E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha pret Presidentin e Partive Popullore Europiane, zotin Wilfred Martens

Kryeministri  Berisha  priti në një takim Presidentin e Partive Popullore Europiane, zotin Wilfred Martens, i cili viziton vendin tonë me ftesë të Kryeministrit Berisha, për të marrë pjesë në festimet e 100 vjetorit të pavarësisë.

Kryeministri Berisha e falenderoi zotin Martens për ardhjen në Shqipëri me rastin e këtyre festimeve, duke e cilësuar një nder praninë e tij në këtë ditë të shënuar. Zoti Martens uroi Kryeministrin për 100 vjetorin e pavarësisë dhe e falenderoi për ftesën. Presidenti Martens theksoi se kjo vizitë ishte një vlerësim për bashkëpunimin e gjatë në kuadrin e PPE-së.

Kryeministri Berisha i bëri zotit Martens një ekspoze të shkurtër të zhvillimeve historike që kanë shënuar këtë 100 vjetor të pavarësisë së Shqipërisë dhe theksoi se tashmë shqiptarët, kudo ku janë, janë të lirë dhe të vendosur për ndërtimin e të ardhmes së tyre europiane. Kryeministri u shpreh se ky përvjetor ka shënuar një proces të rishkrimit të historisë mbi bazën e të vërtetave historike, gjë që po vë në vendin që i takon këto të vërteta dhe figurat historike që kanë themeluar  dhe konsoliduar pavarësinë dhe shtetin shqiptar gjatë këtij shekulli. Ai u shpreh se bashkëpunimi në kuadër të PPE-së është një instrument i shkëlqyer për avancimin e këtij objektivi madhor.

Më tej, Kryeministri Berisha dhe Presidenti Martens diskutuan mbi hapat e mëtejshëm të integrimit të Shqipërisë në BE, për të cilën Shqipëria gëzon mbështetjen e PPE-së.


29/11/2012

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›