Konfindustria: BSH të ndërhyjë ndaj zhvlerësimit të lekut
Përafrimi me shpejtësi i normës së këmbimit të Lekut me Euron në shkallën mesatare të këmbimit prej 140 lek/euro do të thotë, se po arrijmë në zhvleftësim vjetor të ndjeshëm prej afër 15%.
Konfindustria gjykon se zhvleftësimi i vazhdueshëm i lekut në ditët e fundit nuk ka arsye të qëndrueshme për të ndodhur. Kështu, viti mjaft i mire energjetik në vazhdim ka balancuar rënien e të ardhurave të emigrantëve, ndërsa rënia e ndjeshme e çmimeve të importeve bazë, si karburantet, hekuri, drithërat, etj., ka zvogëluar ndjeshëm pasojat e rënies së eksporteve shqiptare, kur dihet se deficiti tregtar i vendit është historikisht mjaft i thellë në favor të importeve.
“Sa më sipër, tregohet se zhvleftësimi i LEK-ut i nënshtrohet më tepër shkaqeve psikologjike dhe spekuluese, që e bëjnë të detyrueshme ndërhyrjen e Bankës së Shqipërisë. Njëkohësisht, kërkohet nga ekzekutivi shqiptar ti përmbahet me rreptësi ruajtjes së parametrave të deficitit buxhetor të planifikuar, duke treguar kujdes në sigurimin e të ardhurave dhe në realizimin e shpenzimeve në grafikun kohor të përcaktuar”, thuhet në një deklaratë të Konfindustrisë.
Konfindustria, mbështetur në të dhënat e vazhdueshme të ardhura pranë saj, vlerëson se vazhdimi i zhvleftësimit të shpejtë të lekut do të ketë pasoja të rënda dhe të drejtpërdrejta, sidomos në industritë që nuk kanë cikël të mbyllur përpunimi në vend dhe lëndët e para të të cilëve sigurohen në tregjet ndërkombëtare, si p.sh. industria mekanike, industria e përpunimit të mishit, industria e përpunimit të grurit, etj.
Sipas saj, më të mbrojtura nga zhvleftësimi i monedhës kombëtare janë sektorët industriale, që punojnë me cikël të mbyllur si p.sh. industria e përpunimit të qumështit.
“Zhvleftësimi i LEK-ut prek ndjeshëm importin e teknologjisë, makinerive dhe pajisjeve industriale, që do të japi ndikim negativ afatgjatë në prodhimin vendor dhe që zeron ndikimin pozitiv në c’kurajimin e importeve të prodhimeve të gatshme, që ndodh objektivisht në rastin e mësipërm. Norma e fitimit në industritë e mësipërme gjate gjithë vitit 2009 është ulur ndjeshëm për të mos prekur çmimet e shitjes dhe për të qenë konkurrues me prodhimet e importit, por vlerësohet se veprimi i mësipërm nuk mund të vazhdojë për një kohë të gjatë në rast se zhvleftësimi i monedhës kombëtare vazhdon”, thuhet në deklaratën e Konfindustrisë.