E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha dhe Kryeministri slloven Janez Jansa afirmojnë marrëdhëniet e ngushta mes dy vendeve

Kryeministri Berisha priti sot, Kryeministrin e Sllovenisë Janez Jansa, i cili po zhvillon një vizitë zyrtare në Shqipëri, me ftesë të Kryeministrit Berisha. Fillimisht, dy kryeministrat zhvilluan një takim tet a tet, i cili u pasua nga bisedimet mes dy delegacioneve.

Në përfundim të bisedimeve, dy kryeministrat dolën në një konferencë të përbashkët për shtyp, në të cilën konfirmuan marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve dhe afirmuan angazhimin e përbashkët për thellimin e bashkëpunimit në fushën ekonomik.

Kryeministri Berisha: Zonja e zotërinj, sapo përfunduam bisedimet miqësore e të frytshme me Kryeministrin e Sllovenisë Janez Jansa dhe delegacionin që e shoqëron. Ishte një rast i veçantë për mua të theksoj se çdo vizitë e një kryeministri slloven është një ngjarje shumë e rëndësishme, në marrëdhëniet mes dy vendeve e kombeve tona, por kjo vizitë që vjen në 100 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë është një vizitë vërtet historike. Ndaj unë dua t’i shpreh mikut tim e të kombit shqiptar, Kryeministrit Janez Jansa, mirënjohjen më të thellë për vizitën e tij në Tiranë.

Diskutuam gjerësisht mbi rrugët e zgjerimit dhe intensifikimit të marrëdhënieve dypalëshe në fushën ekonomike, potencialet e mëdha që ekzistojnë në këtë fushë dhe ramë dakord të bëjmë çdo gjë për të inkurajuar nëpërmjet forumeve të biznesit, klubit të biznesit slloveno-shqiptar dhe rrugëve të tjera, investimet reciproke.

Shfrytëzova rastin për t’i përcjellë Kryeministrit Jansa, urimet më të përzemërta për reformat e thella që ka ndërmarrë sapo erdhi në pushtet, duke ndryshuar me dhjetëra e dhjetëra ligje dhe vendimin  tij kurajoz, duke ulur taksën e korporatave dhe taksa të tjera, çka përbën në radhë të parë një guxim, por edhe një garanci të sigurt, për të kapërcyer pasojat e krizës së euros.

Me kryeministrin diskutuam gjerësisht për bashkëpunimin multilateral, mbështetjen reciproke të kandidaturave të vendeve tona në Këshillin e Sigurimit, në Ecosoc.

Unë gjithashtu dua të shpreh vlerësimin tim më të madh për iniciativën e Kryeministrit Jansa, për një ndryshim thelbësor në Konventën e Organizatës së Kombeve të Bashkuara për gjenocidin dhe krimet kundër njerëzimit. Unë e konsideroj këtë një iniciativë shumë të rëndësishme, në funksion të një rendi që çdo ditë e më shuam vjen duke u bazuar në liritë e të drejtat e qytetarëve.

Natyrisht, duke shprehu mirënjohjen për të gjithë mbështetjen që qeveria sllovene dhe vendi mik i ka dhënë Shqipërisë në procesin e integrimit në NATO, në procesin e liberalizimit të vizave, në procesin e integrimit në Bashkimin Europian, kërkova edhe mbështetjen e Kryeministrit, por dhe bashkëpunim të ngushtë në këtë fushë, në të cilën Sllovenia ka një eksperiencë të shkëlqyer.

Bashkëpunimi rajonal ishte një tjetër çështje që unë diskutova, si dhe përpjekjet të përbashkëta në inkurajimin e këtij bashkëpunimi.

Në diskutimet tona ne gjetëm mirëkuptim. Kryeministri më ftoi për të vizituar Slloveninë, ftesë të cilën e pranova me kënaqësi. E falënderoj edhe një herë për vizitën e shkëlqyer që bëri, të frytshme  e miqësore dhe e siguroj për përparësinë  madhe që ka për mua e qeverinë time, miqësia e bashkëpunimi me Slloveninë. Faleminderit.

Kryeministri Jansa: Zoti Kryeministër, gjej rastin t’ju përshëndes e t’i uroj popullit shqiptar 100 vjetorin e pavarësisë dhe të them se deri tani kemi pasur bashkëpunim të shkëlqyer mes dy vendeve, që do të vazhdojë edhe më tej.

Këtë vit ne jemi takuar disa herë dhe vizita juaj në Slloveni në shtator të këtij viti ishte një vizitë shumë e dobishme për të dyja vendet. Po ashtu edhe vizita e Kryetares së Parlamentit, zonjës Jozefina Topalli, e cila ishte në maj  në Slloveni, si dhe pata nderin të takoj edhe kryetarin e shtetit tuaj në mbledhjen e Kombeve të Bashkuara.

Ne kemi marrëdhënie të shkëlqyera bilaterale dhe sot kemi bërë bisedime që të bëjmë edhe një ecje të madhe përpara në bashkëpunimin ekonomik mes dy vendeve. Këtu kemi ende hapësira të pashfrytëzuara të bashkëpunimit. Ne shohim një shans të mirë të bashkëpunimit në fushën e energjetikës dhe të infrastrukturës. Po ashtu takimet tona do të përforcojnë edhe mundësitë e bashkëpunimit të biznesit dhe qeveritë kanë për detyrë të krijojnë kushte të favorshme për mundësimin e zhvillimit ekonomik midis dy vendeve. Lidhur me këtë kemi vendosur që vitin e ardhshëm të bëhet një komision i bashkëpunimit të biznesit mes Sllovenisë dhe Shqipërisë, i cili do të mbahet në Lubjanë.

Sllovenia është një mbështetëse e fuqishme e Shqipërisë, gjatë rrugëtimit të saj në Bashkimin Europian. Ashtu siç keni pasur mbështetjen tonë në liberalizimin e vizave në vitin 2010, ashtu edhe në anëtarësimin në NATO,  edhe në të ardhmen Sllovenia do të mbështesë fuqishëm aspiratat e qeverisë dhe kombit shqiptar, për t’u bashkëngjitur si anëtare e barabartë në Bashkimin Europian. Ky pikësynim nuk është vetëm në interesin e Shqipërisë, por edhe në interesin e Bashkimit Europian e të paqes në rajon. Lidhur me këtë, dua të veçoj rolin e fuqishëm që Shqipëria që ka pasur në paqen në rajon, po ashtu në atë të zhvillimit ekonomik. Sllovenia mbështet fuqishëm qeverinë e Shqipërisë, për të plotësuar kushtet që kërkohen nga Bashkimi Europian, që edhe rrugëtimi i saj të bëhet sa më shpejt e sa më  lehtë. Ne dëshirojmë qasjen e praktikave të mira që i shfrytëzon Shqipëria edhe vende të tjera në rajon të ndjekin hapin e saj.

Vlerësimi ynë është se Shqipëria ka treguar një pjekuri të jashtëzakonshme politike vitin e kaluar e po ashtu, edhe në këtë vit ka ecur fuqishëm drejt reformave të realizuara. Këto janë sinjale shumë të qarta, të rëndësishme gjatë rrugëtimit të saj e aspiratave të vendit. Bashkimi Europian është një hapësirë e prosperitetit, shanseve dhe të drejtave të barabarta. Nga kjo pikëpamje është marrja e normave të Bashkimit Europian, në një interes reciprok të dy vendeve. Jam shumë i kënaqur se me hapat që Shqipëria ka marrë këtë vit i ka treguar Bashkimit Europian e më gjerë se është një  partner kredibël. Republika e Shqipërisë ka mbështetjen e plotë të Republikës së Sllovenisë gjatë rrugëtimit të saj në Bashkimin Europian dhe çdo mbështetje që nevojitet e ka gjithmonë të hapur.

Një pyetje për Kryeministrin Jansa. Kur në dhjetor të jetë samiti i kryetarëve të shteteve dhe qeverive të BE-së, me çfarë arsyeje nuk do t’ia jepni Shqipërisë, statusin e vendit kandidat?

Kryeministri Jansa: Kemi biseduar me kryetarin e qeverisë zotin Berisha edhe lidhur me mbledhjen e Këshillit të Europës. Sipas axhendës që kemi, në samitin që do të mbahet tani do të diskutohet për zgjerimin. Kjo do të thotë se do të hapet mundësia të bisedohet edhe për dhënien e statusit Republikës së Shqipërisë dhe këtë pikë të debatit do ta shfrytëzoj në mbështetje të Shqipërisë. Shumë e vështirë të paramendoj rezultatin e këtij debati, po ashtu nuk mund të di që tani se çfarë qëndrimi do të mbajë edhe Komisioni Europian që do të bëjë propozimin adekuat. Unë mund të them qëndrimin e Republikës së Sllovenisë dhe qëndrimin tim si përfaqësues i një vendi të Bashkimit Europian. Sllovenia do të mbështesë në dhjetor Shqipërinë që të marrë kandidaturën. Ne mendojmë se me këto masa që ka ndërmarrë Shqipëria këtë vit, këtë rezultat absolutisht e meriton.

Pyetje: Zoti Berisha, a e ndjetë mungesën e Greqisë në festimet e 100 vjetorit? Së dyti, kur flisni për bashkim kombëtar, keni parasysh bashkimin e Kosovës me Shqipërinë?

Kryeministri Berisha: Francezët kanë një përgjigje: Miqtë shkëlqejnë gjithnjë, me mungesën e tyre.  

Lidhur me pyetjen e dytë, motoja e shpallur është: Të bashkohemi me njëri tjetrin, të bashkohemi me Europën. Unë mendoj që kjo moto është e drejtë e për të cilën çdo shqiptar duhet të punojë. Ne duhet të punojmë kudo ku jemi në projektin europian, por duhet të punojmë kudo ku jemi për të kapërcyer qindra e qindra ndarje e pengesa që janë vendosur gjatë një shekulli midis shqiptarëve. Njohja e mëtejshme dhe konsolidimi  i pavarësisë së Kosovës, i rolit të saj rajonal e ndërkombëtar mbetet interesi kombëtar i shqiptarëve.

Pyetje: Zoti Berisha, Presidenti Nishani sot në mëngjes, gjatë homazheve në memorialit “Nënë Shqipëri” me rastin e çlirimit të Shqipërisë, është shprehur se Presidenti duhet të respektojë përcaktimet ligjore të Kuvendit. Pyetja ime është nëse vlen e njëjta gjë edhe për Kryeministrin e Shqipërisë. Pyetja e dytë, ndonjë koment në lidhje me vendimin e Gjykatës së Hagës, për të shpallur të pafajshëm zotin Ramush Haradinaj

Kryeministri Berisha: Po e filloj nga e dyta. Ky ishte lajmi më i gëzueshëm që më erdhi mua e të gjithë shqiptarëve në këtë ditë. Pafajësia e Ramush Haradinaj, ish kryeministër i Kosovës e komandant legjendar i njësive të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që mbrojtën me qindra e qindra civilë nga barbaritë, është triumf i drejtësisë ndërkombëtare e i ligjit ndërkombëtar. Nuk kam pasur kurrë asnjë dyshim tek drejtësia dhe tek pafajësia e zotit Haradinaj. Shfrytëzoj rastin ta ftoj në Shqipëri, të festojmë sëbashku këtë ditë të madhe, këtë vit të madh. Dje pata fatin e rastin t’i përcjell urimet më të përzemërta gjeneralit Gotovina, hero kombëtar i popullit mik kroat, vendimin për pafajësinë e të cilit e kam vlerësuar pa masë. Përpjekjet për të simetrizuar gjërat josimetrike kanë marrë përgjigjen e merituar nga Gjykata Ndërkombëtare.

Së dyti, Kryeministri nuk ka të bëjë me axhendën e Presidentit. Presidenti është kryetari i shtetit dhe natyrisht, në natyrën e tij duhet të konsiderojë të gjitha ndjeshmëritë. E vërteta është se me ligj është ashtu, por Kryeministri është njëkohësisht kryetar i një partie dhe ka një program të asaj partie, të cilit i përmbahet.  

Zoti Jansa, ju thatë se Sllovenia do të jetë në mbështetje të statusit të vendit kandidat në muajin dhjetor, pavarësisht debatit që do të zhvillohet atje. A mendoni se do të jeni nga të paktët që do të keni votën pro, meqenëse është kushtëzuar statusi me miratimin e tre ligjeve me votë të cilësuar, nga parlamenti shqiptar?

Kryeministri Jansa:  Në familjen evropiane nuk është vetëm Sllovenia mbështetëse e Shqipërisë për t’iu bashkuar Bashkimit Europian dhe për të ndihmuar rrugëtimin e saj. Para dhjetë viteve ka qenë Sllovenia pothuaj në një situatë të ngjashme, duke filluar negociata me partnerë të ndryshëm për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian. Ne thjeshtë duam të kemi një masë për të gjithë, të barabartë e të njëjtë. Kjo do të thotë se ne nuk mund të kërkojmë nga një vend kandidat që të plotësojë të gjitha kushtet e kërkuara para se të fillojnë negociatat. Kur të fillojë Shqipëria negociata të mëtejshme do të hapen 35 kapituj të tjerë, të cilat duhet të plotësohen, nga ekonomia, kultura, arsimi, shkenca e kështu me radhë. Çdo kapitull duhet të hapet, të shqyrtohet e të mbyllet. Pastaj do të bëhet një vlerësim i përgjithshëm se sa i ka plotësuar një shtet i caktuar, standardet e kërkuara prej saj. Sipas meje, tani për tani është e panevojshme të kushtëzohet dikush që të bëjë ndryshime në ligje, në akte ligjore e nënligjore, ende para se të fillojnë negociatat. Është një kërkim i panevojshëm, i paarsyeshëm. Ligjet, kushtet që ishin përcaktuar më parë që duhej të plotësonte Shqipëria si votimi i ligjit për imunitetin etj., të gjitha këto Shqipëria i ka plotësuar. Patjetër që rol të rëndësishme ka edhe Komisioni Europian që do të japë mendimin tij, që patjetër do të merret në konsideratë. Propozimi i tyre do të merret me seriozitet, kurse ekziston një kufi i caktuar, ku duhet fuqishëm të mbrojmë të drejta të barabarta, kritere e kushte të barabarta që kërkohen nga vendet. 


29/11/2012

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›