E Shtunë, 31 Tetor 2026

Konferencë për shtyp e Kryeministrit Berisha, një ditë pas festimeve për 100 vjetorin e pavarësisë

"Jam sot para jush për të shprehur, tani, pas përfundimit të festimeve të 28 nëntorit, mirënjohjen, falënderimet më të përzemërta të miat dhe të qeverisë shqiptare, për të gjithë ata të cilët bënë të mundur që Tirana, Vlora, Shqipëria, të përjetojnë ditën më festive të shekullit që kaloi, festën më të bukur në tërë ekzistencën e tyre.

Por, siç e do rendi, falënderimi dhe mirënjohja më e parë është për miqtë dhe të ftuarit, të cilët na nderuan aq shumë me delegacionet që dërguan. 57 vende mike u përfaqësuan në rang të deleguarish, direkt nga kryeqytetet e tyre. Po kështu, 12 organizata të fuqishme ndërkombëtare dërguan të deleguarit e tyre, për të festuar 100 vjetorin e pavarësisë me popullin shqiptar.

Me këtë rast, më lejoni të shpreh mirënjohjen më të thellë për të gjithë ato vende mike që dërguan përfaqësuesit e tyre të lartë për të festuar në datën 28 nëntor 100 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë, me shqiptarët.

Dua të falënderoj të gjitha vendet e tjera, me shumë respekt e mirënjohje, që u përfaqësuan me ambasadorët e vendeve të tyre të akredituar në Shqipëri, ose rezident në vende të tjera.

Dua të falënderoj Presidentin Filip Vujanovic të Malit të Zi, i cili nderoi Shqipërinë me praninë e tij, të falënderoj Presidentin e Partive Popullore Evropiane, personalitetin e shquar të mbarë Evropës, kryeministër disa herë i Mbretërisë së Belgjikës, z. zotin Wilfred Martens, të falënderoj kryetarin e Dhomës së Deputetëve të Italisë, mikun e shquar të kombit shqiptar Gianfranko Fini, të falënderoj Kryetarin e Senatit të Pakistanit Senator Muhmmad Jehangir Bader, të falënderoj Presidentin e dytë tw Parlamentit të Austrisë Fritz Neugebauer, të falënderoj mikun tim Viktor Orban, Kryeministër i Hungarisë, të falënderoj Kryeministrin e Kroacisë Zoran Milanović, të falënderoj Kryeministrin e Sllovenisë z. Janez Janša, Zëvendëskryeministrin e Turqisë z. Bekir Bozdag, Zëvendës kancelarin e Austrisë dhe ministër i Punëve të Jashtme, mikun e shquar të kombit shqiptar Michael Spindelegger, të falënderoj Zëvendës Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s Alexander Verbshow, të falënderoj Presidentin e Delegacionit Ndër-parlamentar për Evropën Juglindore  në Parlamentin Evropian, i dërguari i Presidentit të Parlamentit Evropian, Eduard Kukan, Nënkryetarin e Parlamentit të Bullgarisë Georgi Pirinski, nënkryetarin e Parlamentit të  Polonisë Jerzy Wenderlich, Zëvendës Presidentin e Parlamentit të Marokut Mohammed Abbou, Ministrin e Komunikimit të Punës dhe Çështjeve Sociale të Kuvajtit Salem al –Thaina, Ministrin e Kulturës Rinisë dhe Zhvillimit të Komunitetit të Emirateve të Bashkuara Abdul Rahman Mohammed Bin Nasser al Owais, Ministrin e Kulturës të Azerbajxhanit Abulfaz Garayev, Ssekretarin e Shtetit të Katarit Ali Bin Fahad al-Hajri, Sekretarin e Shtetit të Kryeministrit të Hungarisë, z.Péter Szijjarto, Zëvendësministrin e Punëve të Jashtme të Rumanisë Dan Petre, Kryetarin e Grupit të Miqësisë Francë-Shqipëri në senatin francez Michel Berson, Kryetari i Komisionit të Bujqësisë në Parlamentin turk Rifat Sait,  Senatori i Jordanisë Abdallh Akayleh, Kryetari i Komisionit të Jashtëm të Parlamentit hungarez Mihaly Balla, Asistent në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Serbisë Zoran Vujiç, Sekretari i Përgjithshëm i Bsec-ut Victor Tvircun,  dhe shumë e shumw delegacione të tjera.

Ardhja e tyre ishte një nderim i madh, një respekt i veçantë, duke e bërë këtë ceremoni të 100 vjetorit një festë të vërtetë ndërkombëtare. Ardhja e tyre ishte dëshmi e një vlerësimi të arritjeve të Shqipërisë dhe të kombit shqiptar, në 100 vjetorin e tij.

Më parë, në kuadrin e 100 vjetorit, Shqipërinë e vizitoi, në një vizitë historike, Sekretarja e Shtetit Hilary Klinton. Presidenti Obama, përveç telegramit në një frymë miqësore që i dërgoi Presidentit Nishani, në datën 27, zyra e shtypit e Shtëpisë së Bardhë botoi një deklaratë  të tij, që i drejtohej shqiptarëve me urimet më të përzemërta për sukseset dhe ku i garantonte për miqësinë e ngushtë që ekziston midis Shqipërisë dhe SHBA. Sekretarja Klinton dërgoi gjithashtu mesazhin e vet të miqësisë ndaj Shqipërisë, shqiptarëve dhe 100 vjetorit të pavarësisë së tyre.

Unë jam sot këtu për të shprehur një mirënjohje të thellë qytetarëve shqiptarë, atyre vajzave dhe djemve, grave dhe burrave, që me dashurinë e tyre, me qytetarinë e tyre, me fisnikërinë e tyre, me kontributin dhe ndihmesën e tyre, bënë që 28 nëntori, festa e shekullit, të qëndronte lart dhe të merrte përmasa të paimagjinueshme, jo vetëm nga prania në 3 ditët e festës në rrugët, sheshet, lokalet, e Vlorës, Tiranës dhe mbarë Shqipërisë, por nga entuziazmi që gufonte nga zemrat e tyre, nga dashuria e tyre për flamurin, për vendin. E gjithë kjo tregon besimin e madh tek e ardhmja. Kurrë ndonjëherë shqiptarët nuk kanë festuar më bukur e më masivisht sesa 28 nëntorin, festën e shekullit. Pa diskutim, që një nga dy qëllimet më themelore të përpjekjeve të Komitetit Shtetëror të kremtimeve të 100 vjetorit, ka qenë që 28 nëntori të ishte festa më e bukur. Por e vërteta është se qytetarët shqiptarë e nxorën atë jashtë çdo imagjinate, për përmasat, fisnikërinë, entuziazmin, qytetarinë, rregullin, zbukurimet, e në çdo aspektet.

Një mirënjohje të thellë meritojnë këtu të rinjtë, të rejat, fëmijët, vogëlushët, që nuk lëshuan flamurin nga duart, që bënë gjithçka me harenë e tyre, me gëzimin e tyre, që ta bënin këtë festë, festën më të gëzueshme të vendit. Dua të falënderoj shumë përzemërsisht mësuesit e mësueset shqiptare, pasi, në çdo vizitë që kam bërë në këto shkolla, kam gjetur si krye çështje të tyre 100 vjetorin e pavarësisë, kam gjetur si temë kryesore temat e historisë së këtij kombi, të himnit, të flamurit. Shkolla, para së gjithash, është për edukimin.

Unë dua të falënderoj të gjitha autoritetet lokale, në Tiranë, në Vlorë, në Korçë, në Kukës, në Shkodër, në Elbasan, Berat, Gjirokastër e në çdo qytet, në komuna e në të gjitha bashkitë. Ata bënë gjithçka që ky vit jubilar të ishte viti i nderimit të të vërtetave të tyre historike, të vërtetave kombëtare, të vërtetave lokale. Një shpalosje si kurrë më parë e vlerave, përpjekjeve sakrificave të qytetarëve të komunave dhe bashkive, të bijve dhe bijave të tyre, në historinë kombëtare 100 vjeçare.

Unë dua të falënderoj shumë “maratonomakët”, të cilët nga Gjilani, Mitrovica, Shkupi, Kumanova, nga të gjitha trojet shqiptare, u nisën në rrugëtimin e Pavarësisë, atë rrugë që ndoqën prijësit dhe qytetarët e tyre 100 vjet me parë. Ishte një moment tejet prekës, solemn, simbolik, kur kalorës të nisur nga Mitrovica erdhën në Bulevardin “Skënderbe” dhe përfunduan në sheshin e Flamurit, në Vlorë. Por akoma më prekës ishte momenti kur, maratonomakë të nisur nga Gjilani, i dorëzuan Presidentit të Republikës flamurin kombëtar, me të cilin ata kishin marshuar ditë e netë të tëra, për të ardhur, në orën e duhur, në qytetin e Vlorës.

Festa në Tiranë, festa në Vlorë, u parapri nga festa në të katër anët e trojeve shqiptare, nga festime të mëdha në emigracion, në diasporë, në Itali, në Greqi, në SHBA, në Gjermani, në Zvicër, në Austri, Suedi, Norvegji, në Australi, kudo, emigracioni dhe diaspora shqiptare festoi me ndjenjën e krenarisë më të madhe. Një mirënjohje shumë të thellë ndaj tyre, që ndanë gëzimin me bashkëkombasit e tyre në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, në trojet shqiptare.

Në fillim të këtij viti, ne përcaktuam 2 objektiva si më madhorët. Njëri objektiv ishte rishqyrtimi i historisë sonë kombëtare. Historia në Shqipëri ishte falsifikuar në mënyrën më të pa pranueshme, ndërsa në Kosovë kishte qenë e ndaluar. Kam qenë dhe jam i mendimit se njohja e të vërtetave historike, cilatdo qofshin ato, është e domosdoshme. Njerëzit e qytetëruar duan të dinë historinë e tyre, jo për t’u mburrur, por për të nxjerrë mësimet e duhura, në mënyrë që në të ardhmen të mund të shërbejë për të zgjedhur rrugë më të drejta, për të shmangur gabime. Ky ishte qëndrimi ynë, por do ishte e gabuar të mendohej se ky ishte vetëm qëndrimi i Komitetit Shtetëror të Kremtimeve të 100 vjetorit. Jo! Ky ishte një qëndrim i studiuesve, historianëve, publicistëve tanë, të cilët gjatë këtij viti botuan kryevepra të vërteta për çështjet më themelore të historisë së këtyre 100 viteve. Kurrë ndonjëherë, shqiptarët nuk patën mundësi më parë të njohin historinë e tyre. Sot ata kanë mundësi të plotë, falë këtyre botimeve të mrekullueshme, të njohin të vërtetat historitë të kombit të tyre, në 100 vite, të njohin luftën dhe përpjekjet, meritat dhe gabimet e kryera nga udhëheqës e drejtues, në 100 vitet që shkuan. Historia e Shqipërisë, si një moment shumë i rëndësishëm për njerëzit e qytetëruar dhe për të gjithë shqiptarët, nuk është më ajo që ka qenë 1 vit më parë. Unë shpreh një mirënjohje shumë të thellë për të gjithë ata studiues, historianë, publicistë, gazetarë, të fushave të ndryshme, por me pasion për historinë, që shkruan dhe botuan botime të shkëlqyera, botuan libra, monografi, traktate, botuan vëllime të tëra me dokumente të arkivave, përkthyen libra të autorëve të huaj mbi etapa të caktuara të 100 vjetorit të Shqipërisë. Sot, çdo shqiptar që do të ketë një bibliotekë me të vërtetat e mëdha të 100 vjetorit të kombit, i gjen lehtësisht në libraritë e vendit.Dua të shpreh një mirënjohje shumë të thellë ndaj autorëve për shërbimin e madh që i bënë kombit dhe vendit, në 100 vjetorin e pavarësisë.

Por, siç e dini, gjatë këtij viti, ka pasur polemika të shumta në media për çështje të ndryshme. Kurrë ndonjëherë më parë, faqet e gazetave tona nuk kanë qenë të mbushura si gjatë këtij viti, me shkrime, analiza, reagime, kritika, për probleme të ndryshme. Pavarësisht nga diversiteti i mendimeve, unë dua të shpreh falënderimin më të madh, përgëzimet e mia, për të gjithë ata të cilët u angazhuan në këtë proces dhe shprehën lirshëm pikëpamjet e tyre.

Në fillim të këtij viti, u përcaktua si një objektiv nga Komiteti, që të rikthehen në piedestalin e tyre personalitetet, ngjarjet, të cilat kishin luajtur rol përcaktues në zhvillimet e këtij viti. Këtë nuk e bëmë  për të errësuar një ngjarje dhe për të zbardhur një tjetër, ose për të ngritur një personalitet e për të ulur një tjetër. Kurrë jo. Në asnjë rrethanë! Në konceptin tim, të shquarit shkëlqejnë shumë të tepër kur rrethohen nga të shquar dhe jo të vetmuar. Ky është besimi dhe mendimi im. Por, nuk mund të linim kurrsesi, nuk mund të pranonim, që historia të mbetej në shpagejtë e hoxhizmit. Ajo ishte doktrina e falsifikimit të saj, e faktuar katërcipërisht. Historia e këtyre 100 viteve ka shumë drama, ka shumë probleme, por ka edhe mrekulli të vërteta, mrekulli të mëdha shqiptare. E tillë është Kongresi i Lushnjës, por që u bë histori e skajuar për qëllime të caktuara. Ky Kongres nuk mund të mos vihej në piedestalin e vet.

Personalitete të shquara të kombit u vendosën në piedestalin që meritonin, në përputhje me të gjitha përcaktimet e Parlamentit shqiptar. Në unison të forcave politike të pak viteve më parë, u riatdhesuan, erdhën në atdhe, eshtrat e Mbretit Zog, ndërtuesit të shtetit shqiptar. Historia është e tillë. Kushdo që e lexon historinë e kombit, konstaton se, pas përpjekjes së parë serioze dhe të rëndësishme të Ismail Qemalit dhe qeverisë së tij, të përbërë nga burra ndër më mendjendriturit, më pas, aventurierë shqiptarë, bashkëpunëtorë të fuqive që donin me çdo kusht të copëtonin më tej Shqipërinë, nuk lejonin të bëhej shtet Shqipëria. Madje ndodhte që, së bashku me të huajt, pushtonin qytete, provinca, krahina, me qëllimin e vetëm për t’u thënë botës se shqiptarët nuk ndërtojnë dot shtet dhe këta duhen ndarë, duhen copëtuar më tej. Ndaj dhe Traktati i vitit 1915 rrëzoi Traktatin e vitit ‘13, që njihte pak a shumë këta kufij që kemi sot. Po kështu, edhe viti ‘19. Por ishte ndërhyrja e Presidentit Uillson në këtë moment. Pra, qeveria e Kongresit të Lushnjës, me një vendosmëri të madhe, vendosi integritetin territorial të vendit, organizoi, pajisi, furnizoi, Luftën e Vlorës, emëroi një ministër të posaçëm për këtë luftë. Sigurisht, nuk ndërmori aventurën për t’i shpallur luftë Italisë, por e vërteta është që organizoi një luftë ndër më të shkëlqyerat në historinë tonë. Më pas, ai ishte ministër i Brendshëm kur Shqipëria zhvilloi zgjedhjet e para parlamentare, e rrethuar nga mbretëri nga të gjitha anët. I bënë grushtin e  shtetit, siç e pohojnë vet autorët e 24-ës. Historia është për t’u mësuar. Në qoftë se gjeniu i letrave shqipe thotë se ky është një grusht shteti, të gjithë ata që thonë ndryshe janë thjesht falsifikatorë, sepse ai kishte gjithë formimin për të ditur se çfarë do të thoshte grusht shteti. Ahmet Zogu u rikthye, u kurorëzua mbret. Ne nuk kemi figura eterike, por dua t’u them këtu një gjë, meqenëse janë bërë shumë komente. Ahmet Zogu ka qenë një nga antifashistët më të vendosur shqiptarë. Të tjerëve, që nuk kanë treguar asnjë qëndrim antifashisht, prapë u kanë dhënë të drejtën e referendumeve, ndërsa Mbreti shqiptar ishte viktima e parë e një pushtimi. Qëndroi në mërgim si antifashist i vendosur. Drejtoi, me ato mundësi që pati, forcat mbretërore që luftuan gjatë gjithë luftës.

Lufta Nacional Çlirimtare, është gjithashtu absolutisht një nga faqet më të ndritura të historisë. Shqiptarët duhet ta dinë se rreshtimi që i bëri ajo luftë shqiptarëve në anën e fitimtarëve, ka qenë jetike për ruajtjen e integritetit të Shqipërisë që ne kemi sot. Ajo luftë, pa diskutim, kishte problemet e veta, kishte fraksionet e veta, kishte gabimet, por ishte një luftë çlirimtare dhe, të tilla përplasje e fraksione kanë pasur të gjitha rezistencat e vendeve më të qytetëruara, më të zhvilluara.

Ne, bëmë gjithçka, pavarësisht nga kundërshtitë për njëri-tjetrin, që të nderohen të gjithë ata që luftuan. Kjo është shumë e drejtë. Doli në pah një faktor shumë i rëndësishëm i luftës, roli i aleatëve anglo-amerikanë. Kjo e lartëson luftën tonë, sepse ky koalicion, me besimin më të madh, armatosi partizanët shqiptarë, komunistë, legalistë, ballistë, çfarëdo që ishin. U dha uniformat, i financoi. Mirënjohja për këtë mbështetje është histori, është shumë e rëndësishme.

Dua të theksoj disa komente lidhur me datën 17 nëntor, inaugurimi i Mauzoleumit të familjes Mbretërore. Askush nuk mund te ndihet i fyer. Data 17 u zgjodh për t’i hequr një turp vendit. Hedhja në erë e një varri përbën një turp kombëtar. Eshtë absolutisht jashtë çdo tradite të shqiptarëve kjo gjë. Zonja e zotërinj, dua t’u them se, edhe pse jam i lindur në një zonë ku shtëpitë janë djegur e rrafshuar të paktën 3-4 herë në një hark kohor jo më shumë se 50 vjet, di që varret e armiqve nuk janë prekur kurrë. Aty ku ata janë varrosur, aty janë. Nuk i prek kush. Ndërsa këtu, akti i parë që bënë ishte që festuan duke hedhur në erë Mauzoleumin dhe varrin e një nëne shqiptare, e një gruaje të një prej familjeve më të mira të Matit dhe të Shqipërisë së Veriut. Kjo ka qenë familja, baba, gjyshi e me radhë, e Ahmet Zogut. Pra, duke inauguruar Mazoleumin në datën 17 nëntor, nuk u bë gjë tjetër vetëm se u mbyll një histori turpi. Nuk janë hedhur në erë varre të tjera. Nuk ka regjistra që tregojnë këtë gjë. Janë gjetur varre të pushtuesve dhe janë mbledhur eshtrat. Pra, ka një kod me të vdekurit.

Jam këtu sot për të shprehur mirënjohjen më të thellë ndaj artistëve shqiptarë, skulptorëve, piktorëve, të cilët, me gjeninë e tyre krijuese, gjatë këtij viti, krijuan vepra të mëdha artistike, si në skulpturë, ashtu edhe në pikturë.

Shqiptarët, edhe në diktaturë, jo haptas, por me njëri-tjetrin, shprehnin mirënjohje për Presidentin Willson dhe ju mund të konstatoni që emri perëndimor më i përdorur në Shqipëri është Willson. Por shtatorja i mungonte dhe ndaj, në sheshin “Willson” u vendos shtatorja.

Hasan Prishtina nuk kishte përmendore gjetiu dhe u  vendos përmendorja e tij në Tiranë. Ai është arkitekti i Shqipërisë etnike, arkitekti i pavarësisë.

Ismail Qemali kishte përmendore në muze dhe jo në shesh. Sheshin ia kishin ndaluar. Ndaj dhe u shpreha atë ditë të inaugurimit se, “për 27 ditë, ti kalove 7 shtete, mijëra kilometra, male, dete, fusha dhe erdhe në Vlorë, ndërsa t’u deshën 100 vjet për të dalë në sheshet e Tiranë. Kjo nuk ka qenë e paqëllimshme. Le ta themi atë që është. Por gjërat korrigjohen.

Për Adem Jasharin ju mund të lexoni shumë libra për heroizma. Unë nuk kam lexuar kurrë që të flijohen 52 vetë të një familjeje, të cilët i kishin të gjitha mundësitë të largoheshin. Me një akt heroizmi të pashembullt në histori, ata vdiqën me heroizëm. Ai është kryheroi ynë.  Ne i kemi kënduar me të drejtë dhe duhet t’i këndojmë Oso Kukës, i cili u hodh në erë dhe nuk u dorëzua. Adem Jashari, me 52 anëtarë të familjes, vdiqën për t’u bërë të gjithë të pavdekshëm, për të mos u dorëzuar për së gjalli. Ai ishte vendimi më sublim që ka marrë ndonjëherë ndonjë shqiptar, në tërë historinë kombëtare.

Dua të shpreh një falënderim të përzemërt për biznesin shqiptar, për kontributet e tij të mëdha, për të gjitha këto festime të mrekullueshme. Kanë bërë gjithçka, sipas mundësive të tyre,kanë dhënë kontribute që festa të jetë sa më e bukur, sa më e gëzueshme. Torta është kontribut i tyre, e cila u bë simbol i kësaj feste. Dua të falënderoj të gjithë ata pastiçerë, ndihmësa, që shndërruan tortën më gjigande të botës në simbolin e kësaj feste. Lexoni shtypin botëror, të gjithë flasin për tortën 14 tonëshe të Tiranë.

Dua të falënderoj ushtarakët shqiptarë e të Kosovës, për paradën e shkëlqyer e dinjitoze, të falënderoj 13 vende mike që dërguan njësitë e tyre në këtë paradë. Ishte një gjest shumë miqësor ndaj nesh.

Falënderimi im është për të gjithë ata që dhuruan qengja, deshë, për këtë festë. Natyrisht, ato u shpërndanë sipas një rregulli. Ai që priste të shihte brirë deshësh dhe këmbë qengjash në rrugë për të shkruar veprën tjetër, për të shkruar Kurbanin e dytë, nuk e mori dot këtë kënaqësi. Por unë i falënderoj barinjtë për bujarinë e tyre.

Dua të falënderoj në mënyrën më të përzemërt, artistët e mëdhenj shqiptarë. Koncerti i mbrëmshëm  ishte me të vërtetë kurora më e bukur e këtij festimi. Pata rastin që disa prej tyre t’i takoj dhe t’ua shpreh këtë vlerësim. Mbrëmë ata paraqitën, interpretuan, koncertin më të bukur, më të motivuar në historinë e këtij vendi dhe treguan gjeninë artistike në gjuhën më të bukur të njeriut, në gjuhën e këngës, në gjuhën e muzikës së shqiptarëve. Miqtë e huaj dhe shqiptarët janë mrekulluar. Mirënjohje Inva Mulës, Zhani Cikos, Sajmir Pirgut, Enkelejda  Shkozës dhe të gjithë atyre këngëtarëve, instrumentistëve të Operës, apo që erdhën nga jashtë dhe që i dhanë kësaj feste atë koncert aq të mrekullueshëm.

Natyrisht, falënderimin më të përzemërt e kam për superstarin e superhiteve të  Britanisë së Madhe dhe Shteteve të Bashkuara, Rita Orës. Të themi është Madona, është pak, është midis Bionsesë, Rihanës, është e mrekullueshme. Por përveç zërit të saj, që çon peshë zemrat  e të rinjve kudo në botë, Rita është një atdhetare e flaktë. E edukuar nga një familje e shkëlqyer, në të gjitha prononcimet e saj ajo pohon se është shqiptare, është kosovare. Ajo erdhi dhe ishte padyshim entuziazmi rinor muzikor dhe mbyllja më e shkëlqyer e festës. Kalova nga një koncert, në një pritje zyrtare e pastaj në një koncert tjetër. E gjithë lodhja e padiskutueshme, e akumuluar gjatë një muaji rresht e më gjatë, u shkri. Ishte shi, por unë isha i gatshëm të dancoja bashkë me të rinjtë në shesh, me ritmet e saj.             

Edhe njëherë mirënjohje, mirënjohje e vetëm mirënjohje, ndaj të gjithë atyre që bënë të mundur një festë kaq të bukur për të gjithë shqiptarët, që nderuan shqiptarët në këtë 100 vjetor dhe që dëshmuan një shpresë e besim të madh tek vitet që vijnë, të këtij vendi. Faleminderit.      

Pyetje: Zoti Kryeministër, kam një pyetje lidhur me reagimin e Greqisë dhe mungesën e saj në këto festime. Ndërsa në një pyetje të dytë, do të doja të dija, lidhur me shtatoren e Ahmet Zogut, për të cilën ishte lajmëruar se do të vendosej me 24 nëntor, por ende nuk është  vendosur. Ka diçka teknike, apo ka të bëjë me debatet e fundit që kanë lindur?

Kryeministri Berisha: Para se të përgjigjem, më lejo të falënderoj njëherë mediat, me përzemërsinë më të veçantë, sepse mediat, shtypi i shkruar, mediat elektronike, u angazhuan me debate si kurrë më parë në problemet e festimeve, në problemet e historisë, por në veçanti me këtë çështje. Ato kanë luajtur një rol shumë të madh në rritjen e ndjeshmërisë së njerëzve për festimet e 100 vjetorit. Kështu që unë kam një mirënjohje shumë të veçantë për gazetarët, për drejtuesit, për pronarët e këtyre mediave.

Lidhur me reagimin e Greqisë, nuk shtoj asgjë nga deklarimi im i mëparshëm. Francezi thotë: “Miqtë shkëlqejnë për mungesën e tyre”.

Për sa u përket mediave, jo vetëm në Ballkan, por në Evropë, nuk ka njeri që i do më shumë mediat. Edhe kur shkruajnë kundër meje, edhe kur shkruajnë pro meje, unë prapë mbetem i dashur me  ta.

Lidhur me pyetjen e dytë, viti vazhdon dhe jemi në vitin e Pavarësisë. Janë një seri inaugurimesh që priten, do të inaugurohet tuneli  i 100 vjetorit, do të inaugurohet autostrada e 100 vjetorit, do të inaugurohet shtatorja e Mbretit Zog. Do të mblidhet përsëri Komiteti shtetëror dhe do të përcaktojë sërish disa detyra. Sot ne inauguruam një rrugë me emrin e Kontit Bertold. Kushdo që lexon në histori, e gjen kontributin e këtij ministri të jashtëm. Në atë kohë ishin gjashtë fuqi më të mëdhatë dhe Austro-Hungaria ishte një nga të gjashtat. Ky minister ka qenë njeriu më i vendosur për pavarësinë e Shqipërisë. E vërteta është se mbështetje të qartë ka dhënë edhe qeveria italiane, ministri i jashtëm i Italisë. Pra, Konti Bertold e meritonte emërtimin e një rruge, në Tiranë. 

Ka edhe personalitete të tjerë të cilët i kanë kushtuar vëmendje Shqipërisë, janë disa të tjerë të cilët ne duhet t’i sjellim në skenë. Detyrimisht, duhet të ri dimensionohet Dom Nikoll Kaçorri, sepse ai ishte një nga figurat më interesante të historisë. Ai mbante ungjillin në njërën dorë, pushkën në dorën tjetër. Kjo është e njohur tashmë. Ai është lutur, por ka organizuar dhe rezistencë të armatosur kundër pushtuesit.

Mund të ketë edhe raste të tjera, kështu që Komiteti Shtetëror do të mblidhet sërish. Natyrisht, ky është një proces në vazhdim. Para tre ditësh, dëgjova që Këshilli Bashkiak i Korçës, ka marrë vendim për të ngritur shtatoren e Asdrenit, i cili e meriton plotësisht. Shtatoren ai e ka në Drenovë, por do e vendosin në Korçë  dhe unë i përgëzoj autoritetet lokale për këtë. Asdreni është autori i Himnit dhe mos harroni se kompozitori i Himnit akoma nuk ka emërtimin e një rruge. Është rumun, pa diskutim, por kjo na detyron dy herë më shumë që ta nderojmë. Shqiptarët nuk mund të kenë gjë tjetër përveçse mirënjohje ndaj tij. Ai ka qenë një nga kompozitorët më të mëdhenj të kohës. A mund të mendojë kush të ndërrojë atë muzikë sot? Jo, kurrë!. S’ka muzikë më të bukur se Himni ynë. Turqit, Mehmet Akifit shqiptar, që u ka bërë himnin, i kanë bërë nderimet më të mëdha dhe, kur takohesh me ta, gjënë e parë që ata të thonë, është:  Ne ju detyrojmë himnin juve.

Ende nuk mendoj se kanë shkuar të gjitha gjërat në vendin e duhur, por do të shkojnë dhe ndaj i inkurajojmë iniciativa të tilla. Ky proces do të vazhdojë. Do të shihet  mundësia dhe, nëse gjendet projekti i duhur, që të ndërtohet shtëpia ku është shpallur pavarësia. Duhet të bisedohet me kryetarin e Bashkisë së Vlorës, pasi kjo duhet realizuar. Ne nuk e mundësuam dot këtë herë, por ata që do të festojnë 200 vjetorin, duhet ta dinë që ne do t’jua realizojmë. Ky është një proces.

Dje, festa në Vlorë ishte e mrekullueshme, ishim të gjithë bashkë. Pati edhe ndonjë moment ekzotik, kur sheshi oshëtinte “Berisha, Berisha” dhe dilte një tjetër që thoshte “edhe Edi”. Fol, i thosha, thuaje me të madhe. Gjithsesi, bëj shaka, festa ishte shumë bukur, shumë normale dhe ashtu duhej të ishte. Nuk mendoj kurrë që festat duhet të krijojnë ndasi.

 Pyetje: Ka pasur dy projekte të lançuara prej jush dy vjet më parë, njëri për ndërtimin e stadiumit të ri dhe tjetri projekti për parlamentin. Ç’mund të na thoni për to?

Kryeministri Berisha: Absolutisht ato do të bëhen. Ju garantoj për këtë. Parlamenti do të bëhet, por unë nuk mund të them që të bëhet jashtë procedurave, sepse ai nuk është investim personal i imi, nuk është një investim disa qindra mijë euro, që mund të zgjedhësh procedurën që është më e thjeshtë. Ai është investim shumë serioz. Në këtë kontekst, do të ndiqen të gjitha procedurat ligjore. Për të shpallur tenderin duhet edhe një projekt më i gjerë, sesa ai që është paraqitur. Priks ka marrë përsipër ta përfundojë. Sapo të përfundojë projekti, ai do të realizohet. Përsa i përket stadiumit, ai i është dhënë Federatës Shqiptare të Futbollit , i janë transferuar të gjitha aksionet e qeverisë, ç’ka nuk do të thotë kjo që qeveria nuk do ta ndihmojë. Natyrisht do të jetë federata ajo që do të paraqesë dhe do të zbatojë projektin që ajo mendon. Qeveria, sapo federata të jetë gati, do të japë kontributin e vet.

Por më duhet të them një gjë tjetër. Tuneli është ëndrra e bërë realitet. Nuk mund të them se stadiumi është ëndërr, sepse kemi stadium. Ndërsa tuneli është ëndërr. Ai ka qenë qëllim kryesor, por nuk e kemi shpallur, sepse me tunelet dimë kur fillojnë, por nuk dimë kur mbarojnë. Ne dimë raste në botë ku janë dashur 8 vjet për një tunel 2 kilometra, për shkak të strukturës së shkëmbit. Por, tani që tuneli u tejshkua nga të dy anët, ne e shpallëm si vepër të rëndësishme. Nuk e shpallëm më parë sepse duhej të ishim të sigurt. Imagjinoni nëse do thoshnim “Tuneli i Pavarësisë”, por që nuk e realizuam dot sepse ndodhi kjo apo ajo gjë. Kjo do të na e prishte festën. Po kështu, edhe autostrada e Vlorës që është një nga segmentet më të bukura të sistemit tonë rrugor. Është e vërtetë që nuk u ndërtua stadiumi dhe parlamenti, por u ndërtuan vepra dy herë më të kushtueshme, madje tre herë më të kushtueshme.

 Pyetje: A mendoni ju njësoj si aleati juaj në qeverisje, z. Ilir Meta, i cili ka deklaruar sot se është koha që të rivlerësohet edhe figura e Enver Hoxhës të njihen edhe kontributet e tij, ashtu siç u njoh edhe kontributi i Ahmet Zogut?

Kryeministri Berisha: Sali Berisha, nuk ka mohuar kurrë Luftën Nacional Çlirimtare. E ka quajtur dhe e quan atë një nga faqet më të ndritura. Ky është besimi im i plotë dhe bindja ime. Lufta duhet parë me të vërteta  e saj. Enver Hoxhën, në krye të Partisë Komuniste Shqiptare, e ka vendosur Dushan Mugosha. Shkoni merrni protokollin e mbledhjes së parë themeluese dhe do të shihni se ai është zgjedhur për financat. Si krye-kujdestar u zgjodh një kosovar, Ramadan Citaku. Ai u la provizorisht dhe Enver Hoxha u mbajt në inkubator një vit dhe, vetëm pas një viti, ai u vu si sekretar i parë. Por dua t’ju them edhe diçka. Partia Komuniste Jugosllave dhe “marshalli” Tito, në atë periudhë, udhëhiqnin lëvizjen më të fuqishme antifashiste të rezistencës në Evropë. Çërçill kishte djalin e tij këshilltar të Titos, sepse aleatët donin me çdo kusht t’u krijonin okupatorëve tokën e djegur, ose prapavijat e djegura, nëpërmjet lëvizjeve guerile. Pavarësisht se si u vendos ai, lufta është një meritë e madhe, kjo nuk mohohet. Por, ato çka i bëri ai Shqipërisë dhe qytetarëve shqiptarë, ju nuk mund t’i imagjinoni. Këtë jua them me bindjen më të madhe. Mbi 100 mijë shqiptarë të burgosur, të internuar, të vdekur burgjeve, të pushkatuar, me gjyqe ose pa gjyqe. Kjo është ana e regjistrave e dokumenteve, por ju garantoj se qindra mijëra të tjerë, foshnje, të moshuar, të sëmurë etj., kanë vdekur në 50 vjet nga kushtet e mjerimit. A mund ta imagjinoni, - sepse sot është shumë e vështirë ta imagjinosh -, që një familje me 3 - 5 a 7 vetë, që jeton ditë, javë, muaj, vite vetëm me bukë mistri, kripë dhe një kilogramë sheqer, një kilogramë vaj. Kjo nuk ka ndodhur në qytet, por kjo ka ndodhur masivisht në fshatrat e zonës veri-lindore dhe jug-lindore. Edhe në kohën e skllavopronarëve, absolutisht ishin kushte më të mira sesa ato të fshatarit shqiptar, i cili ushqehej, pa diskutim, shumë me keq edhe se ata që ishin në burgje dhe kampe përqendrimi, të cilëve u bëhej të paktën një supë me karota, oriz dhe ujë. Kurse në fshatra, me një kilogram vaj, një kilogram kripë, një kilogram sheqer, shkonin në punë. Kjo nuk ka ndodhur kurrë në historinë e këtij vendi. Enveri u hoqi çdo gjë. Dua t’ju tregoj edhe diçka; Në vitin ’90, Ramiz Alia mbajti një fjalim të cilin e hapte me këto fjalë: “t’u japim një qengj dhe një kec fshatarëve dhe kecin t’ia dorëzojnë qeverisë, qengjin ta mbajnë për vete”. A mund të imagjinohet kjo? Ai shkoi në Lekbibaj, në Tropojë, tek një familje shumë e mirë dhe i zoti i shtëpisë i thotë: “Shoku Ramiz, ne këtu përdorim derrin, sepse e kemi dimrin shumë të ftohtë dhe, kur përdorim derrin, nuk e ndiejmë të ftohtin. Por tani që derrin nuk e kemi, veshjen nuk e kemi, jemi në siklet të madh. Shoku Ramiz iu kthye: Ti kërkon një derr, ai tjetri kërkon një derr dhe kthehemi siç kemi qenë!”.

Kjo ishte forma më e egër e skllavërisë, këta njerëz nuk kishin asgjë. Shumica e shqiptarëve në qytet nuk e dinin këtë realitet, sepse ata jetonin me tollona, merrnin një pako gjalpë, merrnin një pulë. Ata nuk dinin se çfarë bëhej aty.  Në historinë e Evropës nuk ka pasur regjim më mizor se regjimi i Enver Hoxhës.


29/11/2012

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›