E Shtunë, 31 Tetor 2026

V E N D I M PËR PËRCAKTIMIN E STANDARDEVE, TË KRITEREVE, RREGULLAVE TË LICENCIMIT, PROCEDURAVE PËR APLIKIM, RIPËRTËRITJE, TRANSFERIM DHE HEQJE LICENCE, NË FUSHËN E SHËRBIMEVE TURISTIKE

V E N D I M


PËR

PËRCAKTIMIN E STANDARDEVE, TË KRITEREVE, RREGULLAVE TË LICENCIMIT, PROCEDURAVE PËR APLIKIM, RIPËRTËRITJE, TRANSFERIM DHE HEQJE LICENCE, NË FUSHËN E SHËRBIMEVE TURISTIKE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 1, të nenit 28, të ligjit nr. 9734, datë 14.5.2007, “Për turizmin”, me propozimin e ministrit të Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve,  Këshilli i Ministrave

V E N D O S I :

1. Çdo person fizik a juridik, vendas ose i huaj, subjekt i këtij vendimi, për t’u pajisur me licencë/certifikatë, në fushën e shërbimeve turistike duhet të plotësojë standardet e mëposhtme:

a. Të ofrojë një shërbim cilësor dhe të garantojë zbatimin e  rregullave e të parimeve të Kodit Global të Etikës në Turizëm.
b. Të ketë drejtuesin dhe një staf teknik profesional, me arsimin përkatës e të kualifikuar, në përputhje me objektin e veprimtarisë turistike.
c. Të ofrojë shërbim të paanshëm për të gjithë klientët, të cilët  të jenë të gatshëm për të konsumuar këtë shërbim, kundrejt pagesës, për të cilën është rënë dakord më parë.
ç. Të garantojë sigurinë e përgjegjësisë për dëmet, që mund t’u shkaktohen personave nga konsumimi i shërbimit, që ofron/ushtron subjekti.
d. Të plotësojë kushtet minimale për reklamimin e veprimtarisë dhe/ose të mjediseve të  përcaktuara në rregulloret e miratuara nga ministri përgjegjës për turizmin, në zbatim të ligjit nr. 9734, datë 14.5.2007, “Për turizmin”.
dh. Të zbatojë në mënyrë të rreptë rregullat teknike, për masat e mbrojtjes nga  zjarri.
e. Të plotësojë kushtet higjieno-sanitare gjatë veprimtarisë.
ë. Të sigurojë informacionet e nevojshme për shërbimet e ofruara, çmimet përkatëse, si dhe të paraqesë raportet, të dhënat e kërkuara nga strukturat shtetërore përkatëse, në bazë e për zbatim të ligjit nr. 9734, datë 14.5.2007, “Për turizmin”.
f.  Të plotësojë formularin tip të autideklarimit, që i bashkëlidhet këtij vendimi.

2. Çdo person, fizik a juridik, vendas ose i huaj, subjekt i këtij vendimi, për t’u pajisur me licencë/certifikatë në fushën e turizmit duhet të paraqesë kërkesën, me shkrim, e cila duhet të shoqërohet edhe me:

a. Të dhënat për përfaqësuesin ligjor, adresën e saktë të selisë/filialeve, personin/at dhe numrat zyrtarë të kontaktit, e-mail-in etj;
b. Vendimin e  regjistrimit në gjykatë si person fizik/juridik, me objekt “Veprimtari  turistike”, sipas fushës së veprimtarisë, që do të ushtrojë;
c. Certifikatën tatimore, në përputhje me objektin e veprimtarisë turistike;
ç. Diplomën a dëshminë, certifikatën individuale, si dhe çdo dokument tjetër, që provon kualifikimet përkatëse profesionale, në përputhje me funksionin drejtues dhe objektin e veprimtarisë turistike, që drejton;
d. Dëshminë a diplomën, certifikatën individuale, si dhe çdo dokument tjetër, që provon kualifikimin përkatës, profesional të personelit operues për ato funksione apo shërbime që kryen;
dh. Nëpërmjet formularit të autodeklarimit, të deklarojë, lejet përkatëse, të lëshuara nga autoritetet shtetërore kompetente, për masat e mbrojtjes nga zjarri, kushtet higjieno-sanitare të veprimtarisë turistike, mjetet e punës e patentat a autorizimet, që lidhen me llojin e veprimtarisë, që ushtron, në përputhje me rregulloret përkatëse, të miratuara nga ministri përgjegjës për turizmin;
e. Lejen e qëndrimit, për personat me shtetësi të huaj, e lëshuar nga autoritetet shtetërore kompetente, në bazë të ligjit për të huajt.

Dokumentet e kërkuara në origjinal të mbahen në dosje në selinë, ku ushtron veprimtarinë subjekti, dhe fotokopje të dorëzohen në Komisionin e Standardeve të Turizmit.

3. Procedurat e aplikimit për pajisjen me licencë/certifikatë për ushtrimin e veprimtarisë turistike ndiqen e zbatohen nga  Komisioni i Standardeve të Turizmit (më tej KST), i cili mbështetet nga një sekretari teknike e caktuar me urdhër të ministrit, përgjegjës për turizmin.

4. Subjektet, që kërkojnë të pajisen me licencë/certifikatë, i paraqesin kërkesë me shkrim ministrit përgjegjës për turizmin, së bashku me dokumentacionin shoqërues, në përputhje me objektin e veprimtarisë, standardet dhe kriteret e përcaktuara në këtë vendim dhe në  rregulloret përkatëse, të nxjerra nga ministri përgjegjës për turizmin, në zbatim të neneve 31, 35, 36, 41, 42 e 45, të ligjit nr. 9734, datë 14.5.2007, “Për turizmin”.

5. Kërkesa e subjektit dhe dokumentacioni shoqërues i përcillen për shqyrtim KST-së, nëpërmjet sekretarisë teknike. Pasi verifikon dokumentacionin e paraqitur, sekretaria teknike njofton subjektin brenda 5 (pesë) ditëve  pune për plotësimin e tij, nëse është i paplotë.

6. Pas plotësimit të dokumentacionit dhe verifikimit në vend të të dhënave të deklaruara e të depozituara në dosjen e subjektit, por jo më vonë se 15 ditë pune, sekretaria përgatit raportin vlerësues për Komisionin e Standardeve të Turizmit. Subjektit i njoftohet, me shkrim, fillimi i këtij afati, i cili vlerësohet si afati i dorëzimit zyrtar të dokumentacionit të plotë.

7. Komisioni i Standardeve të Turizmit shqyrton kërkesën e subjektit dhe raportin vlerësues, të përcaktuar në pikën 6, të këtij vendimi, jo më vonë se 10 (dhjetë) ditë pune nga data e dorëzimit, dhe i propozon ministrit përgjegjës për turizmin miratimin a refuzimin e licencës/certifikatës.

8. Ministri me urdhër të veçantë,  jo më vonë se 7 (shtatë) ditë pune nga data e dorëzimit të propozimit të KST-së, miraton a refuzon dhënien e licencës/certifikatës.

9. Procesi i licencimit/certifikimit duhet të përfundojë  brenda 35 (tridhjetë  e pesë) ditëve pune nga dorëzimi zyrtar i dokumentacionit. Kur kalon ky afat dhe  subjekti nuk ka marrë njoftim, me shkrim, për kërkesën e tij, atëherë ai quhet i licencuar/certifikuar. Ministri përgjegjës për turizmin është i detyruar të lëshojë licencën/certifikatën brenda tri ditëve pas përfundimit të këtij afati, në të kundërt subjektit i lind e drejta t’i drejtohet gjykatës.

10. Sekretaria teknike e KST-së, brenda 3 (tri) ditëve nga data e urdhrit të ministrit për miratimin e licencave/certifikatave, njofton zyrtarisht dhe përgatit licencën/certifikatën, sipas standardeve dhe formateve të miratuara. Në  rastin e refuzimit të kërkesës, po brenda këtij afati, subjektit i njoftohet, me shkrim, arsyeja e refuzimit.

11. Për marrjen e licencës/certifikatës bëhet një pagesë 25 000 (njëzet e pesë mijë) lekë. Pagesa kryhet  në numrin e llogarisë së Fondit të Zhvillimit të Turizmit, në zbatim të shkronjës “a”, të pikës 2, të nenit 25, të ligjit nr. 9734, datë 14.5.2007, “Për turizmin”.

12. Afati i vlefshmërisë së licencës/certifikatës  është 5 (pesë) vjet nga data e lëshimit.
                                                                               
13. Subjektet,  që ushtrojnë veprimtari në fushën e turizmit, kanë të drejtë ta ripërtërijnë licencën 40 (dyzet) ditë para përfundimit të afatit, duke iu nënshtruar të njëjtave standarde, kritere dhe procedura, të përmendura më sipër, si dhe e dorëzojnë licencën/certifikatën origjinale, e mëparshme. 

14. Licenca/certifikata individuale nuk mund t’i transferohet një individi tjetër, subjekti, që e përfiton licencën/certifikatën plotëson standardet dhe kriteret e përcaktuara në këtë vendim e në rregulloret përkatëse, të miratuara nga ministri përgjegjës për turizmin.

15. Personit, fizik a juridik, privat, të pajisur me licencë/certifikatë për të ushtruar një veprimtari turistike të caktuar, i hiqet licenca/certifikata nëse:

a. provohet se nuk ka zbatuar më shumë se një herë Kodin Global të Etikës.
b. nuk ka përmbushur detyrimin ligjor për dhënien e informacioneve, në Zyrën e Shërbimit të Turistëve dhe në strukturën përkatëse, në Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, për paraqitjen e raporteve dhe të të dhënave statistikore,  sipas rregullores për mbledhjen dhe përpunimin e tyre, dhe të formularëve, të miratuar në bazë të pikës 5, të nenit 34, të ligjit nr. 9734, datë 14.5.2007, “Për turizmin”.
Në këtë rast, subjekti njoftohet, me shkrim, që, brenda 30 ditëve nga marrja e këtij njoftimi, të paraqesë informacionet, raportet dhe të dhënat statistikore, të kërkuara. Nëse edhe pas këtij afati, subjekti nuk e përmbush këtë detyrim ligjor, strukturat e mësipërme i drejtohen, me një relacion, KST-së, e cila më pas i propozon ministrit përgjegjës për turizmin nxjerrjen e urdhrit për heqjen e licencës /certifikatës.
c. subjekti kërkon ta mbyllë veprimtarinë turistike, për të cilën është pajisur me licencë/certifikatë. Në këtë rast, subjekti është i detyruar të paraqesë kërkesën, me shkrim, te ministri përgjegjës për turizmin dhe të kthejë licencën/certifikatën origjinale.

Pas heqjes së licencës/certifikatës, një kopje e urdhrit të ministrit u njoftohet edhe organeve tatimore, ku subjekti ushtron veprimtarinë turistike.

16. Çdo subjekt, aplikues për licencë/certifikatë, ka të drejtën e ankimit te ministri përgjegjës për turizmin, në rast se shkelen procedurat dhe afatet e vendosura në këtë vendim, në përputhje me Kodin e Procedurave Administrative.

17. Ngarkohet ministri përgjegjës për turizmin për zbatimin e këtij vendimi.
 
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.


K R Y E M I N I S T R I

SALI BERISHA

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›