Kryeministri përshëndet Ditën Ndërkombëtare të Librit dhe vlerëson kontributin e shkrimtarëve shqiptarë në letërsinë botërore
Kryeministri Berisha përshëndeti sot Ditën Ndërkombëtare të Librit. Duke folur në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Kryeministri Berisha shprehu mirënjohjen dhe nderimin për kontributin që shkrimtarët shqiptarë kanë dhënë në fondin e trashëgimisë letrare botërore. Ndër të tjera, Kryeministri u shpreh:
"Sot është Dita Ndërkombëtare e Librit. Shqiptarët kanë motiv të madh ta nderojnë sot këtë ditë, sepse libra të gjenive së tyre krijuese shndrisin në trashëgiminë më të mirë të librit botëror. Të tilla janë veprat e Kadaresë, të cilat kanë pushtuar mendjen dhe zemrën e lexuesve dhe elitës në mbarë botën. Ndaj edhe ne kemi një motiv shumë të fortë që ta festojmë këtë ditë, me ndjenjën e vërtetë të krenarisë për kontributin e pamohueshëm, të çmuar dhe bashkëkohor të letrave shqipe në fondin botëror të trashëgimisë letrare.
Përmenda shkrimtarin Ismail Kadare, që, për kombin tonë, është gjeniu më i madh i letrave në të gjitha kohërat, por ka edhe shumë shkrimtarë të tjerë të njohur, si Fatos Kongoli, etj., të cilët kanë arritur të botojnë veprat e tyre në gjuhë të ndryshme. Kultura është vlera më eprore që kanë kombet. Thelbin e identitetit të tyre, kombet, më shumë se me çdo gjë tjetër, e kanë të lidhur me kulturën. Ne jemi krenarë me letërsinë tonë, me krijimet e Ismail Kadaresë dhe të shkrimtarëve tanë të tjerë të shquar".