E Shtunë, 31 Tetor 2026

Konferencë për Çamërinë në Shtetet e Bashkuara

Konferenca, e organizuar nga Organizata Shqiptaro - Amerikane Çamëria dhe Instituti i të Drejtave të Njeriut, u organizua në Kean University, një ndër universitetet më prestigjioze në Botë për shkencat humane.

Në këtë aktivitet i ftuar nderi ishte presidenti i Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet, Tahir Muhedini, i cili referoi mbi çështjen çame dhe mundësitë e zgjidhjes së saj. Duke analizuar situatën historike, Muhedini shprehu besimin e tij se çështja çame është në rrugën e zgjidhjes, ndërkohë që paraqiti edhe pikat kryesore të kërkesave të shqiptarëve të Çamërisë.

“Ne presim që Greqia të kërkojë njëlloj ndjese për atë që ka bërë. Ne presim që të ketë një zgjidhje graduale pajtuese për çështjen came. Pra një ligj që të parashikojë afate për kompensime, riatdhesime të atyre që dëshirojnë, etj, madje dhe në përputhje me ligjet greke të riatdhesimit të emigrantëve politikë që u miratuan në vitet 70-80. Sot ne kemi instrumenta në dorë për të patur sukses në kërkesat tona. Ne kemi një parti politike. Ne kushtëzojmë qeverisjen në vend. Ne kemi krijuar shpresë tek popullsia jonë. Ne I kemi  treguar të gjithë popullit shqiptar, të rinjve se plaga e popullsisë çame kullon ende gjak. Ndaj, ne besojmë se do ketë zgjidhje problemi çam”, tha Muhedini.

Ai vendosi theksin në zgjidhjen juridike dhe politike të çështjes çame, të cilat janë baza e veprimtarisë së të gjitha institucioneve që po punojnë në këtë drejtim. “Nuk ka zgjidhje juridike, pa angazhim politik. Ne besojmë se po vijnë kohë më të mira që Shqipëria ta riparaqesë këtë çështje sërish në kontaktet diplomatike me fqinjin tonë.  Ky fqinj që sot po dobësohet ndërkombëtarisht, nuk mund vetëm të kërkojë ndaj nesh, regjistrime, të drejta imagjinare për minoritet të krijuar me zor në vendin tonë, kur  nuk pranon asgjë për ne, dikur shtetas grekë. Shqipëria nuk mund të thotë thjesht se ekziston Traktati I miqësisë dhe bashkëpunimit reciprok dhe neni 15 I tij. Ai nen duhet zbatuar. Ai nen duhet të shoqërohet nga një ligj ad hoc në Greqi, që të zbatohet vënia në vend e së drejtës së çamëve në Greqi.. Nevojitet një trajtim ligjor I këtij problemi, sepse nuk ka mundësi që të kemi trajtime individuale të rasteve të dhunës, grabitjes, vrasjeve të çamëve në Greqi.” – tha z. Muhedini.

Në aktivitet referoi edhe historiani i njohur James Pettifer, duke mbajtur kumtesën me titull: "Historia e Çamërisë - Hapësira Gjeografike dhe Koha Shqiptare". Ilir Ademaj, mbajti kumtesën e tij Shqiptarët çam: Trashëgimia kulturore dhe gjuhësore e shqiptarëve në Çamëri . "Gjenocidi kulturor" ishte kumtesa e profesor Sevdai Kastrati, me titull:" Faik Konica dhe Çështja Çamërinë". Zoti Luan Isufi, një veprimtari i dalluar në komunitet, mbajti kumtesën:" Ngjarjet historike dhe të jashtme më me ndikimin në Rajon për çështjen e Çamërisë". Ndërsa dërgoi kumtesën e tij publicisti Rasim Bebo me titull " Fakte të pabesë - Gjenocidi i  Çamërisë - Peshkopi Dorotheus ". Arben Llalla, publicist u prezantua nga të pranishimit me referatin " Akuzat për Bashkëpunimin me EDES - Bashkëpunimi me nazistët gjermanë.".Dhe poetja nga Kosova Rita Saliu lexoi poezinë "Vargje për Çamërinë", marrë nga libri i saj.

Prof. Dr. Agron Fico, Nën/Kryetar i Akademisë Shqiptaro-Amerikane të Shkencave dhe Arteve, paraqiti për konferencën esenë me titull :"Vlera Universale e Çështjes Çame". Ndërkohë që zoti Hakik Mean mbajti kumtesën e tij me titull "Çështja çame dhe Mbreti Zog ka qënë e vetmeja zgjedhje për bashkimin e të gjitha trojeve Shqiptare - Shqipëria Etnike". Kryetari i Vatrës doktor Gjon Buçaj foli në mënyrë të detajuar për lidhjet e hershme të çështjes së Çamërisë me federatën Vatra, çamëve që ishin vatran të kulluar, në diasporë, gjatë regjimit komunistë.

Kean University, ka Qendra të shumta kërkimore, për çështjet e të drejtave të njeriut, ndoshta më të dukshëmet në New Jersey, siç janë Qendra për Shkencë, Teknologji dhe dallohet për Institutin e të Drejtave të Njeriut, dhe Qendra Burimet e Holokaustit, Qendra e Studimeve Etnike Lipman, dhe Salla e Lirisë - Liberty Hall, aty ku u mbajt dhe konferenca për çështjen e Çamërisë : "Konferenca e parë ndërkombëtare - Çështja e Çamërisë: Perspektivat ndërkombëtare dhe Mundësitë për një zgjidhje paqësore". Pjesë e kësaj konference, e para e këtij lloji në SHBA për çështjen e Çamërisë ishin edhe personalitete të njohura nga vendlindja dhe diaspora. /Start/

                                                                                             2011-11-18 12:21
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›