E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqipëria, në rrugën e drejtë drejt integrimit në NATO dhe BE

Kryeministri Berisha prit sot pasdite në një takim Sekretarin e Shtetit për Çështjet Europiane të Hollandës, zotin Frans Timmermans.

Kryeministri Berisha dhe Sekretari i Shtetit të Hollandës vlerësuan bashkëpunimin shumë të mirë mes dy vendeve në të gjitha fushat dhe ndanë të njëjtin vullnet për forcim të marrëdhënieve në të ardhmen.

Kryeministri Berisha falenderoi zotin Timmernmans për mbështetjen dhe interesimin e madh që ka treguar Hollanda për zhvillimin dhe integrimin e Shqipërisë dhë institucioneve të saj. Kryeministri e njohu Sekretarin e shtetit të Hollandës me reformat dhe nismat e ndërmarra nga qeveria në funksion të integrimit euroatlantik të vendit. Ai theksoi se dy projektet më parësorë të qeverisë janë integrimi në NATO dhe integrimi në Bashkimin Europian dhe në këtë proces janë bërë përparime të mëdha e të rëndësishme. Gjithashtu, Kryeministri theksoi se gjatë këtyre dy viteve, Shqipëria ka kaluar disa procese zgjedhore, si në nivel të përgjithshëm ashtu dhe në nivel lokal dhe nga këto procese,  nuk ka patur asnjë vezhgues të huaj apo të brendshëm që të dëshmojë se qeveria ka ndërhyrë në procesin zgjedhor.

Duke u ndalur zhvilllimet ekonomike dhe hapat e marra nga qeveria në këtë drejtim, Kryeministri Berisha vuri në dukje përpjekjet dhe rezultatet konkrete në krijimin e një klime pozitive dhe favorizuese për biznesin, ndjekjen e politikave lehtësuese të taksave ndaj tij, zhvillimiet në rritje në sektorin e turizmit, ku këtë vit ka një rritje prej rreth 60 për qind, etj. Ai siguroi se qeveria do të vazhdojë të bëjë të gjitha përpjekjet për mbështetjen dhe thithjen e investimeve në vend, duke inkurajuar investitorët holandezë të investrojnë në Shqipëri. Një proces tjetër në të cilin po ecet me hapa të shpejtë është edhe ai i decentralizimit drejt pushtetit lokal, si psh kalimi i taksës së biznesit të vogël në administrim të qeverisjes vendore, si edhe kalimi i administrimit të ujësjellësave pushtetit vendor, i cili u miratua sot - vijoi Kryeministri.

Përsa i përket reformave për integrimin në NATO, Kryeministri shprehu vullnetin e plotë të qeverisë për të përmbushur të gjitha standardet e kërkuara për të merituar ftesën për anëtarësim në Samitin e Bukureshtit. Zoti Berisha tha se edhe pjesësmarrja e vendit tonë me trupa në Irak, Bosnjë e Afganistan, tregon vullnetin e palëkundur të qeverise dhe te gjithe shqiptareve për integrim në NATO.

Nga ana e tij, Sekretari i Shtetit të Holandës për Çështjet Europiane shprehu vlerësimin maksimal për zhvillimet pozitive në Shqipëri, duke theksuar se ndihej i mahnitur nga ndryshimet rrënjësore në vend. Ai veçanërisht vlerësoi punën e Kryeministrit Berisha dhe reformat e ndërmarra nga qeveria, ndërsa theksoi se ndihma dhe mbështetja e shtetit hollandez për Shqipërinë nuk është thjesht një dhuratë, por është rezultat i punës që ka bërë populli shqiptar nën qeverisjen e Kryeministrit Berisha.

Sekretari i Shtetit të Holandës shprehu mbështetjen e Hollandës në procesin e integrimit të Shqipërisë në NATO dhe në BE. Ai gjithashtu u shpreh se procesi i ratifikimit te MSA nga Hollanda ka filluar dhe në bazë të procedurave pritet të mbarojë në një afat sa më të shkurtër.

Sekretari i Shtetit të Holandës për Çështjet Europiane vlerësoi lart rolin konstruktiv dhe kontributin e Shqipërisë në çështjen e Kosovës, por edhe në forcimin e paqes dhe stabilitetit në rajon e më gjerë.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›