E Shtunë, 31 Tetor 2026

Miratohet financimi për Pallatin e Drejtësisë

Kryeministri Sali Berisha, bëri me dije se në këtë mbledhje do të miratohet fondi për ndërtimin e Pallatit të Drejtësisë, i cili do të përfshijë të gjitha gjykatat që ndodhen në kryeqytet. Paketa prej 83 milion eurosh e dhënë nga Komisioni Evropian, do të shkojë për ndërtimin e këtij Pallati.

“Ministria e Drejtësisë në bashkëpunim me komisionin ka bërë një punë të lavdërueshme së bashku me Bashkinë e Tiranës, kanë gjetur truallin, i cili është në trajektoren e bulevardit të ri, i cili do të ndërtohet brenda mandatit të parë të z. Basha. Tirana, me një nga bulevardet më të bukura në Evropë do të ketë zgjatimin e tij. Një nga ndërtesat e reja buzë bulevardit do të jetë Pallati i Drejtësisë, si një kompleks ndërtesash për një sërë gjykatash. Do të mund të bëhet fjalë për një qytezë më shumë se sa një Pallat të Drejtësisë, çka është e domosdoshme për funksionimin e saj”, tha kryeministri.

Në investimet e tjera përfshihen edhe ato në sistemin e kanalizimit të Vlorës, Bypass-in e Rrogozhinës. “Ky është një investim i rëndësishëm që shmang trafikun kryesor dhe do të jetë një nga nyjet më të rëndësishme të autostradës”, tha gjithashtu Berisha. Përfitues total prej 85 milion eurosh do të jenë Ministria e Drejtësisë, ajo e Brendshme, Ministria e Financave, me një doganë të re në Hanin e Hotit, Drejtoria e Doganave, Ministria e Bujqësisë, etj. /S.Ll/Start/

                                                                                             2011-11-18 13:08
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›