Kryeministri Sali Berisha, njëkohësisht Kryetar i PDSH-së nënshkruan marrëveshjen elektorale me PDI-në
Kryeministri Sali Berisha, njëkohësisht Kryetar i Partisë Demokratike të Shqipërisë nënshkroi sot marrëveshjen elektorale për zgjedhjet e 28 qershorit me Kryetarin e Partisë për Drejtësi dhe Integrim (PDI), zotin Tahir Muhedini.
Gjatë ceremonisë së nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje, Kryeministri Berisha u shpreh:
“Sot, firmosim një marrëveshje me një parti, elektorati i së cilës, në mençurinë më të madhe, vendosmërinë më të plotë, që nga dita e parë e themelimit të PD-së, ka votuar vetëm djathtas. Kjo parti është përfaqësuese në tërësi e komunitetit çam, pjesës së martirizuar të kombit, me historinë ndër më të dhimbshmet, që nga vitet '18 e deri më sot. Një komunitet fisnik, me kontribute të mëdha cilësore në historinë e kombit, një komunitet, i cili u spastrua me akuzat fallco, që nuk bashkëpunoi me nazistët, por luftoi me vendosmëri të madhe, që nga bandat e Zorbës u përzu nga vatrat e tyre dhe erdhi në Shqipëri. Ai rinisi jetën në kushtet më të vështira, nën një regjim që shihte me dyshim çdo çam, sepse problemi i tij ishin kosovarët, çamët edhe minoritarët deri në një masë. Këta ishin tre grupimet që duhej vendosur lupa mbi ta. Ai priti me padurim përmbysjen e diktaturës, pasi iu nënshtrua gjyqeve të pafundme, farsave gjyqësore politike, me të cilat regjimi i eliminoi dhe bëri gjahun e çamëve. Pas Zorbës, gjahun e dytë ndaj tyre e bëri Enver Hoxha.
PD ka mbrojtur çështjen e tyre, e mbron dhe do ta mbrojë si një çështje të drejtë. Ka sanksionuar në Traktatin e Miqësisë dhe Bashkëpunimit me vendin fqinj, në të cilin çamët, për ata që i thonë miqësisë miqësi, kanë kontributin më të madh historik që nga 1828-ta deri në ditët e fundit të Luftës së Dytë Botërore, kanë qenë shembullore në luftën për lirinë e vendit ku jetonin, për dinjitetin e tyre. Heronj të shumtë të revolucionit grek janë me origjinë nga shqiptarët e Çamërisë.
Ne e firmosim këtë marrëveshje sot, për të fituar zgjedhjet, për të qeverisur së bashku dhe për të çuar përpara zgjidhjen e problemeve të këtij komuniteti, të bindur se tek Sali Berisha kanë pasur dhe do të kenë një avokat të së drejtës së tyre, por te integrimi evropian, do të kenë edhe zgjidhjen dhe përgjigjen më të mire për një seri problemesh.”
01/05/2009