E Diel, 1 Nëntor 2026

Nesmark, fushatë sensibilizimi për përdorimin e metodave moderne të kontracepsionit

Breaking Views

Përdorimi i metodave moderne të kontracepsionit në Shqipëri është ende në nivele tepër të ulëta. Në anketimin më të fundit të bërë nga ADHS, paraqitet një situatë ku vetëm 11 për qind e popullsisë është përdoruese e metodave kontraceptive. Kjo gjendje është më problematike në zonat rurale, ku edhe informimi mbi metodat moderne të kontracepsionit është më i mangët. Kjo problematikë paraqitet dhe më komplekse nëse merren parasysh dy rrjedhojat e natyrshme të mospërdorimit të kontraceptivëve, abortet dhe infektimi prej sëmundjeve seksualisht të transmetueshme.
Duke u nxitur nga kjo situatë, Nesmark, përgjatë muajve Shkurt, Mars dhe Prill, organizoi një varg takimesh në zona rurale të vendit tonë, në kuadër të projektit “Aftësi për jetën për gratë në moshë riprodhuese”. Komunat që përftuan nga ky projekt ishin: Baz, Kombsi (për Matin), Manati, Shën Koll (për Lezhën), Kënetë (dy qendra shëndetësore), Maminas, Spitall (për Durrësin), Kamëz, Bregu i Lumit, Yzberisht dhe Bathore (për Tiranën).

Takimet u paraprinë nga një fazë anketimi, ku femrat e këtyre zonave plotësuan pyetësorë për t’u vlerësuar gjendja e informacionit. Në këta pyetësorë u nxorën në pah dhe ato çështje ku femrat ishin më pak të informuara. Kështu, shumica e femrave kishin njohuri lidhur me disa metoda tradicionale të kontracepsionit, që bëjnë pjesë te metodat natyrale të kontracepsionit, por kishin mungesa të dukshme kur bëhet fjalë për metodat moderne të kontracepsionit. Vetë takimet kishin për qëllim që përmes trajnimit nga lektore të fushës, të bëhej informimi i femrave mbi çështjet e planifikimit familjar dhe shëndetit riprodhues. Rëndësi të veçantë iu kushtua temave si aborti, që përbëjnë një problem të trashëguar nga e shkuara, kur ai ka qenë i ndaluar. Gratë patën mundësinë të njihen me rreziqet që paraqesin sëmundjet seksualisht të transmetueshme dhe mënyrat për t’i parandaluar ato. Një informacion i detajuar për ekzaminimet dhe testet parandaluese e diagostikuese u dha jo vetëm nga lektoret, por edhe përmes broshurave dhe pamfleteve të shpërndara te çdo pjesëmarrëse.

Në çdo komunë, Nesmark bashkëpunoi me qendrat shëndetësore lokale për shpërndarjen e mëtejshme të informacionit. Kjo gjë u bë e mundur përmes shpërndarjes së broshurave që përmbajnë informacion të kuptueshëm nga kushdo mbi metodat moderne kontraceptive, që çdo femër të ketë mundësi të informohet për përdorimin dhe avantazhet e tyre.

Këto broshura u shpërndanë gjithashtu në farmacitë lokale, për t’ua shpërndarë grave dhe vajzave të reja, duke u dhënë mundësinë atyre t’i njohin këto metoda e më pas t’i përdorin ato.

Për të vlerësuar impaktin e këtyre takimeve dhe pjesëve të tjera përbërëse të këtij projekti, në përfundim u krye një anketim post-trajnues. Anketimi u zhvillua në të njëjtat kushte individuale si dhe ai paraprak dhe nga ai u morën të dhëna të dobishme lidhur me informacionin që pjesëmarrëset kishin arritur të përvetësonin. Shifrat e dala tregojnë për një përmirësim të ndjeshëm të informacionit.

Projekti “Aftësi për jetën për gratë në moshë riprodhuese” konfirmoi dobinë e iniciativave të tilla, përmes impaktit të tij te gratë e këtyre zonave dhe nga ana tjetër nxori në dukje punën e madhe që duhet bërë ende në këtë aspekt. Pas përfundimit të këtij projekti, NESMARK ka një pamje më të qartë të dimensioneve të vërteta të kësaj problematike dhe të hapave që duhen ndërmarrë në vijim për të arritur një situatë të stabilizuar.

#

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›