E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha takohet me familjarë të efektivave të Policisë së Shtetit dhe Gardës së Republikës

Çdo gjë që ju keni përjetuar, keni ndjerë e keni ndarë atë me çdo shqiptar që i thotë Shqipërisë-Shqipëri, nderit-nder, detyrës-detyrë, flamurit-flamur.

Nëse nuk je i mbrujtur me vese të tilla, nëse nuk ndan antivlera të tilla në shpirt e në zemër, kurrë nuk do të mund të sulmoje ata djem e burra, të cilët kanë bërë kaq shumë për këtë vend.

Shërbimi që ata i bënë vendit ishte një shërbim historik, sepse çdo gurë, çdo hu, çdo zjarr, çdo plumb që hidhej drejt tyre nuk ishte asgjë tjetër, veçse zjarr, gurë, dru, kundër këtyre fëmijëve, kundër secilit prej nesh, kundër çdo qytetari, kundër Shqipërisë.

Ky puç që sërish vazhdon do të marrë po nga institucionet e ligjet e këtij vendi ndëshkimin më të merituar.

Kryeministri Berisha u takua sot në ambientet e kryeministrisë familjarë të efektivave të Policisë së Shtetit dhe Gardës së Republikës, të cilët më 21 janar qëndruan në mbrojtje të rendit dhe në mbrojtje të Këshillit të Ministrave.

Në fjalën e tij, kryeministri Berisha u shpreh:

“Të dashur fëmijë, bashkëshorte, prindër, familjarë, të efektivave të Policisë së Shtetit dhe Gardës së Republikës,

Së pari, dua t’ju përshëndes juve, të përshëndes të gjithë familjet, të përqafoj fëmijët, të përshëndes të gjithë bashkëshortet, prindërit, vëllezërit, motrat, familjarët e të gjithë efektivit të Policisë së Shtetit dhe Gardës së Republikës, të shpreh vlerësimin tim më të madh, respektim më të thellë për punën e shkëlqyer që ata bëjnë në mbrojtje të rendit, të sigurisë dhe jetës së qytetarëve shqiptarë. Unë dua t’ju përshëndes juve, fëmijët, bashkëshortet, prindërit, vëllezërit, motrat e efektivave të Policisë dhe të Gardës, të cilët në datën 21 janar do të përballeshin me një nga sulmet më barbare, më çnjerëzore e më mizore, të cilin Amarildo Yzeiri e kishte përshkruar sot në media në mënyrën më të saktë. Për mua, - thoshte ky oficer i Policisë së Shtetit - muajt e qëndrimit në Irak kanë qenë lule, krahasuar me ato orë sulmi të tërbuar mbi ne, para institucionit kryesor kushtetues ekzekutiv të vendit Këshillit të Ministrave.

Unë e di se çdo sekondë, çdo minutë, ju të gjithë keni ndjekur atë barbari të paparë me zemër të ngrirë, me dhimbje të madhe, me emocionet më të thella së pari, për më të dashurit tuaj, mbi të cilët vërshonin tulla, gurë, hunj, zjarre, të shtëna armësh, plumba, shishe molotov dhe e gjithë ajo situatë terrori në rrugë ishte terrori më i madh në shpirtrat dhe zemrat tuaja. Por dua t’ju garantoj se çdo gjë që ju keni përjetuar, keni ndjerë e keni ndarë atë me çdo shqiptar që i thotë Shqipërisë-Shqipëri, nderit-nder, detyrës-detyrë, flamurit-flamur. Kurrë ndonjëherë një solidaritet të tillë njerëzor nuk ka qenë në këtë shkallë, sa ka qenë solidariteti i shqiptarëve në Shqipëri, në Kosovë, kudo që janë me ju, bashkëshortet, prindërit, fëmijët, vëllezërit, motrat, por edhe me burrat e djemtë tuaj, të cilët me heroizëm të pashembullt shmangën e dështuan aktin më primitiv, më mizor, më të turpshëm, më antikushtetues në historinë e këtij vendi.

Ju keni ndjekur çdo sekondë ashtu siç e kanë ndjekur të gjithë shqiptarët, një sulm barbar të organizuar nga një njeri që nuk ka asnjë koncept, një njeri për të cilin i ati është për t’u akuzuar me akuzat më të rënda që mund t’i bëhen, një njeri për të cilin djali është për t’iu mohuar kafshata për dhjetë vjet dhe është për t’ia dhënë atë vetëm për të marrë një karrige politike, një njeri, bashibozukët e të cilit i rezervuan Bekimes goditjen me hunj e çadra vetëm e vetëm se tha rroftë Sali Berisha. Natyrisht, ai që goditi Bekimen është një bandit ordiner, por ai nuk bëri gjë tjetër veçse replikoi në bulevardin e Tiranës kryetarin e tij faqezi, që publikisht ka goditur me dhjetëra herë të gjitha gratë e familjes së tij dhe kjo është një e vërtetë e pamohueshme. E theksova këtë se para të gjitha aspekteve, aspekti njerëzor është aspekti kryesor, sepse, nëse nuk je i mbrujtur me vese të tilla, nëse nuk ndan antivlera të tilla në shpirt e në zemër, kurrë nuk do të mund të sulmoje ata djem e burra, të cilët kanë bërë kaq shumë për këtë vend.

Unë takova drejtuesit e bashkëshortëve dhe djemve tuaj dhe e them sërish këtu, bashkëshortët tuaj janë oficerë, nënoficerë, nuk janë politikanë, deputetë, ministra, zyrtarë, por ju garantoj se për këtë vend, për këtë popull e për këtë shtet ata, kanë dhënë përveç datës 21 janar, aq sa ka dhënë çdo ministër, çdo deputet e çdo politikan. Janë këta, bashkëshortët, fëmijët, vëllezërit tuaj, të cilët nga viti 2005 e këtej kryqëzuan para ligjit banditë pas banditi, u përballën dhe ranë për t’u bërë të pavdekshëm me bandat e kriminelët më të rrezikshëm në Europë, që të gjithë sejmenë e ortakë të bosëve që drejtojnë Partinë Socialiste, që duan ta kthejnë atë në parti të dhunës, për interesa të tyre kriminale, për interesa të tyre antikombëtare, për interesa të tyre çnjerëzore e antishqiptare. Janë burrat dhe gratë, pasi në efektiva kemi edhe zonja, në forcat e Policisë së Shtetit, ata, të cilët me përkushtim të jashtëzakonshëm, me vendosmëri të madhe zbatuan në mënyrë të shkëlqyer një prej reformave më historike për këtë vend, atë të lëvizjes së lirë. Çdo shqiptar, çdo i ri dhe e re, burrë e grua, i moshuar dhe e moshuar duhet ta dijë se nuk ka pasur asgjë më të vështirë, sesa heqja e vizave për shqiptarët dhe se ky sukses i detyrohet para së gjithash e mbi të gjitha burrave e grave tuaja me uniformë, të cilët bindën me punën  e tyre, aftësitë, ndershmërinë e trimërinë e tyre të gjithë partnerët, bindën policitë e 27 shteteve se në duart e tyre ka vetëm siguri, se kontrollojnë me përgjegjësi të lartë territorin e dominojnë krimin, se kanë adaptuar dhe përdorin teknologjitë më moderne. Në një provë të imponuar nga falangat barbare, ata i treguan çdo shqiptari, çdo qytetari të lirë në Shqipëri dhe në Europë, i treguan kombit mbarë se ky vend ka shtet. Njerëzit tuaj, djemtë e vajzat tuaja me uniformë në Policinë e Shtetit dhe në Gardë u faktuan shqiptarëve një herë e përgjithmonë se institucionet e një qeverie të dalë nga zgjedhje të lira, institucionet e një shoqërie që bën zgjedhje të lira janë kështjella lirie që nuk mund t’i marrë kush.

Ju keni qenë me zemër të ngrirë nga ato sulme barbare, ku ishte shumë e vështirë të përcaktoje se çfarë do të sillte minuta tjetër, por për një gjë ju garantoj se çdo gjë mund të sillte, por kurrë qëllimin kobzi të puçistëve për të marrë Këshillin e Ministrave. Këshilli i Ministrave nuk de të merrej kurrë. Së bashku me burrat, djemtë e vajzat tuaja  me uniformë këtu ishte i tërë aparati i Këshillit të Ministrave, i vendosur që në çdo moment të ishte ushtar dhe të bënte atë që i përkiste, i vendosur që çdo bashibozuku, çdo horri, çdo rrugaçi e huligani t’i jepte atë që meritonte. Patëm tre viktima nga sulmuesit. U kam shprehur dhe i shpreh familjeve të tyre ngushëllimet. Ishin të paguar apo jo për të sulmuar institucionin e kryeministrisë shpirti i tyre dhe familjarët e tyre e dinë, por unë jam këtu për t’i bërë thirrje të gjithë familjeve shqiptare se ne kemi qenë në monizëm dhe asnjë luftë, asnjë epidemi nuk ka shkatërruar një komb e një vend, saç na shkatërroi monizmi ne. Ndaj ne jemi burrat e gratë, djemtë e vajzat që respektojmë më shumë se kushdo tjetër pluralizmin, mendimin ndryshe, të cilin zoti Rama e dëshmoi me njerëzit tuaj, e dëshmoi me Bekimen tek shkonte në shkollë,  se cili është respekti i tij për mendimin ndryshe. Dhe do të respektohet çdo liri dhe këtu qëndron forca jonë. Ju garantoj se nuk ka asgjë më të fortë mbi tokë se liria dhe respektimi i saj. Pse nuk u thye, nuk u mor Këshilli i Ministrave, pse e mbrojtëm me kaq vendosmëri burrat, djemtë e vajzat tuaja? Sepse ata për vite e vite mbrojnë liritë e qytetarëve kudo. Janë këta, të cilët banditët e Edi Ramës i gjuanin si barbarë, që kanë garantuar çdo protestë që ky shok apo zotëri ka bërë nga viti 2005 e gjer më sot dhe do t’i garantojmë. Ne nuk lëkundemi nga raporti ynë me lirinë, se aty qëndron e gjithë forca jonë. Por nga ana tjetër, ai që synon të dhunojë liritë tona do mjerohet dhe vetëm do mjerohet. Ju i keni parë njerëzit tuaj se si u goditën me të gjitha mjetet e të gjitha mënyrat. Aty edhe të rënë mund të kishte. Detyra është detyre. Për njeriun, asgjë nuk ka më të rëndësishëm mbi tokë në momentin kur ai duhet t’ dalë zot detyrës, se si qëndron dhe se si e mbyll jetën e tij. Në këtë kontekst, ata që i qëndrojnë detyrës kanë një vend dhe atë vend e kanë në flamur, kanë një emër të dytë dhe atë emër e kanë nder. Do të mjerohen të gjithë ata që përpiqen të poshtërojnë burrat e gratë, të cilët janë të vendosur të qëndrojnë para nderit, detyrës e flamurit të tyre.

Shërbimi që ata i bënë vendit ishte një shërbim historik, sepse çdo gurë, çdo hu, çdo zjarr, çdo plumb që hidhej drejt tyre nuk ishte asgjë tjetër, veçse zjarr, gurë, dru, kundër këtyre fëmijëve, kundër secilit prej nesh, kundër çdo qytetari, kundër Shqipërisë në tërësi dhe në rast se kjo do të kalonte, imagjinoni ju se në çfarë race bashibozukësh,  horrash, huliganësh e të inkriminuarish do të binin fatet tuaja, fatet e nënave e motrave shqiptare, fatet e burrave e grave të Shqipërisë, fatet e shkollimit të shqiptarëve, fatet e biznesit e të zhvillimit të Shqipërisë. 

Ka vetëm një moment për ta vlerësuar, cilat janë zhvillimet pas. Enveri qëndrim tjetër nuk mund të kishte. Shpesh herë më është thënë përse ia përsërit këtë. Ia them se është kopje shpirtërore  tij. Me aktin e tyre, këta burra e djem shpëtuan Shqipërinë e faqen e saj nga një grusht i vërtetë shteti. Ishte një grusht me tre stade. Stadi i parë dështoi me turpin më të madh. Gjokset, balli, zemra, trimëria e shpirti i burrave e grave tuaja me uniformë bënë që ata të dështojnë me turpin më të madh. Por kjo është faza e parë. Faza  e dytë vazhdon përpjekjen. Ju garantoj se ata që flasin për ngjarje bulevardi nuk janë gjë tjetër, më falni për shprehjen, veçse horra e lavire bulevardi, tregojnë se janë hienat e prapaskenës së puçit të rrugës, për të cilin duhet të merreshin jetët e burrave, fëmijëve e vëllezërve tuaj. Ata, të cilët mendojnë se në strofullën ku janë do mund të vazhdojnë këtë veprimtari, i garantoj se i pret ai fund që meritojnë. Ne jemi njerëz që i besojmë lirisë. Ne jemi njerëz që i besojmë Shqipërisë. Ne jemi njerëzit që i besojmë flamurit. Ne dimë ta nderojmë flamurin tonë. Një prej djemve tuaj e dëshmoi atë. Secili prej djemve tuaj e dëshmoi me qindra herë atë gjatë asaj dite dhe ne jemi të gatshëm ta dëshmojmë çdo minutë, çdo orë, çdo ditë.

Situata është tërësisht nën kontroll. Janë përpëlitjet e fundit të horrave e lavireve të bulevardit, por janë përpëlitje të dështuara, të mjera. Ato që i bëjnë nuk dinë ku do të fusin kokën, nuk dinë se si do të shpëtojnë. Ju garantoj se unë kam një zotim, një vendim, asgjë nuk do të zhvillohet jashtë institucioneve të këtij vendi, ndonëse ka prej tyre, të cilat janë të drejtuara nga njerëzit e bulevardit, nga horrat e bulevardit. Por kjo nuk më pengon kurrë të respektoj institucionet, se ato nuk janë individët. Edhe atë ditë nuk u mbrojt Sali Berisha, por u mbrojt ekzekutivi kryesor i një shteti të lirë, u mbrojt një qeveri që ka dalë nga zgjedhje ët lira. Ky është koncepti. Ndaj ata që mendojnë se mund të përdorin institucionin për të dhunuar ligjet e këtij vendi, do të kenë fatin e horrave të bulevardit dhe asnjë tjetër.

Kjo është një situatë kalimtare. Çdo shqiptar e shqiptare përulet sot së bashku me mua, me nderimin më të madh para njerëzve tuaj më të dashur që me virtytet e tyre, virtytet e familjeve të tyre, virtytet më të arrira i vunë gjoksin një akti të shëmtuar, një akti që ka fytyrën e puçistëve, njerëzve të hurit, të gurit dhe të zjarrit dhe bënë që të dështoi. Ata u thanë atyre se aty do hyni, kur të kaloni mbi gjokset tona. Por ato gjokse janë muri më i pakapërcyeshëm që ka Shqipëria. Ndaj dua t’ju përqafoj të gjithë ju, të gjithë ata që nuk janë këtu me ne, por që i kanë pasur të dashurit e tyre këtu, në mbrojtje të Këshillit të Ministrave, të gjithë familjet e familjarët e efektivave të Gardës së Republikës dhe e Policisë së Shtetit, të garantoj se do të bëj gjithçka për mbështetjen e tyre dhe se ky puç që sërish vazhdon do të marrë po nga institucionet e ligjet e këtij vendi ndëshkimin më të merituar. Kriminelët e kuptojnë se çfarë kanë bërë e si bishë e tërbuar përpëliten në strofkullat e tyre luksoze. Janë të pashpresë. Ligji është mbi çdo qytetar të këtij vendi. Ligji është e do të jetë mbi çdo zyrtar të këtij vendi. Ne jemi vend i lirë, jemi vend anëtar i NATO-s. Duhet të jap një paralajmërim tjetër Prokurores së Përgjithshme. Thuaju shqiptarëve me çfarë cilësie mashtrove se nuk është bërë padi, kush ta dha porosinë të deklarosh se nuk është bërë padi për dhunim të institucioneve kushtetuese. Duhet ta thuash, këtë ta kërkojnë të gjithë këta burra e gra, ta kërkojnë të gjithë burrat e gratë e Shqipërisë që panë se djemtë e tyre për 5 orë rresht u sulmuan në mënyrën më barbare jo tek pragu i shtëpisë së tyre, as edhe te shtëpia e gjyshërve të tyre, por u sulmuan në mënyrën më barbare në mbrojtje të institucionit kryesor kushtetues ekzekutiv i vendit, Këshillit të Ministrave. Duhet të shpjegosh cili të urdhëroi, nga të erdhi ky urdhër. Mashtrove edhe në prani të një përfaqësuesi të vendit më të madh në botë  e më mik të shqiptarëve në botë. Harrove se  përfaqësuesi i vendit mik, me të cilin po flisje, kishte qenë edhe tek unë dhe ishin bashkërenduar të gjitha gjërat e ti veprove në këtë mënyrë. Unë të kërkoj t’u thuash shqiptarëve, se ti kryeson një institucion kushtetues, kush të urdhëroi, kush të detyroi të mashtrosh publikun, të bësh  një mashtrim kaq të rëndë. Unë mbaj këtë qëndrim, sepse secili prej jush, sepse çdo shqiptar, i ri dhe e re e këtij vendi do të dijë gjithçka luhet e zhvillohet, çdo tentativë që bëhet për të cenuar lirinë e tij. Këtë nuk do mund ta bëjnë kurrë. Këtë ne e kemi faktuar. Por ne jemi vend demokratik dhe bëjmë transparencën.

Edhe një herë ju përshëndes shumë përzemërsisht dhe ju garantoj se institucionet e këtij vendi kanë mbrojtësit më të sigurt, më të shkëlqyer dhe ata janë djemtë e vajzat tuaja me uniformë, por janë pa përjashtim edhe të gjithë zyrtarët që punojnë në këto institucione, të gatshëm për të nderuar detyrën, flamurin e vendit.”


27/01/2011

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›