Konferencë për shtyp e kryeministrit Berisha

Kryeministri Berisha dha sot pasdite, një konferencë për shtyp, në të cilën u shpreh:
Jam këtu, për të falënderuar përzemërsisht ambasadën e SHBA-ve , për angazhimin e saj, për të kontribuar në një hetim të plotë, të gjithanshëm, profesional, të rrethimit të dhunshëm të kryeministrisë, të ngjarjeve, kontekstit, background-it, rrethanave, të zhvillimit të kësaj ngjarje, e cila në dijeninë time është më e rënda që nga 1924-a deri në ditët e sotme.
Dy ditë më parë, unë paraqita një kërkesë të tillë dhe e vlerësoj shumë mundësinë që ekspertë të shquar të kësaj fushë të kontribuojnë në zbardhjen e të gjithë të vërtetës në këto zhvillime dramatike. Gjithashtu e vlerësoj shumë këtë akt sepse në mënyrën më precize, jam i bindur se do të mund të saktësohet gjithçka lidhet me humbjen e tre jetëve, shkaqet, rrethanat, në të cilat këta protestues humbën jetën. Kjo përbën një detyrim të shtetit ligjor. E kam theksuar dhe theksoj se në përpjekjet për të përmbysur një qeveri, në përpjekjet për grusht shteti, mund të humbasë jetën askush, por mund të humbasin jetën 3, 13, 30 dhe më shumë. Një gjë është e sigurtë që kurrë një institucion i lirë nuk lëshohet, nuk jepet, nuk dorëzohet. Ky është themeli i qëndrimit.
Pra, qëllimi është për një ekip të besueshëm. Përpara jush, në datën 21 janar, në darkë, unë apelin e parë ia drejtova Prokurorisë së shtetit. Zhvillimet e revoltës faktuan shumë gjëra të tjera, rrethana të cilat në fakt kërkonin një hetim kredibël. Garantojmë se do të ketë bashkëpunim të plotë të të gjitha agjencive në procesin e këtij hetimi, pa asnjë lloj mëdyshje.
Tani ka dhe një kërkesë të dytë, e cila ka të bëjë me mitingun e ditës së shtunë, sepse në mënyrë të vetvetishme pasi e shtyva nga e mërkura përzgjodha të shtunën, por përzgjedhja e kësaj dite nuk kishte lidhje me asgjë tjetër, përveçse me dy rrethana. E para që nuk ishte ditë pune dhe e dyta sinoptika se dhe ky ishte një faktor. Meqenëse po krijon përshtypjen e një “show up”, nuk është ky qëllimi. Në këtë kontekst, përveç kërkesës, sepse mendoj se u plotësua një kërkesë shumë e rëndësishme, për një hetim të plotë dhe të gjithanshëm, mendoj se edhe ne duhet të shqyrtojmë mundësinë e anulimit për të shtunën, të atij mitingu që të mos kuptohet kjo si një lëvizje populiste, që është gjëja e fundit që më shkon ndër mend, ndërkohë që ajo kishte thjesht synimin për të dënuar dhunën, se ka një mënyrë tjetër për ta dënuar dhunën në një kohë kur del jashtë kontekstit dhe nuancave që mund të jepen.
Ndaj dhe jemi duke e konsideruar këtë kërkesë, të cilën ma ka bërë ambasadori Arvizu, ambasadorë të tjerë, por ma kanë bërë dhe shumë shqiptarë, cështe e vërteta, më të shumtë nga diaspora, por dhe shumë nga Shqipëria, që të mund të shihet, ne mënyrë që të mos ketë një koncept ku të përzihet edhe show up, për forcë edhe antidhunë. Por, unë në filozofinë, për të cilën ishte konceptuar, besoj se isha i qartë.
Pyetje: Pak orë më parë, në një konferencë për shtyp Prokurorja e Përgjithshme Ina Rama e cilësoi demonstratën e dhunshme të 21 janarit dhe sulmin ndaj kryeministrisë si një ngjarje në bulevard. Cili është komenti juaj për këtë?
Kryeministri Berisha: Kjo tingëllon si emër-kod i puçit të dështuar.
Pyetje: Gjithashtu, në këtë konferencë për shtyp, zonja Rama deklaroi se policia nuk i kishte kërkuar të hetonte për organizatorët e sulmit ndaj kryeministrisë. Cili është komenti juaj?
Kryeministri Berisha: Përgjigjen për këtë e ka dhënë zëdhënësi i policisë së shtetit, ku ka informuar se policia ka depozituar në prokurori, ditë më parë, padinë për dhunimin e rendit kushtetues.
Pyetje: Sot vura re se jeni tërhequr nga fjalët puç dhe grusht shteti. A keni tani besim se Prokuroja e Përgjithshme, të cilën ju e quajtët pjesë të skenarit të puçit të shtetit, do të bëjë një hetim të besueshëm me përfshirjen e ekspertëve amerikanë?
Kryeministri Berisha: Së pari, nuk ka asnjë tërheqje se nuk ka njeri në botë që mund të tërhiqet, në qoftë se një Këshill ministrash rrethohet nga barbarët për 5 orë. A e patë ju se kush do të udhëhiqte Shqipërinë? I patë me çfarë njerëzish Edi Rama donte të vinte në pushtet. Me njerëz të hurit, të gurit , të drurit. Pra nuk mund të ketë asnjë lëkundje nga kjo. Kryeministri i vendit, para të gjithë shqiptarëve u rrethua nga skuadrone dhe falanga banditësh, kriminelësh, të droguarish, të paguar, që drejtoheshin direkt nga lokalet dhe zyrat e Fidel Yllit, nga kryetari i opozitës që priti 5 orë për të ardhur me dhunë, në zyrën e Kryeministrit dhe së dyti nga ata, të cilët jepnin ato urdhra, pjesë të së cilave, unë lexova sot para mediave. Këtu nuk mund të ketë asnjë lloj ekuivoku. Fillimisht unë kam ftuar prokurorinë për hetim , por çdo qytetar që lexon Kodin Penal gjen te shkruar e zezë mbi të bardhë se çdo tentativë për të pushtuar ndërtesa qeveritare është kryengritje e dhunshme. Çdo qytetar që lexon dhe ligjet më elementare gjen të shkruar se çdo përpjekje për të përmbysur me dhunë qeverinë është grusht shteti. Kjo është e qartë si kristali. Ka një komision hetimor parlamentar, i cili do të faktojë në rrafshin ligjor për këtë akt të shëmtuar, më të shëmtuarin pas 1924, në historinë e këtij vendi. Si akt, se diktatura ishte gjëja më e rëndë që pësuam ne, ndërsa si akt, ky ishte më i shëmtuari nga 1924
Pyetje: Zoti kryeministër a jeni ju të gatshëm të uleni në një tryezë me zotin Rama tani dhe a ju a kanë kërkuar këtë ambasadorët?
Kryeministri Berisha: Zoti Rama organizoi një puç, zoti Rama me njerëz të hurit dhe të litarit, të gurit dhe të drurit, të eksplozivave, u vërsul dhe rrethoi Kryeministrin. Zoti Rama do të përballet me pasojat e aktit të tij. Natyrisht kur e them këtë e theksoj se kam qene dhe mbetem i vendosur për rrugën ligjore. Në rast se tenton edhe një herë i kam dhënë ultimatum të prerë se do të amnistohet çdokush tjetër përveç atij. Kjo nuk lëviz. Dua të jem i hapur me shqiptarët. Në një vend të lirë, një prokurori e pavarur vepron dhe jep zgjidhjen, po kur kjo nuk ndodh, për arsye të implikimeve direkte, atëherë ka gjithnjë rrugë të tjera për tu zgjidhur dhe rruga do të jetë kjo që kam paralajmëruar. Unë jam shumë serioz sepse është alternative e vetme. Askush nuk e ka rrethuar Zotin Rama. Kjo qeveri e mbron zoti Rama, shpenzon për mbrojtjen e zotit Rama. Është ky kryeministër që ka vendosur liderin e opozitës nën mbrojtje, me ligj. Dhe kam bërë mirë. Nuk jam i penduar. Në qoftë se ky mendon se do mund ta rrëzojë këtë qeveri, kjo është tjetër gjë. E bëri njëherë dhe unë uroj të mendoj thellë, thellë për atë që ka bërë. Nga pozita të tilla kjo është gjëja më e rëndë që mund të bënte. Imagjinoni se atë që nuk duhet ta bënte kurrë, ai e bëri para të gjithë shqiptarëve. Rrethoi për pesë orë kryeministrin e vendit, duke fërkuar duart, duke iu dhënë urdhra bandave, kriminelëve, për sulme. Ju njoftova, ishin të gatshëm kallashnikov dhe armë të tjera. Me asnjë lloj arme nuk mund të futesh në këtë ndërtesë. Kjo ka një mbrojtje totale dhe absolute. Kjo është e vërteta.
Pyetje: Keni deklaruar se në rast se opozita do të ripërsërisë këto akte dhune, do të arrini deri në përdorimin e ushtrisë.
Kryeministri Berisha: Nuk e kam deklaruar kurrë këtë. Dhe po të garantoj se as edhe një ushtar i vetëm nuk do të lëvizë nga kazerma. Çfarëdo që të ndërmarrë, ushtria do të jetë në kazermë. Nuk ekziston as edhe një lloj nevoje dhe variant në asnjë rrethanë që ushtria të dalë nga kazerma. Përkundrazi kam deklaruar se ushtria nuk do të dalë nga kazermat, por kam deklaruar se, në se do të ndërmerret më, ndonjë rrethim i institucioneve kushtetuese, ose sulm për ti marrë ato, ai që e ndërmerr nuk do të mund ta ndërmarrë kurrë më, një herë tjetër. Kaq kam deklaruar dhe e kam bërë këtë në rrethanat kur kam konstatuar se kishte një fazë (b) dhe një fazë (c), të këtij procesi.
25/01/2011