Kryeministri Erdogan: Turqia e vendosur për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, në Samitin e Bukureshtit
Kryeministri Sali Berisha mirëpriti sot në një takim të veçantë Kryeministrin e Republikës së Turqisë Recep Tayyip Erdogan. Pas takimit kokë më kokë, u zhvilluan bisedimet mes dy delegacioneve, të kryesuara nga dy kryeministrat.
Kryeministri Berisha, duke i vlerësuar marrëdhëniet mes dy vendeve historike, i uroi mirëseardhjen Kryeministrit Erdogan si mik i Shqipërisë dhe shqiptarëve. Ai shprehu mirënjohjen për mbështetjen që Turqia i ka dhënë dhe vazhdon t’i japë Shqipërisë në të gjitha fushat si në atë të mbrojtjes, ekonomike, në fushën e arsimit, të shëndetësisë etj.. Nga ana e tij, Kryeministri Erdogan u shpreh se vizita e tij në Shqipëri i shërben forcimit të mëtejshëm të marrëdhënieve mes dy vendeve.
Kryeministri Berisha shprehu veçanërisht mirënjohjen për ndihmën dhe mbështetjen e Turqisë në përpjekjet e Shqipërisë për anëtarësim në NATO, e cila ka qenë jo vetëm politike, por edhe në drejtim të mbështetjes së reformimit të Forcave të Armatosura Shqiptare.
Kryeministri Erdogan shprehu mbështetjen e plotë të Turqisë për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, në Samitin e Bukureshtit. Turqia, - theksoi Kryeministri Erdogan, - do të vazhdojë të japë të gjithë ndihmën dhe kontributin e nevojshëm për modernizimin e ushtrisë shqiptare.
Kryeministri Berisha theksoi se midis dy vendeve ekziston një infrastrukturë ligjore bashkëpunimi e zhvilluar, që mundëson thellimin dhe rritjen në një nivel edhe më të lartë të bashkëpunimit dypalësh.
Duke u ndalur në marrëdhëniet ekonomike, dy delegacionet konstatuan me kënaqësi se bashkëpunimi ekonomik ndërmjet vendeve është rritur ndjeshëm. Bashkëpunimi dypalësh ka njohur rritje në shumë fusha, veçanërisht në infrastrukturë, metalurgji, në fushën e telekomunikacionit, që reflektohet edhe në rritjen e investimeve turke në Shqipëri nga 38 milion dollarë në vitin 2002, në 620 milion dollarë sot, si edhe në rritjen e shkëmbimeve tregtare. Marrëveshja e Tregtisë së Lirë, e cila hyn në fuqi në muajin maj, do të fuqizojë më tej këto shkëmbime.
Ndër të tjera, Kryeministri Erdogan shprehu gatishmërinë e qeverisë turke për të nxitur edhe më shumë shtimin e investimeve turke në Shqipëri, në fusha të tilla si turizëm, ndërtim, telekomunikacion, metalurgji, sistemin bankar. Në kuadër të shkëmbimit të përvojës në sektorin e investimeve, veçanërisht në fushën e turizmit, kryeministri turk theksoi se do të ishte në interes edhe të investitorëve shqiptarë që, së bashku me ata turq, të projektonin investime të përbashkëta drejt vendeve të treta.
Duke u ndalur në zhvillimet në Kosovë, dy kryeministrat ndanë të njëjtin mendim se pavarësia e saj i shërben paqes dhe stabilitetin në rajon.