E Shtunë, 31 Tetor 2026

Plani nga Bullgaria

Gjashtë ministrat e Qeverisë së Kosovës, të cilët po qëndrojnë në Bullgari, kanë paraqitur objektivat kryesore të cilat do të përfshihen në planin e Qeverisë për zhvillimin ekonomik të vendit. Express ka mësuar se objektivat buxhetore, bujqësia, energjia, minierat, privatizimi dhe përmirësimi i ambientit të biznesit janë pikat kyçe të këtij plani. Ministrja Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se ky dokument do t’i prezantohet së shpejti kabinetit qeveritar dhe Kuvendit të Kosovës. Nga Albulena Maloku më 13 prill 2011 në ora 11:00

Plani i Qeverisë për zhvillim ekonomik të vendit do të përfshijë objektivat buxhetore, infrastrukturore, bujqësore, zhvillimin e sektorit të energjisë e të minierave dhe atë të partneritetit publiko-privat.

I gjithë ky plan, i cili është duke u hartuar në Bullgari nga ministrat e sektorit të zhvillimit ekonomik, do t’i prezantohet kabinetit qeveritar për miratim, e pastaj do të kalojë edhe në Kuvendin e Kosovës. E, kjo nismë është ndërmarrë me ndihmën e Ambasadës amerikane në Prishtinë, e cila po mbështetet edhe nga Banka Botërore, Komisioni Evropian dhe USAID’i.

Ekspertët thonë se ka qenë koha e fundit kur duhej të hartohej ky plan për një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik.

Zëvendëskryeministrja dhe njëherësh ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari – Lila, në një bisedë të shkurtër për “Express”, ka treguar se ministrat e secilit sektor kanë prezantuar objektivat e tyre për periudhën 4 deri 5-vjeçare, dhe të gjitha këto thotë se janë të bazuara në plane konkrete, duke përfshirë edhe stabilitetin mikrofinanciar dhe mundësitë për përmirësimin e ambientit të biznesit dhe programit ekonomik qeveritar. “Pikat kryesore të këtij plani janë objektivat sektoriale, të infrastrukturës, zhvillimi i sektorit të energjisë e minierave, bujqësisë, privatizimit. Ndërsa në proces është edhe pika për përmirësimin e ambientit të biznesit dhe në fund do të bëhet një prezantim i përbashkët i gjithë këtyre sektorëve, në mënyrë që të kemi një përmbledhje të këtyre objektivave strategjike”, tha ministrja Kusari-Lila.

Përfshirja e gjithë ministrave të këtyre sektorëve është bërë për të pasur një qasje inkluzive, e cila sipas ministres, do të sigurojë evitimin e mangësive dhe pengesave që janë identifikuar. Në këtë mënyrë, ajo thotë se do të bëjnë të mundur prioritizimin e çështjeve në kuadër të një zhvillimi të qëndrueshëm ekonomik në vend si dhe për një qeverisje të mirë, për sundim të ligjit dhe zhvillimit të kapitalit njerëzor.

”Të gjitha këto janë të ndërlidhura dhe në këtë mënyrë do të prezantohen në Kosovë, pasi kemi të bëjmë me një strategji, e cila flet edhe për një ekonomi të lirë të tregut dhe do të orientohen aty ku është mundësia më e mirë”, tha Kusari-Lila. Ajo thotë se ka ende për t’u punuar, pasi që ky proces ka të bëjë me komunikimin e ndërsjellë dhe ndërlidhjen e sektorëve për të siguruar një dokument të gjallë, i cili thotë se do të përforcohet dhe nuk do të ketë ndryshime, përveç lëvizjeve të cilat mund të ndodhin në ekonomi, atëherë edhe mund të bëhen ndryshimet e duhura në këtë dokument.

Si qeveri, ajo tha se do të sigurohen që të jenë proaktivë në raport me bashkëpunimin në sektorin privat, në mënyrë që të ofrohen mundësitë që të ketë një inkurajim të zhvillimit të sektorit privat dhe ekonomik.“Pas kthimit në Kosovë, këto objektiva do t’i prezantohen për miratim kabinetit qeveritar dhe pas kësaj do t’i prezantohen edhe Kuvendit të Kosovës, ashti siç është bërë premtimi kur është votuar Qeveria 2”, tha ministrja Kusari-Lila.

E, roli i Bankës Botërore, Komisionit Evropian dhe USAID’it në hartimin e planit, është parë i domosdoshëm, në mënyrë që të harmonizohen projektet e tyre me strategjinë e Qeverisë. E, përfaqësuesit e biznesit e kanë vlerësuar një dokument të tillë, i cili, sipas tyre, është dashur të bëhej edhe më herët.

Sekretari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi ka thënë se kjo ka qenë koha e fundit kur është dashur të mendohet në mënyrë serioze për trajtimin e planit për zhvillim ekonomik, i cili, sipas tij, duhet të jetë plan i reflektimit të realiteteve e jo i dëshirave. ‘Realiteti në Kosovë është se nuk ka vizion për zhvillim dhe ky vizion duhet të përfshihet në këtë plan, pasi që shteti nuk i ka të identifikuara përparësitë krahasuese”, tha Rukiqi. Ky plan, sipas tij, duhet të përfshijë analizat e përparësive krahasuese, sepse vendi nuk ka pasur deri më tani një plan afatgjatë të reformave. “Ky tani duhet të adresojë saktë agjendën e reformave dhe duhet të ketë një listë të projekteve zhvillimore, të cilat duhet të jenë prioritet në financimin e institucioneve financiare ndërkombëtare dhe fondet e Bashkimit Evropian”, thotë sekretari Rukiqi. Ai vlerëson se sektori i agropërpunimit, energjisë, teknologjisë informative, industrisë automative mund të jenë sektorët për zhvillim dhe me potencial punësimi.
Në këtë proces janë të kyçur gjashtë ministra: Mimoza Kusari-Lila, Bedri Hamza, Besim Beqaj, Blerand Stavileci, Vlora Çitaku dhe Fehmi Mujota. Gjashtë ministrat kanë shkuar të dielën në Bullgari, ndërsa sot, atyre pritet t’u bashkohet edhe kryeministri Thaçi. Për katër ditë, këta do të punojnë së bashku me partnerë ndërkombëtarë për hartimin e programit të ri qeveritar.

Vetëvendosja: S’bëhet plani në skijim

Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar nëpërmjet një komunikate për media rreth hartimit të planit ekonomik nga ana e Qeverisë së Kosovës në Bullgari. Sipas kësaj lëvizjeje, njoftimi për udhëtimin në Bullgari dëshmon qartë se Qeveria në krye me Hashim Thaçin është zgjedhur në Kuvendin e Kosovës pa program qeveritar dhe në mungesë të qartë të një agjende ekonomike. Ata që nuk kanë mundur të bëjnë asgjë për ekonominë e Kosovës për 30 muaj, sipas Vetëvendosjes së Albin Kurtit, vështirë se mund t’i zgjidhin problemet për katër ditë skijimi. “Funksionimi ad hoc i përditshëm, ku vendimet merren në bazë të rrjedhave ditore e jo në bazë të një plani strategjik, e kanë sjellë Kosovën para kolapsit ekonomik. Kjo po ashtu do të thotë se vendimet kapitale, si privatizimi i PTK-së, ndërtimi i autostradës, buxheti për vitin 2011, si dhe vendimet e tjera kapitale janë sjellë pa plan dhe agjendë ekonomike”, thuhet në komunikatën e Vetëvendosjes.

Dell u bashkohet ministrave

Ambasadori amerikan në Kosovë, Christopher Dell, iu është bashkuar të martën gjashtë ministrave të Qeverisë së Kosovës, të cilët po qëndrojnë në Bullgari, ku janë duke hartuar planin e Qeverisë për zhvillim ekonomik të vendit, raporton RTK’ja. Ndërkaq, bëhet e ditur se të mërkurën, këtij grupi do t’i bashkohet edhe kryeministri Hashim Thaçi.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›