E Shtunë, 31 Tetor 2026

Konferencë e përbashkët për shtyp e Kryeministrit Sali Berisha dhe Kryeministrit të Kosovës Agim Çeku

Kryeministri Sali Berisha priti sot në një takim të veçantë Kryeministrin e Kosovës Agim Çeku. Pas takimit, te dy Kryeministrat bënë këto deklarata për mediat:

Kryeministri Berisha: “Me Kryeministrin Çeku diskutuam gjerësisht rreth marrëdhënieve ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës, si dhe për problemet që lidhen me statusin përfundimtar të Kosovës. Shfrytëzova rastin për të përshëndetur përzemërsisht dhe për të mbështetur fuqimisht qëndrimin e Presidentit, Kryeministrit, qeverisë, opozitës, si dhe të Grupit të Unitetit në Kosovë. Në këtë periudhë të vështirë dhe delikate për statusin e Kosovës, mendoj se qëndrimet e formuluara nga Grupi i Unitetit janë një kontribut real për paqen dhe stabilitetin, jo vetëm në Kosovë por dhe në rajon. Grupi i Unitetit paraqiti në Vjenë para përfaqësuesve të Trojkës, platformën e Kosovës evropiane, të Kosovës faktor paqeje dhe stabiliteti, të Kosovës që kërkon të ndërtojë urat e bashkëpunimit, mirëkuptimit, pajtimit dhe që di të ngrihet mbi barbaritë që përjetoi populli i saj, në emër të një të ardhmeje evropiane. Në këtë kontekst, doja të thosha se kjo platformë përbën një vlerë të madhe, edhe të shtytjes 120 ditore, e cila në tërësi ka qenë një blerje e një kohe të humbur, por që udhëheqja politike e Kosovës i dha një vlerë reale me platformën që paraqitën në Vjenë.

Mendoj se Grupi i Unitetit po i shërben me qëndrimin e tij paqes dhe stabilitetit në rajon pasi paqja nuk mund të ketë zgjidhje tjetër, nuk mund të ketë mbështetje tjetër përveç pavarësisë së Kosovës. Çdo lloj varianti tjetër për t’u larguar nga opsioni, ëndrra, projekti i qytetarëve të Kosovës për pavarësi, është një kërcënim madhor jo vetëm për Kosovën, por dhe për Ballkanin e më gjerë. Pavarësia e Kosovës nuk mund të ketë alternativë shtetet e pastra etnike, pasi kjo do të zhyste Ballkanin në spiralin e një pasigurie ekstreme, konflikteve që ndoshta do të bënin të harroheshin të shkuarat dhe do të kthente të shkuarën në të ardhme. Nisur nga kjo, qeveria shqiptare, duke mbështetur plotësisht Grupin e Unitetit, i bën thirrje faktorit ndërkombëtarë të përshpejtojë procesin e statusit të Kosovës. I bëjmë thirrje autoriteteve të Kosovës, Grupit të Unitetit që të gjitha hapat t’i ndërmarrin në bashkëpunim të ngushtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, vendet e mëdha të Bashkimit Evropian dhe të ketë besim se asnjë plan tjetër përveç planit A, përveç pavarësisë, nuk mund të projektohet si zgjidhje për Kosovën.

U bëj thirrje qytetarëve të Kosovës të mbështesin lidershipin e tyre, i cili me përkushtim, me aftësi të madhe, ia ka dalë t’i përfaqësojë ata dhe të udhëheqë procesin e finalizimit të statusit. Beteja diplomatike dhe politike për finalizimin e statusit duhet të ndiqet me këmbëngulje por, edhe me durim. Shqiptarët në Kosovë, në asnjë rrethanë dhe në asnjë rast, nuk mund t’i bëjnë dhurata ekstremizmit dhe natyralizmit serb. Për këtë arsye, duhet të mbeten të bashkuar rreth udhëheqjes së tyre, rreth parimeve të mëdha që mbrojnë për të çuar përpara çështjen e tyre të drejtë.

Edhe një herë, dua të theksoj se propozimi i Grupit të Unitetit për një traktat bashkëpunimi dhe miqësie me fqinjin e tyre, është historik dhe i një rëndësie të pazëvendësueshme për paqen në Ballkan. Ballkani nuk do të mund të jetë kurrë stabël në rast se shqiptarë dhe serbë nuk vendosin të mbyllin kapitujt e hidhur të së shkuarës dhe të punojnë për një të ardhme të përbashkët evropiane. Në këtë këtë kontekst, mendoj se me qëndrimin e tyre autoritetet e Kosovës janë frymëzuar nga shembujt më pozitivë të historisë së Evropës, mbi të cilët është ndërtuar paqja. Me Kryeministrin Çeku diskutuam gjithashtu dhe për çështje që lidhen me bashkëpunimin dypalësh.

Kryeministri i Kosovës, Çeku: Për mua ishte një kënaqësi e veçantë të takoj mikun tim dhe Kryeministrin e Shqipërisë, zotin Berisha. Kryesisht Kryeministri e përmblodhi bisedën tonë. Unë e njoha Kryeministrin me ecurinë dhe pikëpamjet tona në lidhje me procesin e statusit të Kosovës dhe e njoha dhe me pozicionin tonë në këtë proces. Për ne në Kosovë, kjo periudhë shtesë e 120 ditëve bisedime nuk është një proces i ri, edhe pse tani udhëhiqet nga treshja ndërkombëtare. Për ne është vazhdimësi e procesit të definimit të procesit të statusit të Kosovës dhe jemi të bindur se kjo është faza përmbyllëse e këtij procesi. Për ne, gjërat që janë diskutuar deri tani në këtë proces dhe të cilat gëzojnë një përkrahje të madhe të faktorit ndërkombëtar janë çështje të mbyllura dhe ne nuk dëshirojmë t’i diskutojmë më në këtë periudhë që ka mbetur.

Cilat janë këto çështje? Së pari, pavarësia e Kosovës si zgjidhja e vetme dhe pa alternativë. Së dyti, pavarësia mbi bazat e propozimit të zotit Ahtisari dhe fillimisht e mbikëqyrur nga faktori ndërkombëtar. Së treti, pavarësia brenda kufijve ekzistues të Kosovës. Kështu që ndarja e Kosovës është absolutisht e papranueshme dhe si e tillë, është e dëmshme. Këto janë temat që ne nuk i diskutojmë. Por, në këtë proces ne dëshirojmë të jemi pozitivë, konstruktivë dhe seriozë dhe ne dëshirojmë që gjatë këtyre diskutimeve të fokusohemi në çështje përtej statusit. Ashtu siç tha dhe Kryeministri, ne si palë kosovare ofrojmë që të bisedojmë për rregullimin e modaliteteve të marrëdhënieve apo raporteve tona, të dy shteteve të barabarta, me një të ardhme të përbashkët evropiane. Në këtë frymë, ne do të ofrojmë një traktat të fqinjësisë se mirë, bashkëpunimit dhe respektit reciprok. Kjo do të jetë platforma jonë në këto bisedime.

Gjithashtu, gjatë kësaj periudhe, me një platformë të tillë, me një qasje të tillë pozitive e serioze, ne dëshirojmë që ta ruajmë fokusin e Bashkimit Evropian në çështjen e Kosovës dhe ta forcojmë unitetin apo konsensusin e Bashkimit Evropian, në radhë të parë karshi statusit të Kosovës. Gjithashtu, dëshirojmë ta ruajmë dhe fokusin dhe konsensusin e brendshëm për hapat dhe veprimet tona në periudhën e pas 10 dhjetorit. Fokusi ynë, ashtu siç e thashë, është në Bashkimin Evropian. Ne konsiderojmë se çështja e Kosovës është çështje evropiane, është problem evropian dhe duhet të zgjidhet nga Bashkimi Evropian, në mënyrë evropiane. Kështu që Bashkimi Evropian vërtetë duhet të jetë unik, duhet të jetë më i vendosur, duhet të marrë vendime konkrete dhe duhet të mos lejojë vende të tjera që të diktojnë politika të Bashkimit Evropian ndaj çështjeve që janë evropiane. Kjo është për Evropën një mundësi që ajo të tregojë edhe aftësi, edhe guxim, edhe kapacitete që t’i zgjidhë çështje në rajon.

Por, çështja e Kosovës është mbi të gjitha çështja e shqiptarëve. Çdo shqiptar, qoftë në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni, ka rol dhe duhet të luajë rol aktiv. Është projekti më madhor shqiptar dhe me pavarësinë e Kosovës ne kryejmë një obligim historik kombëtar. Kështu që në këtë proces të gjithë kemi rol. Shqipëria vazhdimisht ka luajtur dhe është duke luajtur një rol aktiv në këtë proces. Presim që në këtë kohë Shqipëria të ndihmojë në ndërtimin e një konsensusi evropian, në përkrahje të pavarësisë së Kosovës dhe presim që Shqipëria të ndihmojë Kosovën edhe në përballjen me sfidat e ndryshme që mund të ballafaqohemi menjëherë në ditët e para të pavarësisë.

Më pas, Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha dhe Kryeministri i Kosovës, Agim Çeku, iu përgjigjën interesimit të mediave:

Pyetja: Zoti Berisha dhe zoti Çeku, ju e vlerësuat traktatin e propozuar nga Grupi i Unitetit të Kosovës, në fakt ky traktat u kundërpërgjigj me ndërhyrje ushtarake nga ana e Serbisë, duke iu referuar një deklarate të zyrtarëve serb. Gjithashtu, Koshtunica, pak kohë më parë kërcënoi vendet e rajonit në rast se do të njihnin një pavarësi të njëanshme për Kosovën.

Kryeministri Berisha: Lidhur me reagimin e autoriteteve të Beogradit ndaj Traktatit, ai ishte një reagim që dëshmonte se ora e tyre ka mbetur në kohën e Millosheviçit, në rrafshin politik e moral, ndërsa në rrafshin ushtarak dhe praktik ishte qesharak. Serbia është një fuqi humbëse, ajo ka humbur luftën me NATO-n dhe nuk ekziston asnjë lloj potenciali për lëvizjen më të vogël, në një territor që mbrohet nga Aleanca e Atlantikut të Veriut. Aleanca i bëri të qartë se kurrë më ushtarët serbë nuk do të mund të kthehen në Kosovë, çka do të thotë se NATO do të jetë aty dhe garantë, deri sa serbi i fundit ta ketë të qartë se kurrë më ushtarët serbë nuk do mund të jenë të Kosovë. Ndaj, çështjen nuk duhet ta shohim në këtë rast si një çështje midis shqiptarëve dhe serbëve, por është në radhë të parë një çështje mes serbëve dhe NATO-s. Sa për shqiptarët, ata këtu kanë qenë gjithmonë.

Kryeministri i Kosovës Çeku: Kërcënimet e palës serbe ndonjëherë dëshmojnë se Serbia vazhdon të paraqesë kërcënim për paqen edhe në Kosovë, por edhe për rajonin. Kjo është një dëshmi se, pas largimit të Millosheviçit nuk kanë ndryshuar shumë gjëra me politikën serbe në qasjen e Serbisë ndaj Kosovës dhe ende politikanë të tyre edhe sot përdorin fjalorin apo retorikën e shekullit të kaluar. Ata nuk janë më në pozitë për ta kërcënuar Kosovën, nuk kanë kapacitete të tilla, ashtu siç tha dhe Kryeministri Berisha. Në Kosovë është NATO, Kosova është në NATO dhe Kosova mbrohet jo vetëm nga NATO, por Kosova mbrohet edhe nga populli i Kosovës dhe institucionet e saj. Gjithsesi, ne nuk e përjashtojmë një mundësi të tillë dhe jemi mjaft të përgjegjshëm dhe do të kemi përgjigje konkrete në raste të tilla. Por mendoj se nuk është një skenar shumë i mundshëm.

Pyetje: Zoti Çeku, po afron data e zgjedhjeve në Kosovë dhe normalisht tensionet politike në fushata zgjedhore dhe në prag zgjedhjesh janë më të nxehta. Mendoni se kjo mund të ndikojë në procesin e statusit të Kosovës? Kryeministri Çeku: Ne në Kosovë jemi duke zhvilluar dy procese paralele, procesin e përfundimit të statusit apo procesin e shtetformimit, por edhe të procesit të shtetndërtimit, ndërtimit të institucioneve, të demokracisë. Ne nuk dëshirojmë të stopohet apo të bllokohet procesi demokratik në Kosovë. Zgjedhjet janë në afatin e rregullt. Ne e kemi diskutuar shumë këtë çështje dhe, edhe pse e kemi caktuar afatin e zgjedhjeve, kemi thënë se përparësi mbi të gjitha përparësitë është çështja e statusit. Pra, nëse e vlerësojmë që edhe pse është caktuar data, edhe pse janë bërë të gjitha përgatitjet, pra në qoftë se vlerësojmë se zgjedhjet interferojnë me statusin, ne do ta shqyrtojmë vendimin e mbajtjes së zgjedhjeve. Kështu që, pajtohem se mbajtja e zgjedhjeve në Kosovë mbartin një rrezik të konsiderueshëm për ecurinë e procesit të statusit, sepse ka rrezik që të humbasë fokusi i partive politike që tashmë është i përqendruar te statusi. Por ne do të përpiqemi që ta ruajmë këtë fokus dhe ta ndërtojmë këtë konsensus për vendimet e mëdha dhe të vështira që na presin në muajt e ardhshëm.

Pyetje: Zoti Berisha, para 2-3 orësh Kryeministri serb Koshtunica ka ripohuar tashmë qëndrimet e njohura të takimin e tij me Havier Solanën. Ju theksuat se shteti shqiptar do të mbështesë fuqishëm çështjen e statusit të Kosovës. Ku konsiston kjo mbështetje? Kryeministri Berisha: Kosova aktualisht është një çështje madhore botërore, është një çështje e parë në agjendën e superfuqisë së vetme të planetit, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe në agjendën e Bashkimit Evropian. Kosova është dhe çështje e shqiptarëve të Kosovës, por edhe e shqiptarëve në tërësi. Kjo nuk mund të injorohet.

Ne jemi të vendosur të mbështesim fuqimisht; Së pari, pavarësinë e Kosovës.

Së dyti, të gjitha përpjekjet e autoriteteve të Kosovës për të çuar përpara këtë proces

Së treti, thirrje vëllazërore qytetarëve të Kosovës që në asnjë rrethanë dhe në asnjë rast të mos lejojnë manipulime dhe t’i bëhen dhurata ekstremizmit dhe nacionalizmit serb. Vetpërmbjtja, bashkëppunimi i ngushtë ndërkombëtar, janë forca më e madhe e qytetarëve të Kosovës, e autoriteteve të Kosovës.

Sikundër, dua të theksoj me këtë rast se Shqipëria, unë personalisht dhe qeveria, mbështesim stabilitetin e Maqedonisë. Kemi qenë dhe mbetemi të bindur dhe të vendosur se stabiliteti i këtij vendi është në interesin më të mirë të Kosovës, të Shqipërisë, Maqedonisë dhe të rajonit. Shqipëria bashkërendon qëndrimet e veta në mënyrë konstante, permanente me qeverinë dhe udhëheqjen politike të Kosovës.

Pyetje: Zoti Çeku, Grupi i Unitetit ka konfirmuar se do të bëjë një konturim të Traktatit të Miqësisë që do ta prezantojë në takimin e radhës me treshen ndërkombëtare. Ku konsistojnë këto konturime dhe formulime?

Kryeministri i Kosovës: Traktati që ne do të ofrojmë në Londër javën e ardhshme është një kontribut i palës Kosovare, është një dëshmi e vullnetit të mirë të palës Kosovare dhe kontribut në ndërtimin e paqes, stabilitetit dhe bashkëpunimit në rajon. Ky traktat nuk do të thotë se ne kemi harruar të kaluarën e hidhur që kemi patur me Serbinë. Por është shprehje e një gatishmërie e jona që këtë të kaluar ta arkivojmë dhe të orientohemi nga e ardhmja. Në këtë Traktat ne parashohim që të ndërtojmë struktura të bashkëpunimit, komisione të ndryshme, të cilat do të zgjidhin çështje shumë të rëndësishme të qytetarëve të të dy shteteve si, fati i personave të zhdukur, kthimi i atyre që janë larguar nga Kosova, çështjet e lëvizjes së lirë, lehtësimit të kalimeve kufitare, lehtësimit të kalimit të mallrave, kapitaleve, çështjeve të transportit, të dokumentacionit, çështje të fondeve të ndryshme, etj. Për të gjitha këto ne ofrojmë bisedime.

Gjithashtu, ofrojmë bashkëpunim në fushën e sigurisë, në luftën kundër krimit të organizuar, kontrabandës, formave të ndryshme të terrorizmit. Ofrojmë bashkëpunim në shtegtimin tonë të përbashkët drejt të ardhmes sonë të përbashkët, drejt integrimit në Bashkimin Evropian dhe në NATO. Kjo është kryesisht përmbajtja që e Traktatit që ne do ta propozojmë.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›