Policia për Belegun: Pyetje familjes për konfliktet e tij
Policia do të ripyesë sërish të njohurit e Eduart Belegut, ish-këshilltar i ministrit të Ekonomisë, për mundësinë e konflikteve që ai mund të ketë pasur nga arsye të ndryshme. Ky është hapi i fundit hetimor që po ndiqet nga policia e kryeqytetit pas rikthimit të dosjes në polici për plotësimin e të dhënave të tjera në lidhje me zhdukjen e ish-këshilltarit Belegu. Gjithashtu, policia vazhdon të kryejë gjithë verifikimet e duhura për të vërtetuar përfundimisht nëse ai është larguar vetë, apo është person i rrëmbyer. Sipas të dhënave, deri tani nuk ka asnjë fakt nëse ai është rrëmbyer, pavarësisht se janë marrë në pyetje shumë persona. Por nga ana tjetër, ngjarja po hetohet me intensitet, pasi nga hetimet e deritanishme nuk ka rezultuar asnjë pistë nga e cila mund të zbardhej vendndodhja e Belegut. Gjatë kësaj kohe janë verifikuar banesat e të afërmve të Belegut për vendstrehimin e tij, por nuk është gjetur. Gjithashtu janë kontrolluar pronat e tij, si dhe është kërkuar informacion në pikat e kalimit kufitar, nga ku kanë ardhur përgjigjet se “Eduart Belegu nuk rezulton ta ketë lënë Shqipërinë para se të zhdukej”. Një pikë kyçe e hetimeve ishin edhe tabulatet e telefonit të të zhdukurit. Personat që kanë kontaktuar së fundmi me Belegun janë marrë në pyetje dhe nga verifikimet paraprake nuk ka rezultuar ndonjë detaj me vlerë për hetuesit. Ai mendohet se mund të përdorë numër tjetër telefoni, nëse është larguar me dëshirën e tij. Megjithatë, gjithë këto mbeten për t’u verifikuar, ku nuk përjashtohet mundësia se ai mund të jetë larguar nga Shqipëria drejt vendeve fqinje, por pa përdorur emrin e tij në pikat e kalimit kufitar. Një nga provat më të rëndësishme për grupin hetimor ishte edhe mesazhi që ka mbërritur në celularin e të vëllait. Për të mundësuar një hetim të plotë, oficerët e policisë gjyqësore po këqyrin çdo të dhënë në tabulatet telefonike, nga ku shpresohet të nxirret ndonjë fakt për zhdukjen e tij. Gjithashtu, hetimet janë përqendruar edhe tek automjeti, i cili është gjetur në periferi të Tiranës. Ekspertë të fushës po vazhdojnë të bëjnë këqyrjen e tij, ndërsa po mbahen kontakte me familjarët për çdo të re. Burime nga policia dhe prokuroria thanë se Belegu ka takuar rreth 25 persona para se të zhdukej, ndërsa ata që kanë komunikuar, qoftë fizikisht, qoftë verbalisht, janë thirrur për dëshmi në polici dhe prokurori. Policia tha se një ndihmë në këto hetime mund të japin edhe të njohur të tjerë të Belegut, që kanë qenë të interesuar gjatë gjithë kësaj kohe për gjetjen e tij.
#