Konferencë në Washington për shtimin e njohjeve
Në Washington pritet të organizohet një konferencë ndërkombëtare për Kosovën, me qëllim rritjen e njohjeve për shtetin e ri. Ideja është biseduar sot në një takim që ka pasur kryeministri Hashim Thaçi dhe drejtori i Qendrës për Studime Strategjike e Ndërkombëtare, Janusz Bugajski.
“Dy bashkëbiseduesit janë dakorduar që të fillohen angazhimet për organizimin në një të ardhme të afërt të një konference ndërkombëtare në Uashington për rritjen e numrit të njohjeve të reja për shtetin e Kosovës dhe për investimet e reja të huaja në Republikën e Kosovës”, thuhet në një komunikatë shtypi, të lëshuar pas takimit.
Në takim, po ashtu është diskutuar për zhvillimet aktuale politike në Republikën e Kosovës dhe në rajon. Kryeministri Thaçi e ka informuar Bugajskin për konsolidimin e institucioneve të reja të Republikës së Kosovës dhe për arritjen e marrëveshjes mes partive politike kosovare për zgjedhjen e presidentit dhe për reformën e domosdoshme të Ligjit Zgjedhor dhe për reformën e zgjedhjes së presidentit drejtpërdrejtë nga populli, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.
“Kryeministri Thaçi theksoi se me këtë marrëveshje është krijuar një klimë pozitive për thellimin e mëtejshëm të reformave të gjithëmbarshme në politikë, ekonomi dhe legjislacion, në funksion të përmbushjes së plotë të standardeve për integrimin e Republikës së Kosovës në institucionet euro-atlantike”.
Thaçi në vazhdim theksoi se ky përkushtim institucional dhe politik dëshmon për pjekurinë dhe përgjegjshmërinë e lidershipit kosovar para qytetarëve të vendit dhe para miqve ndërkombëtar, që na kanë ndihmuar në të gjitha proceset e rëndësishme për Kosovën.
Nga ana e tij, Bugajski thuhet se e ka vlerësuar lartë përkushtimin e vazhdueshëm të kryeministrit Thaçi dhe përkushtimin e tij institucional për tejkalimin e ngërçit politik dhe arritjen e konsensusit me partnerin e koalicionit dhe me partinë kryesore opozitare për zgjedhjen e presidentit të ri dhe për fillimin e reformës zgjedhore në Kosovë.