Reformat në arsim janë të domosdoshme dhe të vazhdueshme
Kryeministri Sali Berisha zhvilloi sot një takim me një përfaqësi të Albshkencës, një Institut i shkencëtarëve me origjinë shqiptare në të gjithë botën. Ky takim i paraprin takimit vjetor të Albshkencës që këtë vit do të mbahet në Prishtinë në datat 14-15 gusht 2007.
Pas përshëndetjes, Kryeministri bëri një përmbledhje për situatën ekonomike e zhvillimore nëpër të cilën po kalon vendi. Ai e vuri theksin në përshpejtimin e ritmit të reformave. Kryeministri u ndal në investimet e fuqishme që po bëhen në sektorin energjetik, të cilat arrijnë në rreth 6 miliardë euro, ndërsa theksoi hapat cilësorë që pritet të ndërmerren në fuqizimin e turizmit, duke iu referuar masterplanit turistik për bregdetin jonian.
Më tej në fjalën e tij Kryeministri i njohu të pranishmit me reformat në arsim, duke theksuar se rënia e regjistrimeve në sistemin shkollor pas vitit `90 po merr një kundërpërgjigje me reforma, që kanë si synim, jo vetëm rritjen e pagave për arsimtarët, por edhe reformimin e mësimdhënies drejt tregut të punës. Gjithashtu, Kryeministri u ndal edhe në rritjen masive të regjistrimeve dhe liberalizimin e Universiteteve, për të patur norma të regjistrimit të studentëve të ngjashme me vendet e BE-së.
Kryeministri u shpreh se reformat në arsim janë të vështira, por të domosdoshme e të vazhdueshme. Ai e vuri theksin në faktin se 24 000 studentë pritet të regjistrohen në Universitete gjatë këtij viti akademik. Më tej Kryeministri u ndal në zhvillimet e tjera në arsim që kanë ardhur me aplikimin e Maturës Shtetërore dhe miratimin e ligjit të ri për Arsimin e Lartë.
Në përfundim të fjalës së tij Kryeministri bëri një përmbledhje të zhvillimeve që po ndodhin në administratën publike, duke u ndalur veçanërisht në tërheqjen e personave të arsimuar në Universitete të njohura jashtë vendit. Ai e vuri theksin në rregullat e reja që po hartohen për shpërblimin e gradave shkencore edhe në administratë, dhe në procesin e krijimit të një Fondi Ekselence për Administratën, për t`u dhënë mundësinë punonjësve më të mirë për t`u kualifikuar në Universitetet më në zë në Perëndim.
Nga ana e tij drejtori i Albshkencës, Dr. Niko Qafoku, e falenderoi Kryeministrin për pritjen dhe shprehu gatishmërinë e Albshkencës për të bashkëpunuar me qeverinë shqiptare në kuadër të programit Brain Gain, por edhe me anë të programeve të tjera si në dhënien e ekspertizës dhe konsulencës ashtu edhe në motivimin dhe lehtësimin e kthimit të individëve shqiptarë të arsimuar në fusha të ndryshme të shkencës jashtë vendit.
Prof. Dr. Arben Merkoçi, e vuri theksin në mundësinë e bashkëpunimit me individë dhe institucione shkencore shqiptare në kuadër të projekteve të mbështetura financiarisht nga BE.
Në përfundim të takimit Kryeministri udhëzoi drejtuesit e programit Brain Gain që të vendosin bashkëpunim me Albshkencën si në mbështetjen e aktivitetit të tyre jashtë internetit ashtu edhe në krijimin e të dhënave efektive me njerëz që do të shërbenin për të çuar përpara reformat që po ndërmerren.