Konferencë për mësimin në diasporë

Në Prishtinë po mbahet konferenca kombëtare treditore “Institucionalizimi i mësimit plotësues në diasporë dhe në mërgatë”, organizuar nga Ministria e Diasporës në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit të Kosovës dhe atë të Shqipërisë.
Ministri i Diasporës, Ibrahim Makolli, tha se mësuesit shqiptarë në diasporë kanë luajtur një rol shumë të rëndësishëm për ruajtjen e gjuhës amtare, mësimin e historisë dhe të gjeografisë si dhe kultivimin e kulturës dhe traditave të fëmijëve në mërgatë.
“Rol jashtëzakonisht të madh kanë luajtur asociacionet arsimore si Lidhja e Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë në vitet ’90-ta, Këshilli i Arsimtarëve, kur ky mësim u nxor jashtë sistemit... Këta mësues dhe këto asociacione arsimore edhe sot kryejnë një mision shumë të rëndësishëm në edukimin e brezave të fëmijëve mërgimtarë, të cilëve duke ua mësuar gjuhën, jo vetëm që i shpëtojnë nga asimilimi, por ndikojnë edhe në integrimin në shoqërinë kua ata jetojnë”, tha Makolli.
Në këtë konferencë u tha se deri më tash nuk ka të dhëna të sakta për numrin e fëmijëve shqiptarë në diasporë, mësuesve dhe shkollave me mësim plotësues.
Ministri i Arsimit, Ramë Buja, tha se sipas statisktikave të ministrisë numri i mësuesve dhe nxënësve në diasporë është rreth 30 mijë.
”Kjo është shqetësuese, sepse ky numër është i vogël nëse e krahasojmë me numrin e mërgimtarëve tanë i cili sillet rreh 700 mijë”, tha Buja. Ai shtoi se shumica prej tyre nuk janë të përfshirë në mësimin plotësues.
Ndërkohë, ministri i Arsimit së Shqipërisë, Myqerem Tafaj, tha se është shumë e rëndësishme që diaspora shqiptare të integrohet, pasi është një potencial i jashtëzakonshëm dhe se shkollimi i saj është përcaktues për shancet e integrimit.
Konferenca kombëtare për institucionalizimin e mësimit plotësues në diasporë, do të përcaktojë legjislacionin dhe zgjidhjen për të institucionalizuar mësimin plotësues në kuadër të ligjeve të vendeve ku jeton mërgata. Qëllimi i saj është që të krijohet një sistem unik i mësimit plotësues jashtë vendit. /Indeksonline/