E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pacolli kërkon sqarime nga Thaçi

Nga Express më 13 prill 2011 në ora 12:21

Behgjet Pacolli i ka kërkuar kryeministrit Hashim Thaçit t’ia sqarojë kompetencat e zëvendëskryeministrit të parë të ngarkuar për njohje, pasi që ai kishte pritur se do ta drejtonte Ministrinë e Punëve të Jashtme.

Ndërkohë, Ministria e Infrastrukturës dhe ajo e Arsimit mund të jenë shënjestër shtesë e AKR-së. Duke iu referuar burimeve, gazeta Zëri shkruan se AKR-ja për infrastrukturë e ka Vegim Gashin si ministër potencial, ndërsa për arsimin mund të propozohet Ibrahim Makolli.
Të dyja këto ministri aktualisht udhëhiqen nga PDK-ja.

Përderisa në PDK thonë se janë në pritje të sqarimeve nga kryetari i partisë Hashim Thaçi për ndarjet eventuale, burime të gazetës thonë se ishte vetë kryeministri ai që ishte dakorduar që AKR-së si shpagim për humbjen e postit të presidentit, t’i jepen dy ministri shtesë dhe tri poste zëvendësministra.

Njëherësh këto burime kanë thënë se AKR nuk e ka të qartë se çfarë nënkupton posti i zëvendëskryeministrit të parë për Behgjet Pacollin dhe pritet që të bëhet një definim i kompetencave të tij.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›