Kryeministri Berisha: Shqipëria ofron potenciale të mëdha për investimet turke
Kryeministri Berisha dhe Kryeministri i Republikës së Turqisë, Recep Tayp Erdogan, ishin të pranishëm sot në takimin me Këshillin e Biznesit turko-shqiptar .
Kryeministri Berisha i ka shprehur edhe njëherë Kryeministrit Erdogan mirëseardhjen e përzemërt duke nënvizuar se kjo vizitë përbën një zhvillim kulmor në marrëdhëniet tradicionale të shkëlqyera mes dy vendeve tona mike.
“Dua të theksoj këtu se në meritën e madhe të Kryeministrit Erdogan qëndron fakti se marrëdhëniet ekonomike gjatë qeverisjes së tij njohën një shumëfishim të shpejtë. Nga 38 milionë dollarë investime turke në Shqipëri sot janë mbi 620 milionë dollarë të investuara në të gjitha fushat e rëndësishme në metalurgji, hidrokarbure, telekomunikacion, banka, tekstile dhe prodhime të tjera”, tha Kryeministri Berisha duke nënvizuar se një rritje të konsiderueshme pësuan edhe shkëmbimet tregtare mes dy vendeve.
Më tej Kryeministri Berisha theksoi se Shqipëria pret me kënaqësi hyrjen në fuqi të Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë në muajin maj, duke shprehur bindjen se ritmi i shkëmbimeve tregtare mes dy vendeve do të njohë nivele të reja dhe shumë të larta.
Duke renditur disa nga reformat ekonomike, Kryeministri Berisha theksoi se qeveria shqiptare ka bërë përpjekje të mëdha për të krijuar një klimë miqësore ndaj biznesit, duke përcaktuar dy qëllime kryesore; shndërrimin e Shqipërisë në vendin me barrën fiskale dhe koston e prodhimit më të ulët në Europë.
“Në funksion të këtyre dy objektivave ne kemi ndërmarrë një revolucion të vërtetë fiskal, reduktuam tatimin mbi fitimin nga 25 % në 10%, realizuam uljen e tatimit mbi të ardhurat nga 23 % në 10 % , realizuam përgjysmimin e taksës për biznesin e vogël dhe kemi ulur taksën sociale me 31 %”, u shpreh Kryeministri Berisha.
Kryeministri theksoi se shumë shpejt qeveria shqiptare do të shtrijë shërbimin e taksës on-line në të gjithë vendin, për t`u ofruar biznesmenëve shërbimet më të mira dhe më të lehta për të lehtësuar shërbimet ndaj tij.
Gjithashtu Kryeministri Berisha njohu përfaqësuesit e biznesit turk, se me anë të nismës “Shqipëria 1 euro”, ata mund të lidhin kontrata për shfrytëzimin e tokës për qëllime turistike, industriale apo bujqësore.
“Ne kemi thjeshtuar shumë burokracinë ndaj biznesit, nga një vend me 42 ditë kohë regjistrimi, sot regjistrimi i biznesit bëhet me one-stop-shop dhe prokurimet e dikurshme po zëvenmdësohen me prokurimin elektronik. Këtë vit nisi puna për të finalizuar sa më shpejt one-stop-shop për licensat dhe lejet”, deklaroi Kryeministri Berisha.
Gjatë fjalës së tij Kryeministri Berisha e vuri theksin në potencialet e mëdha për investime, që ofron Shqipëria veçanërisht në turizëm, miniera dhe burime hidrike.
Në përfundim të fjalës së tij Kryeministri përshëndeti bizneset turke që operojnë në Shqipëri, ndërsa i siguroi ata dhe të gjithë biznesin turk në tërësi, se do të gjejnë në Shqipëri lehtësitë e nevojshme për të investuar, burime dhe potenciale të mëdha, por edhe një qeveri mike që do të bëjë çddo përpjekje për lehtësimin e këtyre investimeve.