E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha merr pjesë në përurimin e rrugës “Kont Leopold Bertold”, në Tiranë

Kryeministri Berisha ishte i pranishëm sot në mesditë në inaugurimin e rrugës “Kont Leopold Bertold”, e cila lidh bulevardin “Bajram Curri” me rrugën “Ali Demi”, në Tiranë. Ky segment rrugor, i ndërtuar sipas parametrave e standardeve evropiane, i jep një zgjidhje problemit të trafikut në këtë zonë dhe në të gjithë qytetin.

Duke vlerësuar këtë investim të bashkisë së Tiranës, si vendosmëri për ta bërë kryeqytetin më mirë të jetueshëm nga qytetarët e saj, Kryeministri Berisha theksoi se rruga do të mbajë emrin e Kont Leopold Bertold, një nga burrështetasit më proshqiptarë të historisë së shqiptarëve.

Gjithashtu, Kryeministri Berisha vlerësoi ndihmën e çmuar që Austria i ka dhënë Shqipërisë në vite, si dhe mbështetjen nga ana e saj në procesin e liberalizimit të vizave dhe rrugëtimin për integrimin në Bashkimin Evropian.

Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha u shpreh:

“I nderuar zoti zv/President i Parlamentit Federal të Austrisë, Fritz Neugebauer,

Zoti kryetar i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha,

Zoti ambasador i Austrisë në Tiranë, Florian Raunig,

Të dashur qytetarë dhe qytetare të Tiranës,

Së pari, ju përshëndes shumë përzemërsisht dhe ju uroj gëzuar këtë rrugë të ndërtuar nga bashkia e Tiranës, me një impakt të madh serioz në jetën tuaj dhe në jetën e kryeqytetit të vendit, vendosmëri kjo e kësaj bashkie për ta bërë qytetin tuaj, për të bërë kryeqytetin sa më mirë të jetueshëm nga qytetarët e saj. Sot jemi këtu në një moment shumë të veçantë. Ne përsëri vendosim në piedestal një copëz të ndaluar të historisë sonë. Ne nderojmë këtu sot ish ministrin e Jashtëm të Perandorisë duale, Austro-Hungarisë, Kontin Bertold, një nga burrështetasit më proshqiptarë të historisë së shqiptarëve, një nga ministrat e Jashtëm më të fuqishëm të asaj kohe, që në takimin me Ismail Qemal Vlorën në kështjellën e Kontit Hadik, Sekretarit të Shtetit të kësaj Perandorie, do të shprehte mbështetjen e tij të plotë për shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë. Ky verdikt i ministrit të Jashtëm Leopold Bertold dhe qeverisë perandorake, Kancelarit të Austro-Hungarisë, vinte në një kohë kur një aleancë barbare ishte themeluar për të plaçkitur trojet shqiptare në një luftë ndaj një kombi që dilte pas 500 vjetësh nën Perandorinë Otomane, një kombi që nuk kishte shtet, nuk kishte institucione, nuk kishte armë për të përballuar hordhitë e lidhjes së shenjtë ballkanike kundër trojeve shqiptare.

Zonja dhe zotërinj,        

Konti Bertold, qeveria dhe vendi i tij, Perandoria Austro-Hungareze prej vitesh ishin të përcaktuar për Shqipërinë etnike, Shqipërinë e trojeve shqiptare ku banonin shqiptarët, Shqipërinë e 67 mijë kilometrave katrorë, vend kryesor në gadishullin e Ballkanit, në pjesën jug-perëndimore të tij. Por momenti, aleanca ballkanike dhe faktorë të tjerë bën të pamundur asokohe realizimin e këtij shteti të pavarur. Ndaj dhe ai mbështeti fuqishëm Ismail Qemalin për të shpallur pavarësinë e Shqipërisë, për të themeluar shtetin shqiptar si një domosdoshmëri jetike për të shpëtuar shqiptarët, kombin që ai e donte dhe respektonte, nga shuarja e tyre nga harta politike e Evropës. Pas shpalljes së pavarësisë përfaqësuesit e Perandorisë Austro-Hungareze insistuan dhe ia dolën që Konferenca e Londrës, e cila do merrej me përcaktimin e kufijve të përcaktojë parime të ndershme për punën e saj. Pra kufijtë, sipas atyre parimeve, do të vendoseshin në përputhje me shumicën etnike dhe vazhdimësinë gjeografike të saj. Mirëpo fuqitë e tjera, të pranishme në atë Konferencë, i shndërruan territoret shqiptare në plaçkë tregu për aleatët e tyre ballkanikë. Të tjera deklaronin ditën dhe të tjera gjëra të kobshme mbi shqiptarët vendosnin natën. Por një shekull që festojmë, ne festojmë një shekull miqësie, bashkëpunimi, mbështetje nga Austria mike. Nuk është  e rastit që qeveria Federale e Austrisë të ishte e para qeveri në Evropë që do të përshëndeste fitoren e forcave demokratike. Nuk është e rastit që Austria, miq të shquar të shumtë të saj do të bënin gjithçka për të lehtësuar dhembjet e varfërisë dhe mjerimit të trashëguar nga diktatura më e egër komuniste dhe do vinin në një sistem ndihmash humanitare, ndër më efecientet, në zonat më të varfra të vendit. Ata do të bënin gjithçka për të ndihmuar në shkolla, në sistemin shëndetësor, për të inkurajuar turizmin dhe për të ndihmuar komunitetet. Qeveria austriake gjatë këtyre viteve ka dhënë një ndihmë të çmuar në mbarë vendin, por ndihma më e madhe që ky vend mik i ka dhënë Shqipërisë është inkurajimi i investitorëve të saj, ndër më seriozët, dhe që sot janë shndërruar në investitorët kryesorë të vendit, në fushat më kryesore të zhvillimit të ekonomisë. Historitë e suksesit të tyre në Shqipëri janë të shumta. Ndaj dhe unë u shpreh mirënjohjen më të thellë.  

Mbështetja e Austrisë për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian ka qenë e plotë. Gjatë presidencës së saj Shqipëria firmosi Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit. Austria ishte një nga mbështetësit kryesorë për heqjen e vizave.

I dashur zoti zv/President i Parlamentit të Austrisë, 

Prania juaj dhe e zv/kancelarit Federal në këtë festë ka qenë një nder i jashtëzakonshëm për çdo shqiptar, dëshmi e një respekti të parlamentit dhe qeverisë austriake ndaj vendit dhe kombit tim, dëshmi e ndjenjave miqësore që ju ushqeni ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve.

Një javë më parë qeveria e vendit tuaj bëri të mundur sjelljen e armëve të Skënderbeut në Muzeun tonë Kombëtar. Kjo ishte dekorata më e bukur në gjoksin e kombit tim në këtë 100 vjetor. Ndaj, ju shpreh juve mirënjohjen më të madhe. Skënderbeu është për ne shtyllë e identitetit tonë kombëtar, është heroi që frymëzon dhe mbron këtë komb në shekuj. Ai dhe kur fle vigjëlon për shqiptarët. Ndaj dhe ju jemi shumë mirënjohës për këtë akt miqësor që bëtë.

Ju falënderoj edhe një herë ju dhe mikun tim Michael Spindelegger për praninë tuaj në festën tonë. I përcjell urimet më të përzemërta Presidentit Fischer, një mik i vërtetë dhe i shquar i shqiptarëve, i përcjell përshëndetjet më të përzemërta Kancelarit Faymann dhe shpreh besimin tim se të dy do të gjejnë mundësinë të vizitojnë Shqipërinë në një kohë më të përshtatshme për ta.

Faleminderit!”


29/11/2012

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›