Kryeministri Berisha: Evropa me infrastrukturën më moderne do të jetë në pragun e derës së çdo qytetari të Fierit dhe të Shqipërisë
- Jam këtu për tu zotuar se Shqipëria e vuajtjes dhe e dhimbjes, është Shqipëria e përkushtimit tim më të madh për ti lehtësuar ato, sepse unë Sali Berisha do të bëj çdo përpjekje, derisa dhe qytetari i fundit i këtij vendi të zerë vendin e punës. Lufta e pamëshirë kundër varfërisë dhe mjerimit është përparësia ime absolute.
Kryeministri Berisha zhvilloi sot pasdite një takim me qytetarë të Fierit dhe të zonave përreth. Në fjalën e mbajtur me këtë rast, Kryeministri u shpreh:
"Të dashur, qytetarë të Fierit, Mallakastrës, Myzeqesë dhe gjithë Shqipërisë
Ju përshëndes sot përzemërsisht në këtë shesh dhe dua t’ ju shpreh mirënjohjen time secilit prej jush për kontributin, për ndihmesën që dhatë në këto 4 vite në ndryshimin e madhe të Fierit dhe të Shqipërisë, kontributin që dhatë për shndërrimin e Fierit, shndërrimin e Shqipërisë në një qytet anëtar, në një vend anëtar të Aleancës së Atlantikut të Veriut , të aleancës më të fuqishme të lirisë që kohërat kanë njohur në tërë historinë e njerëzimit. Ju falënderoj ju, qytetarë të Fierit, për ndihmën dhe kontributin që dhatë për ta bërë Fierin dhe Shqipërinë një nga qytetet, një nga vendet, më të sigurta në rajon dhe në Evropë. Dua tu falënderoj ju që me mundin dhe djersën tuaj, me punën tuaj dhe reformat e qeverisë bëtë që Shqipëria të ngrihet në zenitin e rritjes ekonomike në Evropë, të zerë vendin e parë, për dy vite rresht.
Qytetarë dhe qytetare të Fierit,
Ne mblidhemi sot në këtë shesh si burrat dhe gratë , djemtë dhe vajzat që kemi mbajtur fjalën tonë, që kemi mbajtur premtimet tona. Katër vite më parë ne u premtuam myzeqarëve, mallakastriotëve, çamëve dhe kosovarëve, në këtë shesh, se pensionet e të moshuarve tanë në fshatra do të dyfishohen dhe pensionet në qytet do të rriten 50 deri në 70 % të tyre.Ja ku jemi sot me premtimin tonë të mbajtur. Katër vite më parë ne ju kemi premtuar qytetarëve të Fierit se mësuesit e shkollave të fëmijëve të tyre, infermierët e spitaleve dhe të qendrave shëndetësore do të kenë dyfishim të pagave. Sot jemi në këtë shesh me premtimin tonë të mbajtur. Katër vite më parë ne ju premtuam ju të dashur qytetarë investime të mëdha për rrugët, ujësjellësat kanalizimet, shkollat, qendrat tuaja shëndetësore. Sot jemi para jush ndërkohë që kemi investuar 16 miliardë lekë në qarkun tuaj, kundrejt vetëm 1,7 miliard lekë të investuara në 4 vitet para këtyre viteve.
Kemi ndërtuar dhe rindërtuar rrugë të mëdha kombëtare, rrugë të tjera , por sot jam këtu për tu dhënë ju fjalën se në katër vitet e që vijnë çdo rrugë, çdo rrugicë e këtij qyteti e këtij qarku do të jetë asfalt dhe vetëm asfalt. Fieri evropian, fierakët dhe fieraket evropiane nuk mund të jenë mund të jenë të tillë në se nuk lëvizin në rrugë të standardeve evropiane. Evropa me infrastrukturën më moderne do të jetë në pragun e derës së çdo qytetari të Fierit dhe të Shqipërisë.
Katër vite më parë u zotuam se do të harrojmë terrin dhe ndërprerjen e dritave dhe ja ku jemi sot, para jush, krenarë për premtimin e mbajtur. Ne katër e vitet e ardhshme jam këtu për tu zotuar se çdo familje e Fierit dhe e Shqipërisë do të ketë ujë 24 orë. Ky është premtimi ynë. Në katër vitet që shkuan ne ndërtuam në Fier dhe në mbarë Shqipërinë standardet, praktika, rregulla, zhvillim, të cilat bënë që të 27 vendet anëtare të BE-së të pranojnë kërkesën tonë për vend anëtar të BE-së. Sot zotohem para jush se brenda vitit të parë të mandatit të dytë, ju do të lëvizni të lirë, në mbarë Evropën, pa viza, si qytetarë të saj.
Qytetarë dhe qytetare të Fierit,
Fieri evropian dhe Shqipëria evropiane kërkon para së gjithash dhe mbi të gjitha që ju te keni punë, që qytetarët e Fierit dhe të mbarë Shqipërisë të kenë punë. Jam këtu për tu zotuar se Shqipëria sociale, Shqipëria e vuajtjes dhe e dhimbjes është Shqipëria e përkushtimit tim më të madh për ti lehtësuar ato, sepse unë Sali Berisha do të bëj çdo përpjekje, derisa dhe qytetari i fundit i këtij vendi të zerë vendin e punës. Lufta e pamëshirë kundër varfërisë dhe mjerimit është përparësia ime absolute. Ne që nxorën në katër vite mbi 400 mijë shqiptarë nga varfëria, ne që në katër vite punësuam jo më pak se 80 mijë vetë, jemi të vendosur se në katër vitet që vijnë në këtë tokë, në këtë vend, do të punësohen, së paku 160 mijë vetë. Shqipëria do të ketë përqindjen e papunësisë, më të ulët, se së paku 6 vende anëtare të BE-së .
Udhëtimi ynë, rruga jonë, është garë dhe vetëm garë. Nuk mund të jemi ne qytetarë evropianë, duke qëndruar pas, por kam besim të madh se turravrapi ynë nuk do të ndalet më se katër vitet që vijnë në Fier dhe në të gjithë Shqipërinë, ju do të gëzoni të gjitha të drejtat, të gjitha favoret që gëzojnë së paku 6 vendet anëtare të BE-së. Ne kemi lënë pas dy vende në paga dhe pensione dhe do të leme pas edhe 4 vende në turravrapin tonë. Ne kemi një nga vendet më të pasur a që mund të jetë. Ne jemi njerëz të fortë , ne jemi njerëz të sakrificës, ne jemi njerëz të solidaritetit familjar. Ne e duam punën dhe unë jam i bindur që në katër vite së bashku, do ta çojmë Shqipërinë drejt këtij horizonti, të cilin sot syri ynë nuk e kap dot. Në këto katër vite ne së bashku do të qëndisim, Fierin, do të qëndisim Myzeqenë, Mallakastrën, mbarë Shqipërinë, nuse për anëtare në BE. Ne iu jemi mirënjohës miqve tanë, me mirënjohje të pakufishme, për të gjithë mbështetjen që na kanë dhënë. Por ne nuk kërkojmë asgjë që nuk na takon, sepse ato që kërkohen nga ne janë mirësitë e mëdha për ju qytetarë të Fierit dhe të mbarë Shqipërisë.
Katër vitet që vijnë Fieri do të shndërrohet në një nga epiqendrat më të rëndësishme industriale të Shqipërisë, me universitetin e tij,me tregjet e mëdha, me zonat reja turistike, me parqet e mëdha energjetike, ndaj dhe le ta shndërrojmë këtë fushatë, në festën e fitores sonë të madhe, le ta shndërrojmë këtë fushatë në bashkimin tonë të madh në historinë e këtij kombi, le të bashkohemi së bashku rreth Fierit evropian, Shqipërisë evropiane, drejt të ardhmes sonë më të mirë, le të vazhdojmë ndryshimin. Rruga jonë nuk ka kthim , kjo është rruga e nderit, rruga e integrimit, rruga e begatisë, rruga e dinjitetit,
Rroftë Fieri , rroftë Shqipëria!"
04/06/2009