E Shtunë, 31 Tetor 2026

Konferencë për shtyp e Kryeministrit Berisha me Kryeministrin Erdogan

Kryeministri Berisha dhe Kryeministri Erdogan dhanë, pas takimit mes tyre, një konferencë të përbashkët për shtyp.

Kryeministri Berisha: Sapo përfunduam një takim shumë të përzemërt me delegacionin e Republikës së Turqisë, të kryesuar nga Kryeministri Erdogan. Unë gjithashtu pata një takim kokë më kokë me Kryeministrin Erdogan. Shfrytëzoj rastin për t’i shprehur edhe një herë mirëseardhjen dhe përshëndetjen time të përzemërt dhe të mbarë qytetarëve shqiptarë Kryeministrit Erdogan, mik i shquar dhe i madh i kombit shqiptar dhe i Shqipërisë.  

Dy vendet tona janë të lidhura me mijëra fije historike në të shkuarën e tyre dhe me lidhje tradicionale miqësore. Gjatë qeverisjes së Kryeministrit Erdogan marrëdhëniet midis dy vendeve mike, Shqipërisë dhe Turqisë kanë njohur zhvillimet më të mëdha dhe kjo para së gjithash për shkak të vendosmërisë dhe ndjenjave miqësore të Kryeministrit Erdogan për forcimin dhe konsolidimin e këtyre marrëdhënieve.

Unë do të ndalem vetëm në disa fakte. Investimet e Turqisë në Shqipëri nga 38 milion dollarë që ishin në vitin 2002, sot janë 620 milion dollarë dhe janë të shtrira në të gjitha fushat, në infrastrukturë, metalurgji, telekomunikacion, tekstile, shëndetësi, arsim dhe shumë fusha të tjera. Bashkëpunimi midis dy vendeve tona në tregti ka njohur një rritje të shpejtë. Marrëveshja e Tregtisë së Lirë, e cila hyn në fuqi në muajin maj, do të fuqizojë më tej këto shkëmbime.

Turqia është një vend mik me një kontribut shumë të çmuar në të gjitha përpjekjet e Shqipërisë për anëtarësimin në NATO. Jo vetëm në kuptimin e mbështetjes së plotë politike, por Forcat e Armatosura të Turqisë kanë dhënë një ndihmë të gjithanshme të çmuar Forcave të Armatosura të Shqipërisë në arsimim, pajisje, logjistike dhe të gjithanshme, për t’u mundësuar atyre arritjen e standardeve të domosdoshme për anëtarësimin e vendit në NATO. Njësitë tona janë së bashkë me njësit turke në Kabul.

Marrëdhëniet në fushën e drejtësi janë po kaq të mira.

Qeveria turke dhe Kryeministri Erdogan janë ndër më të parët që njohën pavarësinë e Kosovës. Delegacioni turk mbështeti fuqishëm në Senegal përfshirjen të një paragrafi për Kosovën në rezolutë.

Shqipëria mbështet kandidaturën e Turqisë në Këshillin e Sigurimit.

Është bindja ime se finaliteti territorial i Bashkimit Europian nuk do të mund të plotësohet pa integrimin e Turqisë në BE.

Kryeministri Erdogan, me reformat e mëdha që ka ndërmarrë në vendin e tij, ka treguar përkushtimin e madh ndaj vlerave të lirisë, demokracisë dhe prosperitetit të qytetarëve të këtij vendi.

Ne diskutuam shumë çështje, por, ndër më të rëndësishmen, do të veçoja interesimin e Kryeministrit Erdogan për të inkurajuar sipërmarrjen e gazit të Turqisë BOTASH të bashkëpunojë me konsorciumin zviceran IGL për gazsjellësin që kalon nëpër territorin e Shqipërisë. Ne i jemi shumë mirënjohës dhe kjo përbën një ndihmë dhe mbështetje shumë e madhe për Shqipërinë.

Zonja dhe zotërinj, duke ia dhënë fjalën mikut tim, Kryeministrit Erdogan, dëshiroj edhe një herë të shpreh mirënjohjen më të thellë për të gjithë mbështetjen e madhe e miqësore të tij ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve dhe të qeverisë dhe vendit të tij. Dëshiroj ta siguroj se qeveria që unë drejtoj mbetet e vendosur të punojë për marrëdhëniet vëllazërore ndërmjet dy vendeve e kombeve tona, në interesin më të mirë të tyre, si dhe paqes e stabilitetit në rajon.

Kryeministri Erdogan: Vizitën time të parë e kam zhvilluar në vitin 2005. Këtë herë unë  po vij sërish me disa ministra, deputetë dhe përfaqësues të tjerë të qeverisë time dhe ndihem i lumtur e i kënaqur që ndodhem në Shqipëri. Ballkani në përgjithësi dhe veçanërisht Shqipëria zënë  një vend të veçante në politikën e jashtme të Turqisë. Në këto 17 vitet e fundit, Turqia vazhdon t'i japë  ndihmë dhe mbeshtetje Shqipërisë, te cilat do të vijë gjithnjë në rritje.

Lidhjet miqësore dhe vëllazërore me Shqipërinë janë në nivele të larta. Ne kemi një bashkëpunim të frytshëm në shumë fusha, si në atë të mbrojtjes, në fushën ekonomike, kulturore, tregtare etj.

Në takimin kokë më kokë që pata me Kryeministrin Berisha, ashtu dhe në takimin  mes dy delegacioneve ne diskutuam për çështje me interes të përbashkët, si dhe për çështje rajonale dhe ndërkombëtare. Vështrimet tona në politikë përputhen me njëri-tjetrin dhe midis dy vendeve tona nuk ka asnjë problem për këtë çështje.

Ashtu siç ka ndodhur deri tani, edhe në të ardhmen do të vazhdojmë të ndihmojmë për arsimimin e ushtarakëve shqiptarë. Siç u shpreh  dhe Kryeministri, një repart ushtarak shqiptar ndodhet në Afganistan krah për krah me ushtarët tanë.

Ne po hedhim hapa gjithnjë e më të mëdha në shkëmbimet tregtare dhe ekonomike. Po rritet vëllimi ynë tregtar dhe tani ka arritur në 318 milion dollarë. Sigurisht që kjo shifër nuk është e mjaftueshme dhe duhet ta rrisim në të ardhmen. Ne jemi të hapur që të marrim nga Shqipëria, çfarë ajo ofron.

Dëshiroj të theksoj se në vitin 2002, kur erdhi në fuqi qeveria që unë drejtoj, investimet turke në Shqipëri shënonin një shifër prej rreth 38 milion dollarë, ndërsa sot kjo shifër ka arritur në 620 milion dollarë.

Investimet turke do të vazhdojnë edhe në ardhmen në fusha të tilla si në ndërtim, telekomunikacion, metalurgji, sistemin bankar, arsim etj.

Sigurisht është e dobishme që të ketë një  larmi sa më të madhe në këto investime. Mund të ketë shtrirje dhe në transport dhe turizëm. Vendi ynë ka një eksperience të fuqishme  në infrastrukturën e turizmit. Ne presim në Turqi edhe sipërmarrësit shqiptarë, të cilët, së bashku me investitorët tanë mund të bëjnë investime të përbashkëta drejt vendeve të treta, duke realizuar në këtë mënyrë një shkëmbim përvojë mes tyre. Është e vërtetë se turizmi inkurajon dhe solidaritetin mes popujve.

Për sa i përket sektorit të arsimit, ekzistojnë mundësitë që të shtohet numri i studentëve shqiptarë që ndjekin studimet e larta në Turqi. Këtë ia shpreha edhe zotit Kryeministër. Duhet të theksoj edhe një herë  se i kushtojmë shumë rëndësi arsimit. Unë mendoj se me nënshkrimin e marrëveshjes së sotme do të shfrytëzojmë më mirë potencialet që kemi në këtë fushë.

Ndër të tjera, dëshiroj të ritheksoj edhe një herë vendosmërinë e Turqisë për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. Në Samitin e Bukureshtit, i cili do të zhvillohet në prill të këtij viti, ne do të mbështesim anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, krahas anëtarësimit të Kroacisë dhe Maqedonisë.

Për sa i përket çështjes së gazit natyror është ende i vlefshëm premtimi ynë që gazsjellësi që siguron gazin nga deti Kaspik e që kalon nga  Turqia, Greqia dhe shkon në  Itali të degëzohet drejt Shqipërisë. Unë do t'ia  përsëris këtë kërkesë, institucionit tonë përkatës në këtë fushë.

Dëshiroj të falënderoj shumë kolegun tim, Kryeministrin Berisha për ndihmën që do të na japë Shqipëria për anëtarësimin si kandidat i përkohshëm në Këshillin e Sigurimit në vitin 2009-1020.

Për sa i përket çështjes së Kosovës, hapi që ne hodhëm qe nevojë e lidhjeve historike dhe kulturore që kemi  me ta. Vendimi ynë ishte i nevojshëm për paqen, stabilitetin dhe prosperitetin e Ballkanit. Unë mendoj se ky vendim do të jetë një shkak dhe një arsye për shumë të mira në të ardhmen.

Unë uroj dhe dëshiroj që këto takime kaq frytdhënëse që zhvilluam sot, si ai midis dy kryeministrave, ashtu dhe ai mes dy delegacioneve, si dhe takimi që kanë zhvilluar deputetët tanë të grupit të miqësisë Shqipëri-Turqi me deputetët shqiptarë të këtij grupi në parlament, do të jenë një arsye më e fortë dhe një nxitje më e madhe për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve tona.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›