Konferencë për shtyp e zëdhënëses së Qeverisë dhe Ministres së Integrimit, zonjës Majlinda Bregu
Shqipëria nuk duhet të ketë më strategji afat-shkurtra që përmbysen për interesa politike. Tani është koha që të gjithë të vendosim për një hartë që do të orientojë politikat e zhvillimit të vendit. Kështu qeveria shqiptare brënda pak javëve do të hedh në tregun e debatit publik draftin e Strategjisë Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim.
Procesi i hartimit të këtij dokumenti ka filluar në Qershor të vitit 2006.
•Drafti do të zëvëndësojë Strategjinë Kombëtare për Zhvillimin Ekonomik dhe Social, të aprovuar në vitin 2001, duke u fokusuar në pikat kyce të Planit Kombëtar për Zbatimin e MSA-së dhe Anëtarësimit në NATO.
• Strategjia Kombëtare për Zhvillimin dhe Integrimin do të përfshijë programin e qeverisë, paketën e detyrimeve që rrjedhin nga Marrëveshja e Stabilizim Asociimit, reformat e anëtarësimit në NATO si dhe cdo prioritet në investimet publike dhe në ndihmën e huaj. Dokumenti do të ndërthuret edhe me Planin e Buxhetit Afat-Mesëm.
•Strategjia e re Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim do të shtrihet në një hark kohor 2007 – 2013.
Këshilli i Ministrave po ndjek të gjithë procesin e hartimit të strategjive sektoriale dhe nënsektoriale në Ministritë e Linjës. Draftet po formulohen në përputhje me standartet e kërkuara dhe të lidhura plotësisht me buxhetin afat-mesëm me qëllim që të përmirësohet mekanizmi i shpërndarjes së burimeve financiare.
Këto ditë përfundoi strategjia e zhvillimit të zonave rurale.
Deri tani, Shqipëria nuk ka pasur një dokument zyrtar mbi të cilin bazohej zhvillimi rural. Kjo strategji synon që të orientojë ndërhyrjen publike në zonat rurale dhe në bashkëpunimin me Ministritë e Linjës, Pushtetin Vendor dhe OJF-të, do të sigurojë bazën për programin e zhvillimit rural dhe financimin e tij.
Përveç kësaj, një numër strategjish ndërsektoriale po përditësohen në fushat prioritare, si decentralizimi, e drejta e pronës, mjedisi, anti-korrupsioni . Vetëm dy javët e fundit janë organizuar disa takime me grupet këshillimore dhe donatorët për strategjitë e arsimit parauniversitar, zhvillimit rural, zhvillimit rajonal, rendit publik. Pwr tw gjitha strategjitw sektoriale dhe ndërsektoriale janw zhvilluar seanca dëgjimore me grupet e interesuara. Grupe tw përhershme këshilluesish janw ngritur në cdo ministri për të përfshirë projektet që kanë më shumë impakt tek komunitetet përfituese.
Një draft i Strategjisë Kombëtare është hartuar dhe do t'i vihet në dispozicion publikut të gjerë në javët në vijim dhe do të jetë subjekt i konsultimeve intensive. Dokumenti do të diskutohet me të gjitha grupet e interesit dhe donatorët. Por konfirmimi i tij do të vijë edhe përmes debateve në komisionet paralamentare dhe në formacionet politike të opozitës dhe të mazhorancës. Procesi i diskutimeve edhe në grupet politike synon të formësojë një qëndrimin të pa kontestueshëm për Strategjinë Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim.
Qeveria mbetet e angazhuar qe konsensusi, transparenca dhe pjesëmarrja e gjërë, të jenë parimet kryesore në finalizimin e kësaj strategjie gjithëpërfshirëse. Ky dokument theksojmë do të orientojë politikë-bërjen e Shqipërise deri në vitin 2013, pavarësisht forcës politike qe do të udheheqë vendin. Qeveria parashikon që zbatimi i Strategjisë Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim të nise ne janar të vitit 2008.
Pyetje: Zonja Bregu ju thatë se do të ketë një plan tjetër reformash, le tw themi afatgjata, por a keni menduar se përveç kundërshtive të opozitës do të vazhdoni të keni dhe kundërshti brenda koalicionit, siç janë reflektuar në ligjin e fundit të "gjobave". Ka shumë kërkesa për një thirrje të tryezës së koalicionit, një pjesw e tyre janë dhe ministra të kabinetit. A keni informacion nëse do të mblidhet një tryezë në mënyrë që mazhoranca të arrijë të bindë njëherë antarët e saj për të votuar këto reforma dhe më pas opozitën?
Zonja Bregu: Përsa i përket pjesës së strategjisë dhe formulimit të saj afatgjatë deri në vitin 2013, fakti që kjo strategji do të diskutohet paraprakisht me të gjitha grupet e interesit dhe me të gjitha forcat politike në komisionet parlamentare do të bëjë të mundur që kjo strategji të jetë e qëndrueshme për zbatim deri në vitin 2013.
Persa i përket pjesës së dytë, që është pjesa më politike, sigurisht që përderisa koalicioni ngrihet në bazë të disa negociatave politike, koalicioni nuk lind në një moment të caktuar, apriori, por ka një sërë negociatash që e shoqërojnë atë.
Proçesi i diskutimeve të vazhdueshme brenda koalicionit dhe i mbledhjes së tryezës pavarësisht nga iniciatorët, sigurisht që është një proçes shumë i rendësishëm. Nuk mund t'ju them një datë konkrete por është një proçes.
Pyetje: Zonja Bregu a jeni në dijeni të kontestimeve që kanë patur familjet e skemave piramidale të strehuara në Laprakw, të cilat kundwrshtojnw pagesën mujore që u ka vënë Enti i Banesave ?
Zonja Bregu: Unë jam në dijeni , nuk është proçes që ka lindur sot, është një proçes i gjatë dhe duke qenë se jam deputete në atë zonë sigurisht që e njoh problemin shumë më mirë.
Konteksti në të cilin ka tashmë një protestë apo një kërkesë më tepër ka të bëjë me pagesën e kredisë që kanë familjet e firmave piramidale, tarifën mujore që ata duhet të paguajnë. Është një proçes i cili ka më shumë se 6-muaj që diskutohet, bëhen takime, priten përfaqësues të pallateve të VEFA-s për të dhënë një përgjigje. Ka patur një problem sepse kredia siç është votuar në parlament nuk parashikonte uljen e tarifave financiare vjetore. Gjithsesi në negociatat me Entin Kombëtar të Banesave dhe në negociatat me Autoritetin e Transparencës është arritur që kjo tarifë vjetore të zbritet nga 7 në 3.5 %. Por është një vendim që nuk merret as nga Ministria e Financave dhe as nga deputeti i zonës, por nga parlamenti.
Pyetje: Të hënën ju kaluat në Parlament ligjin e gjobave dhe të enjten qeveria ka miratuar sërish ndryshime në ligjin për procedurat tatimore.. Ligji i dytë mesa di unë është për ngritjen e Qendrës Kombëtare të Bizneseve, çka do të thotë që të gjitha bizneset që nuk paguajnë taksat tek organet tatimore apo tek kjo qendër, ato nuk regjistrohen, pra nuk quhen më biznese. A duhej që më parë qeveria të ishte konsultuar me grupet e biznesit dhe mos bënte sërish gabimin që bëri me ligjin e gjobave, të pa konsultuar me biznesin?
Zonja Bregu: Pyetjen e shoh shumë sugjeruese. Sigurisht që procesi i konsultimeve është një proçes që ka filluar dhe është një proçes që do të përfshijë të gjitha grupet e interesit. Në rastin konkret, që ju flisni për ngritjen e Qendrës Kombëtare të Bizneseve, fakti që do të ngrihet një Qendër Kombëtare për Regjistrimin e Biznesit është pritur mjaft mirë. Sigurisht që nëse ka patur një moment për të cilin duhet ndërhyrë për të qenë më koherentë me debatin është pikërisht diskutimi me grupet e interesit . Dhe, siç ju thashë një gjë e tillë ka filluar.
Pyetje: A jeni dakort ju me konstatimet e kreut të grupit parlamentar të Partisë Demokratike, zotit Bamir Topi për mosfunksionimin e koalicionit për shkak se përgjegjesi kryesor është kryeministri Berisha dhe Partia Demokratike?
Zonja Bregu: Përsa i përket deklaratës së zotit Topi, mendoj se i'u përgjigja dhe pak më parë kur thashë që koalicioni është një formacion i ndryshueshëm në kuptimin e ideve, në kuptimin e debateve. Unë do të kisha preferuar që debatet brenda për brenda koalicionit të vinin me një zë dhe me një përfundim të qenësishëm pas një konsumimi të gjatë ndërmjet palëve. Që do të thotë që ky debat të konsumohet një herë në tryezat e bisedimeve përpara se qëndrimet të fillojnë dhe të kontestojnë njëra- tjetrën.
Sigurisht që në një koalicion, unë mendoj se përgjegjësia është e përbashkët sikurse janë të përbashkëta dhe përfitimet e të gjitha partive që marrin pjesë në këtë koalicion.