Qeveria miraton kuotat e pranimit dhe tarifat për shkollat e larta
Qeveria miratoi gjatë mbledhjes së sotme kuotat dhe tarifat e shkollimit në institucionet publike të arsimit të lartë për ciklin e plotë të studimeve me kohë të plotë për vitin akademik 2007-2008. Në fjalën e tij Kryeministri Berisha theksoi se nuk do të ketë rritje të tarifave për shkollat e larta. Ai theksoi se qeveria do të studiojë mundësinë e shumëfishimit të bursave në bashkëpunim me pushtetin vendor, duke e cilësuar këtë si investimin më të mirë që mund të bëhet."Ka pasur propozime për rritje të tarifave për shkollat e larta, por unë kam vetëm një fjalë atë që kam thënë një vit më parë; nuk do të ketë në mënyrë kategorike asnjë rritje tarifash për shkollat e larta. Unë e di që ka vende me tarifa të larta, kjo do t`i pëlqente edhe Ministrit të Financave, por nuk mund të ketë rritje tjetër tarifash. Përkundrazi qeveria do të studiojë mundësitë e shtrirjes së bursave, jo për këtë vit pasi janë bërë rritje pagash për orët suplemnetare për rrogat e trupit pedagogjik, por në bashkëpunim të ngushtë me qeverisjen vendore, me të cilët duhet të vendoset një partneritet i plotë, që të rrisë bursat t`i shumëfishojë si për universitetet ashtu edhe për shkoallt e mesme . Ky është investimi më i shkëlqyer që mund të bëjmë", u shpreh Kryeministri. Duke u ndalur në vendimin e përcaktimit të kuotave për shkollat e larta Kryeministri e cilësoi si një kënaqësi të veçantë faktin që pas liberalizimit të Universiteteve, numri i atyre që u drejtohen shkollave të larta është më i madh se kurrë në historinë e vendit. Ai theksoi se qeveria ka marrë të gjitha masat e nevojshme për përballimin e këtij fluksi të lartë studentësh duke rritur financimet dhe investimet. Në këtë kontekst Kryeministri theksoi se ligji i ri krijon hapësira për reforma dhe siguroi se ato do të vazhdojnë."Është një kënaqësi e veçantëë që me liberalizimin që u bëmë Universiteteve, numri i atyre që u drejtohen shkollave të larta të vendit dhe të huaja me kohë të plotë dhe të pjesshme është më i madh se kurrë në historinë e vendit. Faktikisht janë 24 mijë e 500 maturantë të cilët të gjithë janë kandidatë të përshtatshëm për shkollat e larta, por janë edhe rreth 4 mijë të tjerë, të cilët janë me kohë të pjesshme. Numri i studentëve të vendit po rritet me shpejtësi dhe kjo është një zhvillim shumë pozitiv. Masat e marra kanë qenë shumë të rëndësishme për të mbështetur natyrisht ligji i ri krijon hapësira për reforma dhe ne presim që reformat të vazhdojnë. Ndërkaq janë rritur edhe financimet dhe investimet", theksoi Kryeministri.