E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha takohet me Drejtorin Ekzekutiv në Shërbimin e Jashtëm të BE-së zotin Miroslav Lajcák

Kryeministri Berisha priti sot Drejtorin Ekzekutiv në Shërbimin e Jashtëm të BE-së zotin Miroslav Lajcák, i cili është i dërguari i Bashkimit Evropian për të diskutuar me faktorët politikë shqiptarë mbi situatën e krijuar si pasojë e protestave të dhunshme dhe përpjekjeve për përmbysjen e rendit kushtetues dhe institucioneve të zgjedhura në mënyrë demokratike.

Kryeministri Berisha i paraqiti zotit Lajcák një ekspoze të ngjarjeve që çuan në përpjekjen e dhunshme të  21 janarit dhe mbi pozicionin e qeverisë shqiptare lidhur me situatën. Duke shprehur falënderimin për mbështetjen dhe interesin për hetimin, Kryeministri Berisha e siguroi zotin Lajcák se qeveria shqiptare mbështet një hetim të plotë, objektiv, profesional, e mbi të gjitha të paanshëm të ngjarjeve. Kryeministri siguroi gjithashtu për vendosmërinë e qeverisë shqiptare për mbrojtjen e Kushtetutës, të shtetit ligjor dhe institucioneve demokratike në vend, përkarshi çdo tentative për shkeljen e tyre.

Zoti Lajcák i rikonfirmoi kryeministrit Berisha mbështetjen e plotë të Bashkimit Evropian duke theksuar së ajo e konsideron qeverinë Berisha si partner dhe qeveri legjitime të Shqipërisë si dhe vlerësoi si një akt përgjegjësie të lartë nga ana e kryeministrit vendimin për mos mbajtjen e manifestimit të ditës së shtunë duke theksuar se ky qëndrim duhet të ndiqet edhe nga opozita.

Zoti Lajcák u shpreh se BE kërkon nga palët, shmangien e organizimit të  protestave për të evituar përshkallëzimin e akteve të dhunshme kundër institucioneve demokratike dhe shtetit ligjor. BE kërkon nga të gjitha palët rivendosjen e dialogut politik në Parlament për të vijuar ecjen përpara me axhendën e integrimit evropian veçanërisht atë të statusit të vendit kandidat dhe përqendrimin të gjitha energjive në përgatitjen për zgjedhjeve lokale të 8 Majit.


26/01/2011

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›