E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Banka Botërore me rolin dhe kontributin e saj, faktorë kryesorë të transformimit epokal të Shqipërisë

Kryeministri Berisha përshëndeti sot konferencën e organizuar me rastin e 20 vjetorit të aktivitetit të Grupit të BB në Shqipëri.

Nën tematikën “Punojmë së bashku për të përparuar në axhendën e zhvillimit dhe integrimit të Shqipërisë në BE”, zyra e Bankës Botërore në Tiranë zhvilloi këtë konferencë si bilanc të marrëdhënieve 20 vjeçare të partneritetit dhe bashkëpunimit të BB me Shqipërinë. Konferenca solli në vëmendje kontributin e shumëfishtë të BB për progresin ekonomik, njerëzor dhe institucional të vendit.

Të pranishëm në zhvillimin e saj ishin ministra të kabinetit qeveritar, Drejtorja  e BB dhe koordinatorja rajonale për Evropën, zonja Jane Armitage, përfaqësuesja  e përhershme  e zyrës së BB në Shqipëri, zonja Kseniya Lvovsky, ambasadori i BE në vendin tonë, Ettore Sequi, përfaqësues të sektorit privat, shoqërisë civile, medias, partnerëve për zhvillim, etj.

Duke marrë fjalën, kryeministri Berisha shprehu mirënjohjen më të thellë si dhe vlerëimin më të lartë për rolin, kontributin dhe ndihmesën e shkëlqyer që BB i ka dhënë Shqipërisë dhe shqiptarëve gjatë këtyre 20 viteve. Kryeministri theksoi se falë këtij kontributi, i cili është konkretizuar në një sërë projektesh të rëndësishme, shqiptarët sot i janë mirënjohës BB për ndryshimet thelbësore që kanë pësuar fusha të tillë si infrastruktura, arsimi, shëndetësia, energjia, ku mbështetja e këtij institucioni është themelore.

Kryeministri shprehu falënderimet për të gjithë drejtuesit aktual të BB, por edhe ata që kanë drejtuar Institucionin përgjatë 20 viteve, të cilët me ekspertizën dhe përkushtimin e tyre, si dhe universin e reformave për të cilat u bënë promotorë së bashku me autoritete shqiptare, u shndërruan në faktorë kryesorë të transformimit epokal të Shqipërisë.

Në përshëndetjen e tij, Kryeministri Berisha u shpreh:

“Sot jemi mbledhur të nderojmë një ngjarje të shënuar në historinë  e këtij vendi, 20 vjetorin e bashkëpunimit të Shqipërisë me Bankën Botërore. Dua të theksoj që në fillim se fjalët e para që burojnë nga zemra dhe vijnë në mendje janë mirënjohja më e thellë, vlerësimi më i madh, për rolin, kontributin, ndihmën e shkëlqyer që BB i ka dhënë shqipërisë3 dhe shqiptarëve në këto 20 vite. Dua të theksoj këtu se 20 vite me radhë, ky vend, ky komb ka patur tek BB partnerin më të shkëlqyer.

Shqiptarët sot nga jugu në veri nga lindja në perëndim gjejnë autostrada, rrugë, ura në fshatrat dhe qytetet e tyre. Gjejnë porte, shkolla, spitale, qendra shëndetësore, gjejnë termocentrale dhe vepra të tjera të mëdha të financuara nga ndihma bujare  e BB.

E dashur Jane dhe të dashur të pranishëm , krahas kësaj ndihme edhe një tjetër ndihmë edhe më e madhe se kjo është e padukshme, por ndihmë që qëndron në themel të të gjitha arritjeve të këtij vendi.

Si dëshmitar i një bashkëpunimi të gjatë në këto 20 vite, unë nuk mund të ndalem këtu pa shprehur mirënjohjen time më të thellë ndaj ish Zv/ presidentit të BB Kemal Dervish, ekspertëve të shquar të saj dhe të gjithë drejtorëve të rajonit dhe vendit dhe shefave të misionit dhe ekipeve të tyre, presidentit të saj James Wolfensohn, zv/ presidentit dhe presidentit që nuk janë më në detyrë deri tek të gjithë drejtuesve dhe punonjësve të saj.

Zonja dhe zotërinj, këta burra dhe gra erdhën në Shqipëri me një përkushtim dhe një respekt të madh në këtë vend, i cili 20 vjet më parë përpëlitej në mjerimin më të thellë. Ata, në zemër të Evropës do të gjenin Ugandën dhe Angolën, çka ishte një befasi e madhe dhe e pabesueshme, do të gjenin pushtetarët dhe zyrtarët, të cilët kishin njohuritë më minimale për të mos thënë afër zeros për sistemin që ndërtonin. Do të gjenin një megapol të mjerimit njerëzor. Kjo ishte Shqipëria  e 20 viteve më parë. Ekspertiza e tyre, përkushtimi i tyre, universi i reformave të për të cilat këta u bënë promotorë së bashku me autoritetet shqiptare u shndërruan në faktorë kryesorë të transformimit epokal të Shqipërisë. Prapa rrugëve, prapa urave, prapa termocentraleve, pra të gjithë këtyre qëndrojnë reformat e mëdha të këtyre sistemeve për ti sjellë ato në përmasat dhe parametrat e një vendi të lirë. Por ka dhe një arsye tjetër të fortë që unë jam thellësisht mirënjohës ndaj tyre, sepse BB në këto 20 vjet , unë mund tu dëshmoj qytetarëve shqiptarë, secilit prej tyre se ajo ka qenë një avokate  e dhimbsur dhe e shkëlqyer e interesave të tyre. Se ky institucion në asnjë rast dhe asnjë rrethanë nuk ka injoruar efektet dhe dhimbjet e reformave, por krahas tyre ka bërë gjithçka që ti zbusë këto dhimbje, ka bërë gjithçka që të qëndrojë në anën e atyre që janë më në nevojë. Institucioni ka nderuar parimet mbi të cilat është krijuar. James Wolfensohn do të shpallte vite më parë, luftën kundër varfërisë si lajtmotivin e punës së këtij institucioni. Pati dhe kritika, por parimi dhe motoja ishin ndër më të ndershmet, më fisniket. Natyrisht Banka nuk ka shkopin magjik. Më shumë se nga banka varet nga duart e qeverive dhe administratave, për të dëshmuar vullnet të hekurt, për të nxjerrë qytetarët  e tyre nga varfëria. Por ato që deshën, ata që dëshmuan vullnet për të përfituar nga kjo moto ata bënë shumë për qytetarët e tyre dhe i shkëputën nga varfëria.

Së fundi kam një gjë personale dhe nuk mund të mos e them , sepse jemi në një moment reflektimi të 20 vjetorit. Shqipëria kaloi një nga momentet më dramatike me skemat piramidale dhe një burrë që arriti të bëhej edhe zv/preisdent i BB do të gjente forcën dhe integritetin qytetar për të kërkuar falje publike se nuk arriti të parandalonte firmat piramidale në Shqipëri. Unë kurrë ndonjëherë nuk kam akuzuar Bankën apo ndonjë institucion tjetër për zhvillimin e tyre, dhe nuk më ka shkuar ndër mend. Po zoti Lin duke ditur bashkëpunimin e ngushtë që ne kishim mendoi se ndofta duhet të kishte qenë më i vëmendshëm për parandalimin e tyre, gjë që përbën  një moment të shkëlqyer transparence në bashkëpunimin tonë të shkëlqyer.

Banka këto vite ka arritur të përshtatet me stadet e zhvillimit të vendit në mënyrë të shkëlqyer. Në qoftë se ju analizoni axhendën e bankës, ajo gjatë këtyre viteve që Shqipëria ka kaluar në grupin e vendeve, në një vend të mesëm të lartë, ka ofruar shumë projekte nevralgjike shumë të rëndësishme, siç është projekti për energjinë, siç është projekti për bregun e Jugut, siç është projekti për arsimin dhe projekti i fundit.

Në takimin që pata dje me zonjën Armitage e vlerësova shumë , janë projekte të cilat synojnë të ndihmojnë qytetarët shqiptarë, projekte që synojnë të parandalojnë, të mbrojnë më shumë këtë vend nga kjo krizë e thellë, e cila do të jetë mesa duket një krizë afatgjatë. Shqipëri është e vendosur të thellojë më tej këtë bashkëpunim, sikundër projektet e saj të zhvillimit janë jetike për këtë vend.

Ne besojmë se investimet janë përcaktuese për mbrojtjen e Shqipërisë nga kriza, për zhvillimin e mëtejshëm të vendit dhe afrimin e mëtejshëm dhe integrimin në BE. Duhet të kemi të qartë se Shqipëria nuk mund të integrohet në BE, një grup tërësisht i të pasurve , si një vend i varfër. Shqipëria duhet të bëjë gjithçka për të arritur nivelin e vendeve të zhvilluara në të ardhura. Sigurisht që rrugën nuk e ka të thjeshtë, e ka të vështirë, por duke patur parasysh “quantum live” që ajo ka bërë në këto dy dekada, e konsideroj këtë plotësisht të mundshme. Unë u ndala në disa aspekte të këtij bashkëpunimi frytdhënës, një investim prej 1,4 miliard dollarë, pa llogaritur këtu shumë miliardë të hequra nga ky lloj investimi. Pa llogaritur këtu miliardat të krijuara nga reformat e financuara nga ky investim, ndaj edhe njëherë duhet tu shpreh mirënjohjen më të thellë, ju zonja Armitage, Kseniya Lvovsky dhe të gjithë ekipit tuaj, të uroj edhe njëherë megjithëse e kam uruar zotin Kim në detyrë, dhe të shpreh besimin se do të vijë të vizitoj Shqipërinë. Me të ndajmë pasionin e madh për njeriun dhe profesionin  e mjekut.


05/10/2012

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›