Konferencë për shtyp e Kryeministrit Berisha dhe Sekretarit të Përgjithshëm të OSBE-së Lamberto Zannier, pas takimit mes tyre
Kryeministri Berisha zhvilloi sot, një takim, me Sekretarin e Përgjithshëm të OSBE-së, zoti Lamberto Zannier, i cili ndodhet në Shqipëri në kuadër të hapjes së sesionit të vjeshtës të Asamblesë së Përgjithshme të OSBE-së.
Kryeministri Berisha dhe zoti Zannier komentuan më pas, për shtypin, takimin mes tyre.
Kryeministri Berisha: Sapo zhvillova një takim me Sekretarin e Përgjithshëm të OSBE-së dhe dua t’ju informoj se ky ishte një takim i shkëlqyer, i hapur e miqësor, në të cilin unë shfrytëzova rastin për ta falënderuar përzemërsisht OSBE-në, përfaqësinë e saj në Tiranë, për ndihmën madhe, kontributin thelbësor që kanë dhënë në këto vite, në zhvillimin, promovimin e konsolidimin e demokracisë në Shqipëri. Unë jam dëshmitar i një kontributi madhor në mekanizmat më themelore të demokracisë, siç janë ato të zgjedhjeve të përgjithshme e lokale, në liritë e të drejtat e njeriut. Por ekspertiza e kësaj Organizata ka mbuluar shumë fusha të tjera.
Ishte një rast për të falënderuar ambasadorin Wollfarth, ekipin e tij, për angazhimin e madh, në përputhje me mandatin që parlamenti shqiptar i ka dhënë dhe shoh me kënaqësi një bashkëpunim të ardhshëm, të suksesshëm, me Organizatën e Praninë e saj këtu.
Unë i kërkova Sekretarit të Përgjithshëm që të bëjmë çdo gjë, për të mbështetur Praninë e saj në Tiranë, ODIHR-in dhe Asamblenë Parlamentare, në mënyrë që zgjedhjet e ardhshme parlamentare në Shqipëri të jenë zgjedhje që plotësojnë tërësisht standardet ndërkombëtare të OSBE-së dhe mora siguri të plotë për këtë.
Në këtë takim diskutuam për vendosmërinë tonë për një rol më të madh brenda OSBE-së, angazhimin për të dhënë kontributin tonë modest në reformimin e mëtejshëm të kësaj Organizata, e cila mbulon hapësirën më të madhe të kombeve të lira, sot dhe ka një rol, për mendimin tim, jashtëzakonisht të rëndësishëm e pozitiv për të luajtur në konsolidimin e vlerave të demokracisë, lirisë, paqes e stabilitet në hapësirën e saj e në botë.
Edhe një herë ju falenderoj shumë zoti Sekretar i Përgjithshëm, për këtë vizitë, që e bëni në një zhvillim shumë të madh për vendin tim, takimin e Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, të cilën unë pata rastin ta përshëndes shumë përzemërsisht, në mëngjes.
Sekretari i Përgjithshëm i OSBE-së Lamberto Zannier: Ju falënderoj shumë edhe nga ana ime. Dua të them se jam shumë i lumtur për takimin shumë konstruktiv që pata me zotin Berisha, ku diskutuam për rolin e Shqipërisë në OSBE dhe rolin e OSBE-së në Shqipëri.
Unë jam gjithashtu i kënaqur dhe e vlerësoj shumë pozitiv faktin që ky takim zhvillohet në kontekstin e takimit të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, që pritet këtu, nga autoritetet shqiptare, ku do të diskutohen edhe çështjet kryesore që trajton OSBE-ja. Kjo është një gjë shumë e mirë dhe mendoj se është një zhvillim shumë i fortë në OSBE, i cili përfshin shoqërinë civile, përfshin parlamentin dhe e rëndësishme është që unë e shoh OSBE-në si një zhvillim jo vetëm ndërqeveritar, por si një proces që përfshin edhe shumë palë të tjera, politikën, shoqërinë civile etj.. Nga ana ime, unë e mirëpres rolin aktiv që Shqipëria luan në OSBE dhe mirëpres gjithashtu, edhe ambicien e palës shqiptare për të luajtur një rol edhe më prominent në këtë Organizatë.
Përsa i përket rolit të Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, ka një histori të gjatë mbrapa dhe unë jam shumë i kënaqur që OSBE-ja ka qenë këtu, e angazhuar në një sërë procesesh dhe suksesesh të arritura në shumë fusha. Në fakt, sigurisht mbeten edhe çështje të tjera që ende duhen adresuar si për shembull në fushën e shtetit të së drejtës, është i rëndësishëm gjithashtu, vazhdimi i një dialogu të mëtejshëm politik. OSBE, Prezenca e saj në Shqipëri mbetet e gatshme për të mbështetur rritjen e një angazhimi midis forcave politike dhe e vendosur të mbështesë procese të tjera, siç janë zgjedhjet e ardhshme, për shembull. Unë mirëpres nga ime, hapat shumë pozitivë që Shqipëria ka ndërmarrë në kuadrin e përafrimit me strukturat euroatlantike, sikurse vlerësoj edhe rolin që Shqipëria luan në rajon. Nga ana ime, shpresoj që të kemi të njëjtin bashkëpunim konstruktiv në të ardhmen. Faleminderit.
Pyetje: A mendoni se ka nevojë për në reformim misioni i OBSE në Shqipëri, në kuadër edhe të zhvillimeve të Shqipërisë si vend anëtar i NATO-s dhe vend që aspiron për të qenë pjesë e Bashkimit Europian?
Sekretari i Përgjithshëm i OSBE-së Lamberto Zannier: Pikë së pari, më lejoni të sqaroj se Prezenca e OSBE nuk duhet konsideruar si një institucion që qëndron në mes të rrugës, që pengon Shqipërinë në ecjen përpara. Më lejoni t’ju jap një shembull. Vitin e kaluar, ne mbyllëm misionin e OSBE-së në Kroaci dhe autoritetet kroate na falënderuan për kontributin dhe angazhimin e madh që ne kishim pasur në çështje që kishin kontribuar në afrimin e Kroacisë me BE-në. OSBE në përgjithësi nuk është se punon për llogari të institucioneve të tjera, por, gjithsesi, OSBE ndihmon vendet ku ajo operon, në proceset e ndryshme që atyre u duhet të ecin përpara. Gjithashtu në planin afatgjatë, OSBE, pavarësisht se nuk e ka qëllim në vetvete të punojë për llogari të institucioneve të tjera, i ndihmon këto vende të ecin për të arritur qëllimet e tyre strategjike. Sigurisht, zbatimi i mandatit të misioneve të OSBE-së nuk bëhet në mënyrë statike. Përkundrazi, ai është shumë dinamik, çka do të thotë se reformohet gjatë gjithë kohën. Le të kthehem edhe një herë tek pyetja juaj. Po! Ne do të vazhdojmë ashtu sikurse kemi bërë deri tani, të rishikojmë strukturën dhe aktivitetet e OSBE-së, në mënyrë që ajo çka ajo bën, të jetë një vlerë e shtuar për vendin.
Pyetje: Zoti Zannier, ju thatë se Shqipëria ka probleme me shtetin e së drejtës. Konkretisht çfarë do të thotë dhe çfarë keni parasysh duke thënë se Shqipëria ka ende probleme me shtetin e së drejtës.
Sekretari i Përgjithshëm i OSBE-së Lamberto Zannier: Sa i përket problemeve me shtetit të së drejtës, këto janë probleme që hasen jo vetëm në Shqipëri, por hasen edhe në shteteve të tjera pjesëmarrëse të OSBE-së, ku të gjitha këto vende duhet të bëjnë përpjekje të mëtejshme për reformimin e sektorit të drejtësisë. Sigurisht, në disa vende ka probleme të ndryshme nga vende të tjera. Lufta kundër korrupsionit, për shembull, vazhdon të jetë një nga prioritetet edhe të qeverisë suaj. Një fushë tjetër për t’u adresuar mund të jetë, për shembull, një qeverisje e mirë ekonomike. Megjithatë, siç thashë, kjo nuk vlen vetëm për Shqipërinë. Në fakt, ky është prioritet global i kryesisë së radhës irlandeze të OSBE-së. Gjithashtu, ne bashkëpunojmë ngushtë edhe me BE-në. Unë kam kontakte të vazhdueshme me komsionerin Fule, me qëllim që të ndihmojmë qeverinë në procesin e saj integrues.
Pyetje: Zoti Berisha, raporti i këtij viti i Prezencës së OSBE-së në Tiranë vë theksin veçanërisht në dy çështje që kanë të bëjnë me zgjedhjet e vitit 2013, sipas të cilit, do të jetë një garë e egër dhe liderët politikë janë ata, që e kanë në dorë si do të shkojë ky proces, do të shkatërrojnë zgjedhjet apo do ta çojnë përpara këtë proces. Së dyti, nënvizohet se korrupsioni në Shqipëri është ende problematik dhe nuk ka të dënuar mes radhëve të zyrtarëve të lartë dhe pandëshkueshmëria është theksuar një nga problematikat më të mëdha në Shqipëri.
Kryeministri Berisha: Lidhur me raportin e OSBE-së për zgjedhjet, komenti im është: Shqipëria do të zhvillojë zgjedhje të lira e të ndershme. Unë e bazoj këtë, në një vendosmëri të madhe të qeverisë për të bërë gjithçka që ka në dorë dhe ka jo pak në dorë, për një proces zgjedhor të lirë e të ndershëm. Unë e bazoj këtë në interesin jetik të opozitës për një proces zgjedhor të lirë e të ndershëm. Njëra anë është procesi dhe ju jeni dëshmitarë që në vitin 2009, zoti Edi Rama deklaroi se këto zgjedhje ishin historike dhe, kur nuk gjeti votat që besonte se do të merrte, ndryshoi qëndrim. Por shqiptarët zhvilluan zgjedhje të lira e të ndershme, që, sipas raporteve, arritën standardet kryesore të OSBE-së. Ndaj edhe unë jam shumë i vendosur të punoj për një proces zgjedhor të lirë e të ndershëm.
Sa i përket çështjes së korrupsionit, ky vend ka një rekord shumë të qartë të luftës kundër korrupsionit. Në rast se reformat kanë pasur një sukses të pamohueshëm, në themel të këtij suksesi ka qenë e mbetet lufta kundër korrupsionit. Ndërkohë janë penalizuar me qindra zyrtarë të rangjeve nga zëvendësministër, në punonjës të institucioneve. Ndaj jam i vendosur që kjo luftë e betejë të shkojë më tej, me vendosmërinë më të madhe. Një gjë është e sigurt që çfarëdo të themi për sistemin e drejtësisë, për institucionin e akuzës, zgjidhje tjetër përveç reformave e reformimit nuk ka e nuk mund të ketë.
05/10/2012