompana austriake Unikas ka blerë aksionet e "Sigal"
Këto investime e shumë të tjera që janë në përfundim e sipër ose që kanë mbërritur në fazën e dorëzimit nëpër agjenci të ndryshme për shqyrtim, por që janë bërë gjithsesi pjesë e këtij volumi të madh investimesh në Shqipëri kapin shifra prej miliarda eurosh.

Pyetje: Shumica e këtyre investimeve janë aktivicione, pra marrje qe Societe General ka ardhur ka marrë kaq përqind të një banke apo dhjetra të një banke tjetër. Po përsa u përket investimeve të tjera direkte a ka një përllogaritje se sa vende të tjera pune mund të kenë hapur ?

Zonja Bregu: Kjo është një shifër që unë do të mund t`ua mundësoj menjëherë sapo të ketë një vlerësim të tillë nga institucionet përkatëse të Ministrisë së Punës, të cilat merren me matjen dhe reduktimin e varfërisë në Shqipëri.
Ju keni patur një prezantim të bërë jo më shumë se para një muaji nga zv/ Ministri i Punës, Kastrot Sulko, i cili ka paraqitur në total edhe shifrat për uljen e papunësisë në Shqipëri.

Pyetje: Kam një pyetje lidhur me iniciativën e prezantuar nga qeveria Shqipëria 1 euro. Cilat janë aksionet konkrete që ka marrë qeveria shqiptare në këtë drejtim ?

Zonja Bregu: Vlera e investimeve në total për vitin 2006 është 3 herë më e lartë se mesatarja e 10 viteve të fundit, rreth 360 milionë dollarë.
Ndërsa për 2007 llogaritë përfundimtare dalin në fund të vitit. Por deri tani të dhënat janë shumë inkurajuese.Përafërsisht në buxhetin e shtetit prej investimeve të huaja ka një të ardhur prej 200 milionë dollarësh.
Këto që përmenda unë sot janë një pjesë e investimeve më të rëndësishme që ka marrë qeveria vetëm në 2 muajt e fundit."

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›