Konferencë shkencore, kushtuar Skënderbeut
Duke marrë shkas nga debatet e shkaktuara kohët e fundit rreth figurës emblematike të Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti- Skënderbeu dhe nga fakti që viti 2010 përkon me 605-vjetorin e lindjes së tij, si dhe 500-vjetorit të veprës së Marin Barletit kushtuar Heroit tonë Kombëtar,në qytetin e Durrësit u zhvillua konferenca ndërkombëtare me temë: “Skënderbeu: Historia dhe Imazhi”. Thirrja e kësaj konference akademike mblodhi në panel referues të mirënjohur, historianë, studiues, albanologë dhe sociologë nga vendi, Kosova dhe Italia të cilët ofruan qasje dhe ndriçime të reja rreth personalitetit dhe veprës së Heroit tonë Kombëtar dhe epokës së tij. Për të janë shkruar nga autorë kryesisht të huaj mbi 1700 vepra, janë realizuar kompozime dhe bërë vlerësime maksimale, por edhe janë ngritur shumë pikëpyetje që e bëjnë emrin, jetën e tij tërheqëse dhe një objekt të vazhdueshëm hulumtimi. Presidenti i Republikës, z.Bamir Topi, që përshëndeti konferencën u ndal në disa nga momentet kyçe të figurës së Skënderbeut dhe rolit të tij si themelues i shtetit shqiptar, orientimin e vendit drejt Europës së qytetëruar dhe aleancat me të në mbrojtje të krishterimit. Ai la të kuptohet se modeli që bujarisht vendi dhe historia na jep përmes kësaj figure duhet ndjekur si model nga politikanët, shtetarët e diplomatët e sotëm. Drejtori i Qendrës së Studimeve Albanologjike Prof.Dr. Ardian Marashi, tha se ndër shekuj është shkruar për Heroin dhe tashmë çështja shtrohet se çfarë të rejash mund të sillen për këtë figurë që i kapërcen kufijtë kombëtarë. Në konferencë referuan Pëllumb Xhufi, Selim Daci (Kosovë), Lucia Nadin (Itali), Ferit Duka, Aurel Plasari, Luan Malltezi, Zamira çavo, Italo Fortino (Universiteti Oriental i Napolit) e të tjerë.
#