E Diel, 1 Nëntor 2026

Zv/Kryeministri Oketa merr pjesë në përkujtimin e 40 vjetorit të shpërthimit të burgut të Burrelit

Zëvendëskryeministri Gazmend Oketa, me ftesë të Shoqatës Mbarëkombëtare të të Burgosurve dhe të Dënuarve Politikë, mori pjesë sot në ceremoninë e zhvilluar me rastin e 40 vjetorit të shpërthimit të burgut të Burrelit.

Të pranishëm në këtë aktivitet ishin Z. Aleksadër Biberaj, zëvendëspresident i Asamblesë Evropiane të KE-së, deputeti i zonës Idriz Xhumara, kryetari i Bashkisë së Burrelit Skënder Lleshi, një nga të mbijetuarit e këtij burgu, z. Adem Allçi, njëkohësisht kryetar i Shoqatës Mbarëkombëtare të të Burgosurve dhe të Dënuarve Politikë, si dhe përfaqësues të shoqatave të ndryshme të ish të përndjekurve politikë.

Zëvendëskryeministri Oketa, përshëndeti pjesëmarrësit në këtë ceremoni dhe vlerësoi sakrificën e e të gjithë atyre që kanë gjetur vdekjen në burgun famëkeq të Burrelit. "Ju nuk duhet të ndjeheni viktima, sepse ju jeni heronj. Heronj që mbijetuat në një diktaturë të egër dhe dhatë ndihmesën tuaj në përshpejtimin e vdekjes së saj", u shpreh zoti Oketa.

Zëvendëskryeministri nënvizoi se askush nuk mund t'ua kthejë këtyre njerëzve ato çfarë kanë humbur, por sot ata meritojnë respekt e mirënjohje nga populli për sakrificat që kanë bërë.

Zoti Oketa siguroi mbështetjen e plotë të qeverisë për ish të përndjekurit politikë, ndërsa shprehu angazhimin e saj për kalimin sa më shpejtë të ligjit për dëmshpërblimin e tyre.

Në këtë ceremoni u bë përkujtimi i të vrarit Sazan Hadëraj, eshtrat e të cilit ende nuk janë gjendur. E pranishme në këtë ceremoni ishte e bija e tij, zonja Alma Hadëri, e cila e falënderoi zv/kryeministrin për vëmendjen e kushtuar në këtë ditë.

Edhe Zoti Adem Allçi, i mbijetuar nga torturat e burgut të Burrelit, i shprehu mirënjohjen Zëvendëskryeministrit Oketa për pjesëmarrjen në këtë ceremoni. Ai kërkoi që burgjet e dikaturës, ose një pjesë e tyre, të mbeten burgje muze për të shërbyer si tregues të së kaluarës tek brezat që vijnë.

Zëvendëskryeministri Gazmend Oketa mori pjesë dhe në një takim me ish të përndjekur politikë, të zhvilluar në Pallatin e Kulturës së qytetit të Burrelit, ku në nder të të ftuarve, u shfaq një dokumentar për jetën e grave të ish të përndjekurve politikë.

Burgu i Spaçit u shpërthye 40 vjet më parë nga tre ish të dënuar politikë, Adem Allçi, Dhori Gërnjoti dhe Sazan Hadëri. Në burgun famëkeq të Burrelit, mijëra vetë, përfshi këtu personalitete të larta të vendit janë dënuar dhe kanë gjetur vdekjen në këtë burg gjatë kohës së diktaturës komuniste.
Sot, ky burg funksionon si institut rehabilitimi, me të gjitha standardet e nevojshme.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›